“Më lër brenda, më lër jashtë” shfaq këmbëngulësinë e njerëzve përballë sfidave të pakapërcyeshme për të ndjekur pasionet e tyre

Uranik Emini

Ne nuk duhet të lejojmë që një pjesë e ekzistencës sonë të jetë përcaktues i vetëm i asaj se kush në të vërtetë ne jemi. Identiteti nuk përcaktohet nga një aftësi e kufizuar. Në ekspozitën “MË LËR BRENDA, MË LËR JASHTË’, shihen njerëz të cilët kanë kapërcyer çdo vështirësi në jetën e tyre, duke filluar nga përballja me veten. Çdo individ duhet të përpiqet të kapërcejë vështirësitë pa i lënë ato t’ia përcaktojnë rrugëtimin përpara. E në këtë ekspozitë shfaqet këmbëngulësia e njerëzve përballë sfidave të pakapërcyeshme për të ndjekur pasionet e tyre, shkruan KultPlus.

Mbrëmë në katin e tretë të Hotelit “Grand”, është hapur ekspozita e Arbër Selmanit, “Më lër brenda, më lër jashtë”, ku sjellë në vëmendje njerëz që guxojnë dhe tejkalojnë sfidat dhe pengesat që vijnë në rrugën e jetës. Imazhe të forta tregojnë për një realitet goditës: dikush që noton, një tjetër punon në radio, pak më larg edhe dokumente që konfirmojnë një sëmundje, një gjendje.

Të gjithë kanë një pasion ose një ëndërr. Imagjinoni të keni një ëndërr që dëshironi ta realizoni dhe të dini se, për ta bërë këtë, do t’ju duhet të bëni më shumë përpjekje se shumica e njerëzve. Shpesh herë ai “hapi i parë”, konsiderohet të jetë si pjesa më e vështirë për t’u tejkaluar, por njerëzit në këtë ekspozitë kanë bërë me mijëra kilometra për të arritur këtu ku janë, pa u ndalur përballë vështirësive.

Në një fjalë përshëndetëse dhe falënderuese, Arbër Selmani, falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët që e bënë të mundur realizimin e kësaj ekspozite.

“Në ekspozitë janë tetë njerëz, të cilët dua t’i përmendi një nga një, duke filluar nga Medina Surdulli, Mentor Mripa, Shoqata “Autizmi” për fëmijët me autizëm, Eloida nga Ferizaj dhe Genci, e në pjesën tjetër është edhe Fjolla, e cila shkruan poezi dhe pjesa tjetër, ku është motra ime Arbenita Selmani. Në fund është edhe Elvana. Unë e di që ju keni ardhë me e pa ekspozitën e me e përjetu. Edhe rafti edhe shtrati. Unë e di që munden me u bo ma shumë ekspozita, e besoj që duhen me u bo ma shumë ekspozita. Ky ka qenë një tentim i vogël i yni që të bëjmë diçka”, thotë ai.

Tutje, Selmani shton edhe pjesën shpjeguese të ekspozitës, e gjithashtu pohon se po punon në këtë ekspozitë për një kohë të gjatë.

“Ka kohë që punoj në këtë ekspozitë, në të cilën janë 8 pjesëmarrës të cilët janë në dhoma të ndryshme. Shtrati është ajo pamja e parë që ju godet dhe se si këta njerëz janë të futun në shtrat, sepse janë të palëvizshëm”.

Më pas, kuratorja Arlinda Hajrullahu, tha se në fillim e kishte të vështirë ta pranonte ftesën pasi po punonte me persona që nuk janë artistë.

“Kjo është hera e parë që u sfidova me një ekspozitë të këtij lloji. Për herë të parë po punoja me persona që nuk janë artistë, por menjëherë e mora vetën dhe e pashë se jeta e këtyre personave është shumë më e fuqishme, me shumë më shumë dramë, ma shumë vuajtje, dashuri e urrejtje sesa çdo vepër artistike që krijohet nga artistët”.

Njëra ndër pjesëmarreset në këtë ekspozitë, Elvana Shala, tha për KultPlus se jetesa në Kosovë është shumë e vështirë edhe si një njeri normal, por në fund ajo ia ka dalur që të ketë shumë suksese.

