15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës

Sot janë bërë 15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi./Klan/KultPlus.com

Vargje nga 15 poetë jehuan mbrëmë në Festivalin e Poezisë “Republika” për nder të 15-të vjetorit të Pavarësisë

Në nderim të pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, dje u mbajt Festivali i Poezisë “Republika”, i cili bëri bashkë 15 poetë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra, Maroku dhe ShBA. Në këtë edicion të pestë me radhë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës frymuan vargje, zëra, tinguj e kërcime, të cilat u jetësuan në gjuhë të ndryshme, shkruan KultPlus.

Me pjesëmarrjen e poetëve si Curtis Bauer nga SHBA, Anna Hoffmann nga Gjermania, Dalila Hiaoui nga Maroku, Luccila Trapazzo nga Zvicra, Adem Gashi, Primo Shllaku nga Shqipëria, Nerimane Kamberi, Timo Flloko nga Shqipëria, Vlora Konushevci, Ahmet Selmani nga Maqedonia e Veriut, Blerina Rogova Gaxha, Halil Matoshi, Emin Z. Emini, Ndue Ukaj dhe Xhevat Latifi, “Republika” hyri në secilin shpirt të pranishëm.

Ky edicion ka sjell pranë vetes edhe gërshetimin e poezisë me interpretimin e aktores Melihate Qena dhe Avni Dalipit, të cilët dhuruan emocione të jashtëzakonshme që u përcollën nën tingujt e instrumentistit Astrit Stafai. Në anën tjetër, mbrëmja gjeti nisjen fillimisht nga kënga e Vlora Ademit nën interpretimin e Qenës, dhe pjesëmarrjen e balerinës Altina Basha me një kërcim tejet të veçantë nën koreografinë e Robert Nuhës, që i dha hijeshi unike këtij edicioni.

Me fillim nga ora 19:00, BKK u shndërrua në shtëpinë e dytë të poetëve e jo vetëm. Ishin fotografitë abstrakte nga fotografi Fahredin Spahija, ato që këndshëm në prapavijë zunë vend. Gjithsej 45 fotografitë nëpërmjet ekspozitës virtuale së quajtur “odin 45”, e bënë atmosferën akoma më të ngrohtë.

Organizatorja, Vlora Ademi fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, duke ia lënë hapësirën poezisë që të jehojë.

“Faleminderit shumë që keni ardhur dhe po e nderoni edicionin e pestë të Republikës. Sonte si zakonisht, vetë Republika do të flasë nëpërmjet poezisë, andaj unë po ia jap fjalën poezisë. Uroj që ta shijoni këtë mbrëmje”, tha Ademi.

Ndërkaq, moderatorja Fitore Rexhepi në nderim të figurës së njohur Edi Shkuriu, tregoi se do të interpretohet poezia “Në qiell”, në shenjë respekti.

“Këtë vit e kemi humbur një figurë të rëndësishme të kulturës, Edi Shukriun e cila jo vetëm që ka dhënë kontributin e saj në fushën e arkeologjisë por ajo ka kontribuar shumë edhe në çështje kombëtare, andaj në shenjë respekti dhe nderimi për të, ju ftoj ta dëgjojmë poezinë e saj “Në qiell”, nën interpretimin e aktores Melihate Qena.”

Tutje, poezitë si: “Putini gri”, “Dita e parë dhe e fundit” nga Adem Gashi, “Shën Valentini”, “Fleta e bardhë” nga Primo Shllaku, “Duhet kërkuar dashurinë”, “Ne vajzat, bijat, motrat” nga Nerimane Kamberi, ““Nekrologji”, “Lutja e mbrëmjes” nga Curtis Bauer, “Shën Valentini”, “Kushtetuta” nga Dalila Hiaoui, “Xhelozi e detit”, “Rob i manive” nga Timo Flloko, “Amulli”, “Veprimtare e pabesë” nga Vlora Konushevci, , “Rrno vetëm për me tregue (Pëshpëritja e At Zef Pllumit) nga Ahmet Selmani, “Bota rrotullohet”, “Kasandra në shërbimin tuaj” nga Anna Hoffmann, “Gruaja e dëshmorit”, “Ende harku” nga Emin Z. Emini, “Rekuiem 20/22”, “Në rrethin e hënës” nga Luccila Trapazzo, “Ikja e kalorësit të fundit”, “Pikë tamël në sy” nga Xhevat Latifi, “Listë personale” nga Blerina Rogova Gaxha, “Biletat”, “Ne jemi duke u dënuar për mëkatet tona” nga Ndue Ukaj, “Njeriu mes mjegulle” nga Halil Matoshi, rrumbullakuan këtë natë përgjatë dy orëve, me ç’rast u dëshmua se poezia është e pakrahasueshme në artin e saj, andaj jo rastësisht cilësohet si “mbretëresha e arteve”.

