‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’ premierë në ‘PriFest’, personaliteti që vendosi themelet e kinematografisë kosovare

Era Berisha

Regjisori Besim Sahatçiu është padyshim emër i madh i artit shqiptar, i cili arriti të krijoi karrierë të bujshme e të jashtëzakonshme. Për këtë personalitet me influencë në shoqërinë shqiptare, mbrëmë në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, u shpalos premiera e dokumentarit “Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra” skenarin dhe regjinë e të cilit e krijoi Burbuqe Berisha por që fatkeqësisht e la pa përfunduar, shkruan KultPlus.

Filmbërësja shqiptare vdiq më 27 tetor të këtij viti në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.

Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi. Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”. Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të “Operës së Kosovës”.

Andaj, mbrëmë në nderim dhe kujtim të saj, është shfaqur dokumentari ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’, një vepër që regjisorja Berisha na e la si kujtim të fundit.

Ndonëse, salla në Kino Armatë nuk u mbush plot, ishin kujtimet e shumta të personave në dokumentar, ato që sollën një ngrohtësi të papërshkrueshme. Rrëfimet nga Besa Sahatçiu, Besnik Sahatçiu, regjisori Isa Qosja, profesori i dizajnit grafik, Shyqri Nimani, aktorja Shirine Morina, aktorja Safete Rogova dhe aktori Enver Petrovci, jetësuan figurën e regjisorit Besim Sahatçiut, si dhe njëkohësisht shfaqën dashurinë, nderin dhe respektin që e kishin rrënjësisht për të.

Besim Sahatçiu, ishte drejtor i teatrit, filmit dhe televizionit. U lind më 2 tetor 1935, në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Si drejtor skenik, ai punoi në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ishte një regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.

“Era dhe lisi” ishte njëri nga super-filmat shqiptar i prodhuar nga Kosovafilmi në vitin 1979 me regji të Besim Sahatçiut. Ndërsa në rolet kryesore ishin dy nga aktorët e mirënjohur, Faruk Begolli dhe Abdurrahman Shala.

Filmi i tij “117” morri çmimin kryesor në Festivalin e Dokumentarit në Beograd në vitin 1978.

Përveç informacioneve që treguan e shtjelluan jetën e tij, ca kujtime interesante si dhe vlerësime të duhura, zunë vend në këtë dokumentar që nisi fiks në orën 21:06.

Ishte regjisori Isa Qosja që kujtonte se “117” ishte një film i jashtëzakonshëm. Një film që sipas tij, solli diçka të re në kinematografinë e Ballkanit. Reagimet e publikut serb në Beograd, ishin të mëdha. Gjatësia e kuadrit, atmosfera e natës dhe para-mëngjesi, cilësohen nga Qosja si diçka e paparë deri atëherë e që pati një ndikim të jashtëzakonshëm.

Po ashtu, ai thoshte se Besimi qe një njeri i urtë i filmit kosovar dhe se komunikimi me aktorët, ishte pika e tij më e fortë. E kujtonte kohën kur Besimi e përtëriti konkursin tradicional “Katarina Josipi” e në juri përfshiu emra të njohur, si: Anton Pashku, Rexhep Ismajli, Ibrahim Rugova, Muharrem Qena.

“Unë tek ‘Era dhe Lisi’ e konsideroj që ka qenë një grimcë e vogël e mundësisë sime për ta parë atë si regjisor. Por kur i kam shikuar veprat e tij dhe duke u rikthyer në kujtesën time se çfarë kam parë, e shoh që Besimi ka vendos themelet e kinematografisë kosovare. Pra, me dy krijimet e tij; ‘117’ dhe ‘Era dhe Lisi’.”

Ndërsa, profesori i dizajnit grafik, Shyqri Nimani kujtoi kohën kur ai dizajnoi posterin e “117”, ku 50% ishte vizuale e pesëdhjetë tipografike. Ai thotë se Besimi qe fëmija i nëntë i familjes, dhe i cili i ka ikur zanatit familjar prej nga dhe vjen mbiemri i tyre.                                                  

“Besimi ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm. Ka qenë një njeri meritativ, ka menduar për temën qysh nga ideja e deri në implementim. Në këtë mënyrë, ai me të vërtetë ka arritur që secilin film ta afrojë drejt përsosmërisë.”

Gjithashtu, aktorja Safete Rogova kujton se Besimi punën më të madhe e ka bërë me aktorët. Ajo e cilëson atë si një pedagog shqiptar që dëshironte t’i mësonte studentët. Sipas saj, pjesën e parë të provave e bënte me rolet kryesore, ndërsa krejt klasën e përfshinte në rolet dytësore.

“Ne kishim nevojë për të. Ai ishte vërtetë një njëri shumë i kulturuar, e njihte klasiken ruse, dramaturgjinë angleze dhe amerikane. Na furnizonte me libra dhe literaturë të bollshme. Ai për të na e heq tremën, shpeshherë ulej ku ulet publiku e na vështronte që ne të liroheshim. Besimi na thoshte se çdo shfaqje është provim për ju dhe kur ballafaqoheni me të, ju veçse e keni dhënë provimin. Na thoshte se mos të mësojmë menjëherë rolin por të studiojmë autorin e të mëshirohemi me personazhin.”

Ajo tutje mbante mend se Besimi pati dëshirë të krijonte edhe “Pigmalonin” me Adem Mikullovcin dhe Dibran Tahirin, por që xhirimet e “Era dhe Lisi” e larguan atë nga teatri, kur dhe rrallë më e panë.

Kurse, aktorja Shirine Morina e kujtonte Besimin si një njeri të afërt me të por edhe shumë inteligjent.

“Atëherë mendonim se Besimi e ka lexuar krejt bibliotekën e Pejës.”

Në anën tjetër, aktori Enver Petrovci e vlerëson Besimin si një shembull me të cilin duhet të punohet në një serial.

“I kam thënë Besimit se ai ka qenë për mua jo vetëm regjisor i parë i filmit në Kosovë, por ai ka qenë një shembull se si vërtetë punohet në një serial. Ka qenë një zotëri në punë. Asnjëherë nuk ka përfol. Sado që ka dhënë, ai ka pas dijeni me dhënë edhe shumë më tepër. Besimi ka lënë gjurmë të mëdha.”

Gruaja e Besimit, Besa Sahatçiu tregonte kohën kur ai pati konkurruar në Akademinë e Teatrit e të Filmit në Zagreb, dhe se nga gjithsej treqind persona, ishin pranuar vetëm pesë, njëri ndër ta qe edhe vetë Besimi. Për Rita Orën, mbesën e Besimit, Besa thoshte se Rita gjithmonë e kujton dhe e falënderon gjyshin e saj.  

“Rita kujtonte se gjyshi ishte ai që i ka thënë se gjithmonë ajo do të mbërrij lartë dhe Ritës këto fjalë i janë dukur se e kanë shtyrë përpara e se ka arrirë aty ku ajo është. Gjithmonë e kujton dhe e falënderon gjyshin e saj. Besimi ishte shumë i kënaqur e sidomos kur Rita e pati xhiruar filmin e parë, dhe atëherë Besimi më pati thënë mua se Rita do të arrijë shumë.”

Besnik Sahatçiu, djali i Besimit, e kujtonte babin e tij nëpërmjet këshillave të tij.

“Ai ka qenë një idol për mua, na ka dhënë disa këshilla si të gjendemi e të lundrojmë në jetën tonë, në të ardhmen tonë. Na dha atë ndjenjën e drejtë që të mos lakmojmë por të shkollohemi e t’i shikojmë punët e kombit e shtetit. T’i mësojmë gjeneratat e sidomos fëmijët tanë, për të gjitha ato pikëpamje. E shfrytëzoj rastin të them se Rita e donte gjyshin e vetë dhe e përmend shumë. Ajo mburret me prejardhjen e saj dhe veprimtarinë e gjyshit të vetë.”

Përveç këtyre artistëve që shpalosnin kujtime, momente e çaste të ndryshme përbrenda dokumentarit, të futura qenë edhe disa video të vetë Besim Sahatçiut, nga ku edhe po i sjellim disa sekuenca më poshtë.

