Sheshi ‘Garibaldi’ në Itali pushtohet nga të rinjtë shqiptarë

40 të rinj nga mosha dhjetë deri në 17 vjeç, nxënës të shkollës së Baletit në Tiranë kërcyen ne sheshin “Garibaldi në Parma” në një koncert dedikuar paqes dhe vëllazërisë nën moton: Kërcyen për të ardhmen tonë.

“Habi dhe magjepsje dje në “Piazza Garibaldi” për një ndalesë të rëndësishme të Festivalit Ndërkombëtar të Rinisë, me qendër në Seminarin e Berceto-s, konceptuar nga mësuesi i sportit Carlo Devoti i cili që nga viti 1988 ka promovuar takimin mes të rinjve nga të gjitha kulturat e botës ku përfshihen 40 kombe me qëllimin për të lehtësuar mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë në një atmosferë argëtimi dhe miqësie”, shkruan media lokale.

Një hap i rëndësishëm pjesëmarrja në këtë aktivitet për forcimin e bashkëpunimit ngushtë mes administratës lokale dhe komunitetit shqiptar, i cili mes Qytetit të Parmës dhe rrethinave numëron rreth 8 mijë shqiptarë.

“Një komb shumë i pasur në kulturë, folklor, disiplinë dhe përkushtim të treguar nga talentet në skenë: shkruan gazetarja italiane Mariachristina Maggi.

“Është nder të jem këtu me ju: sepse me angazhimin dhe artin tuaj përfaqësoni gjithçka që ju nevojitet për të krijuar një botë paqeje”, deklaroi me mirënjohje Daria Jacopozzi, në daljen e saj të parë publike si këshilltare  (në mesin e shumë prokurave edhe Bashkëpunimi ndërkombëtar), duke theksuar se sa të rëndësishme janë arti dhe sporti për paqen.

Dhe midis valleve nën shenjën e integrimit, flamuri shqiptar kapërceu sheshin; mes të pranishmëve të shumtë ishte edhe kryebashkiaku i ri Michele Guerra i cili kujtoi vlerën e dialogut mes vendeve dhe pjesëmarrjen e të rinjve

Më pas Devoti kujtoi rëndësinë e transferimit të vlerave të sportit edhe në jetën e përditshme. Fëmijët e komunitetit shqiptar ishin të shoqërua në këtë aktivitet nga Drejtoresha e Shkollës së BALETOT NË Tiranë Blerina Arbana dhe përfaqësuesja e shoqatave të komunitetit lokal shqiptar Elvira Lashi. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Ja çfarë thoshte Garibaldi për Arbërorët

Nga Gjon Keka

Për Garibaldin është shkruar pakë tek ne, por fakti se ai i vlerësonte shumë arbërorët dhe njihte historinë tonë, këtë ai e dëshmon përmes këtyre rreshtave që po ndaj me ju si më poshtë.

Madje ai, jo vetëm se njihte historinë dhe paraardhësit tanë të lavdishëm si Gjergj Kastriotin dhe të tjerët, por edhe i ftonte arbërorët që të zgjohen,që të ngrihen dhe t’i ngjajnë paraardhësve të tyre, apo më mirë të nxjerrin edhe nga një Gjergj Kastriot të ri si ata të mëdhenjtë tanë që lanë gjurmë të pashlyera në historinë e njerëzimit.

Dhe ja se si nënvizon ai në një letër që e gjeta në një dokument të vitit 1857:

Pra,zgjohuni e ngrihuni, o bij heronjësh të Arbërisë!

Ju të gjithë keni një histori të shkëlqyer: Leonidasi, Akili, Aleksandri, Skënderbeu dhe Spartaku kanë lindur mes jush.

Madje akoma edhe sot ju duhet t’i nxirrni nga mesi i popullit tuaj të fuqishëm Spartakun, Leonidasin, Aleksandrin dhe Skënderbeun e ri.

Mos u mbështetni në diplomaci,kjo shtrig pa zemër sigurisht që do t’iu mashtrojë!”  / KultPlus.com

Më 4 korrik 1807 lindi Giuseppe Garibaldi, luftëtari i paepur për bashkimin e Italisë

Giuseppe Garibaldi lindi në Nice më 4 korrik 1807. Një personazh i shqetësuar dhe i etur për aventura, që në një moshë shumë të re ai u nis si detar për të ndërmarrë jetën në det.

