kangë sibile

Emin Z. Emini

(Kushtim për Nënë Terezen)

në emën të atit e të birit e
t’shpirtit shejt
në tokën e shqiponjavet
në damarët e gurit
shpallja zhdrypi
bahu

mbinë
gonxhe bojëgjake
vaditun me vullnesen e hyjit
bekue me frymën e qjelles
djep drite u bane
për gjith’ gjindjen e
rruzullimit

nanë
hymni i rrnesës t’ande
emnin dashni e ka
e lume e lumja ti për vete
e t’lum’t na për ty
shejte
djelli yt mbretënoftë
amen./KultPlus.com

ëndërr e përditshme

Poezi nga Emin Emini

oktapod e kisha pushtuar
të voglin të dashurin të pafajshmin
të vetmin atdhe
që më lanë
Iphone 4s

kryeneç nëpër giruset e trurit të tij
sërfoja
i vetmuar në mesin e gjithë njerëzve të globit

fluturoja me pendla të kaltra zogu
çilja guacka në pafundin e detit
fluturave të fundbarkut trishtimin ua korrja
shpresën shprazja zbrazëtirave të kozmosit

kjo i bjen se piqja qiqra në hell
*
diku pashë të shkruhej
kund tjetër të dëgjoj
herë hapur herë tinëz
për

1 të drejtën e gishtit të sustës së bombës atomike
2 misterin e përbotshëm të vezullimës verbuese të qimës më të
gjatë të pubisit të marilyn monroe
3 fëmijën që flinte në asfalt pranë nënës së vizatuar me shkumës
4 proteinat çudibërëse të jargës së kërmillit në luftën estetike
kundër mplakjes
5 therjen humane të qengjit lazdrak të shën gjergjit
6 trajnimin e transgjinorëve për të ofruar shërbimet me
kriptovalutën bitcoin
7 gjyqin kundër shoshës së ozonit dhe CO2 për ngritjen e
temperaturës së bythëve njerëzore

për shtatë e shtatë mijë e shtatë mrekullitë e botës përtejmoderne
pra
të shekullit XXI

ti
ishe në askund e në askohë
*
dikur
hapa kutinë e moçme
në kapakun e saj picërrontë sytë e ngrirë
buzëqeshja mëkatshëm e bukur
gdhendur me kthetra
me mjaltë pelini lyer

dhëmbë është e vërteta
dhëmbë

paskëtaj
erë iu bëra flamurit të saj
e paturpësisht dënesa në heshtje
e e qava

plagët e këmbëve të prera
ia mëkova me petale pranvere e melhem merimange
*
pip qe shpirti
torzo mbeti
*
ike
*
nuk të fajësoj
grackë të kishte vënë nata e zezë
e terrtë nëpër errësirë
ktheve shpinën
tinëz mëngjesit
*
gjinkallat e dimrit në kishë
thurën himnin e acarit
në stinën e epikës
lirisë sate ia vranë diellin

pasi i shpërthyen me gjilpëra antibiotikësh stërkalat e dritës
qiellit tënd të murrmë
në natën e lirikës
ia varën kryeveprën e tyre
atë
artistikën
skulpturën e diellit

ti kishe qafë
prandaj nuk ishe e gënjeshtërt
prandaj dhe
nuk të prisja të ktheheshe

tashmë ti
moti në atë mot të zi
ishe kthyer në personazhin e perëndimit të së dieles
me surrat saharaje
*
të hënën e ditës me hënë
hapat e tu
shkelën barin e yrtit tim
kambana e trinës së gjoksit
ra në numrin 044 201 707

ç’dreqin do
kushdo qofsh
në këtë pakohë

u përhëna

shembe gardhin
mes teje e meje

ti
erdhe
e ekrantë
për të parën herë
as e bukur as e shëmtuar

nga sytë e gjelbër
shkarkove hejbet e mallit

shkilnim nëpër gaca

në shuplakë të dorës kishe dhëmbët e bardhë
qelq të tejukshëm

mollën e kuqe
që sall një herë
dikur
mëkatshëm e kishe kafshuar
ta dhashë

ta fala
*
kanatat e qiellit u çelën
avulli i hukamës sate
ujëvarë derdhej në xhamin e dritares

alo oo ooo
*
s’qe kush tjetër
veçse ato të zakonshmet të përditshmet
ato
ëndrrat e mia kurvat e mia
*
i mbylla perdet e atdheut tim
bip bip bip./KultPlus.com

Emin Emini në mesin e dhjetë finalistëve të “KultStrofa”

Juria profesionale e edicionit të dytë të konkursit të poezisë “KultStrofa”, të organizuar nga KultPlus, nga 150 poezitë sa kanë konkurruar për këtë edicion, tashmë ka përzgjedhë edhe dhjetë finalistët e këtij edicioni.

Në mesin e dhjetë finalistëve është edhe Emin Emini, i cili në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë “Ëndërr e përditshme”.

KultPlus do të shpalosë një nga një dhjetë finalistët, sikurse që do të bëjë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni.

Sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank. Kurse tre çmimet e para nga dhjetë finalistët do të kumtohen në orën letrare që do të organizohet së shpejti nga KultPlus. /KultPlus.com