Çmimi ‘Lumo Skëndo’, QKLL shpall pesë finalistët

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bëri publike sot, listën me 5 finalistët që kandidojnë për Çmimin “Lumo Skëndo”.

Ata janë: Ilir Ikonomi me veprën “Fan Noli-Apostulli”, botuar nga UET Press; Thomas Frashëri me “Frashëri i shquar, i panjohur” botuar nga “Onufri”; Ardit Bido me “Beteja për 20 përqindëshin”, botuar nga Dudaj; Natasha Lako me librin “Njeriu si një tjetër”, botuar nga UET Press; Blendi Fevziu me “Takimet e mia me…” me botues UET Press.

Çmimi “Lumo Skëndo” i jepet veprës më të mirë në eseistikë dhe publicistikën shqiptare të një viti. Në këtë përzgjedhje vlerësohen autorët më të mirë në gjinitë e publicistikës, eseistikës dhe studimore, duke sjellë në vëmendjen e publikut emrin e një figure të shumanshme, siç është bibliofili Mit’hat Frashëri.

Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” është akorduar për herë të parë në vitin 2006. Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike dhe intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe të mendimit shqiptar Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare./atsh/KultPlus.com

Konkurs për çmimin letrar mbarëkombëtar “At Gjergj Fishta”

Bashkia Lezhë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, organizon konkursin letrar për çmimet “At Gjergj Fishta” 2023.

Nga ky konkurs do të përzgjidhet romani më i mirë, libri më i mirë poetik dhe vepra më e mirë studimore për letërsinë, me prioritet për veprat studimore kushtuar veprës a figurës së At Gjergj Fishtës.

Veprat letrare duhet të jenë botime të vitit 2023, të botuar dhe jo dorëshkrime. Ato do të duhet të dorëzohen dorazi në 3 kopje si dhe në versionin pdf në adresen e emailit: [email protected]

Bashkia Lezhë ftoi të marrin pjesë të gjithë autorët të cilët e kanë shkruar veprën e tyre në gjuhën shqipe, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vende të tjera.

Në jurinë e këtij konkursi është shkrimtarja Diana Çuli, studiuesi prof. Alfred Çapaliku si dhe poeti e botuesi Mark Simoni.

Ndarja e çmimeve do të bëhet më 23 tetor gjatë aktivitetit të organizuar nga bashkia Lezhë./atsh/KultPlus.com

MKRS hap konkursin për ndarjen e Çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”, për vitin 2023

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkursin për ndarjen e Çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2023, shkruan KultPlus.

Sipas MKRS, tri dramat më të mira përveç shpërblimit financiar, fitojnë të drejtën për lexime skenike në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dhe botohen në një edicion special në gjuhën shqipe.

“Tri dramat më të mira të përzgjedhura nga juria profesionale, përveç shpërblimit financiar, fitojnë të drejtën për lexime skenike në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dhe botohen në një edicion special në gjuhën shqipe”, thuhet në njoftimin e MKRS në facebook.

Data e fundit për aplikim është data 1 gusht 2023/KultPlus.com

Çmimi më i vjetër i unitetit evropian i është dhënë Zelensky-t

Presidenti i Ukrainws, Volodymyr Zelensky, është nderuar me Çmimin Ndërkombëtar Charlemagne të Aachen 2023.

Ky është çmimi më i vjetër dhe më i njohur që jepet për punën e bërë në shërbim të Bashkimit Evropian.

Zelenskyt dhe popullit të Ukrainës iu dha çmimi për “luftën për të mbrojtur jo vetëm sovranitetin e vendit të tyre dhe jetën e qytetarëve të tij, por edhe Evropën dhe vlerat evropiane”./KlanKosova/KultPlus.com

Ernesto Sabato kur iu nda çmimi “Kadare” në Shqipëri: Ky ishte më i madh se çmimi Nobel

“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim.
Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.

Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.

Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.

Jam kthyer përsëri në shtëpi dhe mendoj për ato që pashë në atë tokë të të parëve të mi, një popull që vjen nga vuajtje e nënshtrim për dekada të tëra; dhe nuk do t’i harroj kurrë ato nëna që kanë parë bijtë e tyre të vdesin në mënyrat më barbare e, megjithatë, vazhdojnë të jenë aq shpirtmëdha. Në vetminë e dhomës sime, zemërpërvëluar nga vdekja e Horhes, po pyes veten se cili Zot fshihet pas vuajtjes.”