“Unë i shpëtova zejes së babës dhe katragjyshit, kjo qe për shkak se vëllezërit u rritën e u punësuan në dyqanet e babit. Ky ishte fati im. Në shkollë isha një nxënës i shkëlqyer ndërsa në gjimnaz, merrja pjesë në aktivitete të ndryshme muzikore. Kësisoj, më lindi dashuria ime e pavetëdijshme për teatrin, filmin, e sidomos për librin.”

“Për artin e regjisë, duhet vite të tana, studime të tana dhe praktikë të madhe për të zbatuar atë në mënyrë të suksesshme.”

“Mbaj mend vetëm që shumë kemi vuajtur së bashku. Shumë erëra e stuhi janë përplasur mbi supet tona.”

Pas shfaqjes së dokumentarit ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’, duartrokitjet e zjarrta zunë vendin e fjalëve dhe kujtimeve që përçoheshin në atmosferë. Ndërsa, producenti Agron Vula, i cili ka përfunduar filmin e fundit të regjisores Burbuqe Berisha, doli në skenë për një fjalë rasti.

“Ky është filmi i fundit i Buqes, të cilin ajo nuk arriti ta përfundojë por më erdh mua si amanet dhe e kam pasur shumë vështirë ta kryej. Montazhi më ka zgjatur afro tre muaj, dhe gjithmonë e dëgjoja zërin e Buqes, andaj edhe ka zgjatur aq shumë. Buqja ia ka kushtuar filmin një regjisori i cili ka kryer shkollën në Zagreb. Besimi ka qenë ai që i ka nënshkruar diplomat e secilit punëtor të Radio Televizionit të Prishtinës, në atë kohë, e që më pas janë bërë regjisorë”, thotë Vula.

Sipas tij, përpos këtij filmi, regjisorja Berisha e ka pasur idenë për një seri prej dhjetë filmave dokumentarë që ajo i ka pas të përgatitura për t’i nisur por që fatkeqësisht nuk mund të realizohen më.

“Filmi nuk është i përfunduar sepse unë nuk kam dashur të ndërroj asgjë prej asaj që e ka bërë Buqja. Nëse kishim hyrë në montazh së bashku, besoj kish pas ende xhirime të shumta për t’i kryer. Por megjithatë jam shumë i lumtur që filmi është kryer”, përfundon Vula.

Kujtojmë se dokumentari ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’ është jashtë konkurrencës në “PriFest”. / KultPlus.com

“Drita” premierë në ‘PriFest’, një luftë e dhimbshme ndërmjet hakmarrjes dhe dëshirës për falje

Era Berisha

Një histori e dhimbshme në Kosovë ku konflikti i zgjedhjes ndërmjet faljes dhe hakmarrjes vihet në një piedestal që nuk ka të ndalur, është ajo që ka jetësuar mbrëmë premierën e filmit “Drita” me regji të Daniel Kruglikov në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘. Ndonëse, është krejtësisht ndryshe nga ajo se çfarë publiku kosovar është mësuar të shoh, filmi i stilit ndërkombëtar, mbushi boshllëkun e një zbrazëtie që ka kohë pa u prekur, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 19:00, ishin njerëzit e shumtë të cilët po mbushnin sallën në Kino Armatë, duke zënë vendet e tyre të posaçme. Pas fikjes së dritave, nën terrin që kaploi vendin, filmi gjeti fillimin e tij.

E cilësuar si një poemë kinematografike për një dashuri të humbur, “Drita” është një dramë në gjuhën shqipe që shpërfaq anët më të errëta të aktit të hakmarrjes. Filmi vë në fokus dashurinë mes Dritës (Arta Dobroshi) dhe Flamurit (Genc Jakupi) në një kohë të trazuar. Por, vdekja e Dritës është krejt ajo që dërgon drejt vorbullës së dhunës, si e vetmja përgjigje kundrejt padrejtësive të shumta.

Kjo ndodh mu atëherë kur i dashuri i saj, Flamuri, kthehet në Prishtinë. Flamuri e di mirë se kush është vrasësi i saj, por cikli shkatërrues i vendos të dy rivalët përballë njëri-tjetrit, aty ku dhuna lëshohet mbi trupin e tyre dhe lufton për mbijetesë.

Lufta shpirtërore e Flamurit midis dashurisë, urrejtjes, hakmarrjes dhe faljes është pika kryesore nëpërmjet së cilës zhvillohet drama. Në atdheun e tij, Flamuri fillon të luftojë me kujtimet, me fajin dhe instinktin primar që e qon drejt hakmarrjes, një reagim ky që shpërfaq ambientin në të cilin ai është rritur.

Lufta është krejt ajo se çfarë ka njohur Flamuri, ndërsa pretendimet si: “Me marr gjak, me marr hak”, apo “Sy për sy”, veçse e bëjnë hakmarrjen, zgjidhjen më të lehtë e më të ndershme që ekziston ndonjëherë. Nëpërmjet kuadrove të ndryshme, të shumta e të llojllojshme, filmi mëton të tregoj se si mund të tejkalohet kjo dallgë vicioze.  

“Drita” është një copëz historie që shpalos luftën e traditën dhe njëkohësisht flet për nevojën për ndryshim me ç’rast shfaq fuqinë e dashurisë, si arma më e fuqishme në mesin e heshtjes, derdhjes së gjakut dhe vrasjes.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet e shumta ato që dëgjoheshin në publik. E në mesin e tyre ishin edhe ato të ekipit të filmit ‘Drita’ të cilët ngadalë dolën në skenë për një fjalë rasti.

Bashkë-producenti Armond Morina, i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre si dhe i ftoi të gjithë për një koktej rasti.

Ndërkaq, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth filmit ’Drita’, e pranishme ishte vetëm aktorja Arta Dobroshi.

“Karakteri i personazhit Drita është arsyeja që ia kemi vendos emrin filmit. Më duket se filmi është i dedikuar ndaj faljes dhe falja është një gjë me shumë rëndësi, andaj edhe mesazhi kryesor është se jeta duhet të vazhdoj përpara. Filmi është plotësisht shpirtëror dhe as ndoshta nuk mund ta shpjegoj, sepse është krijuar në atë mënyrë”, thotë ajo.

Sipas saj, gjatë kohës së provave, kasti i aktorëve ka pasur edhe ndikim në atë se çfarë thuhet në film.

“Sikurse është monologu im në fillim, që i bashkëngjitet edhe videos së refugjatëve. Të gjithë ne kemi qenë shumë të lirë në krijim. Kamera ishte edhe karakter vetë, andaj roli i tij është pothuajse i një personazhi. Ishte një improvizim total”, ka thënë Doborshi.

Krejt në fund, ajo tregon se filmi “Drita” është thjesht një shprehje që vjen nga brendësia shpirtërore dhe del në imazh.

“Regjisori është me prejardhje ruse dhe kur i shohim filmat rusisht të vjetër, e kanë njëfarë ‘voice-over’ që ne e kemi bërë në film, veçse në të njëjtën kohë nuk kemi pasur shumë rregulla në mënyrën e xhirimit. Nuk tregohet një mesazh që duhet me patjetër të merret, por është thjesht një shprehje e shpirtit që del në imazh. Dhe kjo është e bukura e artit”, përfundon Dobroshi.

Regjisori dhe skenaristi David Kruglikov ka një përvojë disavjeçare kryesisht në filma të metrazhit të shkurtër. “Lula” (2007) dhe “Farewell” (2011) janë dy prej projekteve të tij që i kanë paraprirë “Dritës”.

I xhiruar në nëntor të vitit 2018, “Drita” sjell në rolet kryesore aktorët si: Arta Dobroshi, Genc Jakupi dhe Florist Bajgora. Përveç tyre, edhe Armond Morina e Ilire Vinca kanë role në të.

