Filmi ‘Drita’ me Arta Dobroshin shfaqet në Cyrih

Një tjetër film premtues që tregon një histori Kosove do të pushtojë së shpejti ekranet ndërkombëtare. Bëhet fjalë për filmin “Drita” me regji të Daniel Kruglikov ku luajnë aktorët e mirënjohur Arta Dobroshi, Genc Jakupi dhe Florist Bajgora, transmeton KultPlus.

Ky film, që e ka për producent Shkumbin Jakupin, do të shfaqet në edicionin e 15-të të “Zurich Film Festival”.  Ky edicion i sivjetmë mbahet në Zvicër mes datave 26 shtator dhe 6 tetor ndërsa filmi që është koproducion mes Kosovës e SHBA-ve do të shfaqet tri herë në kudër të tij.

Siç bëhet e ditur përmes programit të festivalit, filmi do të shfaqet të hënën më 30 shtator, të mërkurën më 2 tetor si dhe të dielën më 6 tetor.

Filmi “Drita” flet për një akt hakmarrjeje, ku Drita humbi jetën. Filmi ka në qendër një dashuri mes saj dhe Flamurit në një kohë kaotike. Drita futet në ciklin shkatërrues të hakmarrjes, ku rivalët bëhen një me dhunën dhe jeta bëhet një me vdekjen. Filmi mëton të tregoj se si mund të kapërcehet ky rreth vicioz. /zëri/KultPlus.com