Presidentja Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës priti në takim përfaqësues të organizatës “Handikos”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim përfaqësues të organizatës “Handikos”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.

Presidentja shprehu mbështetjen ndaj përdoruesve të karrocës dhe tha se institucionet e Kosovës kanë gatishmëri t`i mbështesin ata jo vetëm në ditë të shënuara, por gjatë tërë vitit.

Në shenjë solidarizimi në Ditën Ndërkombëtare të Përdorimit të Karrocave, Presidentja Osmani është ulur në karrocë duke përcjell mesazhin për gjithëpërfshirje të përdoruesve, përmirësim të qasjes si një e drejtë themelore njerëzore si dhe eliminim të pengesave.

“Krijimi i mundësive për lëvizje të lirë për ju është obligim i yni. Gjithnjë është e mundshme të bëjmë më shumë për këta persona. Kemi mbështetur vazhdimisht aktivitetet e organizatës “Handikos”, por edhe të fëmijëve e grave me nevoja të veçanta. Jemi në çdo ditë të vitit me ju dhe për mundësi të barabarta për të gjithë ”, ka theksuar Presidentja Osmani. / KultPlus.com

Viti 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar rezolutën e propozuar nga deputeti Fetah Rudi, që viti 2022 të shpallet vit i personave me aftësi të kufizuara, shkruan KultPlus.

Drejtori i Handikosit, Afrim Maliqi, është shprehur shumë i lumtur për një gjë të tillë, ku edhe ka falënderuar Kuvendin e Kosovës që miratoi një rezolutë të tillë.

Me shpalljen e vitit 2022, Ministritë, Organizatat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe shoqëria në përgjthësi synojnë të mobilizojnë resurset e tyre për të trasuar rrugën për një Kosovë pa pengesa dhe për të fuqizuar personat me aftësi të kufizuara, në mënyrë që ata të mund të gëzojnë të drejta të barabarta dhe të marrin pjesë plotësisht në të gjitha sferat e shoqërisë.

“Objektiv kryesor gjatë vitit të ardhshëm pa dyshim do të jetë që Kosova të përparojë drejt garantimit të të drejtave për të gjithë personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, pavarësisht gjinisë, origjinës racore ose etnike, fesë ose besimit, moshës apo orientimit seksual”, shkruan Maliqi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Motoja e kësaj rezolute është ‘’Mundësi të barabarta për të gjithë!’’ dhe misioni i saj pritet të vazhdojë tutje.

HandiKOS përfaqëson dhe përkrahë personat me aftësi të kufizuar përmes avokimit dhe lobimit. /KultPlus.com

No photo description available.

Handikos dhuron 12 tabletë për fëmijë me aftësi të kufizuara

Në kuadër të projektit “Promovimi i parandalimit të dhunës në të gjitha mjediset ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë”, Handikos ka bërë shpërndarjen e tabletëve për 12 fëmijë me aftësi të kufizuara, në katër komuna të Kosovës, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook të bërë nga ana e Handikos tregohet se anëtarët e grupit avokues “Hëna”, të qyteteve të Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt dhe Gjakovës do ta kenë më të lehtë pjesëmarrjen e tyre në aktivitete apo takime virtuale.

Grupi Avokues i fëmijëve “Hëna” është një grup formal i cili është themeluar në vitin 2017 dhe ka mision garantimin e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë. /KultPlus.com

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=3350613091686958&id=362362497178714

Park lodrash i qasshëm për fëmijë me aftësi të kufizuara!

Në HANDIKOS fëmijët me aftësi të kufizuara tashmë kanë mundësi që aktivitetet e tyre rekreative t’i realizojnë edhe në parkun e lodrave në oborrin e HANDIKOS. Parku është i qasshëm për fëmijë me aftësi të kufizuara pa dallime.

Kjo është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në partneritet me Save the Children përmes projektit ‘Ngritja e mirëqenies sociale për fëmijë me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre’ si dhe nga Fondacioni LDS Charities./KultPlus.com