Edicioni i pestë i Festivalit të Poezisë “Republika”, këtë vit u mbështet nga Komuna e Prishtinës dhe Instituti Goethe në Prishtinë. Ndërsa sponsor medial është gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus.

Fotografitë: Ferdi Limani/ KultPlus.com

“Republika” e Platonit ishte një makth totalitar, jo një utopi

Nga Scotty Hendricks

Letërsia dhe filozofia, janë të mbushura me vizione të utopisë, të shkruara nga mendimtarë  që i përkasin rrymave të ndryshme ideologjike. Disa prej tyre bazohen në sisteme alternative ekonomike; të tjerët i përshtaten një pikëpamje specifike të psikologjisë njerëzore; dhe të tjerë akoma shpresojnë të gjejnë harmoni me natyrën.

Si gati në çdo fushë tjetër të përpjekjeve intelektuale, të gjithë ata i detyrohen shumë Platonit, që e bëri i pari. Libri “Republika” i filozofit të Greqisë së Lashtë përmban skicën e parë të njohur mbi një shoqëri utopike. Pjesërisht një alegori, pjesërisht një propozim politikash legjitime, dhe pjesërisht kritikë e sistemeve ekzistuese, libri ofron shumë ide që flasin mbi një qytet ideal. Por për fat të keq siç do ta shohim së shpejti, askush nuk do të dëshironte të jetonte atje.

Utopia e parë

Shumica e letërsisë utopike fillon me përpjekjen për t’i dhënë përgjigje pyetjes “Çfarë është shoqëria ideale?”. “Republika” e Platonit fillon duke u përpjekur t’i përgjigjet pyetjes: “Çfarë është drejtësia dhe a është mirë që një person të jetë i drejtë?”. Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, dhe Platoni i përgjigjet asaj me analogji nëpërmjet personazhit të tij kryesor Sokratit.

Ai thotë se drejtësia në qytetin ideal, është e ngjashme me drejtësinë e një personi dhe duke e kuptuar drejtësinë në shkallën më të madhe dhe më të lehtë për t’u parë, ne mund ta kuptojmë atë në shkallën më të vogël. Qyteti, i quajtur Kalipolis, do të qeverisej nga mbretër-filozofë.

Study Looks at When Dogs Should Start Receiving Cancer ScreeningsKeep Watching

Të zgjedhur për mençurinë e tyre, këta sundimtarë do të arsimoheshin për 50 vjet përpara se të merrnin kontrollin e qytetit. Të udhëhequr nga kuptimi i tyre për të mirën, të drejtën dhe mënyrën se si ta arrinin atë, ata do ta çonin qytetin drejt paqes dhe prosperitetit.

Burrat dhe gratë do të trajtoheshin në mënyrë të barabartë, pasi Platoni nuk mund të gjejë asnjë arsye pse gratë mund të mos jenë në gjendje të bëjnë atë që bëjnë burrat brenda kufijve të arsyeshëm. Të gjithë fëmijëve do t’u jepej një arsim cilësor i përshtatshëm për talentet e tyre natyrore.

Dhe kjo fundit do të orientohej drejt krijimit të qytetit më të mirë të mundshëm, me lumturi, virtyte dhe një harmoni të niveleve të larta, ose të paktën siç e konceptoi Platoni. Qyteti do ta arrinte këtë gjë nëpërmjet një serie gjithnjë e më totalitare ligjesh dhe rregulloresh, që do të garantonin funksionin e tij, pa marrë shumë parasysh dëshirat e deklaruara të popullatës.

Ndërsa shumë nga specifikat janë lënë të padeklaruara, ajo që thuhet është e bollshme. Qyteti përmbante një sistem kastash të ngurtësuara, ku nuk lejoheshin ndryshime sociale të mundshme për të rriturit. Megjithatë, fëmijët e tyre mund të gradoheshin ose uleshin në detyrë në bazë të mënyrës se si paraqiteshin në shkollë.

Shtresa e gardianëve dhe e luftëtarëve që e sundonin dhe mbronin qytetin, do të ishte pa prona personale dhe private, duke jetuar në vendbanime komunale të financuara nga taksat e mbledhura nga shtresat e ulëta. Të gjithë sundimtarët do të zgjidheshin nga kjo klasë.