Më 1832, gati njëzet e pesë vjeç, ai ishte kapiten i një anijeje tregtare dhe në të njëjtën periudhë ai filloi të afrohej në lëvizjet patriotike evropiane dhe italiane (siç është, për shembull, lëvizja Mazziniane “Giovine Italia”), dhe të përqafojë idealet e tyre të lirisë dhe pavarësisë.

Më 1836 ai zbarkoi në Rio de Janeiro dhe nga këtu filloi periudha, e cila zgjati deri më 1848, në të cilën ai u angazhua në ndërmarrje të ndryshme të luftës në Amerikën Latine.

Ai lufton në Brazil dhe Uruguaj dhe grumbullon një përvojë të madhe në taktikat guerile bazuar në lëvizje dhe veprime surprizë. Kjo përvojë do të ketë vlerë të madhe për stërvitjen e Giuseppe Garibaldit si si një drejtues luftimesh, ashtu edhe si një takticien i paparashikueshëm.

Më 1848 u kthye në Itali ku shpërtheu lëvizjen e pavarësisë, me Pesë ditët e famshme të Milanos. Më 1849 ai mori pjesë në mbrojtjen e Republikës Romake së bashku me Mazzini, Pisacane, Mameli dhe Manara, dhe ishte shpirti i forcave republikane gjatë luftimeve kundër aleatëve francezë të Papës Pius IX. Fatkeqësisht, republikanët detyrohen të pranojnë epërsinë e forcave të armikut dhe Garibaldi detyrohet të braktisë Romën më 2 korrik 1849.

Nga këtu, duke kaluar mënyra shumë të rrezikshme përgjatë të cilave ai humbet shumë shokë besnikë, ndër të cilët gruan e dashur Anita, ai mundi të arrijë në territorin e Mbretërisë së Sardenjës.

Pastaj fillon një periudhë e endjes nëpër botë, kryesisht në dete, e cila më në fund e çon atë në Caprera më 1857.

Garibaldi megjithatë nuk braktis idealet për bashkimin e Itailisë dhe më 1858-1859 ai takohet me Cavour dhe Vittorio Emanuele, të cilët e autorizojnë atë për të formuar një organ të vullnetarëve, një organ që quhej “Cacciatori delle Alpi” dhe në komandën e të cilit u vendos vetë Garibaldi.

Merr pjesë në Luftën e Dytë të Pavarësisë duke arritur suksese të ndryshme, por armëpushimi i Villafranca ndërpret operacionet dhe Gjuetarët e tij.

Më 1860 Giuseppe Garibaldi ishte promovues dhe drejtues i ekspeditës së Një Mijëve; ngre spirancën nga Quarto (Gjenovë) më 6 maj 1860 dhe zbarkon në Marsala pesë ditë më vonë. Nga Marsala fillon marshimi i tij triumfal; mund Bourbonët në Calatafimi, arrin në Milazzo, merr Palermon, Messinan, Siracusen dhe çliron plotësisht Siçilinë.

Më 19 gusht ai zbarkon në Kalabri dhe, duke lëvizur shumë shpejt, bën kërdi në linjat e Bourbonëve, pushton Reggion, Cosenzan, Salernon; më 7 shtator hyn në Napolin e braktisur nga Mbreti Francesco II dhe më në fund mposht Bourbonët në Volturno.

Më 26 tetor Garibaldi u takua në Vairano me Vittorio Emanuele II dhe vuri territoret e pushtuara në duart e tij: ai pastaj u tërhoq përsëri në Caprera, gjithmonë i gatshëm për të luftuar për idealet kombëtare.

Më 1862 ai u vu në krye të një ekspedite të vullnetarëve në mënyrë që të çlironte Romën nga qeveria papale, por ndërmarrja u kundërshtua nga Piemonte, kështu që u ndalua më 29 gusht 1862 në Aspromonte.

I burgosur dhe më pas i liruar në Caprera, ai mbeti në kontakt me lëvizjet atdhetare që veprojnë në Evropë.

Më 1866 ai mori pjesë në Luftën e Tretë të Pavarësisë nën komandën e Departamenteve Vullnetare. Ai vepron në Trentino dhe këtu arrin fitoren e Bezzecca (21 korrik 1866), por, përkundër situatës së favorshme në të cilën nodhej kundër austriakëve, Garibaldi duhet të pastrojë territorin e Trentinos me urdhër të piemontasve, të cilëve iu përgjigjet me “Obbedisco” – “Unë bindem “,  që mbeti e famshme.