– ERNESTO SÁBATO (pjesë nga libri i tij “Përpara fundit”)

Më 30 prill 2011 u nda nga jeta Ernesto Sábato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011) shkrimtari dhe eseisti argjentinas me prejardhje arbëreshe. Për veprën e tij letrare është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve me çmimin Romani më i Mirë i Huaj, në Paris (1976) për romanin “Ëngjëlli i skëterrës” dhe Çmimin Migel Servantes (1984). Në vitin 1995 u ftua të vinte në Shqipëri, ku iu dha çmimi Kadare dhe u nderua me titullin Nderi i Kombit, për të cilin, i entuziazmuar, u shpreh se për të ky ishte më i madh se çmimi Nobel. / KultPlus.com

Shqiptarja Eneda Toska, shpërblehet në ShBA me Çmimin e Karrierës për kërkimet rreth kancerit

Eneda Toska është shqiptarja që është shpërblyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Çmimin e Karrierës për Kërkimet rreth Kancerit.

Toska mban titullin doktor shkence dhe u shpërblye nga Shoqata Amerikane për Kërkimet rreth Kancerit për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në këtë fushë si një hulumtuese e hershme e karrierës./klanksova/KultPlus.com

Çmimi “Lumo Skëndo”, juria mblidhet për prurjet e vitit 2022

Juria e edicionit të dytë të çmimit “Lumo Skëndo”, e drejtuar nga prof. Belina Budini dhe me anëtarë Uran Butka, studiues i veprës së Mit’hat Frashërit, Ardit Bido, drejtor i Arkivës, prof. asoc.Teuta Toska dhe gazetarja Monika Stafa, vlerësuan në një konferencë për mediet prurjet në publicistikë dhe eseistikë për vitin 2022.

Ky çmim shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të këtyre botimeve, që kanë një rol në diskutimet publike.

Çmimi “Lumo Skëndo” i themeluar një vit më parë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për veprën më të mirë në publicistikë dhe eseistikë, këtë vit shënon edicionin e tij të dytë.

Kryetarja e jurisë Belina Budini tha se edicioni i dytë i çmimit “Lumo Skëndo” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit është një lajm i mirë për autorët, që do të vlerësohen kryesisht në gjinitë e publicistikës dhe eseistikës.

“Është një rast i mirë për të sjellë në vëmendje emrin e një figure të rrallë dhe të shumanshme, siç është Mit’hat Frashëri. Një mendimtar kalibri si ai meriton të çmohet dhe të rivlerësohet për gjeneratat e reja, për t’i bërë drejtësi mohimit të njohjes së tij nga regjimi i kaluar. Botimet që do të merren në shqyrtim janë ato të vitit 2022 dhe lista e autorëve në garë është gjithëpërfshirëse në këtë fazë të vlerësimit paraprak, prandaj jemi të hapur ndaj të gjitha prurjeve të reja në këtë fushë të lëvruar mjaft, por jo të vlerësuar aq dhe si duhet në hapësirën publike”, u shpreh Budini.

Dr. Ardit Bido drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave shprehu falënderime për përzgjedhjen e tij në juri këtë vit.

“Falënderoj Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit që më përzgjodhi këtë vit për të qenë anëtar i jurisë për çmimin “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë publicistike dhe eseistike të botuar në vitin 2022. Këto dy zhanre, që shpesh lihen në harresë, janë thelbësore në zhvillimin e debateve bashkëkohore konstruktive e të thelluara shoqërore, veçanërisht në epokën e zhurmshmërisë masive në të cilën jetojmë”, u shpreh Bido.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit fton botuesit të dërgojnë pranë saj botimet në këto dy gjini për vitin 2022.

Në edicionin e mëparshëm fituese e çmimit Lumo Skëndo ka qenë Lea Ypi me librin “Të lirë’./atsh/KultPlus.com

Shkrimtari që refuzoi paratë e çmimit Nobel: Vetëm një djalli mund t’i kishte shkuar në mendje për të shpikur këtë çmim

Shkrimtari George Bernard Shaw më 18 nëntor të vitit 1926, refuzoi të pranojë paratë për Çmimin Nobel që kishte fituar.

“Unë mund ta fal Alfred Nobelin për shpikjen e dinamitit, por vetëm një djalli në formë njeriu mund t’i kishte shkuar në mendje për të shpikur Çmimin Nobel”, kishte thënë ai.

Çmimi Nobel u themelua në vitin 1895 nga kimisti suedez Alfred Nobel (1833- 1896), autor i rreth 350 shpikjeve, por më i famshëm për shpikjen e dinamitit. Në vitin 1888, Alfred Nobel u befasua kur lexoi nekrologjinë e vet me titull “Vdiq tregtari i vdekjes”, në një gazetë franceze. Në fakt kishte vdekur vëllai i tij, Ludvig, por Alfredi i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimit dhe i shqetësuar se si do ta kujtonin kur të vdiste, vendosi të ndryshonte testamentin.

