Llapashtica fiton në garën “Wiki Loves Monuments” me foton e kishës së Novobërdës

Fotografi Arben Llapashtica është fitues i “Wiki Loves Monuments” në Kosovë, si pjesë e garës ndërkombëtare të fotografive të monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Në garën që ka për qëllim dokumentimin e monumenteve me rëndësi për kulturën dhe trashëgiminë e shteteve në Wikipedia dhe në internet, Llapashtica fitoi me një fotografi të themeleve të kishës në Novobërdë. Në Shqipëri, fitoi Bujar Gashi me fotografinë e Kalasë së Gjirokastrës.

Image

Llapashtica, që është edhe kameraman në Grupin Koha, në një deklaratë për Koha.net, ka thënë se ndihet i nderuar që është vlerësuar për kontributin me fotografitë e tij të monumenteve.

“Ndihem mirë që fotoja e Novobërdës është përzgjedhur, meqë edhe prejardhja ime është nga atje. Kosova ka nevojë që në internet të ketë informata më të sakta. Jo si më herët, kur nëse keni kërkuar në Google kanë dalë informata kryesisht nga Serbia, dhe informata të pasakta me imazhe të rëndë për Kosovën”, ka thënë ai.

Nga organizatorët e garës, anëtari i bordit të Wikimedians of Albanian Language, Arianit Dobroshi, ka treguar për Koha.net detaje për garën.

“Konkurrenca ka qenë sikur e viteve të kaluara. Ne mbledhim fotografi të cilat janë të qasshme për publikun për promovimin e monumenteve, turizmit dhe rrjedhimisht Kosovës e Shqipërisë, pasi që gara është e përbashkët. Përdorimi primar është në vetë artikujt e Wikipedias në shqip dhe në gjuhët tjera”, ka thënë fillimisht ai.

Dobroshi ka treguar se këto fotografi bëhen pjesë e garës ndërkombëtare, dhe ka thënë se është me rëndësi që aty të jetë e pranishme Kosova. Ai ka thënë se ka hapësirë që monumentet e Kosovës të vihen në pah përmes fotografive edhe për shkak se ato nuk njihen nga banorët lokalë.

“Edhe pse këto monumente janë shpesh në lokacione qendrore të qyteteve, ato nuk njihen nga banorët lokalë, prandaj ka hapësirë për t’u vënë në pah përmes fotografisë. Kjo mund të përfshijë edhe teknika të reja të fotografisë ose elemente artistike që janë vërejtur gjatë një vizite”, ka shtuar ai./koha.net/ KultPlus.com

Fotografi kosovar, fitues i garës së fotografisë të organizuar nga BERZH-i

Arben Llapashtica, fitues i garës së fotografisë të organizuar nga BERZH-i.

Kameramani, Arben Llapashtica, është shpallur fitues i garës së fotografisë të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), me bazë në Londër.

Llapashtica në këtë garë ka konkurruar me një fotografi të shkrepur në Malet e Rugovës.

“Fotografia është shkrepur nga fshati Shtupeq derisa isha në një aventurë të hikingut. Rugova është e pasur me shpella, ujëvara, liqe të ndryshme, pika të larta malore dhe tunele. Është një nga destinacionet më të mira për hiking, skijim, paraglajding dhe për piknikë”, ka thënë Llapashtica kur e ka sqaruar motivin e fotografisë së përzgjedhur në këtë garë, fotografi e cila doli të jetë fituese, raporton Koha.net.

BERZH-i, në thirrjen për pjesëmarrje në garë, ka thënë se Ballkani Perëndimor është një nga rajonet më të bukura ku kjo bankë punon. Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia veriore dhe Serbia janë përplot befasi.

Aty përmendet Nikola Tesla, si zbulues dhe matematikan serb (i lindur në Smiljan gjatë Perandorisë Austriake, tani në atë që quhet Kroaci) dhe Nëna Terezë (apo Mari Tereza Bojaxhiu), fituese e çmimit Nobel për paqe, e cila ka lindur në atë që tash njihet si Maqedonia e Veriut.

Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjës, që ishte nikoqir i sivjetmë i Takimit Vjetor dhe i Forumit të Biznesit të BERZH-it, ishte një prej qyteteve të para që kishte sistemin e vet të tramvajit.

Lord Bajroni kishte lavdëruar veshjet shqiptare në letrat dërguar nënës së tij. Ndërsa druri më i vjetër në Evropë – Stara Maslina (Ulliri i Vjetër) – rritet në Tivar të Malit të Zi dhe është mbi 2 mijë vjeç.

Fituesi i garës u shpall në bazë të pëlqimeve që kishte marrë në platformat Instagram dhe Facebook.

Kujtojmë se të drejtë pjesëmarrjeje në këtë garë kishin të gjithë pasionantët e Ballkanit Perëndimor nga mbarë bota./KultPlus.com

Rrugëtimi me fotografinë përgjatë një dekade (FOTO)

Gili Hoxhaj

Arben Llapashtica përfaqëson një natyrë modeste që për punën e tij pëlqen më së shumti të flas përmes fotografive. Përherë në krahë mban një çantë, ndërsa qëndrimi i tij në ulëse është mjaft i shkurtër.

Ata që i përcjellin koncertet e muzikës klasike dhe jo vetëm, pothuajse në shumicën prej tyre e kanë takuar Arben Llapashticën, pasi që ai lëvizë pothuajse në secilin kënd të sallës, e është vigjilent në gjithçka që ndodhë brenda saj. Ata që nuk arrijnë të jenë prezent në koncertet e emrave të mëdhenj të muzikës klasike në Kosovë, momentet dhe emocionet e tyre i kanë përjetuar përmes fotografive të shkrepura nga ai.

Një pjesë e njerëzve mund të mos e njohin për nga dukja e tij fizike, por fotografitë e tij arrijnë t’i identifikojnë shumë lehtë. Në fotografitë e tij nuk ka paragjykime, aty përfshihet gëzimi e brenga, aktivitete e njerëz të moshave e komuniteteve të ndryshme. Në fotografitë e tij gjen objekte e klerikë të feve të ndryshme, madje edhe brenda një fotografie të vetme.

Pasioni i tij për fotografinë është i natyrshëm, veçmas në momentet kur shkëputet nga të pranishmit derisa gjen një shprehje fytyre apo qëndrim që mund ta përfaqësojë momentin e duhur. Ato momente, ai nuk i kap vetëm brenda një salle koncertale apo eventi të mbyllur, ai shkon përtej kësaj, duke eksploruar në lartësitë e natyrës dhe në zonat më të thella të saj. Ekspeditat e tij në maje të larta, nuk janë të pakta. Në fotografitë e tij gjen perëndimin e lindjen e diellit, gjen fshatrat më të thella të Kosovës, e qytetet e njohura të botës, gjen zanatlinjtë e vjetër, që sipas tij po pakësohen, gjen fytyra të njoma derisa shijojnë ritmin e lojës. Krahas fytyrave të njohura, në fotografitë e tij ka edhe fytyra tërësisht të panjohura, por që flasin për një realitet të përditshëm.

Përveç ndërtesave të famshme të kryeqytetit, në fotografitë e tij gjen lokalitete e monumente më të vjetra e më të paeksploruara, që i përkasin trashëgimisë kulturore. I gjithë ky aktivitet i fotografit Llapashtica ka bërë që fotografitë e tij të jenë takimi i parë virtual i të huajve me Kosovën. Krahas të gjithave, në fotografitë e tij, një vend të veçantë ka edhe bota shtazore. Të gjithë ata që kanë fotografi të shkrepura nga Arben Llapashtica, ato i ruajnë në sirtarin e fotografive më të mira që kanë.

