Nata e tretë në RLIOF shpalosi madhështinë e muzikës shqipe, dedikim ndaj ikonës Nexhmije Pagarusha

Era Berisha

Arta Jashari, Zana Abazi, Mirlinda Koci, Klodjan Kaçani, Armand Likaj, Granit Musliu dhe Mennan Bërveniku kanë sjell mbrëmë një natë që gjurmët e saj i ka lënë të pashkoqitura nga kujtesa e gjithsecilit. Me një repertor të mrekullueshëm dhe vepra që erdhën për herë të parë në skenën tonë, nata e tretë në kuadër të “Ramë Lahaj International Opera Festival”, ka krijuar një urë lidhëse mes zërave sa të ndryshëm aq edhe energjik, që me fuqinë dhe vrullin e tyre jo të zakonshëm, kanë mbështjellë këtë natë që vjen dedikim ndaj ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Fillimisht, ajo se çka dallohej qysh në hyrje të këtij koncerti ishte numri tejet i lartë i të pranishmëve të cilët kanë mbushur sallën qosh më qosh. As karriget e shtuara në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare nuk mjaftuan për t’i ulur të gjithë të pranishmit. Ndonëse qëndrimi në këmbë është tejet i lodhshëm, ishte publiku në pjesën e fundit ai që qëndroi nga nisja e këtij koncerti e deri në fund. Ndërkohë, nata e tretë e këtij festivali ka sjellë edhe disa ndryshime të vogla por që patën efektin e tyre. Reflektori në ngjyrë rozë në prapavijë veçse i ka shtuar hijeshi skenës, ndërkohë reflektorët në ngjyrën e portokalltë dhe verdhë që ishin të vendosura anash përgjatë hapësirës, i kanë dhënë një llojllojshmëri të bukur, dukjes në sallë. Në anën tjetër, ishin dritat e ngrohta përballë skenës dhe ato anash që kanë ndriçuar akoma më shumë vendin duke bërë që edhe veshjet e secilit interpretues të duken të mahnitshme.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se kjo natë do ta ketë një repertor të mahnitshëm që publiku do ta shijojë.

“Jemi me të vërtetë të lumtur që sot e nderojmë një këngëtare e cila përfaqëson jo vetëm artin e të kënduarit por artin e magjisë së zërit të saj dhe gjithçkaje që ajo përfaqëson. Jemi të kënaqur që në këtë mbrëmje përveç të gjithave, festojmë sot edhe përvjetorin e kompozitorit Çesk Zadeja. Për nder të tij, për herë të parë në skenën tonë do të kemi prezantimin e një mori veprash që interpretohen nga artistët tanë të mrekullueshëm, zëra që përfaqësojnë denjësisht vendin tonë. Do të shijoni një larmi shumë të madhe të veprave që i përkasin këtij repertori shqiptar”, thotë ajo.

Të pranishmit dukshëm ishin të entuziazmuar për programin e veçantë që kishin mundësi ta shikonin ende pa nisur koncerti. Ndërkohë, para se melodia e parë të jehonte nëpër zemrën e secilit, ishte skena ajo që mori vëmendjen e plotë. E mbushur me mikrofona të ndryshme e të nevojshme për audion perfekte dhe pianon bardh e zi të vendosur sipër, skenës tash i mungonin vetëm artistët shqiptarë dhe zërat e tyre buçues dhe diversiv.

Ishin 17 vepra që absolutisht kanë përthekuar këtë natë me magjinë që sollën nga momenti në moment. “Eja vashë”, “Romancë”, “N’mes dashurive”, “O ju male t’nalta”, “Mori e bukura e mërhitur”, “Kjo shtëpi me ballë në erë”, “Te kroni”, “Ndalu që të flasim”, “Doli dielli doli hana”, “Dy kupa”, “Aria e Kalorit”, “Oh ky tregim…”, “Zemër e dashur”, “Djaloshare”, “Mall”, “Fjalët e qiririt” “Aria e Plakut flokëbardhë”, erdhën njëra pas tjetrës dhe me to së bashku u shfaq edhe diversiteti i mahnitshëm i zërave të artistëve, intensiteti i së cilave ka dalë edhe jashtë katër mureve.