Nobel ishte i interesuar personalisht për fiziologjinë ose mjekesinë eksperimentale dhe në testament kërkoi që kur të vdiste, me pasurinë e tij të krijohej – krahas çmimeve për arritjet në Fizikë, Kimi, Letërsi dhe Paqe – edhe një çmim për Mjekësi. (Çmimi për Ekonomi u krijua vonë, më 1969, nga Akademia Suedeze e Shkencave për nder të Alfred Nobelit – dhe quhet Çmim Nobel, edhe sepse jepet në të njëjtën ditë me 5 çmimet e tjera Nobel). / KultPlus.com

Stacion, qendra për art bashkëkohor hap konkursin për çmimin ‘Artistët e së nesërmes’

Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë ka hapur konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2021 për artistët e rinj të Kosovës deri në moshën 35 vjeçare.

Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetët nga The Trust for Mutual Understanding në New York.

Konkursi është hapur me 10 shtator 2021.

Afati i fundit për aplikim është 1 tetor 2021.

Rezultatet e konkursit do të shpallen më së voni deri më 10 tetor 2021. Artistët që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, që përfshijnë punën në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe art performues inkurajohen të aplikojnë.

Artistët nuk mund të aplikojnë me film artistik apo punë në artet aplikative, dizajn, teatër, vallëzim.

Aplikimi për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2021 bëhet nëpërmes regjistrimit online, duke e plotësuar Formularin e aplikimit, dhe duke dërguar dokumentacionin e kërkuar nëpërmes Formularit të aplikimit, që gjendet në webfaqen e Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë.

Anëtarët e Jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2020 janë Anne Barlow, drejtore e TATE St Ives, Britani e Madhe, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Minna Henriksson, artiste, Adam Kleinman, kurator i pavarur dhe shkrimtar, si dhe kurator rajonal për Amerikën Veriore në Fondacionin Kadist Art, dhe Nebojša Milikić, punëtor kulturor dhe menaxher, hulumtues dhe aktivist që punon në Beograd.

Juria ndërkombëtare do të zgjedhë tre finalistët që do të prezantojnë punën e tyre në ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021, që do të hapet me 10 nëntor 2021 në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021 do të përzgjedhen në bazë të shqyrtimit të portfolios së tyre artistike, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme dhe potencialit të demonstruar. Fituesi/ja e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021 do të përzgjedhet në bazë të shqyrtimit të portfolios së tij/saj artistike, projekteve dhe veprave të artit të ekspozuara në ekspozitën e finalistëve, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme, bashkëbisedimit me jurinë dhe potencialit të demonstruar. Juria do të shpallë fituesin/en me 11 dhjetor 2021, në mbylljen e ekspozitës të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021 që do të mbahet në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2021 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë të Residency Unlimited, gjatë periudhës prill / maj 2022, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2023.

Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2021 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Independent Curators International (ICI), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë. Informatat e plota për çmimin “Artistët e së nesërmes” mund të gjeni në këtë vegëz në webfaqen e Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë, dhe faqet e institucionit në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Çmimi i martesës në Shqipëri

Dikur, kohë më parë, ka qenë zakon që të vendosej një çmim për martesën në Shqipëri, sipas të cilit i ati i vajzës kishte të drejtë të kërkonte një shumë të madhe parash nga dhëndrri, përcjell KultPlus.

Nga ky rregull, përveçse varfëroheshin gjithnjë e më shumë familjet, rridhte edhe një e keqe më e madhe, të gjithë tentonin t’i fejonin vajzat e tyre nëpër shtëpi që ofronin më shumë para dhe nga kjo shumë që merrte familja, shumë pak përdoreshin për pajat e tyre.

Ndaj, kisha katolike në veri të Shqipërisë, kishte nxjerrur një ligj që e ndalonte çmimin e martesës, por shpesh ky ligj edhe shkelej.

Ndaj, siç tregon At Zef Valentini, në vitin 1895 në Lezhë u bashkuan katër fshatra dhe vendosën për një ligj të ri që ndalonte që të kërkohej më shumë se 10 napolona për fejesën e vajzës dhe në rast se ky ligj do të shkelej, të dënuar do të ndëshkoheshin. /fotografitëqëkanëbërëhistorinë/ KultPlus.com

Shkencëtarët amerikanë zbulojnë çmimin e lumturisë

Diskutimi mbi ndërlidhjen e pasurisë me lumturinë, ndër më të zakonshmit në historinë e njerëzimit. “Paratë, nuk të bëjnë të lumtur”, thonë disa. “Po, por nuk mund të jesh i lumtur, as pa to”, përgjigjen të tjerë.