Më 1867 ai drejtoi përsëri një ekspeditë që synonte çlirimin e Romës, por përpjekja dështoi me humbjen e forcave garibaldine në Mentana përballë forca Franko-Papale.

Në vitin 1871 ai mori pjesë në ndërmarrjen e tij të fundit të luftës përkrah francezëve në luftën Franko-Prusiane, ku, megjithëse ai mundi të arrijë disa suksese, asgjë nuk mund të shmangte humbjen përfundimtare të Francës.

Më në fund u kthye në Caprera, ku kaloi vitet e fundit dhe ku vdiq më 2 qershor 1882. /Voal /KultPlus.com

Giuseppe Garibaldi, legjendari i lirisë

Giuseppe Garibaldi u lind në Nicë më 4 korrik 1807, vdiq në ishullin Caprera më 2 qershor 1882, revolucionar dhe luftëtar për lirinë dhe bashkimin e Italisë.

Në rini ishte marinar, ndërsa deri sa shërbeu në ushtri në Marinën e Sardenjës (1833 – 1834) ishte nën ndikimin e Giuseppea Mazzinija, kreu i nacionalizmit italian, dhe u bë anëtarë i Shoqërisë së “Italia e Re”. Pas dështoi rebelimi i armatosur në Savojës në 1834. kur është dënuar me dënimin me vdekje ik në Amerikën e Jugut, ku luftoi për pavarësinë e Brazilit. Ai mori pjesë në luftën Uruguaian-Argjentinë në anën e Uruguait. Në fillim udhëhoqi marinën uruguaiane ndërsa më vonë që më vonë u bë komandant në Legjionin italiane të Montevideos. Në këto lufta fitoi famë botërore.

Kthehet në atdheun e tij në prill 1848 për të marrë pjesë në luftën për pavarësinë e Italisë dhe në luftën kundër Austrisë. Luftoi kundër austriakëve në Milano dhe atyre frënge në Romë në 1849. Republikës së Romës i solli atij famë kombëtare. Megjithatë në vitin 1849 në Romë u bind për t’u tërhequr nëpër Italinë qendrore. Gjatë tërheqjes, u vra Anita – gruaja dhe bashkëluftëtarja e tij. Pas rënies së Republikës së Romës i erdhi në ndihmë Venedikut me 4000 vullnetarë. Megjithatë, monarkët e arrestuan dhe e depërtuan. Garibaldi e shpartalloi ushtrinë e vet dhe kërkoi strehim në Afrikën Veriore,mandej në ShBA e më pastaj në Peru.

Si hero i dy botëve, siç e kanë quajtur, nuk ka mund të kthehet në Itali deri në vitin 1854.

Ne vitin 1854 i ndihmoi Piedmontit në luftën kundër Austrisë, duke i udhëhequr njësitë vullnetare. Në këto luftëra forcat e tij okupuan vendbanimet Varese dhe Comon. Në maj të 1860, Garibaldi arrin një ndër sukseset e tija më legjendare duke marr nën sundim Sicilinë dhe Napolin.

Nga jeta e këtij lejgendari të lirisë

* Garibaldi dha prova vetëmohimi dhe guximi që kur ishte dhjetë vjeç. Një herë, duke vënë veten në rrezik, i shpëtoi jetën një gruaje që po mbytej në dallgët e furishme të detit.

* Për të ndihmuar lëvizjen republikane në Brazil, Garibaldi ankoroi anijen e tij në Montevideo për të ndihmuar kryengritësit. Në atë kohë, u ndesh me një anije armike. Në këtë betejë Garibaldi u plagos rëndë në njërin vesh. Shokët e tij arritën ta kuronin dhe ta shpëtonin. Më pas u kap nga armiku, u burgos dhe u torturua sa që njeri krah i mbeti i gjymtuar.

* Gjatë luftës së lavdishme në mbrojtje të republikës së Rio Grandes, Garibaldi ra rob në duart e barbarit Millan, komandanti armik, që e torturoi dhe e poshtëroi. Dhjetë vjet më vonë, kur luftonte për Uruguajin, rastisi që ky njeri mizor të bjerë në duart e njerëzve të Garibaldit. Atë e lajmëruan dhe i kërkuan se çfarë duhej të bënin me të. Atëherë, Garibaldi u përgjigj:

– Nuk dua ta shoh, lëreni të ikë.