Sopranoja Arta Jashari, sopranoja Zana Abazi, sopranoja Mirlinda Koci, tenori Klodjan Kaçani, baritoni Armand Likaj, tenori Granit Musliu si dhe pianisti Mennan Bërveniku kanë ndezur flakë skenën me interpretimin e tyre të një repertori krejtësisht të mbushur me vepra shqiptare. Veprat e kompozitorëve si: Lola Gjoka, Çesk Zadeja, Prenk Jakova, Zef Çoba, Avni Mula, Endri Sina, Rauf Dhomi, Tonin Harapi, Pirro Çako e Limoz Dizdari, kanë ardhur në një mënyrë që as s’do përshkrim. Mjaftonte të dëgjoje ritmin në publik që herë pas here i bashkëngjitej tekstit të secilës këngë, për të kuptuar se ky koncert ka përçuar emocione të jashtëzakonshme.

Herë në dyshe e herë në solo, mbrëmja kulmoi me kryevepra të njëpasnjëshme. Dukja mbresëlënëse e tri sopranove si dhe prezenca skenike që dy tenorët, baritoni dhe pianisti posedonin, kanë bërë që çdo tingull e çdo melodi të bëhej dyfish edhe më e bukur e të ndjehej akoma edhe më shumë. Lëvizjet e duarve të tyre, lëvizjet e kokës në kahje të ndryshme në një gërshetim të pakrahasueshëm me vijën melodike që pianisti e sillte vazhdimisht në një mënyrë të pashoq, ka dëshmuar se skena kulturore në Kosovë ka një dashuri e pasion të paepur për mbrëmje të mirëfillta klasike.

Edicioni i dytë i këtij festivali dukshëm ka sjellë surpriza unike kësaj here, dhe mbrëmja e ditës së djeshme qe e tillë. Interaktiviteti mes artistëve, zërat gërshetues të tyre dhe shikimet e ëmbla që pasonin në skenë, ishin vetëm disa nga copëzat magjepsëse që këtë natë e bënë aq të afërt e aq të ngrohtë për audiencën. Dëshmi për këtë ishin edhe duartrokitjet e shumta e të zgjatura pas secilës këngë, e herë edhe ato që lëshoheshin pak para se kënga të gjente fundin e saj.

Krejt në fund, ishte tenori Ramë Lahaj që njëkohësisht është themeluesi i festivalit ‘RLIOF”, si dhe sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi, ata të cilët iu bashkëngjiten skenës për të lënë gjurmën e fundit për këtë natë. Vepra “Lule Borë” nga gjithsej tetë artistë ngriti publikun në këmbë për një përmbyllje sa të lezetshme aq edhe të fuqishme. Fishkëllimat e zgjatura në shoqërimin e duartrokitjeve nga ana e publikut, ishin ato që dëgjoheshin më së shumti e kjo veçse solli edhe buzëqeshjet e artistëve në skenë, si një sinjal që puna e tyre e palodhshme do të mbetet gjithmonë e vlerësuar dhe do të mbahet mend përherë.

Baritoni Armand Likaj për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.

“Duke dashur dhe duke vlerësuar këtë festival operistik, për mua ishte një mbrëmje dhe eksperiencë shumë e bukur. Duke parë investimin që është bërë, duke parë angazhimet e një stafi fantastik, realisht më jep këtë përgjegjësi për të realizuar një koncert të tillë që besoj se treguesi më i mirë për këtë ishin duartrokitjet e publikut. Jam ndjerë gjithmonë mirë kur është përmendur emri i Nexhmije Pagarushës dhe unë kam pasur fatin dhe e them me krenari që e kam njohur edhe nga afër. E mbaj mend që diku duhet ta kem të regjistruar nga Akademia e Shkencave të një koncerti, përqafimin e saj që të ngroh”, shpalos Likaj.