Por, tanimë një universitet amerikan ka vendosur të saktësojë shifrën ideale, sipas tyre, me të cilën një person mund të ndihet i lumtur, kudo në botë, nga Japonia në Francë, nga Italia në Australi.

Sipas universitetit “Purdue” në SHBA, kjo shifër është ajo e 95 mijë dollarëve në vit ose rreth 80 mijë euro. Shifra mendohet normalisht neto, si dhe pa taksa, transmeton KultPlus.

Për të arritur në këtë rezultat, studiuesit kanë marrë parasysh të dhënat e mbledhura nga shoqëria prestigjioze “Gallup”, që ka pyetur rreth 1.7 milionë persona nga 15 vjeç e lart, në 164 vende të ndryshme të botës.

95 mijë dollarët mjaftojnë për të plotësuar nevojat bazike kudo në botë, si një shtëpi të mirë, përballimi i qetë i shpenzimeve dhe një jetë dinjitoze.

Studiuesit evidentuan se, shifra më të larta sjellin problematika të ndryshme, me dëshira artificiale që nuk përbëjnë lumturinë vërtetë. Pra, do të ishte më e arsyeshme të mos tejkalohej kjo shifër, nëse dëshironi një jetë e lumtur…

Sipas studimit, gjinia nuk përbën ndryshim të madh në këtë rezultat, më domethënës është niveli i edukimit, pasi personat me edukim më të lartë kanë një kënaqësi më të madhe, kur arrijnë një standard ekonomik të tillë, duke u ballafaquar me një shtresë sociale me të ardhura të përafërta. / KultPlus.com

Greta Bajrami, e nominuar për çmimin prestigjioz në Amerikë

Shqiptarja Greta Bajrami është mes pesë kandidatëve për çmimin Female Roofing Professional nga kompania Beacon në Virginia të SHBA-ve.

Si administratore dhe themeluese e Golden Group Roofing në Westborough, Bajrami është mjaft e njohur në MetroWest.

Në 2017 ajo ka qenë në revistën “Worcester Business Journal” në listën e “40 nën 40 vjeç”. Greta ka emigruar nga Shqipëria kur ka qenë e re dhe ka hyrë një dekadë më parë në tregun e industrisë së mbulimit (çative).

“Ishte një veprim i guximshëm si një grua e re, një nënë e re dhe një emigrante e sapoardhur. Shkurt, rreth 10 vjet më vonë ne u bëmë një ndër kompanitë më të njohura të çative në zonën e MetroWest”, ka rrëfyer Bajrami për MetroWest Daily News, transmeton KultPlus.

31-vjeçarja shqiptare tha se nuk e kishte kuptuar që njerëzit po e nominonin.

“Nëse fitoj si gruaja e vitit në këtë industri, shpresoj të lejoj çdo vajzë e djalë të dëgjojë se është koha të heqim stereotipet, stigmat dhe çdo etiketim që vendosin njerëzit, sepse jemi në një kohë ku mund të jemi gjithçka duam. Industria e çative, them gjitmonë më shpëtoi fjalë për fjale jetën time, sepse ishte një industri që më priti krahëhapur”, vijon Greta.

Ideja për të hyrë në këtë industri lindi pasi pa një reklamë ku kërkohej një pozicion pune si përgjegjës i rregullimit të çative dhe shkoi të aplikojë. Punoi shumë në një industri që nuk kishte pasur lidhje më parë.

Greta rrëfen më tej se çdo natë shkonte në shtëpi dhe mësonte gjithnjë e më shumë rreth kësaj industrie derisa të fitonte vendin e saj, sepse ndërtimi është një industri e vështirë për të fituar. “Kam fituar respektin e kolegëve të mi, të ekipit. Nuk kishte rëndësi nëse isha vajza dhe ata burra. Në fund të ditës ne ishim të gjithë çatirregullues kur shihnim projektin”, vijon ajo.

Një kurs sipërmarrje në Vorceseter State University e ndihmoi shumë të arrinte suksesin e saj. Aktualisht Greta punon edhe në Bordin e Drejtorëve të Shkollës, Bordin e Këshillimit të Sipërmarrjes dhe është mentore e studentëve. / KultPlus.com

Promovohet libri ‘Zogjtë e qyqes’ i Gani Mehmetajt, fitues i çmimit ‘Kadare’

Në Tiranë u promovua romani “Zogjtë e qyqes” i autorit nga Kosova, Gani Mehmetaj, fitues i edicionit të gjashtë të çmimit “Kadare”, i cili sheh dritën e botimit për lexuesit. Çmimin me emrin e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, autorit Mehmetaj ia dorëzoi kryetari i jurisë, Preç Zogaj.