“Në fakt e gjithë kjo ekspozitë ka marrë një dimension shumë më të bukur sesa e kam pritur. Nuk është e lehtë të jetosh në Kosovë në kushte tërësisht normale, e lërë më të kesh sfida të ndryshme shëndetësore të cilat i kam pasur unë. Por sot kur i shoh ato dy fotografi edhe objekte të cilat i kam sjell, e kuptoj një rrugëtim të vështirë, por shumë të bukur të asaj pjese të jetës”.

Objekte dhe fotografia nga e kaluara si forcë për të ardhmën

“Është setra që e kam veshur për herë të parë në përfaqësimin e Kosovës në OKB, ishte hera e parë që Kosova prezantohej si shtet në cilësinë e ambasadores e vullnetit të mirë për Kosovën, ishte hera e parë që Kosova ka një ambasadore me një aftësi të veçantë, dhe kjo ndoshta ka thyer çdo paragjykim e tabu që edhe personat me aftësi të veçanta dijnë dhe mund të ia dalin të jenë liderë e përfaqësues të shtetit. Kjo është arsyeja pse e kam zgjedhur atë setër, pasi ishte një rrugëtim drejt ëndrrës së madhe amerikane për Kosovën. E dyta ka të bëjë me fustanin që e kam veshur në fustanin e maturës, në rrethana tërësisht të vështira e të rënda në jetën time. Por mora forcën dhe tani është një mbrëmjë që do ta mbaj në mend gjatë gjithë jetës. E kam pranuar ftesën që të jem forcë e guxim për pjesën tjetër të personave që nuk janë shumë të dukshëm në opinionin publik”, përfundon Shala.

Edhe pjesëmarrësi tjetër, Mentor Mripa, u shpreh i lumtur që mori pjesë në këtë ekspozitë, derisa tregoi se në mikrofon, ndjehet më së liri ndonjëherë.

“Arbërin e njoh më herët, posaqërisht babai im më ka njoftuar me të. Një ditë pasoi edhe një telefonatë nga ai, e unë po prisja që ai të vijë në emisionin tim, por realisht më ftoi në këtë ekspozitë, e cila më pëlqeu shumë dhe shpresoj që t’iu pëlqejë edhe njerëzve të tjerë. Çdo gjë që punohet me nder është e vështirë, por unë e dua mikrofonin dhe merrem edhe me muzikë e me art. Do të thotë njëkohësisht radion e muzikën m’i ndërlidhë mikrofoni. Kur unë jam në mikrofon, ndjehem më së liri”, tha Mripa për KultPlus.

Një nga notueset më të mira në Kosovë, Medina Surdulli, me shumë emocione tregoi për KultPlus se u ndje shumë e lumtur që fotografia e saj e madhe ishte e pranishme në këtë ekspozitë.

“E falënderoj Arbërin e ka hap ekspozitën tem. Kjo është hera e parë që po marr pjesë. Fotografia jem më ka pëlqyer më së shumti, fotografia jem më ka bo me u ndje shumë mirë dhe shumë e lumtur”.

E pyetur nga KultPlus nëse do ta lë ekipin e Kosovë në not, përgjigjja e Medinës ishte e menjëhershme, duke thënë “jo, asnjëherë”.

Mendime Kosumi nga shoqata “Autizmi”, tha për KultPlus se bashkëpunimi i tyre me Arbërin ka ardhur natyrshëm, derisa ky i fundit ka qenë një ndihmë shumë e madhe për ta.

“Unë do ta shfrytëzoj këtë rast që Arbëri ka kohë që na mbështet neve si organizatë, prej shitjes së librit me donacione të ndryshme, mjete të cilat Arbëri i ka dhuruar, ne i kemi përdorur për të mbuluar shërbimet terapeutike, për fëmijët që nuk kanë kushte sociale për ta bërë pagesën. Këto terapi janë shumë të domosdoshme për të pasur arritje më të mira dhe për të qenë më të pavarur”.