Sipas tij, ai sa më shumë po rritet profesionalisht, po kupton vlerën e mirëfilltë të artit tonë dhe muzikës së artistëve shqiptarë.

“Unë mbrëmjen e hapa me një baladë të të madhit, profesorit tim Zef Çoba, pastaj kur interpretova pjesën e dytë ishte romanca aq e bukur, aria “Dasma arbëreshe” e po një emrit të madh siç është Rauf Dhomi, pastaj edhe dueti aq i dashur i Prenk Jakovës me sopranon Arta Jashari, dhe krejt në fund ishte vepra pak e dhimbshme por kështu ishte ideja e organizimit. Prania e shumë artistëve që sot përfaqësojnë Kosovën kudo në botë është e bukur dhe pa diskutim që ishim të nderuar gjithsecili nga ky publik e sidomos nga ata që qëndruan në këmbë për një kohë të gjatë dhe për këtë mendoj që duhet një vullnet i lartë e një dashuri që ky popull e ka dhe prandaj ky popull meriton shumë”, përfundon ai.

Po ashtu, tenori Granit Musliu tregoi rreth ndërveprimit me artistët e tjerë në këtë mbrëmje.

“Ka qenë një mbrëmje fantastike dhe të gjithë artistët jemi ndjerë shumë mirë. Është gjithmonë kënaqësi e madhe për të kënduar para një publiku shumë të ngrohtë kosovar dhe jemi shumë të lumtur që ky festival gjendet në Kosovë dhe fton artistë nga Kosova që të kthehen e të këndojnë për publikun e Kosovës në skenën kosovare. Me të gjithë artistët njihem personalisht dhe jam shumë i lumtur që të ndaj skenën me ta. Mbrëmja u bë edhe më e mirë sidomos kur kemi kënduar këngën e fundit por kryesisht veprat kanë qenë të kompozitorëve shqiptarë dhe natyrisht që është kënaqësi që të këndoj në gjuhën time. Zërat kosovarë dhe shqiptarë gjithmonë më kanë lënë përshtypje dhe e di që Kosova dhe Shqipëria ka zëra shumë të bukura e njëlloj vlen edhe për muzikantët. Fatkeqësisht kushtet nuk janë ideale mirëpo për mua kjo mbrëmje ishte një veçanti e madhe e sidomos duke pasur parasysh repertorin e mahnitshëm” , ka thënë ai.

Gjithashtu, sopranoja Mirlinda Koci ka thënë se është ndjerë e lumtur që ka kënduar në këtë natë dedikuar ndaj Nexhmije Pagarushës.

“Kjo mbrëmje ishte një ndjenjë shumë e veçantë. Jam shumë e lumtur që këndova sonte në natën e Nexhmije Pagarushës e sidomos edhe kur këndova vepra shqipe. U gëzova shumë për faktin që performova në mesin e artistëve shqiptarë të njohur. Pjesa ime e parë ka qenë që mua më ka fjet në zemër qysh prej kur kam filluar ta studiojë por gjithashtu edhe vepra “Fjalët e qiririt” që e këndoj kolegu Klodjan ishte shumë e veçantë. Sonte më ka lënë përshtypje publiku që ka qenë një numër i madh dhe kur dola për herë të parë në skenë, jam befasuar shumë dhe jam ndjerë shumë mirë që muzika klasike ndiqet dhe nga publiku”, thotë Koci.

Ndërsa, sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi ka thënë për KultPlus se mbrëmje ishte një mrekulli më vete.

“Koncerti sonte ishte shumë i mirë. Ishte e mrekullueshme të shohësh shoqërinë tënde duke performuar në skenë e sidomos në pjesë shqiptare, kështu që jam ndjerë shumë bukur. Të gjitha veprat e interpretuara ishin shumë të mira dhe mua personalisht më pëlqeu shumë interpretimi i Zanës, i Mirlindës e natyrisht edhe i Artës. Ishte me të vërtetë një mrekulli dhe besoj që s’ka nder më të madh sesa kjo ndaj Nexhmijes. Vetë fakti që unë vij shumë rrallë në Kosovë, me i taku krejt përnjëherë është një përshtypje shumë e mirë”, ka thënë Kajtazi.