Arben Llapashtica tashmë më shumë se një dekadë merret në mënyrë aktive me fotografinë, gjë që e ka bërë të pranishëm edhe në shumë projekte që lidhen me fotografinë, ndërsa që në garën e parë për fotografi ai arrin të shpërblehet, që ishte dëshmi që rrugëtimi i tij ndodhej pranë suksesit. Në krijimtarinë e tij artistike tashmë numëron një numër të madh shpërblimesh. Publikimi i fotografive në rrjetet sociale e kanë bërë artin e talentin e tij edhe më të dukshëm, ku sot numëron mbi 8 mijë persona që e ndjekin dhe i pëlqejnë vazhdimisht fotografitë e tij. Çdo përgëzim për punën që ai bën, ka qenë një hap inkurajimi për punën e tij prej fotografi.

“Me fotografi fillova të merrem aktivisht në vitin 2006. Në kuadër të një shkolle për gazetari (KIJAC), kishim një lëndë për foto dhe ishim aktiv për realizimin e storjeve te shkruara. Pastaj fillova t’i postoj fotografitë në rrjete sociale, dhe motive shtesë me jepnin njerëzit duke i pëlqyer ato. Kam marr pjese për here te parë me një garë për fotografi, foto maratonë ku i kishim 24 ore për realizimin e disa temave, jam shpërblyer me një çmim për këtë maratonë, ishte një motiv shtesë për te vazhduar me fotografi”, shprehet Llapashtica.

????????????????????????????????????

Nga çmimet e para të tij, Llapashtica veçon çmimin nga Ministria e Integrimeve, e cila atëherë ishte vetëm si zyre, apo Departament, Llapashtica përmes një fotografie të veçantë kishte shprehur atë që e përshkruan si vlerë evropiane.

“Zyra kishte një garë për fotografi se si përshkruhen vlerat evropiane në Kosovë, unë e pata dërguar një lopë me një numër në vesh, e cila përshkruante regjistrimin apo martikulimin e kafshëve. Kjo për mua ishte një vlerë evropiane, sepse akoma nuk kishte filluar regjistrimi i njerëzve që nga viti 1981, kurse i kafshëve po”, tregon Llapashtica për KultPlus.

Fotografitë e Llpashticës, takimi i parë virtual i të huajve me Kosovën

Aktivitetet e tij të shumta me fotografinë janë kryesisht sociale, të paaranzhuar, spontane dhe bazohen kryesisht në mbrojtje te ambientit dhe trashëgimisë kulturore. Shumë nga fotografitë e realizuara, ai thotë se i ka dhuruar edhe nëpër ambasada te Kosovës në botë, krejt me qellim të promovimit më të madh të Kosovës. Në këtë mes, ai veçon ekspozitën në Nju Jork për 10 vjetorin e pavarësisë, ku ka ekspozuar së bashku me fotografin e njohur Shkelzen Rexha. Fotografitë e tij të shkrepura nga një kënd i veçantë, që shpesh arrin të jetë gjithëpërfshirës, kapë horizontin e Prishtinës në vendet më të spikatura. Nuk mungojnë as fotografitë e vendeve të tjera të Kosovës, e të lokaliteteve e monumenteve arkeologjike. Duke qenë se fotografitë e Llapashticës janë dominante në Ëikipedia, ato kanë bërë që të jenë takimi i parë vizual i të huajve që duan të dijnë më shumë për Kosovën e lokalitetet që vlen të vizitohen. Garimi i tij në konkurse të tilla për pasurimin e Ëikipedias me informata për Kosovën, e kanë nxjerrë atë fitues të shumëfishtë.

“Meqë informatat për Kosovën kanë qenë shumë të varfra, disa organizata kane hapur konkurse garuese për fotografi e artikuj, në mënyrë që ta pasurojnë enciklopedinë, andaj jam shpërblyer shumëfish në këto gara me vendet e para për foto. Gjithashtu ndihem mire për kontributin që kam dhënë për ËIKI Loves Monument ku jam shpërblyer 6 herë radhazi. Ky aktivitet garues ka filluar më 2012 si një provë e vogël në Holandë, e cila mblodhi 12.500 fotografi. Më 2015 me 6.618 fotografë ngarkuan mbi 231.000 fotografi të licencuara lirshëm të ndërtesave historike, monumenteve dhe vendeve të trashëgimisë kulturore në 33 vende, duke përfshirë edhe Kosovën”, u shpreh tutje Llapashtica.