Puna e palodhur e shoqatës së bashku me fëmijët autikë, e pasqyruar mrekullueshëm në ekspozitë

“Edhe këtë herë në ekspozitë jemi munduar që t’i shfaqim disa pjesë shumë të rëndësishme që tregojnë shumë për punën tonë. Këtu është një puzzle me tri pjesë që tregon një fëmijë që është shumë bazik me aftësitë e tij, kur ka ardhur në organizatë të na ka filluar që për herë të parë të punoj me puzzle, e tani ai fëmijë është i pavarur dhe shkon në shkollë i vetëm. Dmth kjo puzzle është e lidhur me ndjenja për neve, është kuptimplotë. Në anën tjetër, e kemi edhe një kuti me forma, përmes së cilës ne kemi zhvilluar performancën vizuale të fëmijëve edhe kemi realizuar seanca. Këto dy mjete janë shumë bazike, për fëmijët që kanë qenë shumë bazik në zhvillimin e tyre dhe janë objektiva shumë të thjeshta, ku përmes tyne ne kemi dashtë të tregojmë pikësynimin e shërbimeve terapeutike”, shton ajo.

Kartolinat në ekspozitë janë në shitje, blerja e tyre do t’i ndihmonte për mbulimin e rasteve sociale

“Pastaj, në ekspozitë i kemi të paraqitura edhe disa punime të cilat janë realizuar gjatë aktiviteteve të ndryshme të shoqatës sonë me fëmijët. Gjithashtu, pjesë e ekspozitës janë edhe kartolinat. Terapistët në bashkëpunim me fëmijët i realizojnë këto kartolina dhe mjetet që grumbullohen nga shitja e tyre, shkojnë për mbulimin e rasteve sociale, ku kemi shumë kërkesa dhe kemi shumë nevojë që t’i mbështesim. Shfrytëzoj rastin që të bëj thirrje për personat që marrin pjesë në ekspozitë të blejnë një ekspozitë që të japin një mesazh duke kontribuar”, thotë në fund Kosumi.

Shoqatën ‘Autizmi’, Eloida Alijan, Elvana Shalan, Fjolla Muhaxhiri Agushollin, Arbenita Selmanim, Genc Beqirn, Mentor Mripan, Medina Surdullin dhe punimet e tyre mund t’i vizitoni në Hotel Grand në Prishtinë, në katin e tretë, çdo ditë prej orës 12:00 – 18:00. Ekspozita do të qëndrojë e hapur rreth 3 javë. /KultPlus.com

*Të gjitha fotografitë janë realizuar nga Nok Selmani*

Fantashkenca feminisite si ripërcaktimi i “fuqisë” së grave

Uranik Emini

<<Fantashkecna>> si definicion paraqet një formë të trillimeve që merret kryesisht me ndikimin e shkencës aktuale ose të imagjinuar mbi shoqërinë ose individët. Njerëzit e mbledhur në katin e nëntë të Hotelit Grand në Prishtinë, “udhëtuan” në kohë në vitin 1913, atëherë kur më 10 korrik në Luginën e Vdekjes u regjistrua edhe temperatura më e lart e ajrit në planet. Ky kat, mirëpriti një numër të konsiderueshëm njerëzish, të cilët u mblodhën për të parë nga afër performancën e Mette Sterre përmes veprës së saj “Seapussy Power Galore – Abcession (If you don’t know, you don’t grow), shkruan KultPlus.

Edhe pse në Grand Hotel ishin të ekspozuara një numër i madh ekspozitash e veprash të ndryshme, ambienti i shfaqjes “Sea Pussy Power Galore”, dallonte shumë nga të tjerat. Njësoj sikurse që dallonte edhe artistja Mette Sterre, ndryshimi i saj metamorfoizik ishte afër të ndodhte.

Sikurse një drejtëz pingule, thjeshtësia dhe fantastiko-shkencorja po prekeshin në një vijë. As një zë nuk dëgjohej nga artistja e veshur me një fustan të kaltër, e cila filloi që me të hyrë në sallë të ulte publikun në tokë dhe kësisoj të fillonte edhe performancën e saj. Interaktiviteti, si pjesë thelbësore e shfaqjeve, u paraqit edhe këtu, atëherë kur artistja mori një person nga publiku dhe e dërgoi atë në derën e daljes emergjente, e se çfarë ndodhi aty, nuk u bë e ditur.

Menjëherë pas daljes së tij, asistenti i artistes, i paraqitur si mjek, ka dalë nga dhoma dhe ka nisur të lyejë me vaj artisten, e cili ishte vendosur në dyshek.