“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 2 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e katërt e këtij festivali vjen më datë 28 korrik nën emërtimin “New Generation” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Granit Musliu realizon ëndrrën e tij, performon së bashku me Placido Domingon

Tenori i dëshmuar në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, Granit Musliu së fundmi ka ndarë skenën me Placido Doningon, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”. 

Postimi i plotë:

Së bashku në skenë për aktin e dytë të operës La Traviata me Maestron Placido Domingo, në Bayerische Staatsoper!

Gjatë viteve kam ëndrruar të shoh dhe ndëgjoj për së afërmi Maestron, por të jemi në një skenë së bashku, ka qenë vetem një ëndërr! Ndjehem shumë i lumtur të kem pasur këtë nder! /KultPlus.com

Granit Musliu nën rolin e Arturos në Operën “Lucia Di Lammermoor” përkrah yjeve botërore

Tenori i dëshmuar në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, Granit Musliu së fundmi do të këndoj nën rolin e Arturos në Operën “Lucia Di Lammermoor” të kompozitorit Gaetano Donizetti, shkruan KultPlus.

Tenori Musliu do të interpretoj përkrah yjeve botërore si: Nadine Sierra dhe Juan Diego Florez.

Ai po ashtu njoftoi se përgatitjet muzikore dhe skenike janë duke shkuar shumë mirë dhe se mezi po pret që të performojë këtë operë fantastike.

Datat e shfaqjeve janë si vijojnë : 12,16,19 dhe 24 mars. / KultPlus.com

Tenori Granit Musliu i bashkohet kastit të “Ariadne auf Naxos”, këndon në operën e Strauss

Së funmdi, Granit Musliu, tashmë një tenor i dëshmuar në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, i bashkohet kastit të “Ariadne auf Naxos” në Bayerische Staatsoper, përcjell KultPlus.

Tenori Musliu u bë pjesë e Shtëpisë Operistike të Bayern-it, ku ai u përzgjodh nga 800 aplikantë nga e gjithë bota.

Tani ai këndon Ein Offizier në operën e Strauss. / KultPlus.com

Granit Musliu pjesë e Shtëpisë Operistike të Bayern-it, përzgjedhet nga 800 aplikantë nga e gjithë bota

Xhemile Hysenaj

Granit Musliu, tashmë një tenor i dëshmuar në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, ishte vetëm 8 vjeç kur filloi të lidhej ngushtë me muzikën, duke mos iu ndarë kurrë më. Nga një vend i vogël si Kosova, Musliu arriti të jetësojë artin e tij në disa nga skenat më prestigjioze në Evropë, shkruan KultPlus.

Ndër sukseset e fundit të Musliut, është edhe pranimi i tij në Shtëpinë Operistike të Bayern-it, ku pas një audicioni të mbajtur në fillim të këtij viti, Musliu arriti të pranohej prej gjithsej 800 aplikantëve nga e gjithë bota. Në një intervistë për KultPlus, tenori nga Kosova ka treguar më detajisht rreth pranimit të tij në këtë Shtëpi prestigjioze Operistike.

”Lajmi më është bërë i ditur nga stafi i Shtëpisë Operistike të Bayern-it, ku pas një audicioni të mbajtur në fillim ttë këtij viti, më është thëse se nga mbi 800 aplikacione nga e gjithë botë, jam pranuar unë të jem pjesë e Studios Operistike të Bayern-it, për sezonin 2021/22”, ka treguar Musliu për KultPlus.

Talentin, të cilin nuk ka dyshim se Musliu e ka nga të rritur me muzikën popullore, e cila sipas tij ngërthen vlera tejet të larta muzikore, ai thekson se edhe puna individuale dhe ajo e profesorëve të tij si Caroline Merz dhe Geert Smits, kanë bërë që arti i tij të zë vend edhe në skenën prestigjizoe si ajo e Bayern-it të Gjermanisë.

