Pamje të rralla të ikonës së muzikës, Elvis Presley (FOTO)

Mbreti i i muzikës ‘Rock & Roll’, Elvis Presley ishte ylli përfundimtar i viteve ‘50, ‘60 dhe ‘70, ai ka disa këngë legjendare në karrierën e tij, ndërsa fansat e tij ishin pak si shumë të fiksuar pas zërit dhe pamjes së tij, transmeton KultPlus.

Më poshtë do të gjeni disa fotografi të rralla dhe shumë të bukura të yllit të muzikës, Elvis Presley.

Historia e fundit e Elvis Presley-t

Rreth orës 14:30 të pasdites së 16 gushtit 1977, aktorja Ginger Aldenishte duke u endur përreth Gracelandit, në kërkim të askënd tjetri, veç të fejuarin e saj me famë botërore, Elvis Presley. Mbreti i Rock’N’Roll-it po përgatitej për turneun e tij të fundit, por Alden ishte e shqetësuar pasi nuk e kishte parë prej disa orësh.

Alden nuk pa asnjë shenjë të Elvisit, deri kur e kuptoi se dera e banjës ishte hapur. Hyri brenda dhe, siç kujton më vonë, “mbeta e paralizuar nga ajo që pashë”. Sipas saj, “duket sikur i gjithë trupi i Elvis kishte ngrirë plotësisht në pozicionin ulur dhe më pas ishte rrëzuar përpara”.

Alden nxitoi t’i vinte në ndihmë dhe zbuloi një shenjë të frymëmarrjes, edhe pse “fytyra e këngëtarit ishte shprishur dhe kishte marrë ngjyrë vjollcë”, ndërsa sytë e tij “shihnin drejt dhe ishin të përgjakur”. Ajo thirri ambulancën dhe ylli u dërgua në një spital në Memfis të Tenesit, ku mjekët u përpoqën ta risillnin në vete.

Përpjekjet e tyre dështuan. Elvis Presley u shpall i vdekur në orën 15:30, pak më shumë se një orë pasi u gjet. Ishte vetëm 42 vjeç.

Një çështje e debatueshme u ngrit nga ai moment: Si vdiq Elvisi?

Vdekja e këngëtarit shokoi botën. Vetë presidenti Jimmy Carter bëri një deklaratë duke thënë se këngëtari kishte “ndryshuar përgjithmonë fytyrën e kulturës popullore amerikane”.

Ndërkohë, rreth 100 mijë adhurues të tronditur, morën pjesë në funeralin e Presleyt. Pavarësisht kaosit qe shkaktoi vdekja e tij e papritur, nisën të ngrihen pikëpyetje mbi disa fakte të errëta mbi shkakun e vërtetë të vdekjes së këngëtarit.

Tre mjekë që punonin së bashku, Eric Muirhead, Jerry Francisco dhe Noel Florendo, kryen autopsinë e tij. Ekzaminimi zgjati dy dy orë. Francisco doli dhe dha njoftimin për mediat. Ai raportoi se “gjetjet paraprake të autopsisë” tregonin se këngëtari kishte vdekur nga një “aritmi kardiake”, një sulm në zemër, dhe se nuk kishte prova që barnat që merrte kishin luajtur ndonjë rol në vdekjen e tij.

Në fakt, kjo nuk ishte përgjigje e plotë ndaj pyetjes se si vdiq Elvis Presley. Autopsia ende nuk kishte përfunduar në kohën e deklaratës së Franciscos dhe asnjë prej mjekëve të tjerë nuk e kishte pranuar atë njoftim për mediat. Por, megjithëse veprimet e Franciscos kishin qenë të dyshimta, kishte arsye për të besuar se ilaçet nuk kishin gisht në atë ngjarje dhe se përkeqësimi i shëndetit të Presleyt ishte thjesht rastësor.

Në kohën e vdekjes, Presley ishte në mbipeshë. Preferenca e tij ndaj ushqimeve të yndyrshme, sandviçëve dhe ushqimeve të tjera të pashëndetshme ishte e njohur dhe ai vuajti nga disa sëmundje, përfshirë diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe glaukomën. Megjithëse dieta e tij e dobët mund të ketë kontribuar për shëndetin e sëmurë, kishte një përgjigje më të gjatë ndaj pyetjes se si vdiq Elvis Presley.

