Hykmete Bajrami ia dorëzon detyrën Ramë Likajt

Ministrja e deritanishme e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, i ka dorëzuar sot detyrën ministrit të ri, Ramë Likaj.

Siç njofton MASHT’i, Bajrami e ka informuar ministrin Likaj me punën që është bërë gjatë periudhës sa ka qenë në krye të MAShTI, “me theks të veçantë organizimin e mësimit në distancë, por edhe për proceset që janë duke u zhvilluar, si përgatitja për Testin e Arritshmërisë dhe atë të Maturës, procesi i teksteve të reja shkollore dhe procese tjera të rëndësishme.”

“Ministri Likaj falënderoi ministren Bajrami për punën që ka bërë në këtë Ministri dhe theksoi se do të vazhdojë me përkushtim punën në insititucionin më të lartë të arsimit në vend”, thuhet në komunikatën e MASHT’it. / KultPlus.com

Bajrami: Bursat veç sipas ligjit

Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, ka reaguar rreth shpërndarjes së bursave nga MASHT si dhe rreth paralajmërimeve për protesta nga disa organizata studentore për të njejtën çështje, shkruan KultPlus.

Bajrami ka thënë se nuk do të përkrah asnjëherë thirrjet që të ulen kriterin e notës mesatare, që është cekur si kauzë e disa organizatave studentore.

Këtu keni statusin e plotë të saj:

“BURSAT VEÇ SIPAS LIGJIT

Është hapur konkursi për bursa për studentët e universiteteve publike. Janë përcaktuar kriteret ligjore dhe të njëjtat janë publikuar në njoftimet e MASHTI-it.
Jam duke i lexuar reagimet dhe paralajmërimet e disa organizatave studentore se do të protestojnë pse s’e kemi ulur kriterin e notës mesatare. NUK KA MUNDËSI të ndryshohet ky kriter pasi është i përcaktuar me bazë ligjore.
Thirrjet e juaj për protestë me kauzën që MASHTI duhet të ulë kriterin e notës mesatare për disa fakultete janë thirrje për të mos e respektuar ligjin. Nuk do ta bëj një gjë të tillë asnjëherë.
Buxheti i bursave është buxhet i shtetit, si i tillë nuk shpërndahet/shpenzohet as për qejfe të dikujt as pse dikush organizon protesta. Nuk shpërndaj taksat e qytetarëve me nënshkrim timin edhe pse në MASHTI kjo ka ndodhur me dhjetëra herë. Unë punën timen gjithherë e mbështes në ligje dhe akte të tjera nënligjore.
Si ministre e MASHTI-t që në ditët e para kam bërë përpjekje që të merrem me të gjitha problemet.
Nëse kthehemi pak në histori, unë kurrfarë obligimi ligjor nuk kam pasur që ta shpall konkursin e anuluar nga ish-ministri aq me pak kur mjetet e bursave nuk ishin më në buxhetin e MASHTI-t por kam vendosur të dëgjoj kërkesat e juaja.
Në fillim të këtij viti në dëgjimet buxhetore me ministrin e financave kam arritur që të kthejë pjesën me të madhe të mjeteve financiare për bursat e vitit akademik 2019/2020 të cilat veç kishin kaluar në buxhetin e shtetit si suficit nga MASHTI.
MASHTI ka një Udhëzim Administrativ për ndarjen e bursave UA 14/2017 për të cilin edhe kam vërejtjet e mia dhe si të tillë e kemi pasë në plan që ta zëvendësojmë me një të ri por meqë nuk patëm kohë ky udhëzim është ende në fuqi dhe RESPEKTIMI I TIJ NUK KA ALTERNATIVË.
Sipas këtij Udhëzimi 14/2017 ministri/ministrja cakton fushat me prioritet por për shkak të pandemisë unë vendosa që këtë vit të gjitha fushat të jenë me prioritet. Ne jemi të vetëdijshëm se pandemia ka prekur edhe ekonomikisht secilin nga ju. Ne nuk e patëm aspak të lehtë që të alokojmë 1,150,000.00 Euro për bursa duke qenë të sigurt se MASHTI prapë do të ketë mundësi të shpallë konkurs në fund të këtij viti, për vitin akademik 2020/2021.
UA 14/2017 në Nën-paragrafin 1.2 të Nenit 3 të tij thotë se përfitues të bursave mund të jenë studentët të cilët kanë notën se paku 9.0 dhe në asnjë nen tjetër të tij nuk thuhet se ministri mund të vendosë ndryshe.