* Pasi shpëtoi nga ndjekja e austriakëve, Garibaldi u kthye në Amerikë. Një miku i tij pak kohë më vonë, e gjeti tek merrej me prodhimin e qirinjve. – Eh, ta marrë djalli, që ti më sheh këtu të kërrusur mbi këtë punë, – i tha Garibaldi, – por mos mendo kurrë se do të mbaroj këtu! Do të shihemi prap në det.

* Pas dështimit të ndërmarrjes fatkeqe të Romës, Garibaldi ishte në dëshpërim të madh. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, për të hequr mërzinë, merrej me peshkim dhe nganjëherë shkonte edhe për gjah. Një herë, kur po gjuante në pyll, shkeli rregulloren e bashkisë për gjuetinë. Për këtë e arrestuan dhe e dërguan para gjyqit lokal. Emri i tij ishte aq i njohur, sa që gjyqtarët me ta marrë vesh se kush ishte e liruan menjëherë dhe e mbyllën procesin gjyqësor. Madje, me këtë rast, disa miq të gjeneralit u zemëruan kaq shumë sa që kërkuan të merreshin masa kundër rojave të bashkisë që kishin bërë shkelje. Garibaldi i qetësoi duke u thënë:

– Ata që mbajtën qëndrim ndaj meje nuk meritojnë asnjë qortim, madje duhen lavdëruar, sepse kanë kryer detyrën.

* Në vitin 1854, Garibaldi u kthye në Nisë, ku punonte si marinar i thjeshtë nëpër anijet tregtare. Një bashkëkohës tregonte se e kishte parë në një banket midis punëtorëve duke festuar ditëlindjen e një kolegu. Atëherë ishte kaq i thjeshtë dhe kokëulur sa askush nuk mund ta merrte me mend se ai ishte gjenerali i Montevideos, mbrojtësi i lavdishëm i Republikës Romake. Po ky bashkëkohës, thotë gjithashtu s e kishte parë Garibaldin disa herë gjatë ditëve të pushimit që luante me boçe me marinarët.

Ushtarët dhe oficerët austriakë tmerroheshin nga frika e Garibaldit dhe e garibaldinëve. Kur hynë në Biela më 1859, gjëja e parë që kërkuan të dinin ushtarët e shtatmadhërisë ishte në se Garibaldi ishte afër tyre. Ata besonin se Garibaldi nuk bënte asnjë lëshim dhe kishte frymën e djallit. Për t’i futur ushtarët në luftë, u thonin se Garibaldi kishte vdekur dhe ishte varrosur nga duart e një burri të fuqishëm.

* Kur ishte në Londër, më 1864, Garibaldi u dashurua me një vejushë mjaft të pasur. Dy vjet më vonë u kthye përsëri në Londër si mysair tek e fejuara, por luksi i shtëpisë i zuri frymën.

-Një muaj në këtë lloj jetese dhe unë vdes, – tha Garibaldi.

Idili i dashurisë së tyre u prish dhe ata ruajtën vetëm një migësi të thellë.

  • Me rastin e vizitës së tij triumfale në Angli, më 1864, Garibaldi takoi edhe poetin e madh Tennyson. Takimi ishte mjaft emocionues. Pas ndarjes, poeti iu lut Garibaldit që të mbillte një pemë në kopshtin e tij. Disa ditë më vonë pemës i ranë të gjitha gjethet. Banorët e atjeshëm shpejtuan për të marrë nga një gjethe si kujtim prej heroit.

* Garibaldi kishte shumë vesh për muzikë. Kur ishte ende i ri përtej Varos, që ndan kufirin me Francën ra në duart e xhandarëve francezë. Gjatë kohës së arrestit këndoi me pasion një këngë të bukur të kohës, sa xhandarët u kënaqën shumë prej tij dhe e liruan. Në moshën pesëdhjetëvjeçare, në vitin 1859, kur po e ndiqnin nga afër trupat e Urbanit ai u ndal natën në mes të pyllit për të dëgjuar këngën e bilbilit.