”Seclia performancë e ka të veçantën e vet dhe jam shumë i lumtur që kam pasur mundëësinë e deportimit nga vendi ynë në skenën evropiane, duke dhënë koncerte të ndryshme dhe duke qenë pjesë e projekteve të ndryshme operistike në disa shtete të Evropës me kulturë të lartë të muzikës klasike”, shprehet tutje Musliu për KultPlus.

Siç tashmë dihet, kushtet për të performuar në Kosovë nuk është se kanë qenë gjithmonë ideale, mirëpo, tenori Musliu thekson për KultPlus se ndjehet i lumtur që dy vitet e fundit në Kosovë janë ndërmarrë hapa konkret drejt krijimit të hapësirave të përshtatshme për artistët e muzikës klasike. Ndër të tjera, ai shprehet se të performoj në Kosovë për të është gjithmonë një ndjenjë e veçantë dhe se ai po ashtu ndjehet gjithmonë falenderues ndaj publikut të Kosovës për mbështetjen e ngrohtë që pranon nga ai.

Granit Musliu vjen nga Mitrovica aty ku edhe përfundoi shkollën fillore dhe të mesmen, ndërsa ka studiuar solo-këndim në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Musliu gjithashtu është anëtar i rregullt i Filarmonisë së Kosovës që nga viti 2016.

”Të jetoj në një vend të huaj dhe të bësh karrierë aty është gjithmonë një sfidë në vete, por me punë të madhe dhe një vullnet edhe më të madh, krijohen mundësi dhe sigurisht se vlerësohet kualiteti që secili artist mund ta sjellë”, thekson tenori për KultPlus.

Musliu për fund ka një mesazh për të gjithë ata që si rrugëtim jetësor kanë zgjedhur muzikën klasike. Ai bën thirrje që të gjithë ata që dëshirojnë ta ndjekin këtë rrugë në të cilën tashmë shumë artistë kosovarë po korrin sukseseet e tyre edhe në nivele botërore, është, siç thekson tutje Musliu, të jemi të motivuar para çdo sfide dhe vështirësie duke punuar drejt qëllimit të vënë. / KultPlus.com

Tenori Granit Musliu pjesë e Operës Shtetërore të Bavarisë: Momenti më kulminant në karrierën time

Suada Qorraj

Meloditë e këngëve popullore shqiptare e kishin shoqëruar atë çdo herë, që nga fëmijëria ato ishin pjesë e jetës e përditshmërisë së tij. Pikërisht këtu kishte marrë rrugën edhe pasionin i tij i madh për muzikën. Zëri i tij ka kumbuar që nga skenat vendore e deri tek ato ndërkombëtare, kurse së fundmi tenori, Granit Msuliu, ka nënshkruar marrëveshje me Operën Shtetërore të Bavarisë “Bayerische Staatsoper”, shkruan KultPlus.

Tenori Musliu, do të jetë pjesë e programit të rregullt të kësaj shtëpie operistike, kurse në një intervistë për KultPlus ai ka shpalosur më shumë detaje rreth këtij suksesi.

Ai ka theksuar se pranimi në Operën Shtetërore të Bavarisë është një ndër hapat më të rëndësishëm të karrierës së tij, sepse ai do të ketë mundësinë të performojë krah për krah me artistët e mëdhenj të botës.

“Pranimi në Operën Shtetërore të Bavarisë për mua personalisht ka është një hap shumë i madh dhe i rëndësishëm për fillimin e një karriere internacionale, themelet e së cilës do ta kem rastin t’i ndërtoj gjatë kësaj periudhe, duke qenë pjesë e shfaqjeve të ndryshme bashkë me artistë të mëdhenjë të botës së operës siç janë Placido Domingo, Ermonela Jaho, Leo Nuccin dhe shumë artistë të tjerë”, tha tenori për KultPlus.

Tutje ai ka shtuar se një nga momentet më të paharrueshme për të është edhe ai kur ishte pranuar në programin e artistëve të rinjë të kësaj shtëpie operistike, pas dy audicioneve që i kishte bërë në Munich.