E gjithë arsyeja pse njerëzit ishin mbledhur po fillonte të dilte në pah, atëherë kur Merre u fut në botën e një sirene, në diçka që nuk është as kostum e as veshje, por kuptimi thelbësor i asaj qënie ka të bëjë me mënyrën se si gratë dhe njerëzit në përgjithësi e shohin veten. Ka disa thumba, disa maja, disa gjëra të tjera të cilat shpesh herë mund të duken edhe të gërrditshme, por janë pikërisht gjëra që na përfaqësojnë.

Krijuesi i Star Trek, film në të cilën artistja tregon se është inspiruar, tregon se e ardhmja që Gene Roddenberry përfaqëson supozohet të jetë utopike. Pra, një faqe bindëse për të vlerësuar ankthet tona për trupat postnjerëzor dhe rolin e gjinisë në një të ardhme të idealizuar. Vizioni i Star Trek për një të ardhme utopike përfshin të drejta të barabarta për të gjithë, përkufizimin e feminizmit. Ndonëse nuk ishte gjithmonë plotësisht i suksesshëm, shfaqja shpërtheu duke i shtyrë vazhdimisht stereotipet e dëmshme dhe duke krijuar gra të fuqishme.

Paraqitja e parë në Kosovë

“Vepra ka të bëjë me gjërat që ia përshtatim ne vetes, përfshirë punën tonë ritmike, trurin tonë dhe përmes tyre edhe e formësojmë veten”, thotë ajo mes tjerash.

Tutje, vazhdon duke treguar se përpos gjërave tjera edhe rrjetet sociale mund të jenë problematike për njerëzit.

“Mund të jenë rrjetet sociale, por edhe gjërat që ne vet i krijojmë, i mendojmë shumë. Për gjërat që ne ndikohemi nga to dhe këtu e shoh një perspektive feministe”, përmend Sterre.

Vepra e “animuar

“Kam krijuar një masë trupore, s’është kostum, as veshje, por mundëson të qenët nga një botë tjetër”, shprehet ajo për veprën e cila është shumë karakteristike dhe komplekse në pamje. Në të ka shumë utopi dhe distopi. Ka elemente të fantashkencës në të, por më së miri kuvendon ideja e spekulimit të shndërrimit në një qenie tjetër. Është edhe e bukur edhe neveritëse në të njëjtën kohë. E dua atë. Ne mund të mbesim shtatëzëna dhe trupi ynë është i lidhur me hënën dhe detin. Ka shumë gjëra që ndryshojnë brenda nesh”, thotë ajo.

Shfaqje që shikohet vetëm një herë

Marie Rose Frigiere, si pjesë e publikut, thotë se kjo shfaqje mund të shikohet vetëm një herë në jetë.

“Ajo edhe ka aktruar në këtë performancë. Andaj duhet të shihet edhe puna e saj (vepra) por edhe aktrimi për të kuptuar mesazhin”, shprehet turistja nga Franca.

Ajo ndan përvojat e veta me skenat humoristike të viteve 60-ta, të cilat i ka në kujtesë akoma dhe gjithashtu edhe pjesë të “science fiction”, si pjesë e pandashme e jetës së saj.

Aventura e parë në Kosovë, por e dyta në “Manifesta”

Frigiere rrëfen se kjo është hera e saj e dytë rresht që viziton “Manifestën”, derisa tregon edhe dallimet e vështirësitë mes edicionit në Marsej të Francës dhe këtij në Kosovë.

“Këtu është ‘wouw”, thotë ajo për edicionin e 14-të të “Manifestas” në Kosovë. Pranon se ka dallime në organizim prej edicionit paraprak në Marsej. “Kemi pasur shumë probleme nga periudha pandemike. S’ka qenë e lehtë për ta. Është mundësi e mire që përmes ekspozitave të mësohen storjet jo veç për Kosovën por edhe për Ballkanin”. 

“E (pa)njohur në një vend të dashur”

Edhe pse ndjehet si e huaj në Kosovë, ajo kujton që në momentin e parë kur ka arritur këtu, një person e ka përshendetur, mes tjerëve, dhe për këtë gjë është ndjerë shumë e lumtur.

“E dua Kosovën, jam duke kaluar kohë shumë të mire, eksperiencë bujare. Njerëzit janë shumë të mire, të gjithë duan të të flasin dhe të kënaqen me ty”, përfundon ajo. 