Producentë të filmit janë: Shkumbin Jakupi, Armond Morina dhe Genc Jakupi, ndërsa producent ekzekutiv është Steve Mcqueen (regjisori i filmave ‘12 Years a Slave’, ‘Shame’, ‘Hunger’). / KultPlus.com

“Vera andrron detin” hap ‘PriFest’, shpaloset rrëfimi i Verës, gruaja që lufton patriarkatin e pamëshirshëm rural

Era Berisha

Një histori e pazakontë, krejtësisht e rrallë por e veçantë në llojin e vetë, ka qenë njëra ndër pikat kryesore që ka kulmuar mbrëmë në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’, me rastin e premierës së filmit kosovar, tashmë të suksesshëm “Vera andrron detin” nën regjinë e Kaltrina Krasniqit. ‘PriFest’ sivjet shënon edicionin e katërmbëdhjetë por për herë të parë pa drejtoreshën e festivalit, Vjosa Berisha e cila vdiq më 23 qershor të këtij viti. Andaj, ky edicion do të jetë në kujtim dhe nderim të saj, shkruan KultPlus.

Pak para se ora të shënonte 20:00, ishte pamja para objektit të Kino Armatës ajo që po tërhiqte vëmendjen e të gjithë atyre që kalonin pranë. Tapeti i kuq i shtruar, reflektorët në ngjyra të ndryshme që ngjasonin me ngjyrat e sivjetshme të festivalit, muzika live që buronte lehtazi nëpër atmoferë, ishin vetëm disa nga copëzat e shumta që kryeqytetit po i sjellin një frymë të shumëpritur. Artdashës të shumtë mbushën vendin dalëngadalë, teksa hapësira u mbush pothuajse qosh më qosh. Ndërkaq, premiera e filmit “Vera andrron detin” u bë e mundur që të shijohej në dy hapësira; në Kino Armatë dhe Kino ABC.

Pas shumë përqafimeve, buzëqeshjeve, shkrepjeve të fotografive në ambientin e jashtëm, kishte ardhur koha që filmi të jetësohej në Prishtinë. Salla në Kino Armatë u mbush plot dhe të gjithë zunë vendin e tyre nëpër ulëse. Pas ca momenteve, në skenë doli aktori Armend Smjali i cili në rolin e moderatorit, bëri hapjen zyrtare të këtij edicioni. Ai nuk la pa e përmendur edhe lumturinë që e posedonte për prezencën e drejtoreshës së “Odesa Film Festival”, Anna Machukh, të cilën e përshëndeti dhe i tha në emër të popullit të Kosovës, që “ne qëndrojmë me Ukrainën, jemi me ta dhe njerëzit e tyre, si dhe jemi të lumtur që ajo sonte ndodhet me ne.”

Tutje, një performancë që zuri vend brenda hapësirës, qe pjesa më e ndjeshme që emocioni të pranishmit. Nga reflektorët e llojllojshëm që portretizonin ngjyrat e këtij edicioni të festivalit, dhe që mrekullueshëm binin direkt mbi personazhet në skenë, interpretimi i aktorit Armend Smajli, i cili shoqërohej këndshëm nga violinisti Visar Kuçi dhe kitaristja Tringa Sadiku, solli momente poetike që rezultoi në rrëqethjen e audiencës. Audiencë kjo që tashmë veçse ishte rrethuar me kujtimin për Vjosa Berishën, fotografitë e së cilës përshkonin muret në sallë, teksa buzëqeshja e saj plot rrezatim që ëmbëlsisht portretizohej, ngjalli ndjenja të panumërta. Kujtimi dhe nderimi për të, vazhdonte të rrjedhë njashtu si lumi në shtratin e tij të vrullshëm, plot mallëngjim por asnjëherë në mbarim.

Gjithashtu, një pikë tjetër e kësaj nate ishte edhe pjesëmarrja e korit të njohur “Siparantum” që me vokalin e gjithsecilit në skenë, pushtuan atmosferën me një vijë melodike që erdhi aq butësisht por në një mënyrë tejet të veçantë. Të veshur në të zeza, ata arritën që njëzëri të nderojnë figurën e Vjosa Berishës, e cila në ato momente padyshim që do të ishte krenare për punën e palodhshme të secilit pjesëmarrës.

Në anën tjetër, nuk kanë munguar as edhe fjalimet në nderim të saj por edhe në kuadër të hapjes së edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ka thënë se ‘Prishtina Film Festival’ e shndërron qytetin e Prishtinës në një parajsë të vërtetë.

“Kënaqësi dhe moment shumë emocional me qenë sonte këtu pa Vjosën. Unë jam rrit me Vjosën, afër Vjosës dhe kam lind në një ndërtesë me të. Kam shumë momente që i kujtoj prej vegjëlisë. Vjosa, gruaja e jashtëzakonshme që krijoi e zhvilloi ‘PriFilmFest’, këtë festival të mrekullueshëm të filmit që na e nderon kryeqytetin tash e katërmbëdhjetë edicione. Përgjatë edicioneve të mëparshme, festivali ka pruar filmat më cilësorë nga vende të ndryshme si dhe kineastë, regjisorë e aktorë të famshëm nga vende si Amerika, Australia, Britania, e po ashtu edhe nga rajoni ynë”, thotë Rama.

Sipas tij, sivjet, me nismën e Vjosës, festivali ka shkuar edhe një hap tutje, në kuadër të ‘Odesa Film Festival’ që po e hap edicionin këtu në Prishtinë.

“Sonte jemi të nderuar nga prania e ukrainasve në këtë edicion të përbashkët. Si kryetar, mund të them që këto festivale të mahnitshme po ndihmojnë që të shfaqin imazhin tonë më së miri. Ajo që e bënë këtë festival kaq madhështor është që nuk kufizohet vetëm me projektimin e filmave por ofron edhe trajnime, ligjërata, punëtori. ‘PriFilmFest’ na e kthen qytetin në një parajsë të vërtetë për të gjithë adhuruesit e artit të shtatë”, përfundon ai.

Kurse, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku është shprehur tejet i lumtur që festivali po nis rrëfimin e katërmbëdhjetë me radhë.

“U bënë plot katërmbëdhjetë vite me ‘PriFilmFest’ dhe tre muaj pa Vjosa Berishën. Është një prej festivaleve më të suksesshme nis rrëfimin e katërmbëdhjetë sonte pa personin që e bëri atë një nga ngjarjet më të mira kulturore në vend. ‘PriFest’ është tregimi për energjinë dhe punën e madhe të kineastëve tanë dhe takimin me botën. Është edhe tregimi për aktivisten e palodhshme kulturore. Në momente si këto, fjalët dinë të jenë të varfër andaj nuk do ta zgjasë. Po e mbylli një dedikim për Vjosën por këtë dua ta bëj duke e përgëzuar Fatosin që na mblodhi sonte këtu në hapjen e edicionit të 14-të. Kjo besoj është mënyra më e mirë për ta kujtuar e falënderuar Vjosën, për gjithë kontributin e saj për kulturën e vendit tonë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Vjosa Berishës. Qoftë jetëgjatë ‘PriFest’”, ka thënë Çeku.

Figurën e Vjosa Berishës, e nderuan edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe drejtoresha ekzekutive e bankës ‘Raiffeisen’, Anita Kovacic.

Ndërkaq, fiks kur ora shënoi 21:18, nisi edhe premiera e filmit “Vera andrron detin”. Errësira mbizotëroi vendin, teksa pamja e parë gjeti vendin në ekran. Një peizazh që bashkon detin dhe qiellin në një horizont që duket i pakufishëm, përthekoi të pranishmit brenda një qetësie dhe ndjenjës së paqes.

Personazhi kryesor, Vera, (Teuta Ajdini-Jegeni) është një përkthyese e gjuhës së shenjave, burri i të cilës është një gjykatës i njohur. Ajo është një nënë e një vajze të vetme dhe një gjyshe e dashur për mbesën. Papritmas jeta e saj merr një kahje tjetër kur burri i saj, Fatmir Gashi (Xhevat Qorraj), bën vetëvrasje, akt ky që shoqërohet me pikëpyetje të vazhdueshme. Qysh në fillim, fshehja e veprimit të tillë synohet nga Basria (Refet Abazi), avokati i familjes si dhe mik i ngushtë i Fatmirit. Reputacioni i Fatmirit kësisoj mbetet i palëkundshëm.