“Pas dy raundeve të audicioneve në Munich jam njoftuar se jam përzgjedhur të jem pjesë e programit të artistëve të rinjë dhe natyrisht ky ka qenë një moment i paharrueshëm për mua. Atë moment e kam ndjerë si një fitore ndaj të gjitha barrierave dhe sfidave që ka një student nga Kosova”, tha ai.

Musliu ka rrëfyer për vështirësitë që ka hasur gjatë rrugëtimit të tij, duke theksuar se një nga më të mëdhatë është edhe përgatitja profesionale.

“Pasi që tashmë afër dy vite vazhdoj studimet në Hamburg të Gjermanisë, mund të them se sfidë e vetme ka qenë përgatitja e madhe profesionale e cila është kriter për nvelet e larta që kjo shtëpi operistike ka, e për të cilat kam punuar me profesorin Geert Smits dhe Caroline Merz”, potencoi për KultPlus, Musliu.

Tenori kosovar, Granit Musliu, i cili do të jetë pjesë e Operës Shtetërore të Bavarisë “Bayerische Staatsoper”, për dy vitet e ardhshme, tregoj se tashmë është duke punuar për rolet më të cilat do të debutoj gjatë sezonit të ardhshëm.

“Tashmë jam duke punuar për rolet të cilat do t’i debutoj gjatë sezonit të ardhshëm i cili fillon në shtator dhe në ndërkohë jam në përgatitje për koncerte dhe prezentime të ndryshme të cilat do të mbahen në Francë, Gjermani dhe vende të tjera”, pohoi tenori.

Musliu tha se pranimi në këtë shtëpi operistike është ndër momentet që do ta veçonte më së shumti, ngase është më kulminanti për karrierën e tij.

“Besoj se do ta veçoja këtë si momenti më kulminant për karrierën time e cila është mjaft e re, por dëshiroj të cek një moment tjetër i cili është po ashtu me rëndësi të madhe për mua si artist, dhe ai do të ishte para dy viteve kur kam pasur koncert solistik në Prishtinë dhe në publik ishin prezent prindërit dhe një pjesë e madhe e familjes time”, përfundoi intervistën tenori./ KultPlus.com

Sonte në festivalin ‘ReMusica’ mbahet koncerti tematik ‘Skena e Re’, prezantohen artistët e talentuar nga Kosova

Sonte në kuadër të edicionit të 19-të special të festivalit “ReMusica” do të mbahet koncerti tematik ‘Skena e Re’, përmes të cilit prezantohen artistët e talentuar nga Kosova, shkruan KultPlus.

Ky segment i Festivalit, i cili është pjesë e ReMusica-s ndër vite dhe dikur i njohur si Podium i Hapur, i dedikohet artistëve, kompozitorëve dhe instrumentistëve të rinj vendas. Në të, hapat e parë si krijues i kanë bërë e tërë plejada e re e artistëve të talentuar kosovarë, në radhë të parë kompozitorët e rinj.

Kësaj rradhe ReMusica i krijon hapësirë një ansambli të udhëhequr nga violonçelisti Arian Zherka, i përbërë nga violonçelistja Poema Dylhasi, pianisti Bimi Milla dhe flautistja Jeta Gërqari. Përderisa në pjesën tjetër do të paraqiten pianistja Erita Qafleshi, kitaristja Tringa Sadiku, tenori Granit Musliu, të cilët në vitet e fundit kanë tërhjekë vëmendjen me paraqitjet e tyre si solistë.

Programi i Skenës së Re si karakteristikë sivjet ka përfshirjen e veprave të kompozitorëve vendas, ku në mes tjerash në program është vepra premiere, porosi e Festivalit ReMusica, e kompozitorit të ri të ri nga Kosova Lum Halabaku. / KultPlus.com

Tenori Granit Musliu me dy role kryesore në shfaqjen e Universitetit të Muzikës në Hamburg

Jeta Zymberi

Artistë të ndryshëm, si tenorë, soprano e muzikantë shqiptarë, shkëlqimin më të madh e kanë arritur jashtë vendlindjes. Në mungesë të Teatrit të Operës, Kosova duket sikur nuk iu ka ofruar mundësitë për shkëlqim, por megjithatë i ka bërë gati profesionalisht.