Edhe kur ai iu drejtua shtypit, Francisco u bombardua nga e njëjta pyetje: A kishte pas vdekjes ndonjë shenjë të abuzimit me drogën?

Vetëm pak javë pas vdekjes së Presleyt, tri nga truprojat e këngëtarit kishin botuar një libër me tregime, “Elvis, çfarë ndodhi?”, në të cilën ata pohonin se ylli i muzikës kishte qenë prej kohësh i varur nga amfetaminat.

Nga ana e tij, Francisko u përpoq ta shmangte këtë pyetje, duke pretenduar se “shkaku specifik i vdekjes së tij nuk mund të njihej për një javë, ose dy studime laboratorike që priste të ndërmerren”, duke shtuar se ka “gjasa që në raste të tilla, shkaqet specifike të mos zbulohen kurrë”.

Kur u krye raporti i toksikologjisë, u duk sikur mjekët ishin përpjekur të fshihnin diçka. Rezultatet treguan se në kohën e vdekjes së Presleyt, gjaku i tij përmbante nivele të larta me dilaudid, percodan, demerol, codeine dhe 10 lloje të tjera drogash.
Më vonë do të dilej në përfundimin se Francisco e kishte organizuar konferencën dhe u përpoq t’i shmangte pyetjet rreth drogës, me kërkesën e anëtarëve të familjes Presley, që ishin të vendosur t’i mbanin fshehur abuzimet me drogën të këngëtarit. Presley u bë i varur nga amfetaminat që në fillim të 20-ave të tij. Këto substanca ishin të ligjshme në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 1965. Por, Presley, që vuante nga pagjumësia, merrte edhe barna kundër depresionit për ta ndihmuar të flinte natën. Nga fundi i viteve 1960, Presley ishte bërë plotësisht i varur nga drogat që i përdorte për të qenë energjik gjatë koncerteve dhe për të fjetur gjatë natës.

Ndërkohë u lidh me një mjek të papërgjegjshëm. Presley u takua për herë të parë me mjekun George C. Nichopoulos në vitin 1967, kur mjeku e trajtoi për një plagë në këmbë. Nichopoulos u bë shpejt mjeku personal i Presleyt, duke shkuar bashkë me këngëtarin në Las Vegas dhe duke i siguruar atij shumë doza amfetaminash dhe barbituratesh. Sikurse u shpreh më vonë Nichopoulos: ”Problemi i Elvisit ishte se ai nuk shihte asgjë të gabuar tek përdorimi i tyre. Ndjente se duke i marrë ato nga një mjek, nuk ishte i droguari i zakonshëm që shkon të blejë diçka në rrugë”.

Megjithatë, disa e konsideronin Nichopoulosin si një mjek të papërgjegjshëm. Midis viteve 1975-1977, ai kishte shkruar receta për 19 mijë doza droge për Presleyn. Nga janari deri në gushtin e vitit 1977, kishte përshkruar më shumë se 10 mijë doza. Tre vjet pas vdekjes së Preslit, Nichopoulosit iu pezullua liçenca si mjek. Në vitin 1981 u nxor në gjyq për dhënien e ilaçeve me tepri ndaj pacientit të tij. Mjeku dëshmoi se ai ishte përpjekur që pacientët e tij të kuronin gradualisht varësinë dhe në fund u lirua. Megjithatë, në vitin 1995 licenca si mjek iu hoq përgjithmonë.

Një vit më parë, një rihapje e dosjes së vdekjes së Presleyt zbuloi se sulmi në zemër ishte shkaku kryesor i vdekjes (megjithëse kjo gjetje mbetet e diskutueshme). Sidoqoftë, shumë adhurues të Presleyt fajësuan Nichopoulosit për vdekjen e idhullit të tyre dhe ai mori kërcënime të shumta me vdekje në vitet që pasuan.

Megjithatë, edhe pse mjeku me siguri e çoi Presleyn drejt vdekjes, shkaku i vdekjes së tij mund të jetë edhe më tragjik. Një nga efektet anësore të abuzimeve të gjata me qetësuesit është kapsllëku i madh. Meqë ai u gjet pa ndjenja pranë tualetit, ka gjasa që të jetë përpjekur të dalë jashtë, duke krijuar presion mbi zemrën e tij tashmë të dobët. Tendosja e kombinuar me obezitetin, sëmundjet e tjera dhe abuzimet me drogat, mund t’i kenë shkaktuar Presleyt një sulm vdekjeprurës në zemër. /AllThatisInteresting/ KultPlus.com

46 vite nga vdekja e Elvis Presley

Sot 46 vite më parë ka vdekur këngëtari dhe aktori amerikan me famë botërore Elvis Presly, shkruan KultPlus.