* Garibaldi e punonte tokën vetë. Ishte bujk dhe këtë e punonte me krenari; kjo shënohet qartë edhe në regjistrin themeltar të gjendjes civile. – Në ditarin e Garibaldit, që mbante kur ishte në Kaprera veç të tjerave gjenden edhe këto shënime: “Lindi një viç”, “Plehërova bathët”, “Roisin bletët” etj.

* Garibaldi ishte mjeshtër si rrobaqepës. Kur ishte në Kaprera ai ushtronte këtë mjeshtëri dhe dëfrehej duke shkruar vjersha.

Një ditë Xhuzepe Nuvolari, një nga të njëmijët, ishte mysafir te Garibaldi. Nuvolari, meqenëse pantallonat e tij ishin bërë zhele, donte të shkonte në Magdalenë për të blerë një palë të reja.

– Mjafton të blesh stofin, – i tha djali i Garibaldit Menoti. Nuvolari hapi sytë nga ky pohim, por Menoti ia priti menjëherë:

– Babai do t’i presë dhe unë do t’i qep!…

Stofi u ble dhe mëngjesin e ditës tjetër, Nuvolari, kur shkoi te gjenerali për t’i uruar ditën e re, u habit, sepse e gjeti Garibaldin në këmbë përpara një tryeze duke prerë pantallonat e tij.

– Po, kështu, pa më marrë masën gjeneral?

– Me sy, alla marinarçe! Ju keni afërsisht shtatin tim. Nga prerësi, pantallonat kaluan pastaj në qepje dhe një ditë më vonë Nuvolari veshi pantallonat më të mira që kishte mbajtur deri atëherë. Ato ishin pa xhepa, pa kopsa dhe shtrëngoheshin me një rrip në mes.

* Gjatë luftës për mbrojtjen e Republikës së Romës, Garibaldit i shkoi mendja tek Anita, që e kishte lënë në Nicë. Mori penën dhe i shkroi këto rreshta:

“Anita ime e dashur… Ne luftojmë mbi Xhanikolo. Ky popull është i denjë për të kaluarën e tij të madhe. Këtu njeriu di të jetojë, di të vdesë, këtu njerëzit vriten me thirrjen “Rroftë Republika”. Vetëm një orë nga jeta jonë në Romë vlen sa një shekull. E lumtura nëna ime që më lindi në një epokë kaq të bukur për Italinë!…”

E shoqja, që ishte grua guximtare, e gjeti rrugën për të hyrë në qytetin e rrethuar. Dy ditë më vonë, mbi Xhanikolo u duk një grua që u ndal dhe po fliste me ushtarët. Njeri prej tyre i tregoi se ku ndodhej Garibaldi. Ky në këtë çast, ktheu kokën dhe, si në një ëndërr gëzimi u turr drejt së shoqes së adhuruar dhe e shtrëngoi në gjoks. Pastaj e mori për dore dhe u kthye nga shokët;

– Ja Anita ime, këtej e tutje do të kemi një ushtar më shumë.

* Pas rënies së Republikës së Romës, Garibaldi me vullnetarët e tij filluan tërheqjen e tyre heroike. Ai me këtë rast iu tha ushtarëve:

– Luftëtarë, ja çfarë ju afroj atyre që duan të më ndjekin pas: uri, të ftohtë, mungesë strehe, mungesë municioni, por gjithnjë syhapur në beteja dhe pa gjumë, marshime të gjata dhe përleshje me bajoneta. Tani kush e do atdhenë le të më ndjekë pas. Kësaj thirrjeje iu drejtuan katër mijë vullnetarë, që ndoqën pas heroin e tyre.

  • Në fushime, Garibaldi shtrihej për tokë si të gjithë ushtarët e thjeshtë. Një herë, ashtu i shtrirë, kur sapo e zuri gjumi filloi të bjerë shi. Për ta mbrojtur nga shiu disa ushtarë bënë me kapotat e tyre një tendë rreth tij. Ata ndenjën ashtu gjysmë të zhveshur të lagur dhe të heshtur, që të ruanin gjeneralin e tyre. Kur u zgjua, i pa, u buzëqeshi dhe pastaj u tha me ëmbëlsi: – Shkoni djema, vishni kapotat tuaja dhe shikoni se mos lageni. Nënave tuaja do t’u vinte keq po ta merrnim vesh dhe do të më mallkonin. /AlbertVataj /KultPlus.com