Situata të padëshirueshme sa vijnë e shtohen, teksa misteret fusin kokën në sipërfaqe. Krejt çka Vera ka në vlerë tash është veç një shtëpi në fshat, pronësia e së cilës vihet në një pretendim. Familjarët e afërt, në veçanti Ahmeti (Astrit Kabashi) me doemos kërkon që ajo shtëpi të vihet në emër të tij, ngaqë sipas tij dhe gjithë burrave të fshatit, fjala e të ndjerit, Fatmir Gashit, ka qenë se shtëpia i takon Ahmetit dhe se ajo fjalë duhet të respektohet.

Por se çka fshihet pas sekreteve dhe deklaratave pa dëshmi, Vera është e vendosur që ta zbulojë. Një botë krimi është ajo që del nga fshehtësia dhe ndjek pas Verën, rrezikon jetën e vajzës së saj, Sarës, e njëkohësisht ndikon edhe në jetën e mbesës, Hanës. Fati i tyre bie në pëllëmbën e dorës së saj. E vetme dhe e frikësuar, Vera tash duhet të përballet me realitetin e vrazhdë ku pabarazia gjinore i ka futur thellë rrënjët në shoqëri.

Lufta për të siguruar pjesën e trashëgimisë që i takon vajzës së saj, qe e kotë. Duke u përballur me kufijtë e këtij fenomeni, ajo humb të drejtat e pronësisë. Është një histori që prek shumicën e historive të familjeve në shoqërinë tonë dhe besimi se gratë do të mbeten përjetësisht të varura ekonomikisht nga burrat, është tejet i dukshëm edhe në ditët e sotme. Regjisorja Kaltrina Krasniqi vë në pah rrëfimin e një karakteri që nuk shtypet lehtazi, nuk dorëzohet por mban kokën lart e lufton kundër shoqërisë së pasluftës. Një shoqëri ku gratë nuk kanë të drejtë mbi fjalën e burrit, nuk mund të kërkojnë të drejta për diçka që i përket atyre por mbi të gjitha, një shoqëri e cila gruan e sheh si një qenie që në përditshmëri ka vetëm ca detyra të caktuara brenda katër mureve të shtëpisë.

Nënshtrimi i Verës pason kur ajo zbulon se sa thellë ka futur duart korrupsioni dhe se sa e rëndë është pesha e patriarkatit shtypës dhe kërcënues mbi supet e saj. Fuqia e aktores Teuta Ajdini-Jegeni në një ndërlidhje me skenarin nga Doruntina Basha, thjesht është sa magjepsëse aq edhe reale. Midis modernitetit dhe traditës, filmi qëndron në këmbë dhe arrin të shpalos portretin e një gruaje që mundohet të gjejë balancën midis dy qosheve drastike.

Në anën tjetër, përgjatë gjithë situatave të tensionuara në film, meloditë e violinës nga Petrit Çeku janë të mahnitshme. Tingujt janë ato që të shpojnë në shpirt e të rrëmbejnë pas ekranit, si dhe të bëjnë që akoma më shumë të ndjesh sharrimin e Verës drejt një nënshtrimi të detyrueshëm. Ndërkohë, kuadrot e gjera, të ngrohta e herë të ftohta, në të shumtën e rasteve fiksojnë Verën dhe rrethanat e saj. Pavarësisht përballimeve të cilat ajo i has përgjatë rrugëtimit, ajo arrin që me zgjuarsi të zhvillojë një bisedë me avokatin e familjes, në një kafene ku prezentë janë vetëm personat e shurdhër, me ç’rast arrin t’i bëjë ballë gënjeshtrave të vazhdueshme, me vetëm një incizim në dorën e saj që ndërron komplet rrjedhën dhe na ofron një fund ndryshe nga e zakonshmja.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në publik ato që zhurmuan sallën në Kino Armatë. E në mesin e tyre ishte edhe ekipi i filmit ‘Vera andrron detin’, anëtarët e të cilit ngadalë dolën në skenë.

“Ka qenë shumë bukur me pa që qyteti ku unë jam rritë, ka ardhur sonte. Unë jam çik e Prishtinës dhe e kam emrin Kaltrinë. Kjo është kinemaja ku unë e kam pa filmin e parë në jetën time kur isha gjashtë vjeç dhe më ka pruar shkolla ime në atë kohë. Më kujtohet që e kam parë një film rus të animuar dhe ka qenë shumë magjik. E sot i kam katërdhjetë vjet dhe po kthehem në këtë kinema prapë. “Vera andrron detin” e ka pas premierën tash e një vjet në festivalin e Venedikut, dhe jam shumë e lumtur që më në fund po e ndaj me publikun e qytetit tim. Natyrisht që jam shumë e emocionuar. Ne kemi udhëtuar në krejt botën dhe po vazhdojmë të udhëtojmë, por është shumë bukur që e ndaj sonte me ju”, thotë regjisorja Krasniqi.

Ajo tregon se e pranishme në sallë është edhe nëna e saj, Vera, e cila filmin e ka parë për herë të parë.

“Gjëja më e bukur është që me mua është edhe ekipi që ka qenë me mua aq afër meje dhe aq të dashur për shtatë vjet sepse nuk është shumë e popullarizuar që të tregohet një tregim për një grua që i ka gjashtëdhjetë vjet por ata më besuan që ky tregim është shumë me rëndësi dhe më kanë shtyrë për shtatë vjet. Po ashtu, Vjosa Berisha i ka bërë disa gjëra të cilat janë shumë të rëndësishme për skenën tonë. Ajo i ka themeluar disa themele që janë të vlefshme jo vetëm për filmin por për krejt skenën artistike, sepse Vjosa ka qenë gjithmonë një menaxhere shumë e mirë kulturore. Andaj, ne prej këtij viti e tutje ia kemi borxh Vjosës që ky festival të jetojë. Qyteti jonë e meriton me qenë në hartën e qyteteve më të bukura të kinemasë”, përfundon Krasniqi.

Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Vera andrron detin’, të pranishëm ishin regjisorja Kaltrina Krasniqi, aktorët Teuta Ajdini-Jegeni dhe Refet Abazi, si dhe producenti Shkumbin Istrefi.

“Ka qenë shumë me rëndësi për mua për të parë një rrëfim të treguar nga një person në të gjashtëdhjetat. Nuk është një perspektivë që është shqyrtuar nga shumë regjisorë, andaj dhe ka qenë një nga aspektet kryesore që më ka shtyrë e motivuar që unë të vazhdoj ta bëj.” – Kaltrina Krasniqi

“Ky udhëtim ka qenë sa i lehtë aq edhe i vështirë, dhe anasjelltas. Vera është një personazh nga i cili kam marrë shumë por unë si Teutë edhe Verës i kam dhënë aq njëjtë. Është një personazh e cila ka shumë të përbashkëta me shumë gra në të gjithë botën dhe mund të them se që në fillim kur mu nda roli, e ndjeva shumë të afërt dhe në shumë pjesë të skenarit, e gjeta edhe veten time. Prandaj them se vështirësi nuk kam pasur për ta përjetuar, thjesht e luajta ashtu siç e ndjeva dhe së bashku me Kaltrinën, e gjetëm një gjuhë të përbashkët.” – Teuta Ajdini-Jegeni

“Ky film, është një film i çikave. Ky film është një ndër përvojat më të mira të miat dhe unë jam ndjerë jashtëzakonisht bukur gjatë xhirimit, pikësëpari për arsye se ne aktorët dëshirojmë që të takojmë shpesh regjisorë që e dinë se çfarë kërkojnë dhe duan. Kaltrina është një nga regjisoret që nuk jep urdhra si zakonisht, ajo thjesht magjeps me mënyrën e tregimit që ajo dëshiron të rrëfejë. Ajo të bënë bashkautor në rrëfimin e saj dhe të respekton autonominë krijuese si aktor. Po ashtu, ka pasur edhe një energji të jashtëzakonshme përgjatë xhirimit.” – Refet Abazi

“Është shumë vështirë të prodhohet një film sepse rruga asnjëherë nuk përfundon në prodhimin e tij, por është në distribuimin nëpër shfaqje. Kemi pasur punë intensive në financimin, përgatitjen dhe xhirimin e këtij projekti. Projekti ka filluar në vitin 2014, në vitin 2015 jemi financuar nga QKK-ja, pjesërisht, dhe kam pasur fatin të gjejë ko-producent shumë të mirë që e kanë dashur projektin e kanë dhënë gjithçka nga vetja. Mirëpo, filmi nga momenti që pati premierën në Venedik, ka shëtitur në gjithë botën dhe kemi marrë shumë çmime e që na e japin një kënaqësi për gjithë këtë punë që e kemi bërë.” – Shkumbin Istrefi

Kujtojmë se ”Vera Andrron Detin” pati premierën botërore në Festivalin e Venedikut, ku u bë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që u paraqit në këtë festival, me ç’rast ka rrëmbyer dy çmime.