“Është një ndjenjë e veçantë për mua, ndryshe nga herët e tjera, se ky çmim mban emrin e një shkrimtari të madh siç është Ismail Kadare”, rrëfen Mehmetaj, para se t’i dorëzohej çmimi.

Redaktorja e librit, Suela Bala, kryetari i jurisë Preç Zogaj dhe studiuesja Belina Budini, e cilësojnë këtë çmim më të rëndësishmin sa u përket letrave shqipe, për përzgjedhjen e pavarur që është bëra nga juria, por edhe për vlerat artistike që përcjell tek lexuesi. Romani “Zogjtë e qyqes” i vlerësuar për rrekjen letrare, që u bën kolonëve të huaja në Kosovë, si rrallëherë ka si narrator një serb, që rrëfen dashurinë, raportin, marrëdhëniet e vështira midis tyre edhe shqiptarëve.

“Një kolon serb rrëfen jetën e tij në Kosovë që nga fëmijëria, raportet me shqiptarët, dashurinë edhe pengesat me një vajzë. Është një narrator objektiv, pa ngarkesa. Jam përpjekur që përmes tij të sjell ngjarjen në mënyrë objektive”, thotë Mehmetaj.

Vetë autori, i cili ka kontribuuar për 17 vite në kinematografi, si drejtues i “Kosovafilmit” rrëfen dhe trajtimin që i është bërë luftës së Kosovës nga kineastët, duke mos përjashtuar mundësinë që ky libër në të ardhmen të jetë bosht qendror në skenarin e një filmi.

“Në kinematografi kjo çështje është trajtuar në mënyrë fragmentare, sikundër edhe në letërsi. Por ky roman mund të shërbejë për një subjekt filmi”.Përmes romanit trajtohet mënyra se si serbët kanë bashkëjetuar në një vend me shqiptarët, autori thotë se, kjo çështje nuk i përket vetëm së shkuarës, pasi përmes klasës intelektuale edhe politike serbe urrejtja kundër shqiptarëve ende vijon që të trumbetohet. Megjithatë, libri sipas tij duhet që të botohet edhe në serbisht.

“Edhe nëse njihet pavarësia e Kosovës, ata sërish do të kenë qëndrim ndaj Kosovës, se kanë ushqyer veten dhe pushtetin me urrejtje të tillë, një shtresë e caktuar intelektuale edhe politike nuk mund të jetojë pa këtë”, thotë autori i romanit “Zogjtë e Qyqes”.

Shkrimtari Gani Mehmetaj është autor i rreth 25 veprave letrare, eseistike dhe publicistike.

Të pranishëm gjatë promovimit të romanit “Zogjtë e qyqes” të autorit Gani Mehmetaj ishin dashamirë të letërsisë dhe të artit. /shqiptarja/ KultPlus.com

Alfred Muharemi, mes tetë finalistëve të çmimit ndërkombëtar Hermann Gmeiner Award 2020, Veliaj apel për ta votuar

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka cilësuar historike, nominimin e të riut nga fshati SOS në Shqipëri si një nga finalistët e çmimit ndërkombëtar  “Hermann Award 2020”.

Veliaj apelon për të votuar Alfredin teksa thotë se “dëshira e tij, është që këtë çmim ta sjellë në Shqipëri, për të dhënë mesazhin e fortë se ky vend është me tradita të hershme humane.

“Historike! Alfred Muharemi, i riu i SOS Fshatrave të Fëmijëve në Shqipëri, na bën të ndihemi krenarë duke u nominuar në tetë finalistët e çmimit ndërkombëtar Hermann Gmeiner Award 2020.

Dëshira e tij, është që këtë çmim ta sjellë në Shqipëri, për të dhënë mesazhin e fortë se ky vend është me tradita të hershme humane”, thotë Veliaj. /Atsh /KultPlus.com

Përzgjedhja e parë e çmimit “Goncourt” shtyhet më 15 shtator

Përzgjedhja e parë e “Goncourt”, çmimi letrar më prestigjioz në botën frëngjishtfolëse, është shtyrë më 15 shtator, njoftoi sot akademia Goncourt.

“Për shkak të kushteve të jashtëzakonshme të sezonit letrar të shtatorit, i cili pason muajt e një pandemie që e ndërpreu rëndë botimin e librave dhe shitjet në librari, akademikët e “Goncourt” vendosën ta shtyjnë shpalljen e përzgjedhjes së parë për të martën, më 15 shtator”, tha akademia në një deklaratë.

“Në këtë mënyrë mund të përfshihen në përzgjedhje edhe romanet e botuara deri në këtë datë”, shtoi kreu i akademisë, Didier Decoin.

Përzgjedhja e dytë, duke ulur listën e romaneve nga 15 në tetë, apo edhe nëntë tituj, do të bëhet të martën, më 6 tetor.