Zhanri i fantashkencës ka shërbyer prej kohësh si shembull i orientimeve seksuale dhe/ose identiteteve gjinore alternative, duke e bërë atë mjetin e përsosur për të shprehur shqetësimet rreth kulturave dhe praktikave të njëanshme gjinore. / KultPlus.com

Kino Rinia, Rilindja dhe Hotel Grand dikur objekte shënjuese të identitetit kulturor, tani fati i tyre i papërcaktuar

Era Berisha

Trashëgimia kulturore, historia e qytetit dhe aspekti arkitektonik mbi objektet e vjetra janë këto aspekte që u diskutuan në bisedën “Off the record: Objekte në harresë” në Kino Armata nga panelistët si: Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Valon Tolaj dhe sociologia Linda Gusia, të cilët folën rreth kontributit dhe vlerat e objekteve që janë lënë të braktisura, të degraduara e të pashfrytëzuara si: Kino Rinia, Hotel Grand dhe Rilindja, që dikur ishin rol kyç në krijimin e ndjesisë së përkatësisë e që sot fati i tyre mbetet në duar të proceseve të ndryshme, fundi i së cilave nuk dihet, shkruan KultPlus.

Nën moderimin e kryeredaktores së K2.O, Besa Luci, e cila fillimisht foli rreth synimit që përmes artit dhe hulumtimeve kulturore të mobilizohen forcat në komunitet për shpëtimin e hapësirave të objekteve publike ku një numër i madh i tyre janë të braktisura apo të harruara dhe që njëkohësisht këto përpjekje të bashkohen në mënyrë që të inkurajohet angazhimi publik rreth qytetit e në veçanti rreth ndërtesave e objekteve që kanë potencial të vihen në shërbim të komunitetit e shpesh herë janë të rrezikuara apo i nënshtrohen procesit të privatizimit, nisi diskutimi rreth këtyre objekteve, deklaratave e premtimeve nga Qeveria për të transformuar procesin e privatizimit dhe vështirësive që ky proces sjell.

Është bërë e ditur se njëra ndër premtimet e Qeverisë ka qenë shuarja e Agjensionit Kosovar të Privatizimit ‘AKP’ dhe transformimit të procesit në përgjithësi ku në fakt një hap i tillë është ndërmarrë rishtazi me anë të shkarkimit të bordit të AKP-së dhe menaxhimi direkt i ndërmarrjeve shoqërore dhe pasurive të aseteve të tyre do të transferohen në fondin sovran që pritet të krijohet.

Duke pasur parasysh që 20 vitet e fundit është shpërfillur çështja se si ndërmarrjet e ndryshme shoqërore përveç funksionit apo potencialit ekonomik, shumica kanë edhe rol e funksion kulturor, ku me anë të tyre këto objekte u konsideruan edhe shënjues të identitetit të vendit tonë, kaluarës, kujtesës kolektive dhe të ardhmes tonë.

“E para është Rilindja, ku është cilësuar si mbretëreshë e ndërmarrjeve shoqërore dikur e kjo për shkak të rëndësisë që e ka pasur si forcë e dijës në gjuhën shqipe por edhe për kontributin që e ka vënë në luftën kundër analfabetizmit, përhapjen e pasurisë kulturore dhe lehtësimin e qasjes ndaj edukimit”, thotë Luci.

Sipas saj, Kino Rinia që dikur ishte kinemaja më e rëndësishme në qytet dhe që është cilësuar si interneti i gjeneratës së vitit 1970 për shkak të rëndësisë së saj që e shpërfaqte përmes filmave. Ndërsa, si objekt të tretë Luci përmendi Grand Hotelin, që është cilësuar si një objekt që mund ta përballojë çfarëdo tërmeti por që sot po i shkundet mbijetesa për shkak të privatizimit.

Qëllimi i bisedës së mbrëmshme ka marrë për bazë edhe mundësitë e humbura gjatë procesit të privatizimit dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe kultivimit të kujtesës kolektive duke ruajtur funksionin kulturor të objekteve dhe ndërmarrjeve shoqërore në vrazhdën e premtimeve të transformimeve për procesin në përgjithësi. Andaj, rreth rëndësisë së ruajtjes të këtyre ndërtesave dhe rolit që ato kanë pasur dikur, pikërisht nga perspektiva e saj, ka folur sociologia Linda Gusia.

