Edison Ypi: Shtatorja e Skënderbeut një kryevepër në interes të Serbisë

Në Prizren, për nder të 28 Nëntorit iu është zbuluar shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit. Kjo shtatore e punuar nga Sinan Aliaj, ka nxitur debate të shumta.

Madje është kërkuar edhe formimi i një komisioni për vlerësimin e shtatores, që të shihen mundësitë e rimodelimit.

Analisti i njohur Edison Ypi, përmes një statusi në Facebook, këtë shtatore e ka cilësuar si një kryevepër në interes të Serbisë.

“Koka si mi haleje, trupi si lakuriq nate. Serbin që e ka mballos kët’ monstër hiç se paska pengu “Zambaku i Prizrenit” që për me u këndu si duhet lyp tremijë violina, dhe as vet’ Prizreni që ësht’ aq i magjishëm sa vetëm po t’i afrohesh të del zemra nga gjoksi. Serbi ka bo çka i duhet. Një kryevepër në interes të vet”, shkruan Ypi. / KultPlus.com

Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat: Shet votën, vjedh, nuk punon, bëhesh kriminel e i korruptuar

Nga Edison Ypi

Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Do vuash derisa të vdesësh. Sepse ti nuk lexon.

Vendi yt ka vuajtur diktaturën më kriminale të historisë së botës. Prej një çerek shekulli vendi yt është vend i lirë. Ti që nuk lexon këtë dallim nuk e bën.
Ti pi kafe, sodit njerëzinë, habitesh dhe mërzitesh pse nuk janë të gjithë si ty, dhe kafja të duket zeherr. Zeherr e helm do të bëhet kafja sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk mund ta kuptosh madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë. Ndërsa pretendimi yt që edhe të tjerët të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte fundi i botës.

Ti del ndonjëherë në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të bukura, jo rrallë edhe me basene të kaltra. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet; “Janë bërë me pare droge”. Ore, të thotë ndonjëri, eja në vete, kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Nuk i kanë ndërtuar në 1 ditë por tullë pas tulle me një mijë mundime për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota. E kotë. S’ka spjegim që të bind ty që nuk lexon, dhe duke mos lexuar, nuk kupton.

Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i japësh ti shtaza që nuk lexon.
Duke kaluar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra banorësh lokalë. Ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr nuk të ndodh për asnjë arësye tjetër veç asaj se ti nuk lexon.

Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon.
Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, Mall-in e Lasgushit, Letrën e Tatjanës Onieginit, por përsërit batuta të pështira soc-filmash të neveritshëm. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. Gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.

Ti voton, dhe të nesërmen e votimit ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.
Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet; Trokiti një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, u krruajt, u inatos, bërtiti, përplasi derën, doli. Shumica e librave janë vërtet të tillë. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë pakrahasimisht më të vlefshëm se këta me mangall, prush, krruajtje, nevrikosje, përplasje, sepse ti nuk lexon.
Ti nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i mallkon kot së koti ato të shkretat. Femrat, kështjellat e tyre misterioze, nazet e tyre, icklat e tyre, mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s’di të bësh, sepse ti nuk lexon.

Ti nxjerr në Fejsbuk foto me të ngrëna përpara. Është më turp se të dalësh lakuriq tek Sheshi Skënderbej. Edhe këtë ti e bën sepse nuk lexon.
Sheh ndonjëherë në televizor njerëz që recitojnë Poezi, flasin për libra. Habitesh, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë, fatkatrani dhe fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i autorëve të këqinj, grafomanëve budallenj delirantë që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.

Ti që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, intrigon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.
Përvojat e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, janë të gjitha nëpër libra, që ti nuk i lexon.
Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere që nuk i duhesh as dreqit.
Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.

Rrofsh e qofsh e qafsh, ti që nuk e di çfarë janë; shiu i gërmave, flladet e paragrafeve, stuhitë e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive, simfonitë e Poemave, tërmetet e novelave, cunamet e romaneve. / KultPlus.com

Zonjën komplimentoje, ledhatoje e puthe por kurrë mos guxo ta pyesësh për moshën

Nga Edison Ypi

Mosha e Zonjës

U bo surrati jot me e pyt Zonjën për moshën. Ça dreqin ke që e pyet Zonjën për moshën ? Ke qef ta mposhtësh Zonjën, por meqënse Zonja nuk të përfill, e pyet për moshën. Vërtetë Zonja ka një mardhënie lozonjare me peshoren dhe pasqyrën. Problemet që Zonja ka me ato sende i zgjidh vetë, nuk të pyet ty që Zonjën e pyet për moshën. Nuk i pushton dot kështjellat e Zonjës, nuk i eksploron dot skutat e saj, nuk arrin ta lëpish mjaltin e koshereve të Zonjës, dhe i bën pyetje të helmatisura për moshën. Merru me të tjera mosha. Merru me moshën e të pa edukuarit, të paqytetëruarit, të korruptuarit, hajdutit, mafjozit, vrasësit. Mos i fut hundët te Mosha e Zonjës.