Kujtimet e mira që e lidhin me vendlindjen e tij Novoberdën, e lidhja e tij e fortë me djalin e tij, Noarin ka bërë që Novoberda si vend, e djali i tij Noari të jenë më së shumti në fokus të fotografive të tij.
“Unë vij nga Novobërda, edhe pse nga vitet e 1994 nuk kam jetuar atje, por kam kujtime te mira nga atje. Mendoj se fotot më dominuese i kam të djalit tim Noarit dhe tani të Novobërdës”, tregon Llapashtica.

Rreth 300 koncerte klasike nën objektivin e Arben Lapashticës

Llapashtica mund të konsiderohet edhe një urë pasqyrimi i koncerteve klasikë në Kosovë. Prania e tij aktive në koncertet e ndryshme të muzikës klasike që organizohen në Kosovë, kanë bërë që ai me aparatin e tij të ngrij momentet kulminante të rreth 300 koncerteve të tilla. Shumë dirigjentë, performues e instrumentistë nga Kosova e më gjerë, i ruajnë këto momente me vulën e fotografit Arben Llapashtica. Këtë punë ai e kishte rrumbullakuar në një ekspozitë të quajtur “Simfonia e ndritur” të kuruar nga Afrim Spahiu, e cila më pas kishte rrugëtuar edhe në Novi Sad.

“Një aktivitet tjetër qe e kam shume për zemër janë koncertet e muzikës klasike qe i realizoj nga viti 2009. Si fotograf zyrtar i Filharmonisë se Kosovës kam qenë pjesëmarrës i rreth 300 koncerteve, festivale si DAM, Chopin, Re Musica të muzikës klasike, të cilat janë mbajtur kryesisht në Kosovë”, tregoi tutje fotografi Llapashtica.

Shpesh mund ta gjesh vetën brenda hapësirës ku veprojnë zanatlinjtë e vjetër të Kosovës, përkushtimin e tyre në punë, tashmë veçse e ka përjetësuar në pamje, fotografi Llapashtica. Ai thotë se i ndjek me shumë dëshirë aktivitetet e tyre, ndërsa thotë se është përpjekur që punën e tyre ta dokuemntoj në një ekspozitë, para se ata të zhduken.

“Fotot përmbajnë artizanate që kryesisht janë në zhdukje si saraq, nallban, këpucëtar. Në vende tjera këto zanate edhe pse janë në zhdukje shkaku i industrializimit dhe globalizimit shteti apo komuna i mbështesin edhe për atraksion turistik”, tregon Llapashtica në një intervistë për KultPlus.

Duke qenë se Llapashtica është zhvilluar në telvizion, edhe pse vazhdon të punoj për disa institucione të rëndësishme si fotograf, si thotë se televizioni dhe kamera mbetet puna e tij primare, pasi që çdo ditë e kalon pranë kamerës. Llapashtica në intervistën e dhënë për KultPlus tregon se karrierën profesionale me kamerën e ka filluar janarin e vitit 2001, si kameraman në KTV- Kohavision , aty ku vazhdon të punoj edhe sot, ndërsa gjatë karrierës së tij ka realizuar shumë storje që nga paslufta e deri më sot, duke dokumentuar proceset më të rëndësishme në të cilat ka kaluar Kosova gjatë këtyre viteve. Krahas dinamikës së punës, Llapashtica tregon se me shumë dëshirë i përvishet punës për realizimin e ndonjë dokumentari.

“Gjatë punës time kam marr pjesë në shumicën e proceseve madhore që ka kaluar Kosova deri me tani, siç është periudha transitore e pasluftës, trazirat, proceset negociatore në Austri, Pavarësia e Kosovës, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në lobimin për njohjen e Kosovës në shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Kur gjej kohë, me shumë dëshirë realizoj edhe ndonjë dokumentar si autor”, tregon fotografi e kameramani Arben Llapashtica.