Ndërkohë familjet nuk do të ekzistonin më si njësi të vetme. Në vend të kësaj, fëmijët e lindur nga martesat e sanksionuara nga shteti do të rriteshin nga shteti. Krahas kësaj do të ishte në fuqi një sistem eugjenik që lejonte vrasjen e foshnjave që lindin nga “prindër inferiorë” ose kromozome “me defekt”.

Po ashtu, do të përdoreshin disa manipulime, për t’u siguruar që prindërit me cilësi më të ulëta të mos kontaminonin linjat e gjakut të njerëzve me cilësi më të lartë. Për të garantuar respektimin e së vërtetës, të gjithë poetët duhet të dëboheshin nga vendi.

Të gjitha veprat e kulturës, nga dramat deri tek tregimet që u tregohen fëmijëve para gjumit, do të miratoheshin nga pushtetarët. Natyrisht, këta sundimtarë janë të vetmit njerëz të aftë për të kuptuar “të vërtetën” në vend të imitimeve të saj surrogato.

Sistemi do të reziston falë një “gënjeshtre fisnike”, duke i siguruar njerëzit e thjeshtë se shpirtrat ndahen në disa kategori. Mbretërit filozofë kanë një shpirt të artë, ndihmësit dhe luftëtarët e tyre kanë një shpirt të argjendtë, ndërsa fermerët, punëtorët dhe mjeshtrit janë bërë metafizikisht prej bronzi dhe hekuri.

Gënjeshtra përfshin paralajmërimin se gjithçka do të shembet nëse në krye do të vihen njerëz të ndërtuar keq. Dhe ajo është e destinuar të dështojë, siç sugjeron Platoni për të gjitha regjimet politike. Tingëllon këndshëm, apo jo?

Filozofi Karl Poper, kundërshtimet e të cilit ndaj totalitarizmit janë shfaqur në disa nga librat e tij, mendonte se idetë e shfaqura në “Republika“ e Platonit ishin marrë shumë seriozisht. Me përkushtimin e tij ndaj idesë se inxhinieria sociale nuk është vetëm e mundur, por shpeshherë edhe e dëshirueshme, dhe se gjithçka është e lejuar për sa kohë që politika drejtohet drejt së mirës “objektive”, Poper sugjeron se libri i Platonit frymëzoi intelektualishtlëvizjet totalitare të shekullit XX-të.

Vetë Ajatollah Khomeini, themeluesi i Republikës Islamike të Iranit dhe udhëheqësi i Revolucionit Iranian, u frymëzua nga ky libër kur themeloi qeverinë e re iraniane, së bashku me mbretin-filozof. Se sa mirë funksionoi kjo gjë mbetet ende një subjekt debati.
Filozofi Bertrand Rasëll, një tjetër kritik i librit në fjalë, argumentoi se libri kishte predispozitë të merrej seriozisht si një shoqëri që mund të krijohej në Greqinë e lashtë. Ndërkohë çdo ide e utopisë – moderne apo e lashtë – do të bazohet tek supozimet për njerëzit, shoqëritë, drejtësinë dhe koncepte të tjera që dikush tjetër do t’i konsiderojë të diskutueshme.

Nga 2000 vite para kur Platoni shkroi librin tij, gjithçka që ai tha është shndërruar nga një libër i saktë në një vizion absurd. Rrjedhimisht, qyteti i tij i përsosur na duket sot monstruoz. Megjithatë, diskutimi i nxitur nga debati nëse Kalipolisi i Platonit është ideal, praktik apo edhe i mundshëm, e ka çuar përpara kuptimin tonë mbi etikën dhe filozofinë politike.

Tek e fundit, ne duhet të pyesim veten pse na pëlqejnë konceptet si liria dhe demokracia kur përballemi me një alternativë që supozohet se na ofron një shoqëri më të mirë. Si gjithmonë, ne mund t’i detyrohemi Platonit një falënderim, edhe pse në përgjithësi e refuzojmë filozofinë e tij. / Big Think – Bota.al / KultPlus.com

Kryeministri Kurti për incidentin në Gjakovë: Nuk është në kulturën tonë të jemi diskriminues

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur keqardhje dhe e ka dënuar fuqishëm aktin e fundit të diskriminimit ndaj komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, që sipas raportimeve, disa lokale të gastronomisë kanë refuzuar t’u shërbejnë këtyre komuniteteve.