Merru po deshe edhe me moshën që e ke lënë pas dore, moshën e Zojushës, e cila, pavarsisht nga pasqyra rrenacake, peshorja hilanjose, dhe photoshopi, nuk mund të jetë më atraktive se Zonja. Nuk e mposht dot Zonjën duke e pyetur për moshën. Sado të lodhesh dhe çfardo armësh të përdorësh nuk e fiton dot luftën me Zonjën duke e pyetur për moshën. Zonja është e vetmja fitimtare kundër tiranisë së kohës. Mos u lodh kot ta transferosh përgjegjësinë për vështirësitë e jetës mbi Zonjën duke e pyetur për moshën. Mosha e Zonjës është shpikje e mashkullit frikacak që Zonjën nuk e njeh si njeri që ndjen, pranon, refuzon, dashuron, urren.

Mosha e Zonjës s’ka të bëjë me kronologjike, me rrjedhjen e kohës. Mosha e Zonjës është një mister që ti banali, ti mediokri, ti materiali, ti aestetiku, nuk e zbërthen dot kurrën e kurrës. Mosha e Zonjës nuk mund të kapet, nuk mund të matet nuk mund të kuptohet. Mosha e Zonjës është diçka që ikën e vjen, duket e zhduket, ngjitet e zbret, ndizet e tërbohet, rrjedh e derdhet brenda një magjie të pazbërthyeshme. Sa kohë nuk i numuron dot yjtë në qiell, s’ke pun me moshën e Zonjës. Zonjën komplimentoje, ledhatoje, puthe, depërtoje, por kurrë mos guxo ta pyesësh për Moshën. / KultPlus.com

‘Rrenacak milet, rrejnë gjithë kohën, rrenin dje, rrejnë sot, do rrejnë nesër, do rrejnë deri ditën e fundit’

Nga Edison Ypi

Rrejnë kur flasin. Rrejnë kur pyesin. Rrejnë kur përgjigjen. Rrejnë kur rrinë. Rrejnë kur lëvizin. Rrejnë kur hanë. Rrejnë kur pijnë. Rrejnë kur flenë. Rrejnë kur ëndërrojnë. Rrejnë kur dashurojnë. Rrejnë kur urrejnë. Madje rrejnë edhe kur rrejnë. Dhe nuk rrejnë rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e kanë vesin. Rrejnë gjith kohën. Rrenin dje, rrejnë sot, do rrejnë nesër, do rrejnë deri ditën e fundit, deri frymën e fundit. Nuk rrejnë as bukur, këndshëm, që të thuash se rrejnë për humor apo për ta bërë të këndëshme bisedën për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejnë dosido. Rrejnë si u vjen doresh. Rrejnë pa u menduar.

Nuk rrejnë me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Rrejnë kot. Rrejnë me instinkt. Rrejnë pa e ditur pse rrejnë. Rrejnë sepse u duket se duhet të rrejnë. Rrena i ka këmbët e shkurtëra, rrena ka bisht, etj. etj. demek sikur brenda të vërtetës mbisunduese rrena është e përkohëshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera rrena.

Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë vetëm rrejnë. Oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri materien. Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngijnë flokët me xhel, dhe u duket vetja i bukur. Gjezdisin me Benzin e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të mykur. Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo qelizë. Duke rrejtur hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rrugaçin e proklamojnë hero. Cubin Robin Hud. Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar.

Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t’ja vlejë të mundohesh ta korrektosh. Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, definitive, totale. Kapilarizimi i rrenës nga fëmija te i rrituri, nga i dituri te injoranti, nga mëndjelehti te mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta ftoh trurin, ti mpin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën. Nuk rrejnë një herë që ti falësh, apo tre herë që ti mëshirosh. Rrejnë pafundësisht. Rrena e këtij mileti është një gjarpër që vigjëlon të vërtetën për ta gjetur ku është fshehur dhe ta helmojë. Rrejnë të gjithë pa i lëvizur qerpiku. Rrejnë pa turp, pa edukatë, pa vetpërmbajtje.

Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren politikani, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejnë statistikat, rrejnë deklaratat, rrejnë konferencat, kongreset gjithashtu rrejnë, mbledhjet rrejnë, të gjitha dhe të gjithë veçse rrejnë dhe rrehen. Rrejnë edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa rrejt, rrejnë spiunat. Rrejnë dhe rrehen të gjithë. Rren dhe rrehet inginieri. Rren dhe rrehet ustai. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja, rren televizori, rrejnë tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë.

Rrejnë opinionistat, analistat, kazanistat. Rretheqark, rrena dhe vetëm rrena. Bërtit sa dheun ta tundësh. Ulurit sa dallgët e detit ti ngresh. Grise qiellin duke klithur. Gjurmën, hijen, e të vërtetës nuk i gjen dot kurrë. As këtu, as atje. As në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën saj, për t’ju lutur me përgjërim të thotë ku është e tëra, pse vetëm ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet.