I lindur më 8 janar 1935. Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20, dhe njihet edhe si “Mbreti I Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”.

Presley kishte lindur në Tupelo, Mississippi, si një binjak-pa binjak, dhe kur ishte 13 vjeçar, ai dhe familja e tij u vendosën në Memphis, Tennessee. Karriera e tij muzikore filloi dikur më 1954, kur regjistroi një këngë me producentin Sam Philips nga Sun Records. Në bashkëpunim me kitaristin Scotty Moore dhe basistin Bill Black, Presley ishte ndër themeluesit e rokut, me uptempo, back beat me elemente të muzikës country dhe R&B. Ai u menaxhua nga Kolonel Tom Parker për më se dy dekada, me kontratën e nënshkruar nga RCA. Kënga RCA e parë e Elvisit , “Heartbeat Hotel”, u lansua në janar 1956 dhe u bë hiti numër 1 në SHBA. Ai fitoi titullin “Mbreti I Rock and Roll-it” pas një serie të suksesshme të paraqitjeve të tij në televizion dhe rekordeve të tij prijëse në top listat. Interpretimet e tij energjike të këngëve dhe stili I tij provokativ, i kombinuar me talentin e madh e bëri atë shumë të famshëm dhe kontroverzal (të diskutueshëm).

Në nëntor 1956, ai nxori filmin e tij Love Me Tender. Më 1958, u rekrutua nga shërbimi ushtarak. Ai vazhdoi karrierën e tij muzikore pas dy viteve, duke krijuar disa nga punimet e tij më të suksesshme komerciale para se të përkushtohej më shumë me filmat hollivudian si dhe albumet e tyre shoqëruese (vitet 1960), të cilat u përqeshën dhe u kritikuan. Më 1968, pas një ndërprerjeje shtatë vjeçare nga performancat e drejtpërdrejta, ai u rikthye në skenën me brohoritje të shumta për replikën e veqantë Elvis, e cila e dërgoi në një residensi koncertesh të zgjatura Las Vegase dhe një varg turnesh shumë fitimprurëse. Më 1973, Presley mori pjesë në koncertin e parë të transmetuar globalisht përmes satelitit, Aloha from Hawaii (Përshëndetje nga Hawaii). Disa vite abuzimi me drogë në formë barnash ndikoi në dobësimin e shëndetit të tij, dhe më 1977 ai vdes në moshën 42 vjeçare.

Presley është një ndër muzikantët më të njohur dhe më me ndikim të shekullit 20. Komercialisht i suksesshëm në shumë zhanre, duke përfshirë atë pop, blues dhe gospel, ai është solo – artisti më i shitur në historinë e muzikës me shitjet e regjistruara të vlersuara prej rreth 600 milion kopjeve në gjithë botën. Ai fitoi 3 çmime Grammy, dhe poashtu “Çmimin Grammy Të Arritjeve Të Jetës” (Grammy Lifetime Achievement Award), në moshën 36 vjeçare, dhe ka hyrë në sallat e shumta muzikore të famës./KultPlus.com

Filmi i ri biografik “Elvis” me premierë në Kanë të Francës

Filmi i regjisorit Baz Luhrmann dedikuar ikonës së ndjerë të muzikës e filmit Elvis Presley, i titulluar “Elvis”, do të shfaqet premierë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kanë të Francës.

Rolin e Elvis e luan Austin Butler, e të menaxherit të tij Tom Hanks.

Data e lansimit të filmit “Elvis” u caktua 24 qershori, që do të thotë se nuk do të hapë festivalin e Kanës. Megjithatë këtu mund të vendos vetëm Warner Bros.

Para disa vitesh, Kanes prezantoi rregulla të reja ku përfshihet edhe ajo që filmi hapës i festivalit të shfaqet po atë ditë edhe në kinematë Franceze.

Regjisori Luhrmann edhe në vitet 2001 e 2013 hapi festivalin e filmit në Kanë me filmat, si me “Moulin Rouge!” dhe “The Great Gatsby”.

Në mesin e aktorëve të cilët luajnë në filmin Elvis veç Butler e Hanks, janë edhe: Olivia DeJonge e Natasha Bassett.