“Pikërisht fakti që jemi në Kino Armata, një hapësirë që është shpëtuar nga shkatërrimi, harresa e privatizimi duke u shndërruar në një hapësirë kulturore, tregon se si këto hapësira të përbashkëta janë qenësore për ndërtimin e shoqërisë tonë. Andaj, të gjitha organizatat e rezistencës janë një shpresë për shpëtimin e asaj se çfarë na ka mbetur”, thotë Gusia.

Ndërsa, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth themelimit të fondit sovran dhe shpëtimin e hapësirave që kanë domethënie dhe potencial kulturor.

“Kërkesa ime për të gjithë që janë në angazhim është që së bashku të ndërtojmë një ‘case’ për ti bindur të tjerët në institucione që këto hapësira, disa prej të cilave do të trashëgohen nga AKP-ja në modelin e ri të organizimit, ia vlen për ti shndërruar në hapësira të shfrytëzuara nga komunitetet e ndryshme kulturore e të tjera”, thotë Çeku.

Sipas tij, ndonjëherë duhet të reduktohet vetëm qëndrueshmëria financiare sepse sektorët e tjerë mund të jenë konkurrentë në raport me pjesën kulturore por kjo duhet të vijë nga komuniteti në mënyrë që kultura të mos jetë barrë e buxhetit por të vijë në formën e industrisë dhe ekonomisë kulturore.

Po ashtu, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj foli rreth ndjeshmërisë në lidhje me historinë dhe mënyrën se si janë trajtuar ndërmarrjet e ndryshme shoqërore, varësisht nga funksioni i tyre.

“Problemet janë të shumta por unë besoj që duhet të sqarojmë se objekti i Rilindjes dhe Kino Rinia nuk janë privatizuar. Kurse, Hoteli Grand si pasojë e dështimeve të ndryshme, fatkeqësisht është privatizuar sepse natyra e saj do të kishte një përfundim të njëjtë ku funksioni do të mbetej ajo e hotelit pa e ndërruar destinacionin dhe dizajni duhet të ishte në koordinim të plotë me Komunën”, thotë Tolaj.

Kjo bisedë ka ardhur në kuadër të serisë së bisedave “Off the record” që fondacioni Shtatëmbëdhjetë e ka filluar vitin e kaluar brenda projektit ‘Metamorphosis’. Po ashtu, ky aktivitet është organizuar me rastin e publikimit të artikullit multimedial ‘Fantazmat e privatizimit’ nga K2.0 brenda projektit “Citizens Engage”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar në bashkëpunim me Institutin GAP. / KultPlus.com

Rrjeti global i hoteleve “Accor Hotels” aplikon për të investuar në “Hotel Grand”

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pritur në takim Presidentin e kompanisë “Global Hotel Investments” AG, Roger Maibach, kompani kjo e cila në partneritet me rrjetin më të madh të hoteleve në botë “ACCOR HOTELS” ka dorëzuar aplikacionin për statusin e Investitorit Strategjik për “Hotel Grandin” në Prishtinë.

“Accor Hotels” është një rrjet global i hoteleve dhe lider i tregut në Evropë, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Ky rrjet posedon 4300 hotele në 100 shtete.

Në kuadër të këtij grupi veprojnë hotelet më të njohura botërore si: Movenpick, Fairmont, Sofitel, Rixos, Pullman, Swissotel, Grand Mercure, Novotel, Ibis etj.

Presidenti i “Global Hotel Investments AG”, Roger Maibach, potencoi që ky rrjet i hoteleve së shpejti do të jetë prezent edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni, shkruan ndertimi.info

“Aplikimi i një rrjeti me reputacion si ‘ACCOR Hotels’ për të hyrë në tregun e Kosovës është fat i mirë dhe gjithsesi do të kontribuojë edhe në interesimin e kompanive të tjera të këtyre përmasave për fitimin e statusit të investitorëve strategjik në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Diasporës.

Çmimi i një nate në suitën e Titos në Grand Hotel

Ish-presidenti Jugosllav, Josip Borz – Tito sot mbushi 38 vjet që nga vdekja e tij mirëpo para se të vdiste ai kishte vizituar kryeqytetin e Prishtinës dhe kishte qënduar në “Grand Hotel Prishtina”.
Suita e tij ishte më luksoze e cila në atë kohë mbante një çmimin mjaftë luksoz.