“Grand Prix du Roman” i Akademisë franceze do të jepet më 29 tetor. /KultPlus.com

Maks Velo vitin e kaluar u vlerësua me çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”

SHASH (Shoqata e Arkitekteve të Shqipërisë) vitin e kaluar i dha çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë” , Velos, si pjesë e një serie çmimesh në kuadrin e FAMA – “Festivali i Arkitekturës Moderne Shqiptare / Festival of Albanian Modern Architecture”. shkruan KultPlus.com

Maks Velo ishte autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura “, “Betonizimi i Demokracisë”, “Jetë paralele” (105 dokumente të sigurimit të shtetit),” Vizatime mbi arkitekturën popullore shqiptare”, “Grafika e Realizmit Socialist në Shqipëri”, “Skulptura e Realizmit Socialist në Shqipëri dhe Skulptura në Europë”, “Nënë Tereza ” (Vizatime), “Paris 1” dhe “Paris 2” (Vizatime dhe poezi), “Tapeti i kuq” (Poezi), “Përkthyesi”, “Pastel”, “Spaç”, “Hetimi dhe Klubi Karavasta” “Jetë paralele”, etj. /KultPlus.com

Arta Dobroshi u dekorua me urdhrin “Kalorëse e Arteve dhe Letrave”

Ambasadorja e Francës në Kosovë Marie-Christine Butel e ka dekoruar Arta Dobroshin me urdhrin “Kalorëse e Arteve dhe Letrave”, shkruan KultPlus.

Gjatë kësaj ceremonie ishin prezentë edhe shumë figura të njohura Veton Surroi, Isa Qosja, Ilir Deda e Enver Petrovci.

Teksa iu nda çmimi, për Artën u folën fjalë të mëdha.

“Ceremonia për të cilën jemi mbledhur sot për ju është e veçantë sepse Ambasada Franceze, do t’ju akordojë mirënjohje zyrtare, ky çmim vijon në gjuhën e traditës dhe nderit në historinë e Francës.

Teksa iu nda çmimi, për Artën u folën fjalë të mëdha.

“Është çmim pararendës i atij të arteve dhe letrave, i menduar në fillim t’i jepej vetëm aristokratëve.

Prestigji i kulturës franceze kontribuojë në vitin 1957 me fillimin e kësaj dekorate të përshtatur për botën e arteve dhe letërsisë.

Ky urdhër është i destinuar të shpërblejë personat sikur juve Arta Dobroshi që janë dalluar në lëmin e artit dhe letërsisë” tha ambasadorja Marie-Christine Butel.

Republika e Francës përmes kësaj dekorate njeh kontributin e Dobroshit gjatë karrierës së saj profesionale në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze.

“Është magjike t’ju shoh sonte këtu dhe ju falënderoj të gjithëve. Jam shumë e nderuar dhe e bekuar që pranoi këtë çmim kaq të rëndësishëm”, theksoi Dobroshi.

Ajo i falënderoi familjarët dhe miqtë që e ndihmuan të arrijë këtë sukses. /KultPlus.com

Artistja shqiptare fituese e çmimit Ndërkombëtar të Krijuesve të Rinj në Nju Jork

Artes Ferruni është artistja shqiptare 25 vjeçare që po shpalos talentin e saj në regjizurë.

Ajo është fituese e çmimit Ndërkombëtar të Krijuesve të Rinj në “Festivalin Ndërkombëtar të Televizionit IEmmy 2019” në Nju-Jork të SHBA-ve për filmin me metrazh të shkurtër “It starts within” shkruan albinfo.ch, përcjellë KultPlus.

25-vjeçarja ka ngritur flamurin e industrisë shqiptare të filmit në një nga organet më prestigjioze të dhënies së çmimeve.

Që nga mosha shtatë vjeçare, ajo ndihmoi në dyqanet e prindërve të saj. Ata hapën Dyqanin e parë Organik në Shqipëri. Një kërcimtare e etur latine që në moshë të re, ajo tani është në qendër të vëmendjes për punën e saj në film dhe historia e saj është thjeshtë një arritje, krijimtari dhe këmbëngulje.