Në film luajnë: Teuta Ajdini-Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, Ernest Malazogu, Selman Jusufi, Armend Baloku, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.

Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com

PriFest prezanton jurinë e programit të filmave dokumentarë “PriDox”

Edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit “PriFest” është shumë afër, derisa sot u prezantua edhe juria e programit të filmave dokumentarë, “PriDox”, shkruan KultPlus.

Më poshtë KultPlus ua sjell jurinë e PriDox – programi i filmave dokumentarë:

Jana Wolff studioi Komunikim në Kontekste Sociale dhe Ekonomike (M.A.) në Universitetin e Arteve të Berlinit. Që nga fundi i viteve ’90 ajo punon për Berlinale dhe EFM si dhe shumë festivale të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të filmit, si Sarajeva FF, Nordic Film Days Lübeck, Duisburg Documentary FF, IDFA, Duhok IFF, Oldenburg IFF, Motovun IF, Pr iFest, Durban FilmMart, Afera e Filmit në Helsinki, Riga IFF, Cinelatino Toulouse, Malaga IFF, BAM, El Gouna IFF dhe JCC Carthage, duke kontribuar me ekspertizën e saj dhe duke ndarë njohuritë e saj për industrinë e filmit. Ajo ishte Drejtuese e PR & Festival Distribution në Akademinë Gjermane të Filmit dhe Televizionit (dffb), Shefe e Acquisition & Shitjeve në Pluton Film dhe tani është përgjegjëse për Marketingun Europian të Filmit, ku është edhe përgjegjëse për Vendin në Foc programi ynë.

Alban Nimani, artist, dizajner grafik, kantautor dhe interpretues i njohur, si dhe profesor i intermedias. Mbi një dekadë punon si profesor i Mediave të Reja në Fakultetin e Arteve në Prishtinë ku ishte edhe Shef i Departamentit të Arteve të Aplikuara. Nimani u trajnua në Institutin e Arteve në Bournemouth, Britani e Madhe dhe gjithashtu Herberger Institute of Arts and Design në ASU, SHBA. Ai ka një karrierë të mirënjohur muzikore si udhëheqës i grupit alternativ Asgje Sikur Dielli, i cili publikoi 4 albume muzikore dhe shumë video muzikore. Ai gjithashtu prodhoi një performancë solo ndërmjetmedia e cila u shfaq në Galeritë dhe Institucionet e Artit në Kosovë, Shqipëri, Itali, Meksikë dhe Afrikën e Jugut.

Aktualisht është i përfshirë në menaxhimin e artit dhe promovimin si drejtor i Tulla – Culture Center, në Tiranë, ku drejton artet pamore, programet edukative jo-formale të qendrës. Nimani është edhe anëtar i bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Orhan Kerkezi është filmbërës dokumentarësh me përvojë dhe ka punuar në stacione të ndryshme televizive për prodhimin e dokumentarëve.

Ai është bashkëthemelues i Dokufest dhe PriFest. Ai është gjithashtu ligjërues i regjisë dhe prodhimit.

PriFest “14” do të mbahet nga data 20-25 Shtator 2022 dhe i kushtohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. / KultPlus.com

PriFest publikon programin e filmave në kategorinë ‘Let It Be’

PriFest’-i publikon programin e filmave në kategorinë ‘Let It Be’, përcjell KultPlus.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, (PriFest) ka prezantuar programin “Let It Be”, kategori kjo dedikuar filmave me tematikë për komunitetin LGBTIQ.

Lista e plotë e programit “Let It Be”:

1. Imperial nga Stéphane Gowl, Zvicër / Premierë Kosovare (22min)

2. Budapest, Closed City nga Máté Konkol, Hungari / Premierë Regjionale (13min)

3. Hear My Voice nga Daniele Guerra, Britani e Madhe / Premierë Kosovare (12min)

Edicioni i 14-të i PriFest i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.

Festivali mbahet nga 20 deri më 25 shtator 2022.

 Vjosa. Forever. PriFest.

#ForHer / KultPlus.com

Shpaloset lista garuese e filmave të metrazhit të gjatë “GLOBAL”

Kategoria garuese e filmave ndërkombëtar të metrazhit të gjatë ‘GLOBAL’ që shfaq filmat e ri, inovativ dhe unik nga gjithë bota, këtë herë vjen me katër filma nga gjashtë shtete, përcjell KultPlus.

Prezenca e kineastëve kosovarë si dhe rajonal nuk do të mungojë edhe në këtë kategori. Filmi DRITA vjen me Arta Dobroshin dhe Genc Jakupin ndërsa filmi GEBORGTES WEISS me Florist Bajgorën.

DARKROOM me kastën e aktorëve boshnjak ndërsa KLONDIKE koproduksioni Ukrainas/Turk vjen me bagazh të çmimeve nga Sundance Film Festival dhe Sarajevo Film Festival.

Si gjithmonë, të gjithë këta filma do të jenë premierë në Kosovë.

Lista e plotë garuese e programit garues të filmave të metrazhit të gjatë – GLOBAL:

KLONDIKE nga Maryna Er Gorbach, Ukrainë/Turqi 100 min;

DRITA nga Daniel Kruglikov, SHBA/Kosovë 83 min;

DARKROOM nga Lukas Maier, Kanadë 95 min;

GEBORGTES WEISS nga Sebastian Ko, Gjermani 100 min.

Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 20-25 shtator dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.

Vjosa. Forever. PriFest / KultPlus.com

PriFest hapet me premierën e ‘Vera andrron detin’

Filmi Kosovar ‘Vera andrron detin’ në regji të Kaltrina Krasniqit është filmi që do të hap edicionin e 14-të të PriFest.

‘Vera andrron detin’ pati premierën botërore vitin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Venedikut, dhe është shfaqur me sukses tanimë në 20 festivale në mbarë botën në konkurrencë zyrtare dhe ka fituar 6 shpërblime të rëndësishme, nga të cilat edhe çmimin filmi më i mirë në festivalin prestigjioz të Tokios.

“Është bërë traditë tanimë që PriFest-in t’a hapim me një premiere të filmit nga Kosova. Na gëzon fakti që filmi të cilin e promovuam në edicionin e vitit të kaluar teksa po pregatitej për Venedik dhe I cili ka qenë pjesë e best pitch, do ta sjellim për publikun Kosovarë në PriFest. Promovimi dhe përkrahja e filmave vendor dhe filmbërësve tanë është një nga objektivat kryesore të festivalit, prandaj jemi shumë të lumtur që përsëri këtë vit kemi një premierë të filmit nga Kosova, aq më shumë të një regjisore debutante Kosovare, si Kaltrina Krasniqi. Vala e Re e kinemasë kosovare po vazhdon, dhe ne jemi mbështetës krenar të saj”, tha Vjosa Berisha, drejtore e PriFest-it.

Filmi ‘Vera andrron detin’ shtjellon një temë shumë të rëndësishme lidhur me pronën dhe të drejtat e grave në pronë.

Vera është një grua në moshë mesatare që punon si përkthyese e gjuhës së shenjave, e cila ka një jetë të mirëstrukturuar: është bashkëshorte e një gjykatësi të mirënjohur, nënë mbështetëse, dhe gjyshe e dashur. Qetësia e saj prishet nga vetëvrasja e papritur e bashkëshortit të saj, e cila pasohet nga një paradë e padëshiruar dhe kërcënuese e familjarëve me pretendime për pronësi mbi shtëpine e familjes së tyre në fshat. Kur fillojnë të shfaqen fijet e një skemës së nëntokës, bota e Verës do të ballafaqohet me rrezik dhe do të duket qe është pranë kolapsit. Frika dhe mosbesimi do ta detyrojnë Verën ta merr fatin e familjes në duart e saj. E zhytur në një atmosferë kërcënuese, VERA ANDRRON DETIN është një portretizim intim por universal i një gruaje që duhet të ballafaqohet me realitetin e kundërshtimit të çështjeve gjinore me rrënjë të thella të cilat mbizotërojnë në kohët tona.