Në fjalimin e mbajtur në Samitin e antigjipsizmit, kryeministri Kurti po ashtu dënoi ashpër dhunën fizike që u shpërfaqë po ndaj këtyre komuniteteve ditëve të fundit.

Këto janë akte të dënueshme si nga ligjet tona e po ashtu edhe nga ndërgjegjja jonë. Nuk është as në kulturën e as në historinë tonë që të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues, tha kryeministri, duke shtuar se qytetarët e çdo etnie, komuniteti e race janë në radhë të parë qytetarë të barabartë të Republikës tonë.

Kryeministri tha se angazhohet njëlloj për të gjithë qytetarët e Republikës, e sidomos për ata që janë më të varfër, sepse siç tha ai, përveçse Kryeministër, jam edhe social-demokrat, e si social-demokrat progresin e zhvillimin e shoqërisë tonë e mati, jo me atë se sa mirë po jetojnë ata që kanë më së shumti, por ata që kanë më së paku.

Ai shtoi se si social-demokrat zhvillimin e matë me përfshirjen dhe kualitetin e edukimit që marrin jo vetëm pjesa e privilegjuar e shoqërisë, por pjesa më e diskriminuar e saj.

Në këtë drejtim, ai veçoi shpalljen e konkursit për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian për vitin shkollor 2021/2022, me çka synohet përfshirja e këtyre nxënëseve në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike dhe sigurimi i iniciativave për të reduktuar braktisjen e mësimit. /KultPlus.com

Agjencia e marketingut ‘Republika’, nënshkruan kontratë të rëndësishme për lobim në Kongresin Amerikan

Agjencia kosovare e marketingut do të punojë me organizata, media dhe politikbërës të rëndësishëm amerikan, për përfaqësim të suksesshëm në Kongresin e SHBA-ve.

Sot, agjencia kosovare e marketingut Republika Communications ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje të rëndësishme me TEAM – një organizatë amerikane me ndikim për jetën publike të qytetarëve amerikan, përkatësisht sektorin e shëndetësisë në SHBA.

Marrëveshja parasheh që agjencia kosovare e marketingut t’i kryej gjitha shërbimet e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun për TEAM në tregun amerikan dhe atë evropian, ndërsa me theks të veçantë është menaxhimi i lobimit në Kongresin Amerikan dhe mediat kryesore, duke përfshirë NY Times, NPR, USA Today, LA Times, The Guardian, BBC dhe Reuters, mes tjerash. 

Republika Communications poashtu do ta përfaqësojë organizatën e rëndësishme amerikane tek donatorët më të mëdhenj ndërkombëtar, duke përfshirë korporatat multinacionale të industrisë farmaceutike, kompanitë e teknologjisë dhe shumë organizata tjera me ndikim.

“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për ne dhe vlerat e tregut të cilin e përfaqësojmë. Portfolios sonë të pasur me brende të mëdha ndërkombëtare nga vende të ndryshme evropiane tashmë nga të gjitha lëmitë, tani po i shtohet edhe një organizatë e rëndësishme amerikane, e cila do të na mundësojë të punojmë me emra të njohur të politikës dhe mediave amerikane” ka thënë Dukagjin Lipa, drejtor ekzekutiv në Republika Communications.

“Sidomos në kohë të pandemisë, promovimi i ekspertizës tonë dhe kompanive kosovare në SHBA dhe tregjet tjera të zhvilluara është jashtëzakonisht i nevojshëm. Ne do të përpiqemi shumë që edhe në javët tjera në vazhdim t’i sjellim edhe disa lajme tjera të mira nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar” ka thënë më tej Lipa.

Republika poashtu menaxhon me shërbimet e plota të komunikimit festivalin ndërkombëtar, Sunny Hill Festival. Shërbimet digjitale për TEAM do të realizohen nga njësia e agjencisë për shërbimet digjitale – përkatësisht Digital Republic, kompani e specializuar që merret ekskluzivisht me marketingun digjital, rrjetet sociale dhe zhvillimin e produkteve interaktive dhe tregtinë elektronike, mes tjerash.

Ditë më parë, agjencia Republika e bëri publik angazhimin e saj për krijimin e web faqes për artisten e famshme Dua Lipa. Sipas themeluesit të saj, zt. Dukagjin Lipa, Republika së shpejti do t’i ketë zyrat përfaqësuese edhe në New York dhe Los Angeles, ndërsa momentalisht në Londër, Republika bashkëpunon ngushtë me Mercy & Wild, e cila shërben shumë yje të muzikës botërore, duke përfshirë edhe Dua Lipën. / KultPlus.com