Tenori Granit Musliu, po vazhdon studimet në Universitetin Shtetëror të Muzikës në Hamburg ku po konsiderohet si një ndër studentët më të mirë në këtë Universitet. Musliu ishte edhe pjesëmarrës në garën e “Mozart Preis”, ku edhe ka zënë vendin e dytë. Ky çmim vetëm sa i dha mundësi të shfaqë profesionalizmin e tij në një garë ku u vlerësuan nga profesorët e Universitetit, përfaqësues nga Shtëpia Shtetërore e Operës së Hamburgut si dhe profesionistë të tjerë të kësaj fushe, shkruan KultPlus.

Kjo garë, ishte ballafaqimi i parë i tenorit kosovar para një jurie gjermane me eksperiencë të madhe dhe profesionin e këndimit operistik.

“Ka qenë me të vërtetë një ndjenjë e veçantë të vlerësohem me atë çmim, ku në konkurrencë kishte shumë student të cilët ishin duke përfunduar studimet master. Unë fillimisht morra pjesë në këtë garë për të krijuar eksperiencë, por kur u vlerësova me çmimin e dytë, isha me të vërtet shumë i lumtur”, ka thënë Musliu në një intervistë për KultPlus.

Pjesëmarrja në “Mozart Preis” përveç që i dha mundësi të dëgjohet nga profesionistë e të marrë vlerësimet e merituara, gjithashtu i hapi dyert për koncerte e evente kulturore.

Një shfaqje këto ditë do të vijë nga Universiteti i Muzikës në Hamburg. Bëhet fjalë për  operën ‘Le Nozze di Figaro’ të Mozart, pjesë e secilës është edhe tenori kosovar.

Opera “Le nozze di Figaro” është një nga operat që e gjen pothuajse gjatë tërë kohës në programin e çdo teatri operistik në botë. E kompozuar nga kompozitori Wolfgang Amadeus Mozart në vitin 1786, me libreto nga Lorenzo Da Ponte, kjo operë përbëhet prej 4 akteve. Ngjarja ka të bëjë me martesën e Susannes dhe Figaros të cilët ju rezistojnë komploteve të ndryshme të përgatitura nga Konti, i cili provon ta josh Susanenn dhe në anën tjetër t’i mësoj Figaros një mësim besnikërie.

Në këtë shfaqje, Granit Musliu do të këndoj dy role kryesore të tenorit të cilat i shpalos me pak fjalë për lexuesit e KultPlus.

“Basilio në këtë operë është mësuesi i muzikës kurse Don Kurzio është gjykatësi, i cili në aktin e tretë ka hyrjen e parë në skenë, ku edhe gjykon Figaron për premtimin e dhënë për ta martuar Marcelinen.”

Situata e krijuar nga Covid-19 ka bërë që edhe kjo shfaqje të vijë për publikun në formën LiveStream në YouTube dhe Facebook, por kjo aspak nuk i zbeh emocionet që përjetohen në premierë.

“Provat për shfaqjen kanë filluar më datë 26 Qershor dhe gjithçka po shkon me të vërtet mirë. Shpresojmë shumë që edhe premiera të shkojë ashtu siç jemi përgatitur, duke pasur parasysh gjithmonë emocionet që ka nata e parë e prezantimit të një pune të madhe.”

Ky konsiderohet të jetë një hap i rëndësishëm për fillimin e karrierës së Granitit në Gjermani.

“Ndjehem shumë i lumtur të jem i përzgjedhur nga dirigjenti gjerman Ulrich Windfuhr dhe poashtu më bën të ndjehem mirë që kritikat nga Windfuhr janë shumë të mira. Pas këtij bashkëpunimi, dirigjenti Windfuhr më ka përzgjedhur të jem edhe në projektet e ardhshme operistike, të cilat i ka në planë për sezonin 2020/21.”