Filmi ‘Vera andrron detin’ është bashkëprodhim mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Regjia: Kaltrina Krasniqi, skenari: Doruntina Basha, producent: Shkumbin Istrefi, ko-producentë: Ognen Antov, Dionis Papadhimitri, Kaltrina Krasniqi. Drejtore e fotografisë: Sevdije Kastrati. Montazhi: Vladimir Pavlovski, Kaltrina Krasniqi. Muzika: Petrit Ceku, Genc Salihu. Në rolet kryesore: Teuta Jegeni Ajdini, Alketa Sylaj, Refet Abazi, Astrit Kabashi.

PriFest shënon edicionin e 14-të këtë vit dhe do të mbahet në data 26-31 korrik. / KultPlus.com

PriFest hapë thirrjen për projekte filmike për ‘BEST PITCH 2022’

PriFest sot ka hapur thirrjen për projektet filmike për garën Best Pitch.

BEST PITCH” është një cikël trajnimesh zhvillimore dhe garë e projekteve filmike e cila zhvillohet çdo vit në PriFest.

Mundësi aplikimi kanë projektet filmike të mentrazhit të gjatë që janë në fazë zhvillimi dhe financimi dhe që janë projekt i parë apo i dytë i një filmbërësi (regjisori-e apo producenti-e) nga rajoni i Ballkanit.

Apliko dhe përfito nga rasti mundësinë e pjesëmarrjes në trajnim me ekspertë prestigjioz Europian nga kompani dhe rrjete filmbërësish të njohura në Europë.

Përfito mundësinë për seancë në zhvillim skenari, apo seancë kokë më kokë me eksperten e financave dhe koproduksionit me një përvojë shumë vjecare në këtë fushë;

Tako distributorët dhe agjentët e shitjes së filmit nga kompanitë më të rëndësishme në Europë në Prishtina Rendezvous!

Fito një nga çmimet që do të ndahen në Best Pitch garë e vlerësuar nga Juria Ndërkombëtare.

Producentë, distributorë, përfaqësues të marketeve të filmit, kompani dhe agjent shitjeje, fonde filmi nga regjioni, profesionist filmi nga Europa si dhe përfaqësues të festivaleve të rëndësishme të filmit pritet të marrin pjesë si çdo vit në PriFest. Puna e PriFORUM dhe PriFest vleresohet jashtë mase nga filmbërësit vendorë dhe Shoqata e Producentëve të Kosovës si mundësi e mirë për të përfituar nga aktivitetet e shumta brenda festivalit dhe PriFORUM-it.

PriFest ka planifikuar që edicioni i 14të i PriFest të mbahet në datat 26-31 korrik 2022.

Data e fundit për dorëzimin e projekteve është 25 Maj 2022.

Për aplikim kliko në këtë link* dhe plotëso të dhënat.

*Nëse linku më lartë nuk funksionon, aplikacionin për Best Pitch mund ta gjeni në këtë link që do ta kopjoni dhe hapni në faqen tuaj të internetit:

https://forms.gle/bfiKi5ii3YKKDQQa6 / KultPlus.com

‘Luaneshat e Kodrës’ premierë në Prifest, shpalos ulërimën e zjarrtë të rinisë për liri

Era Berisha

Të ulura në një kodër, pamja e së cilës është e pakrahasueshme, tri personazhet kryesore si: Qe, Li dhe Jeta, mbi tre shkëmbinj jetësojnë filmin e metrazhit të gjatë ‘Luaneshat e Kodrës’, e së bashku me fjalët: Oh Kodër, nis të shpaloset rrjedha e historisë së tyre e cila fillon pikërisht me një ulërimë që vjen nga brendësia shpirtërore e tyre. Përpjekjet e këtyre personazheve për tu ballafaquar me padrejtësitë e jetës pasqyrohen në këtë film nën skenarin dhe regjinë e Luàna Bajrami, e që mbrëmë u shfaq para publikut kosovar në kuadër të edicionit të 13-të të PriFest, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 20:30, ishin njerëzit e shumtë të cilët vrullshëm po mbushnin sallën e Teatrit Kombëtar duke zënë vendet e tyre të distancuar. Pas pritjes të padurueshme të të pranishmëve dhe fikjes së dritave të ngrohta brenda sallës, filmi nisi hapjen e tij nën errësirën tashmë të mirënjohur nga çdo kush.

‘Luaneshat e Kodrës’, një film i xhiruar në Kosovë shtjellon ëndrrat e tri personazheve kryesore që vijnë nën aktrimin e jashtëzakonshëm të Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit. Këto tri shoqe të pandashme me njëra tjetrën që refuzojnë ti shpalosin vështirësitë e tyre personale mes vete, përfytyrojnë një të ardhme të ndritur e të mbushur deri në kupë me një liri tejet të dëshiruar si asnjëherë më parë.

Diku larg vendit ku ato jetojnë, në një qytet të madh, aty ku nuk ekzistojnë thashethemet dhe pengesat e gropat e vazhdueshme nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë të jetës së tyre, është pikërisht ai vegimi përrallor që mban gjallë shpresat, pritjet e parashikimet e tyre gjatë rrugëtimit të tyre të quajtur ‘jetë’. E se si ardhmja e tyre do të lulëzojë, këtë filmi e tregon qartazi.

Kamera precize e regjisores Luàna Bajrami, duket se pas çdo gremisje të paraqitur brenda rrjedhës së filmit, para publikut kosovar shfaq imazhe e peizazhe që i ngjasojnë fantazive e imagjinatave të mbyllura në thellësinë shpirtërore të qenies njerëzore, duke ngulitur kështu syrin e tij para ekranit me një rrënjosje të pamjeve diversive të kodrave dhe jo vetëm. Cicërima e zogjve në natyrë dhe ajo pranë ujit të kristaltë e krejtësisht të pasur, portretizonte lirinë e ëndërruar të tri personazheve kryesorë.

E teksa këto pamje paraqitnin një spektakël më vete porsi një tablo e pikturuar nga plasaritja e emocioneve e ndjenjave nga më të ndryshmet, filmi tregonte për jetën e tre vajzave, familjet e të cilave ndryshonin nga njëra-tjetra por që në thelb kishin të pikasur një mendësi pothuajse të njëjtë.

Fshatin në të cilën ato janë rritur duket se tashmë vajzave po iu shndërrohet në një labirint nga i cili nuk ka shpëtim e as dalje. Përderisa ato prisnin rezultatet e tyre për tu pranuar në Universitet përkundër mendimeve të prindërve të tyre, ambiciet e tyre nuk po mund të kalonin pas prangave të fshatit në të cilin po frymojnë. Por kërkimin e tyre për të qenë të pavarura në jetë nuk mund t’ia ndalë askush, andaj po njëlloj si emri i këtij filmi, këto luanesha nisin hungërimën e tyre e cila edhe do të ketë një fund të paparashikuar.

Në tentim për lirinë e tyre shumë të dëshiruar, gjatë rrugës për një të ardhme më të mirë, iu bashkëngjiten edhe dy personazhe të tjerë të interpretuar nën aktrimin e Andi Bajgores, dhe Luàna Bajramit. Por edhe pse kjo ndërhyrje do të ndikojë në jetën e tyre, udhëtimi i tyre po vazhdon pothuajse njëjtë. Prandaj, koha për të marrë përsipër vendimet për veten në duart e tyre pas përjetimeve të dhunës fizike dhe seksuale të përditshme si dhe varfërisë të vazhdueshme, tashmë ka gjetur vendin dhe kohën e duhur.