Regjisori Luhrmann, në filmin “Elvis” eksploron jetën dhe karrierën muzikore të Elvis Presley, nga këndvështrimi i lidhjes së tij të komplikuar me menaxherin enigmatik.

Aty paraqiten 20 vite të jetës dhe karrierës së tyre, prej arritjes së famës të Presley.

Traileri i filmit “Elvis” u lansua muajin e kaluar dhe mori kritika pozitive.

E rëndësishme në këtë rrugëtim të tij është një prej personave më me ndikim në jetën e tij, Priscilla Presley, rolin e të cilës e luan DeJonge.

Sa i përket festivalit të filmit në Kanë të Francës, ai do të mbahet nga data 17 deri më 28 maj 2022. / KultPlus.com

Realizohet filmi i ri “Elvis”, dedikuar ikonës Elvis Presley

“Elvis” titullohet filmi i ri biografik, dramë-mjuzikël, me regji të Baz Luhrmann, i cili i dedikohet jetës dhe arritjeve të mbretit të muzikës, Elvis Presley.

Sekuenca nga traileri i këtij mjuzikli parqesin aktorin Austin Butler në rolin e Presley.

Veç Presley, në këtë film me role paraqiten edhe aktorët: Tom Hanks, Olivia DeJonge , Yola Quartey, e shumë të tjerë.

Regjisori Baz Luhrmann, tashmë njihet për realizim të një radhe projektesh filmike, përfshirë këtu: mjuziklin Moulin Rouge e dramën “The Great Gatsby”.

E projekti i tij i radhës është filmi biografik “Elvis”, që përqendrohet në ikonën muzikore amerikane, Elvis Presley.

Ky mjuzikël nxjerr në pah edhe lidhjen e Presley me menaxherin e tij, Tom Parker, i cili zbuloi talentin e tij në vitin 1955.

Regjisori Luhrmann lansoi sekuenca nga traileri i “Elvis” në Twitter, dhe siguroi publikun se ky mjuzikël do të lansohet vitin e ardhshëm.

Këto sekuenca nuk ofrojnë shumë detale nga filmi. Rolin e nënës së Presley në film e luan aktorja Maggie Gyllenhaal, por ajo nuk shihet në tiser.

Mjuzikli Elvis shënon filimin e parë të realizuar si duhet për Presley në disa vite, pasi që ai edhe më parë u portretizua në filma e TV.

Në vitin 1979, John carpenter realizoi film dedikuar kësaj ikone, ku në rolin e tij u paraqit Kurt Russell. Po ashtu në vitin 2005 u realizuan seri të shkurtra dedikuar Prisllit.

Sidoçoftë, Luhrmann duket se i është përshtatur projektit “Elvis”, pasi që tashmë ka realizuar një radhë mjuziklesh.

Mjuzikli “Elvis” është planifikuar të lansohet me 24 qershor të vitit./KultPlus.com

Imituesi norvegjez thyen rekord, këndon si Elvis Presley për 50-të orë

Një imitues norvegjez i Elvis Presley ka thyer sot një rekord botëror duke kënduar këngët e “Mbretit” për më shumë se 50 orë, gjatë një maratone muzikore të publikuar në internet, transmeton KultPlus.

Në 50 orë, 50 minuta dhe 50 sekonda, “Kjell Elvis”, emri i skenës i Kjell Henning Bjornestad, ka thyer për më shumë se shtatë orë rekordin e mëparshëm të aprovuar nga Guinness. Ky rekord ishte mbajtur që prej 16 vitesh nga një gjerman Thomas “Curtis” Gäthje.

“Nuk do ta bëj kurrë më”, deklaroi për televizionin norvegjez NRK, sozia e yllit amerikan në përfundim të performancës së tij rreth orës 10:50 (08:50 GMT). Ai kishte filluar të këndonte të enjten në mëngjes në orën lokale 08:00 në një bar në qendër të Oslo-s, me veshjen e plotë të Elvisit.

Sipas menaxherit të tij, iu rekomandua artistit që të mos konsumonte kafe për të kaluar dy netë të tëra. Smoothies, frutat dhe ëmbëlsirat energjike e lejuan atë të shkojë distancën dhe të ruajë zërin e tij, pak i ngathët në orët e fundit.

Bjornestad, 52 vjeç, më parë kishte marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare duke thyer rekordin dy herë, së fundmi në 2003, një maratonë 26 orëshe në atë kohë. / KultPlus.com