“Mund të ndjehesh e madhe të bësh qëndrim për paqen. Ku fillon edhe një? Unë shqyrtova një përgjigje të thjeshtë, por të rëndësishme për këtë pyetje. Unë besoj se paqja vjen nga brenda – dhe vetëm atje mund të dalë paqe më e gjerë. ”- tha Artes

“U emocionova kur mësova se ky lloj formati video u dha mundësinë të pranohesha në një ngjarje kaq prestigjioze. Unë besoj në një ditë të mediave sociale dhe konsumit të shpejtë dje kjo është një nga mënyrat më të mira për të krijuar ndikim të prekshëm dhe pozitiv në të gjithë botën,” u shpreh Artes. /KultPlus.com

Handke refuzon pyetjet për përkrahjen ndaj Milosheviqit

Shkrimtari austriak Peter Handke, të cilit javën që vjen do t’i dorëzohet çmimi “Nobel” për letërsi, ka thënë të premten në Stokholm, në konferencën tradicionale për media se e do letërsinë, duke i bërë bisht polemikës për qëndrimet e tij proserbe në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë.

“E dua letërsinë e jo mendimet”, i është përgjigjur ai një gazetareje, e cila e ka lutur ta thotë mendimin e tij në lidhje me ngjarjet e viteve ‘90 në Ballkan. “I urrej mendimet”, ka thënë ai. Një tjetër gazetar e ka pyetur se përse në librat e tij s’e përmend Tribunalin e Hagës që ka pranuar gjenocidin në Srebrenicë, për të cilin janë shpallur fajtorë liderët ushtarakë e politikë, Ratko Mladiq e Radovan Karaxhiq.

“Vetëm vazhdoni me pyetjet tuaja, më pëlqejnë pyetjet tuaja”, me ironi është përgjigjur ai teksa ka lexuar letrën “armiqësore”, që i është adresuar bashkë me letër tualeti.

“Më shumë më pëlqen një letër anonime me letër tualeti sesa pyetjet tuaja”, ka thënë ai në konferencën për media, e cila ka nisur në një atmosferë të gëzueshme pasi kori ia ka kënduar Handkes këngën e ditëlindjes. Të premten ai ka festuar 77-vjetorin.

Por disa orë para konferencës, reagime kundër tij kanë ardhur edhe nga institucioni që vendos për laureatin e “Nobelit” për letërsi. Një anëtar i Akademisë suedeze, që ndan çmimin “Nobel” për letërsi, ka thënë të premten se do të bojkotojë kremtimet e sivjetme në shenjë proteste për çmimin e dhënë për Handke, një mbështetës i presidentit të ndjerë serb. /Koha.net /KultPlus.com

Ansambli nga Elbasani merr çmimin e parë në Prizren

Ansambli i këngëve dhe i valleve “Isuf Myzyri” nga Elbasani ka marrë çmimin e parë në festivalin dyditor “Kënga qytetare na bashkon në Prizren”.

Ndërsa ansambli “Marinarët nga Ulqini” është renditur i dyti dhe pas tij ansambli “Xheladin Zeqiri” nga Tetova. Ky festival, që është mbajtur për herë të parë në qytetin e vjetër, sipas organizatorëve, ka bashkuar tetë ansamble këngësh nga viset shqiptare. Pas paraqitjes së të gjitha ansambleve, festivali është mbyllur të enjten mbrëma.

informatorin e festivalit shkruan se ky festival është ideuar nga shoqëria kulturo-artistike “Agimi” dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Komunës së Prizrenit dhe donatorë të tjerë.

“Interesimi për këtë festival ishte i jashtëzakonshëm, për çka një numër i madh i dashamirëve të këngës dhe vlerave të mirëfillta muzikore mbetën jashtë salle”, thuhet në informatorin e festivalit, në saje të së cilit është bërë thirrje për investime në objekte reprezentative kulturore në Prizren.

Aty theksohet se në natën e parë të festivalit në skenë janë paraqitur SHKA “Agimi”, “Marinarët” nga Ulqini, “Dogru Yol” nga Prizreni dhe “Tirana Folk” nga kryeqyteti i Shqipërisë, shkruan KohaDitore./ KultPlus.com

A janë histori kujtimet tona?

Më 18 tetor me fillim nga ora 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, hapet edicioni i 12-të i ekspozitës dhe Çmimit Muslim Mulliqi, shkruan KultPlus.

Iniciuar në vitin 2003 nga Ministria e Kulturës e Kosovës për të promovuar artistët vizual në Kosovë, ekspozita e Çmimit Muslim Mulliqi është ekspozita më e rëndësishme për artet bashkëkohore vizuale në Kosovë.

Kjo është një ekspozitë e kuruar me pjesëmarrës vendorë dhe ndërkombëtarë, përgatitur nga një apo shumë kurator të jashtëm që përzgjedhin artistët vendorë edhe ata ndërkombëtarë.

Tani në edicionin e tij të 12-të, Çmimi Muslim Mulliqi tenton të pozicionohet si një nga projektet më interesante të artit bashkëkohor në regjion. Një katalog ekskluziv do të botohet dhe shpërndahet ndërkombëtarisht.

