Tinka Kurti: Kuvendi është institucioni i parë që do të ketë dhomën e gjidhënies

Deputetja Tinka Kurti sot ka bërë të ditur se kërkesa e saj si kryetare e GGD-së, lidhur me dhomën e gjidhënies në Kuvend, është aprovuar nga kryetari dhe sekretari i Kuvendit, përcjellë KultPlus.

“Deputetet dhe të punësuarat e Kuvendit të cilat kanë nevojë t’i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri do ta kenë së shpejti këtë hapësirë të veçantë e cila po bëhet sipas rekomandive të OBSH-së”, ka shkruar ajo.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Kuvendi është institucioni i parë që do të ketë dhomën e gjidhënies. Këtë kërkesë e kam bërë si Kryetare e GGD-së pas tryezës që kishim mbajtur me këtë temë. Jam fort e lumtur që Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari e kanë aprovuar dhe kjo tashmë është duke u realizuar. Deputetet dhe të punësuarat e Kuvendit të cilat kanë nevojë t’i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri do ta kenë së shpejti këtë hapësirë të veçantë e cila po bëhet sipas rekomandive të OBSH-së. Tjetër rekomandim i kësaj organizate është edhe hartimi i politikave përkrahëse, zbatimi i tyre por edhe promovimi nga politikanet e politikanët.

Një kërkesë e tillë do t’u dërgohet institucioneve të tjera publike. Madje inkurajohen edhe ato private. Shpresojmë se dhoma brenda Kuvendit do të jetë modeli që përhapet shpejt.

Kjo është e rëndësishme për të drejtat e grave në punë. Èshtë e rëndësishme për mirëqenien e grave gjidhënëse e të punësuara dhe nganjëherë jetike për fëmijën.

Gjidhënia është mirëqenie. Gjidhënia është politike. / KultPlus.com

Fëmijët kanë pirë gji ku dhe si kanë dashur, në këtë vendin tonë “kaq të prapambetur”

Nga Mesila Doda
Kohët e fundit po dëgjoj shpesh një debat për ushqimin me gji të foshnjës në publik në vendet e zhvilluara. Duket se është bërë një ligj enkas për lejimin e ushqimit të foshnjës në ambiente publike.

Me sa duket shqiptarët kanë patur buon sens të zhvilluar përgjatë kohëve, sepse ky fakt në Shqipëri nuk është diskutuar kurrë e është marrë gjithmonë i mirqenë. Fëmijët kanë pirë gji ku dhe si kanë dashur, në këtë vendin tonë “kaq të prapambetur”.

Falenderim i veçantë për gjyshërit, nonat e brezat e kaluar që rritjen e fëmijës e konsideruan më të rëndësishëm se çdo normë morale e stisur… Bebat mund të pinë ku dhe kur të duan në këtë vend…

Ekspozita e Llapashticës hapë “Javën e Gjidhënies” në Kosovë (FOTO)

Vetëm 40 për qind e fëmijëve të moshës nën gjashtë muaj, ushqehen me qumësht të gjirit të nënës.

Për ta rritur këtë përqindje edhe më shumë, në hapjen e Javës Botërore të Gjidhënies me temën “Ta mbështesim gjidhënien së bashku”, u tha se ushqyerja e fëmijëve me qumësht gjiri, mbron shëndetin e tyre.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, Merita Vuthaj, ka thënë se po angazhohen që të jenë një hap më përpara se kompanitë farmaceutike që zëvendësojnë qumështin e gjirit të nënës, duke iu ofruar mbështetje nënave që t’i ushqejnë foshnjat me qumësht gjiri, raporton KTV.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se gjidhënien, si shoqëri, nuk guxojmë ta kthejmë në tabu, pasi, sipas tij, qumështi i gjirit të nënës është i pazëvendësueshëm dhe mbron shëndetin e fëmijëve dhe të nënës nga sëmundje të ndryshme.

Java e Gjidhënies ka nisur me hapjen e një ekspozite, ku janë paraqitur në fotografi shumë nëna nëpër ambiente të ndryshme duke i ushqyer fëmijët e tyre me qumësht gjiri të bëra nga fotografi Arben Llapashtica. Ekspozita qëndron e hapur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, Prishtinë. / KultPlus.com

Gjidhënia promovohet nëpërmjet ekspozitës

Ministria e Shëndetësisë me përkrahjen e UNICEF-it do të organizojnë sot foto ekspozitën për ta promovuar të ushqyerit me qumësht të gjirit me moton “Ta mbështesim gjidhënien së bashku”.

Kjo ekspozitë hapet në kuadër të javës për të ushqyerit me qumësht të gjirit, e cila do të mbahet nga 1 deri më 7 tetor , dhe organizohet në bashkëpunim dhe përkrahje të Postës së Kosovës, Shërbimet Klinike Universitare të Kosovës, institucionet lokale dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, Shoqatën e Mamive, grupet përkrahësve të nënave për të ushqyerit me qumësht të gjirit, grupin për Institucionet Mike të Foshnjës, Kryqin e Kuq të Kosovës, Save the Children, Asociacioni për nëna dhe fëmijë.

Foto ekspozita është realizuar nga Arben Llapashtica me angazhimin dhe pjesëmarrjen e nënave dhe baballarëve nga vendet e ndryshme. Foto ekspozita do të mbahet në sallën e kuqe të Pallat të Rinisë, nga ora 11:00 – 13:00. / KultPlus.com