‘Luaneshat e Kodrës’, titullohet emri i bandës së tyre e që duket se për ta ishte zgjidhja e vetme dhe e fundit në një shtet ku ndryshe nuk funksionohet. Andaj, vjedhja e tyre e parë në një dyqan bizhuterish i siguron atyre një numër të madh parash, përmes të cilave ata shijojnë jetën në një shtëpi të braktisur e cila është shndërruar në strofullën e tyre të paqes. Por kjo fole e ruajtur me dashuri, lumturi e qetësi absolute së shpejti nuk do të jetë më e tillë.

Një arratisje e tyre drejt detit, do të shpalos historinë e dy dashurive të krijuara përgjatë këtij rrugëtimi e ku më në fund nën meloditë e këngës ‘Fëllënza’, buzëqeshjet e sinqerta, lumturia në sy njeriu dhe dhimbjet e varrosura brenda shpirtrave, zgjuan ndenja të bukura tek të pranishmit, duke i shtyrë ata të mendojnë se ata po i afrohen drejt një fundi të lumtur i cili do të zgjasë me po të njëjtat emocione. Por, sic edhe thuhet brenda filmit: gabimi i vetëm i tyre është kthimi në ferrin të cilin e lanë para disa ditësh.

E ky ferr i mbushur me gjak në skenën e fundit vulos fundin e këtij gabimi që shpërtheu zemrat e luaneshave në një gabim të papërmirësuar.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të publikut që zhurmuan sallën e Teatrit Kombëtar në një varg melodish të përsëritura për disa minuta. E në mesin e tyre ishin edhe ekipi i filmit ‘Luaneshat e Kodrës’ të cilët ngadalë dolën në skenë për një fjalë rasti.

“Po ndjehem shumë e kënaqur dhe faleminderit shumë për pritjen. Dua të falënderoj të gjithë ekipin e Kosovës dhe Francës, aktorët si dhe PriFest-in. Me qenë njeri dhe me pas ambicie është goxha e komplikuar, kështu që këtë film e kam bërë për inspirim. I kam pasur 18 vjet kur e kam shkruar dhe xhiruar e arritja dhe udhëtimi i këtij filmi, është goditje shumë e madhe për të gjithë ne”, thotë Bajrami.

Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Luaneshat e Kodrës’, të pranishëm ishin regjisorja dhe skenaristja Luàna Bajrami si dhe aktorët në rolet kryesore: Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj dhe Andi Bajgora.

“Unë kam dashur të flas për liri dhe me kriju një film që do ta kisha dëshirë ta shihja kur i kam pasur 15 vjet. Jam inspiruar prej shumë gjërave dhe kam dashur që këtë film ta mbajë në Kosovë sepse Kosova më inspiron por kjo tematikë për mua është shumë universale. Kështu që këto ndenja në film ndaj kësaj rinie, problematikat e kufizimet që i kanë, mendoj se e njëjta është edhe në Francë”, thotë Bajrami.

Sipas saj, është dashur të merret shumë vetëbesim nga vetja dhe të tjerët sepse filmi nuk pa pasur përkrahje në fillim por gjatë procesit të xhirimit, është arritur lidhja me disa partnerë të ndryshëm.

Ndërsa, aktorja Uratë Shabani foli rreth punës së saj me një regjisore vajzë.

“Po shkoj në audicion dhe po shkoj shumë vetvetja ashtu siç doja unë të isha e veshur. Kur hyra dhe e pashë Luanën, ishte një moment që më goditi papritmas. Prandaj, për të punuar me Luanën është fat shumë i madh, të paktën për mua sepse ky është filmi im i parë i gjatë dhe prej Luanës 18 vjeçare kam mësuar shumë më shumë se sa me regjisorët të cilët kam punuar më herët”, thotë Shabani.

Po ashtu, aktorja Flaka Latifi foli rreth të përbashkëtave të saj me rolin e saj në film.

“Në film e luaj rolin e Qe-së e cila ka shumë të përbashkëta me mua por gjithashtu ka edhe dallime. Qe është një vajzë me karakter shumë të fortë që po njëlloj e shoh edhe veten. Qe po ashtu është ambicioze dhe punëtore. Këto do të thoja që mund të janë karakteristikat e përbashkëta që Flaka i ka me Qe-në”, thotë Latifi.

Kurse, aktorja Era Balaj foli rreth punës së tyre në ekip dhe emocionit të saj gjatë premierës së filmit në PriFest.

“Së bashku me aktoret jemi bërë shumë shoqe dhe mendoj që kjo ka ndikuar në gjithçka mes neve. Ka mjaftuar njëherë me diskutu dhe kemi qenë në të njëjtën faqe për atë se çfarë kemi dashur të arrijmë. Kështu që dje ka qenë hera e dytë që e kemi parë filmin dhe mu është dukur si me pa për herë të parë”, thotë Balaj.

Gjithashtu, aktori Andi Bajgora foli rreth arsyes së interesimit të madh të publikut për të parë filmin.

“Nuk jemi mësuar të shohim shumë aktorë të rinj duke punuar në një projekt kaq të madh e as nuk jemi mësuar të shohim një regjisore kaq të re. Energjia jonë gjatë xhirimeve gjithçka e ka bërë interesant dhe ka shtyrë që edhe njerëzit tonë të interesohen për filmin”, thotë Bajgora.

‘Luaneshat e Kodrës’, filmi i parë i gjatë kosovar që ka shfaqur premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

‘Zgjoi’ hap ‘PriFest’, Basholli: Ne po qajmë sonte, Fahrija e familjet e personave të pagjetur qajnë çdo ditë

Era Berisha

Frymëzuar nga një histori e vërtetë, filmi “Zgjoi” mbrëmë para publikut kosovar në edicionin e 13 të PriFest, shpalosi të vërtetën e personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, qysh në minutat e parë të filmit, ambicia për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, vërehet në sytë e saj në të cilat po të përhumbeshe thellë, atëherë do të ndjeje dhimbjen e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë, shkruan KultPlus.

Pak para se ora të shënonte 21:00, ishte pamja para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ajo që kapte vëmendjen e çdo kujt që kalonte pranë. Sytë e moshave nga më të ndryshmet po vëzhgonin tapetin e kuq të shtruar e në të cilën reflektoheshin dritat e kaltërta e vjollcë që njëkohësisht portretizonin ngjyrat e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’. E nën meloditë e këngëve të bendit ‘Sytë’, artdashës të shumtë po kaplonin vendin ngadalë për të mbushur komplet secilën hapësirë të shkallëve të Teatrit, një nga tre vendet në të cilat u shfaq premiera e filmit ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli.

Tashmë kishte ardhur koha që filmi të jetësohej në Prishtinë, e nën dritën e hënës dhe errësirës që rrethonte të pranishmit, nisi filmi në ajër të hapur.

I vendosur në fshatin e vogël kosovar të Krushës së Madhe, personazhi i Fahrije Hotit i mbushur deri në pikën e fundit me shpresë të pakrahasueshme, po jeton vërtet në një gjendje të paqartë e të mbushur me përplot dilema, një nga to mbetet edhe supozimi se burri i saj i zhdukur është mbytur apo pushkatuar. Teksa, Fahrija jeton me vjehrrin e saj i cili po ashtu shpreson se djali i tij një ditë do të kthehet, ajo përballet çdo ditë me dhimbjen e luftës civile jugosllave por të cilën nuk e shfaq para askujt deri në një moment ku ajo shpërthen dhe qan duke pranuar tashmë se ëndrra e saj në fakt është një ëndërr e pamundur.

Ndonëse, ëndrra e saj që burri një ditë do të kthehet nuk ka një rezultat në realitet, ëndrrat e tjera të saj që të ndihmonte akoma më shumë familjen e saj vetëm sa vinin e fuqizoheshin nga momenti në moment. Derisa biznesi i vogël i mjaltit të familjes së saj mezi arrinte të mbulonte disa fatura, ajo papritmas mendon të filloj të shesë ajvar shtëpiak, një ushqim me të cilin të gjithë banorët e fshatit ishin të njohur.