Duke qenë se Llapashtica është fotograf e kamerman i pasluftës dhe ka dokumentuar mjaft shumë në realitetin e pasluftës së Kosovës, ai edhe pse i përket gjeneratës së re të fotografëve, qëndron në atë se zhvillimi i teknologjisë ka ndikuar mjaft shumë në degradimin e fotografisë. Krejt në fund, ai tha se ka edhe një porosi për fotografët e rinj.

“Meqë është shekulli i fotografisë prapë se prapë është njëfarë lloj zhvillimi, me kujtohet pas luftës i kam njohur 7 apo 8 fotografë, tani çdo të dytin e sheh me një kamerë në qafë dhe kjo te bënë të ndihesh mirë. Andaj, uroj që të kapen sa më shumë momente dhe pse jo të shpërndahen, personalisht nuk i mbaj të gjitha fotografitë për vete, shumicën i ndaj edhe me te tjerët përmes rrjeteve sociale”, u shpreh për fund fotografi Arben Llapashtica./ KultPlus.com

?????????????????

Arben Llapashtica, fitues i Foto Flaka 2018-të

Fotografi i njohur kosovar Arben Llapashtica, është fitues i Foto Flaka 2018-të, shkruan KultPlus.

Foto Flaka është një konkurs i fotografisë i cili mbahet në kuadër të manifestimit Flaka e Janarit që mbahet në Gjilan tash e sa vite.

Për këtë çmim, vetë autori Llapashtica, tha se ndjehet i nderuar që fotografia e tij ka zënë vendin e parë në këtë garë.

“Ndihem i nderuar se muaji kulturor multidimensional “Flaka e Janarit” në Gjilan paska përzgjedh foton time në vendin e parë në garën e fotografisë!
Niashtu po ndihem pak keq, sidomos për fotografët e rinjë, sepse meritojnë për motiv shtesë”, ka shkruar Llapashtica në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

Ekspozita humanitare “Explore Kosovo”, unifikoi veçantitë artistike të katër fotografëve shqiptarë

Të ardhurat e kësaj ekspozitë kishin një destinacion humanitar, për ti ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite.

Gili Hoxhaj

Bukuritë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, ishin bashkuar në një hapësirë te vetme, në ekspozitën humanitare “Explore Kosovo”, që u hap sonte në Prishtinë, shkruan KultPlus. Kjo ekspozitë theksonte veçantitë artistike të katër fotografëve të shquar shqiptarë, të cilët kishin bashkuar punën e tyre me qëllim humanitar e artistik. Fahredin Spahija, Bujar Gashi, Arben Llapashtica dhe Arben Islami sollën fotografitë të cilat ngërthenin peizazhe, bukuria e të cilëve ishte theksuar me mjeshtëri të rrallë përmes aparatit të këtyre katër artistëve.

Të ardhurat e kësaj ekspozitë kishin një destinacion humanitar, për ti ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite. Ekspozita e artit fotografik “Explore Kosovo” , ka qenë ide të cilën fotografi Bujar Gashie kishte bartur për shumë kohë me vete, ndërsa për ta sjellë edhe më të fuqishme këtë ekspozitë, ai kishte ftuar edhe tre kolegë të tjerë që t’i bashkohen me punimet e tyre artistike.

“Ka qenë një ide të cilën e kam pasur shumë më herët, por nuk kam dashur që ta sjellë i vetëm, kam dashur që në këtë ekspozitë t’i mbledh disa fotografë të cilët i japin forcë dhe ngjyrë ekspozitës dhe nuk besoj se këtë mund ta bënte dikush më mirë se Fahredin Spahija, Arben Islami Bujar Gashi dhe Arben Llapashtica. Kam gjetur përkrahje tek ta dhe tek vendi “Princi i Arbërit”, të cilët më kanë financuar në organizimin e ngjarjes në këtë hapësirë”, tha fotografi Gashi për KultPlus.