Ndërsa sot kjo suitën në Grand Hotel Prishtina kushton me çmim prej vetëm 200 euro, teksa në këtë hotel më e shtrenjta është 400 euro, kanë thënë punonjës të Grand Hotel për Insajderin.

Tito kishte vizituar dy herë Kosovën. Të parën e pati shumë të shkurtë në stacionin e trenit në Mitrovicë dhe të dytën në vitin 1979.

Në vizitën e dytë të tij, Tito kishte ardhur me aeroplan në Aeroportin e Kosovës i ndërtuar 14 vite më parë, më 1965.
Presidentit jugosllav, Josip Broz Tito vdiq më 4 maj të vitit 1980 në orën 15:05 në Qendrën Klinike në Lubjanë si rezultat i gangrenës.
Në emër të tij ishin emëruar tetë qytete në cilën republikë dhe dhe krahinë autonome

Tito Velenje (Slloveni), Titova Korenica (Kroaci), Titov Drvar (Bosnja dhe Hercegovina), Titograd (Mali i Zi), Tito Užice (Serbi), Titov Veles (Maqedoni), Titova Mitrovicë (Kosovë), Titov Vrbas (Vojvodinë). /Insajderi.com

Ideja e tmerrshme për rrënim të Grand-it, mund të bëhet vetëm “për të mbuluar abuzimet”

Një nga objektet më emblematike të vendit, po synohet të rrënohet. Mendja e shëndoshë një gjë të tillë nuk e thotë. Por, një gjë e tillë po konsiderohet e “tmerrshme”, raporton Ndërtimi.info.

Fjalët në ditët e fundit se amerikanët ia kanë vënë syrin Hotel Grand-it kanë bërë bujë. Mirëpo kjo etapë filloi nga artikulli i New York Times për Hotel Grandin, ku presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se mund të bëhet në vend të Grandit një “Trump Tower”.

Në këtë rrjedhë, ish-drejtuesi i këtij hoteli, Zekë Çeku ka folur për portalin Infokus ku kishte thënë se ky hotel duhet rrënuar dhe të mjaftohet vetëm me shtylla, duke insistuar të ndërtohet një tjetër hotel që të investohet “seriozisht”.

Ndër të tjera ishte thënë se ka 230 lëshime në ndërtim dhe nuk ka pranim teknik, teksa një gjë e tillë ekziston. Madje, një nga njerëzit që ka prekur me dorë shumë dokumente të tilla, Arbër Sadiki, jep për Ndërtimi.info, faqen e fundit të procesverbalit për pranimin teknik të Grand-it. Madje në këtë dokument janë edhe nënshkrimet e komisionit që kishin kryer këtë process.

Arkitekti Arber Sadiki, i cili ka studiuar në shumë rrethe punën e arkitketit Bashkim Fehmiu, që e ka bërë edhe Hotel Grandin, thotë se “është punuar” që ajo hapësirë të degradohet dhe të shndërrohet në një hapësirë të braktisur, sikur ishte thënë në të përditshmën njujorkeze ditë më parë. Këtë gjë Sadiki e kishte thënë edhe disa netë më parë në një diskutim për “Hapësirat e Braktisura të Kosovës”, të organizuar nga CHwB.

Kjo gjë, sipas Sadikit, bëhet edhe më e bindshme, kur për këtë gjë flet edhe ish-menaxhuesi i këtij subjekti në sensin ekonomik.

Ai, për Ndërtimi.info, ka renditur disa arsye pse nuk duhet rrënuar Hoteli emblematik Grand.

“Grandi nuk mund të shembet për milion arsye.
Është i lidhur me memorien e secilit qytetar jo vetëm të Prishtinës, por të gjithë Kosovës.
Është një nga veprat e rëndësishme të periudhës arkitektonike të Modernës së vonë në Kosovë.
Është një nga veprat e pakta të realizuara nga arkitekti i parë kosovar, profesori Bashkim Fehmiu.
Të gjitha hotelet e ndërtuara pas luftës së fundit, kanë cilësi ndërtimore dukshëm më të dobët se Grandi. Këtë e dëshmon më së miri pjesa e “renovuar” e tij.
Objekti është në listën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë arkitekturore”.
E ka vetëm një arsye pse duhet shembur, që Sadiki e thotë se është “Që shembja të mbulojë të gjitha abuzimet me të”./ KultPlus.com