Regjisorja Blerta Basholli, solli para publikut një vështrim të qartë të një shoqërie patriarkale ku puna, dëshira e pasioni për të arritur diçka në jetë, në një fshat të tillë konsiderohej shenjë e mosrespektimit të burrit. Por, regjisorja, frikën, brengën e shpresën i ngërthen në një fuqi të vetme, përmes së cilës personazhi i Fahrijes arrin të realizojë edhe marrëveshjen e shumëpritur me një blerës të një supermarketi për të shitur ajvarin e përgatitur nga duart e tyre të arta.

E se si ka filluar çdo nisje e një biznesi të vogël në Kosovë, filmi e tregon këtë më së miri. Heshtja e vazhdueshme e rolit kryesor të luajtur nga aktorja Yllka Gashi, ndaj jo vetëm epiteteve të ndyra që vinin nga burrat e atij fshati, problemeve që i shkaktonin asaj për arsyen se ajo ka arrirë të ngasë një makinë, thashethemeve, sulmeve fizike, por edhe mosbesimit të shfaqur nga dy fëmijët e saj, tregon se regjisorja pavarësisht pengesave të vazhdueshme, vazhdimisht nxjerr në pah rëndësinë e arritjeve të Fahrijes të cilat janë krejtësisht natyrale e të domosdoshme për të mbijetuar pa pasur frikë deri në palcë.

‘’Zgjoi’’, një xhevahir kinematografike, përqendrimin e ka në fuqizimin e personazheve të cilat kanë një synim apo mision, e për të cilën edhe pas dështimeve të shumta, biznesi i tyre vazhdon të jetësohet tutje. E teksa këto gra vajtonin zhdukjen e personave më të dashur, për të cilët nuk dihet se ku gjenden, ato vazhdojnë të ‘lundrojnë’ në jetë po njëlloj si lundrimi i shpresave e ëndrrave të tyre, pavarësisht habisë së madhe që ka kapluar fshatin nga arritjet e tyre këmbëngulëse e të njëpasnjëshme.

Fahrija, një rol me përmbajtje të guximshme, përfaqësoi një numër të madh grash në fshatin kosovar, burrat e të cilave u zhdukën gjatë luftës e trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë. Kurse përpjekjet e autoriteteve për të gjetur të zhdukurit ishin tejet zhgënjyese. Zgjuarsia e Fahrijes, mbi kaloi sfidat që banorët e fshatit me një mendësi të palëkundur kishin shtruar para rrugëtimit të saj, duke fuqizuar kështu një komunitet të grave për të qenë të pavarura.

E gjithë kjo histori e ngërthyer brenda 1 ore e 24 minutave, paraqiti shfaqjen e jashtëzakonshme e shumë emocionuese të aktores Yllka Gashit dhe debutimin e rrallë të regjisores Blerta Basholli. E momentet kulminante që hynin thellë brenda shpirtit njerëzor të pranishëm, ato nga të cilat nuk ka nevojë për fjalë, ishin pikërisht shkrepjet e kamerës në një distancë të afërt ndaj gjelbërimit të pasur e ujit të kaltër, që portretizuan faktin se përmes dëshpërimit në heshtje, kjo histori intime arriti të tregojë detajet e vogla se si bletët paksa agresive qysh në fillim, rolit kryesor i kanë gumëzhuar në vesh për të ecur drejt pranimit të faktit që një ditë eshtrat e burrit të saj do të jenë në një nga ato qeset e bardha që mbërrijnë me kamionë të mbushur e ku më në fund paqja do të mbizotërojë në shpirtin e saj.

Pas shfaqjes së filmit që u shoqërua me qetësinë absolute të të pranishmëve por edhe me zhurmën e përditshme të qytetit, ishin duartrokitjet e brohoritjet e publikut që thyen heshtjen e gjatë duke mos u ndalur në asnjë sekondë të vetme. E në mesin e tyre ishin edhe ekipi i filmit ‘Zgjoi’ të cilët ngadalë dolën në skenën e Teatrit Kombëtar për një fjalë rasti.

“Fillimisht, jemi shumë të emocionuar për shkak të temës. Ne po qajmë sonte e Fahrija e familjet që i kanë personat e pagjetur, qajnë çdo ditë edhe i presin çdo ditë edhe ende nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre”, thotë Basholli.

Sipas saj, ajo shpreson se filmi ka arritur që sado pak të portretizojë dhimbjen e tyre për arsye se ka qenë shumë e vështirë, mirëpo në anën tjetër përkundër dhimbjes që këto gra e kanë edhe sot, ato e kanë gjetur forcën që të punojnë për fëmijët e tyre e për të mbijetuar përkundër paragjykimeve, pengesave, e vështirësive tjera që i kanë pasur si gra.

“Pa këto gra, pa Fahrijen, as Krusha e Madhe nuk do të ishte e njëjtë sot, e as Kosova nuk do të ishte e njëjtë sot, as për mua e as për vajzat tjera, e as për djemtë e burrat sepse puna e tyre na ka bërë që ti perceptojmë ndryshe gratë. Për mua, Fahrija ka qenë inspirim prej ditës së parë që e kam takuar, ashtu edhe gjithmonë do të jetë”, përfundon Basholli.

Po ashtu, Fahrije Hoti, jeta e së cilës është shndërruar në film artistik, tregoi rreth kësaj eksperience të veçantë.

“Ka qenë e vështirë në vitin 1999 por tash Krusha ka një format krejt tjetër ku tash edhe burrat kanë nisur të bëjnë ajvar. Pavarësisht nga gjithë ajo që e kam përjetuar unë, por edhe shumë gra të tjera, Krusha tani zhvillon një ekonomi shumë të mirë” ka thënë Hoti.

Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Zgjoi’, të pranishëm ishin regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli, producenti Yll Uka dhe producenti Valon Bajgora.

“Për ne është kënaqësi me qenë në PriFest në Prishtinë për të shfaqur filmin. Ne kemi kaluar shumë mirë me publikun tonë. E për çmime është shumë mirë që i kemi por tani shohim se si do të na shkojë në PriFest”, thotë Basholli.

Sipas saj, kur filmi është bazuar në ngjarje të vërtetë, përgjegjësia ka qenë shumë e madhe, e aq më tepër kur bëhet fjalë për një temë kaq të ndjeshme siç është tema e personave të pagjetur në Kosovë.

“Për mua ka qenë sfidë shumë e madhe sepse Fahrija ka qenë shumë në televizion e në filma dokumentarë dhe normalisht është që të mendojmë se çka duhet të mbajmë në film e çka jo sepse duhet të përcjellësh vijën dramaturgjike. Ajo ka qenë pjesa më sfiduese sepse në kuptimin e artistikes dhe dokumentarit, ne e kemi zgjedhur një qasje dokumentareske për shkak të vërtetës, të realizmit sepse doja të kem një qasje më realiste në film edhe një qasje ku fokusohet aktrimi dhe karakteri kryesor”, thotë Basholli.

Ndërsa, producenti Yll Uka foli rreth se sa me fat është industria e filmit që arrin ti tregojë temat interesante që posedon Kosova.

“Ne jemi shumë me fat që kemi shumë tema interesante. Kritikë të filmit gjithmonë na kanë thënë se kemi tema shumë të mira që Evropa nuk i ka e sidomos Kosova. E sukseset e viteve të fundit në kinematografinë e Kosovës, pikërisht kanë qenë këto tema. Unë besoj dhe do kisha dëshirë që edhe të tjerët të punojnë sa më shumë me këto tema”, thotë Uka.

Po ashtu, producenti tjetër Valon Bajgora, tregoi përshtypjet e tij ndaj çmimeve të fituara nga një vend i vogël sic është Kosova.

“Ne jemi një popull i vogël por kemi kujtime shumë të mëdha. Kur ballafaqohemi me filma të tjerë në festivale që kanë tema të tjera, e temat tona janë tema sociale të cilat trajtojnë etapat në të cilat ka kaluar populli ynë, dhe kur arrijmë që të fitojmë çmime atëherë kjo neve na bënë shumë krenarë dhe na inkujaron që ne të vazhdojmë tutje sepse tregimet tona kanë interes”, thotë Bajgora.

Fahrije Hoti, jeta e së cilës është shndërruar në film artistik të metrazhit të gjatë nga Kosova, “Zgjoi”, me regji nga Blerta Basholli, bëri historinë duke fituar tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV. / KultPlus.com