Juria profesionale do të përzgjedh një fitues që merr çmimin për veprën më të mirë të paraqitur të artit pamor.

Juria e këtij edicionit të dymbëdhjetë të MM është:
Visar Mulliqi, profesor i pikturës në Fakultetin e Arteve në UP;
Dita Starova-Qerimi, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë;
Valentina Bonizzi, artiste vizuale.

Ekspozita Çmimi “Muslim Mulliqi” do të mbledh së bashku si artistët kosovarë ashtu edhe ata ndërkombëtarë dhe do të përfshijë si veprat ekzistuese ashtu edhe projektet e bërë posaçërisht për ekspozitën. Nga shikimi i parë i lidhjes tradicionale ndërmjet artit dhe shoqërisë, ekspozita ka për synim që të tërheq një publik të gjerë që do të zbulojë përmbajtjen konceptuale, sociale dhe politike pas një hapësire tërheqëse vizuale.

Autorja e konceptit dhe përzgjedhësja e artistëve të këtij edicioni është Iara Boubnova, kuratore e artit bashkëkohor dhe kritike arti nga Sofja./ KultPlus.com

Lence Zdravkin dhe Omer Kaleshi, fituesit e çmimit shtetëror të Maqedonisë “Nëna Tereza”

Lence Zdravkin dhe Omer Kaleshi, janë fituesit e çmimit shtetëror të Maqedonisë “Nëna Tereza”, për vitin 2018, shkruan KultPlus.

Zdravkin humaniste dhe Kaleshi piktor janë nderuar me këtë çmim me vendimin e miratuar nga këshilli për ndarjen e çmimit nën kryesimin e akademikut Alajdin Abazi.

Ky çmim jepet për të arriturat e rëndësishme në interes të shtetit në sferën e humanitetit dhe solidaritetit njerëzor dhe nxitje, avancimn të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillim të bashkëpunimit mes popujve dhe mes pjesëtarëve të bashkësive të ndryshyme, kulturave dhe besimeve.
Ky çmim di të ndahet në Kuvendin e Maqedonisë, më 26 gusht, në ditën kur edhe ka lindë Nëna Terezë./KultPlus.com

S’ka çmim “Bekim Fehmiu”

Se çmimet vjetore për kinematografi – përfshirë atë për vepër jetësore që mban emrin e Bekim Fehmiu – duhet të ndahen çdo vit në një ceremoni solemne më 1 qershor, në datëlindjen e aktorit me nam, përcaktohet me rregulloren që ka hyrë në fuqi qysh më 2014, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit e ka shkelur rregulloren e vet, që është e publikuar edhe në ueb faqen e saj zyrtare, duke mos i ndarë çmimet, të paktën jo në një ceremoni publike. Me tre kandidatë të propozuar për laureatë të çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit në maj kishte njoftuar se do ta rikthente në agjendë ndarjen e këtij çmimi, në ditën që përkon me datën e lindjes së aktorit.

Vitin që shkoi “Bekim Fehmiu” nuk qe ndarë në mungesë të aplikanëve. E më 11 maj, MKRS-ja e kishte mbyllur konkursin që përveç çmimit kombëtar për vepër jetësore bëri ftesë edhe për “Çmimin vjetor për kinematografi”, që u jepet krijuesve të dalluar të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinematografisë.

As ky çmim nuk u nda vitin që shkoi. Më 2016, laureat i çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” ishte aktori veteran Bislim Muçaj e më 2015 aktori Xhevat Qorraj ishte laureati i tretë. Në vitin 2014 me këtë çmim u nderua regjisori Isa Qosja, e më 2013 postmortem iu nda aktorit Faruk Begolli.

Ndarja e çmimit “Bekim Fehmiu” deri më tash ka qenë e vetmja mënyrë që institucionet kanë përdorur për ta kujtuar aktorin shqiptar në muajin kur shënohen dita e lindjes dhe e vdekjes së tij./ KultPlus.com

Adil Olluri merr çmimin “Premio Internazionale Ostana” në Itali

Vepra letrare e autorit Adil Olluri, më 5 prill të këtij viti është shpërblyer me çmimin ndërkombëtar “Premio Internazionale Ostana” në Ostanë të Italisë. Kurse çmimin e pranoi dje.

Arsyetimi i çmimit ishte për “origjinalitetin në prozë, humanizmin dhe mesazhin e paqes që jep rrëfimi i tij”.

Për më tepër, çmimi i është ndarë Ollurit në edicionin e dhjetë jubilar me radhë të këtij çmimi ndërkombëtar, ndërsa jepet nga Bashkia e Ostanës, Provinca e Cuneo-s, në bashkëveprim me asociacionin kulturor “Chambra d’oc”./ KultPlus.com