Granit Musliu vjen nga Mitrovica aty ku edhe përfundoi shkollën fillore dhe të mesmen, ndërsa ka studiuar solo-këndim në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Musliu gjithashtu është anëtar i rregullt i Filarmonisë së Kosovës që nga viti 2016, por fokusi i tij për momentin është në ndërtimin e karrierës në Gjermani, por shprehet se gjithmonë do të jetë i gatshëm për projektet në Kosovë.

“Filharmonia e Kosovës është shtëpia ku jam rritë dhe jam edukuar në aspektin muzikor. Për mua gjithçka ka filluar me anëtarësimin tim në Filharmoni, e ku gjithmonë kam përfituar shumë nga përvojat dhe këshillat e profesorëve siç janë Rafet Rudi dhe Baki Jashari, të cilëve gjithmonë ju jam falënderues për mbështetjen e vazhdueshme. Për momentin fokusi im është në Hamburg, ku edhe studioj, por natyrisht që sa herë të krijohet mundësia do të këndoj në Kosovë.”

Situata e krijuar nga Covid-19 ka stopuar shumë koncerte, festivale e pothuajse çdo aktivitet kulturor, por megjithatë janë gjetur rrugët nëpër të cilat artistët kanë depërtuar te publiku edhe gjatë kësaj kohe. Granitit kjo kohë i ka shërbyer për të përgatitur pjesë të ndryshme muzikore të cilat janë projekte për të ardhmen.

“Fatkeqësisht nga pandemia Covid-19 artistët kanë qenë të prekur negativisht. Në gjithë botën janë ndaluar koncertet e planifikuara dhe për fatin e keq gjithçka është ende e paqartë, se në çfarë forme do të kthehet jeta artistike siç ka qenë më parë. Megjithatë ne kemi punuar për projektet e ardhshme.”

Duket sikur karrierë e Granitit në Gjermani po ecën me këmbë të mbarë, shumë mund ta konsiderojnë fat, por sukseset vijnë edhe falë punës dhe përkushtimit.

“Unë ndjehem me fat të kem mundësinë të studioj në një Universitet shumë të mirë dhe të punoj në profesionin i cili më përmbushë. Natyrisht se si student të gjithë kemi qëllime të mëdha dhe për mua fillimi i karrierës në Gjermani ka qenë njëri prej tyre. Me vullnet dhe punë kam arritur të realizoj disa nga qëllimet e mia, gjithmonë falë ndihmës së profesorëve si: Zana Abazi, Caroline Merz, Ahmet Derguti dhe tashmë profesori aktual Geert Smits.

Tenori Musliu tashmë në agjendën e tij artistike ka të planifikuara edhe koncerte të tjera të cilat pritet të mbahen në muajin tetor, gjithmonë duke shpresuar që gjithçka të ecën mbarë dhe situata e krijuar nga Covi-19 të shkojë drejtë përmirësimit. / KultPlus.com

Granit Musliu nga Kosova do të performojë në festivalin operistik në Francë

Granit Musliu, 20 vjeçari nga Kosova, do të këndojë gjatë netëve muzikore Lyrical Evenings në Sanxay të Francës.

Pasionanti i muzikës folklorike kosovare, Musliu krahas studimit të muzikës klasike shpesh poston edhe video në Youtube.

Ai do të jetë njëri prej solistëve në operën “Tosca”, të Puçinit.

Me datë 13 gusht, kosovari do të ngjitet në skenë krahas artistëve të tjerë, njëjtë edhe në reprizat

“Jam i nderuar që do të këndoj në operë. Në Kosovë nuk kemi një sallë operistike dhe unë deri tash nuk kam luajtur krahas një orkestre filharmonike” tregon Musliu derisa përgatitet për rolin e tij.

Drejtori artistik i festivalit në fjalë, Christophe Blugeon, ka shpresa se Graniti do të bëhet një ditë një emër i madh i operës, e për këtë edhe i është dhënë rasti të performojë në këtë skenë. / KultPlus.com