E kotë. Pas hapit të parë për me zbulu të vërtetën, ndjen se befas je mbuluar nga të tjera rrena. Njerëz që rrejnë nuk mund të dashurojnë, nuk mund të ndërtojnë, nuk mund të punojnë, nuk mund të përparojnë. / KultPlus.com

‘Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica e dashuria’

Nga Edison Ypi

Budallai i bukur

Të veshur, të mbathur, të larë, të krehur, me muhabete të thjeshta dhe të rrafshëta deri në neveri, pa asnjë vullnet për të bërë diçka të dobishme, budallenjt tanë të bukur çfaqen kudo si tulla të njëllojta që sapo kanë dalë nga fabrika.

Budallenj të bukur kemi pasur edhe më parë. Por ishin të pazararshëm, shihnin punën e vet, budallallëkun e vet. Koha kur njerëzia thoshin, “sa budallenj të bukur ka bota, le ti kemi dhe ne tanët”, iku. Sot që budallenjtë e bukur janë shtuar si hordhia e karkalecave mbi fushën me grurë, duket çudi si ndodhi që kemi më tepër budallenj të bukur se budallenj të pabukur.

Me pamje të jashtëme të studiuar para pasqyrës, qasje nazelie ndaj interesimeve komunitare, budallai ynë i bukur duket si një kërmill i mbështjellë në guackë plot jargë budallallëku.

Budallai ynë i bukur s’ka haber nga puna, lodhja, sakrifica, frymëzimi, ndjeshmëria, dashuria.

Budallai ynë i bukur s’ka muhabet tjetër veçse Euro, aeroplana, orare, pizza, bileta, spagheti, receta, restorante, dreka, darka, pasarela, plazhe, udhëtime nëpër vende ekzotike të huaja.

Tashmë budallenjtë tanë të bukur i kanë zënë pothuaj të gjitha fërngjitë e politikës, zyrat e ndryshme, shoqërinë civile, mediat, ku budallenjtë tanë të bukur bëjnë hatanë me lëvizje gjymtyrësh, kostume të errëta, kravata me ngjyra, ora të shtrenjta, dhe natyrisht budallallëk të pafundëm.

Budallai ynë i bukur është një tyç i azhornuar, një antikonformist që mposht me llafe mullinjtë e erës, një revolucionar i asgjësë, progresist hipokrit, modern i përvjellur.

Palestra, masazhi, plazhi, vrapi, kqyrja e datave të skadimit mbi kutitë e ushqimeve të ambalazhuara, celulari, kompjuteri, rrjetat sociale, janë shokët e pandarë të budallait tonë të bukur.

Autostradat, aeroportet, tunelet, urat, alumini, Interneti, birra, pijet freskuese, për budallain tonë të bukur nuk janë shpikur dhe nuk janë ndërtuar kurrë. Ato aty kanë qënë në jetë të jetëve në pritje të budallait tonë të bukur për t’ja kollajsuar jetën./ KultPlus.com

Keni fukarallëk por përdorni smartfona, keni dëshirë të qeveriseni por votën e shisni

Nga Edison Ypi

Keni fukarallëk, por përdorni smartfona.
Keni ankesa, por në Prokurori nuk shkoni.
Keni biznese, por nuk paguani taksa.
Keni dëshirë të qeveriseni, por votën e shisni.
Keni shpirt, por ua mposht instinkti i kopesë.
Keni fantazi, por e përdorni për dallavere.
Keni dashuri për femrat, por nuk i respektoni.
Keni njerëz të ndershëm, por pak.
Keni njerëz të famshëm, por jo të dashur.
Keni territor të vogël, por fajin e keni vetë.
Keni fëmijë, por nuk i edukoni.
Keni besë, por nuk e mbani.

Keni lot, por s’dini t’i thani.
Keni fat, por nuk dini ta përdorni.
Keni Histori, por nuk e njihni.
Keni gjeografi, por nuk e shetisni.
Keni kisha dhe xhamia, por nuk besoni.
Keni zemër, por thjesht pompë.
Keni mendje, por nuk e ndizni.
Keni kohë, por e vrisni.
Keni gjuhë, por për të shpifur.
Keni qef të martoheni, por pendoheni.
Keni qurra, por nuk i fshini.

Keni shkolla, por nuk mësoni.
Keni sapun, por nuk e shkumoni.
Keni brisk, por nuk e rruni.
Keni shëndet, por jeni të ngathët.
Keni sëmundje, por nuk doni t’i shëroni.
Keni punë, por përtoni t’i bëni.
Keni ligje, por nuk i zbatoni.
Keni qiell, por nuk e shihni.
Keni krahë, por nuk fluturoni. / KultPlus.com