Vizitorët drejtonin sytë tek fotografitë, duke u takuar me veçantitë artistike të fotografëve, mirëpo pa u ndeshur me emrat e tyre. Vetëm ata që kishin shijuar edhe më parë punën e tyre, arrinin të identifikonin pronësinë e fotografisë. Kjo ekspozitë e cila ngërthente në vete gjashtëmbëdhjetë punime, numëronte katër punime nga secili autor. Ato nuk përmbanin një renditje strikte, që bënin publikun të kaloj nga një stinë në tjetrën, duke udhëtuar vizualisht në disa nga vendet më të bukura të Kosovës.
“Me këtë bashkëpunim, jemi si një trup i vetëm, si një fotograf që paraqet vlera. Pra, të mos ketë ndarje brenda ekspozitës, por që vizitorët vet t’i gjykojnë punimet”, shpjegoi Bujar Gashi për KultPlus.

Fotografi Fahredin Spahija tregoi për KultPlus se për ekspozimin e punës së tij në këtë ekspozitë fillimisht është tërhequr nga motivi humanitar dhe artistik, ndërsa në këtë ekspozitë ai shfaq edhe një lidhje shpirtërore me vendlindjen e tij.

“Natyrisht se kam përkrahur menjëherë ketë ekspozitë pasi që motivimi humanitar ishte shumë i fuqishëm dhe natyrisht që ne fotografët kemi edhe motivin artistik që ta hapim një ekspozitë më shumë që edhe publiku të vijnë publiku dhe ta shohin punën tonë. Këto dy motive ishin të mjaftueshme për ta ekspozuar punën time në këtë ekspozitë, ani pse unë nuk cilësohem si fotograf i peizazheve por meqë bëj herë pas herë peizazhe të dimrit, unë i hyra arkivit dhe u mundova të gjej katër peizazhe që unë i kam realizuar në Bjeshkët e Bajgores, prej nga unë edhe vij. Në këtë ekspozitë desha të sjellë diçka më personale dhe më intime, sepse janë pjesë që unë i kam vizituar si fëmijë dhe kënaqësitë e para me borë i kam përjetuar pikërisht në atë vend. Shpresoj që ashtu siç jemi bërë ne solidar me dhurimin e këtyre fotografive, të bëhet solidar edhe publiku dhe të blejnë të paktën një fotografi”, tha fotografi Fahredin Spahija.

Fotografi Arben Llapashtica, i cili po ashtu shquhet për stilin e tij të veçantë të fotografive tregoi për KultPlus se nuk do t’i reshtin përpjekjet që edhe më tutje të kontribuojnë në qëllime humanitare dhe në provimin e bukurisë së Kosovës.

“Për mua është hera e parë që marr pjesë në një ekspozitë të tillë dhe njëkohësisht është edhe kënaqësi shumë e madhe që t’i dhuroj fotografitë e mija për qëllime humanitare. Falënderoj Bujarin dhe kolegët e tjerë fotografë me të cilët sollëm një ekspozitë të përbashkët sonte, ndërsa do të mundohemi që edhe më tutje përmes punimeve tonë t’i shërbejmë po këtij qëllimi. Kështu me anë të punimeve tona të kontribuojmë në qëllime humanitare dhe njëkohësish t’i promovojnë edhe pjesët e bukura të Kosovës dhe ta sjellim sa më afër publikut edhe trashëgiminë tonë të pasur kulturore”, tha fotografi Llapashtica.
Ekspozita humanitare “Explore Kosovo”është një ekspozitë një ditore e cila qëndroi për tri orë e hapur në hotelin “Princi i Arbërit” në Prishtinë/ KultPlus.com

Kur Tito vizitoi Kosovën për herë të fundit

Një fotografi nga cikli i fotografive të vjetra të Kosovës, të punuara nga fotografi Arben Llapashtica.
“Fotografitë i kam nxjerr edhe përpunuar nga disa libra, monografi edhe nga gazetat e vjetra. Shumica e fotografive janë nëpër Arkivat e Kosovës”, thotë Llapashtica në albumin e tij në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com