Falënderoj taksapaguesit e vendit, ku bëni pjesë edhe ju e familjet e juaja që mundësuat që MASHTI të ofroj këtë mbështetje.
P.S. Buxheti për bursa ështe 1,150,000.00 Euro, bursë do të përfitojë secili student i cili i plotëson kushtet sipas UA 14/2017 Për Ndarjen e Bursave dhe Konkursit të shpallur nga MASHTI me 29.05.2020. Lartësia e bursës varet nga numri i atyre që aplikojnë dhe i plotësojnë kushtet.

https://masht.rks-gov.net/…/ua-masht-14-2017-per-ndarjen-e-…“.

Ministrja Bajrami: Çerdhet dhe shkollat nuk do të hapen

Të vegjlit dhe nxënësit edhe për një kohë të pacaktuar do të qëndrojnë në shtëpi. Ata do të vazhdojnë të ndjekin mësimin online nga shtëpia ndërsa për të vegjlit do të kujdesën akoma prindërit e tyre.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK) nuk kanë vlerësuar pozitivisht hapjen e çerdheve dhe shkollave.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka treguar se mbrëmë ka mbajtur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetarin e IKShPK-së, Naser Ramadanin ku është propozuar që mos të hapen ende çerdhet dhe shkollat.

“Kemi presion edhe nga prindërit se kur do të hapen çerdhet dhe shkollat andaj edhe mbrëmë kemi mbajt një takim me ministrin e shëndetësisë dhe me Institutin e Shëndetësisë, mirëpo nuk kemi marr ndonjë përgjigje pozitive ata janë kundër hapjes së shkollave dhe çerdheve për shkak se afërsia është shumë me njëri-tjetrin, kujdestaret e çerdheve duhet të kenë kujdes ndaj tyre t’i ushqejnë ata kështu që në këtë aspekt jemi shumë skeptik, për shkak të mbajtjes së distancës dhe mbajtjes së masakve, kështu që nuk kam ndonjë përgjigje se kur do të hapen”, ka thënë Bajrami për Insajderin.

Bajrami ka bërë të ditur se ministri Vitia ka propozuar që të bëhet një vlerësim për gjendjen me COVID-19 në vend dhe se a mund të kalohet në fazën e tretë.

“Mirëpo gjatë takimit me propozim të ministrit Vitia dhe Naser Ramadanit kemi vendos për të pritur deri me 29 maj sepse prej 25 deri 29 duhet bërë një vlerësim për gjendjen nëse mund të kalojmë në fazën e tretë apo të bëjmë hapa prapa”, ka treguar Bajrami.

Gazeta Insajderi ka provuar të marr një përgjigje edhe nga instituti i shëndetit mirëpo kanë qenë të pacasshëm.

Hapjen e çerdheve e ka kërkuar edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Sugjeroj që çerdhet të jenë të parat që hapen, jo që ka dallim të madh të shkollave por meqenëse njerëzit punojnë ka filluar hapja e kompanive. Po ashtu,  siç kanë vendos edhe shtetet skandinave të Evropës, njëherë janë hapur  klasat 1-5 ku edhe mundësia e përhapjes së virusit është më e vogël, ku na jep kohë që ngadalë të rihapim krejt Kosovën”, ka thënë Ahmeti.

Përpos cerdheve në Kosovë janë mbyllur edhe shkollat.

Nxënësit kosovarë që nga 23 marsi i këtij viti, mësimet nuk po i ndjekin në bankat shkollore mirëpo përmes televizionit. Kjo masë është ndërmarrë nga MASHTI për shkak të gjendjes me coronavirus në Kosovë, në mënyrë që nxënësit të mos humbin nga procesi mësimor.

E vazhdimi i mësimit në distancë është paraparë të zgjasë deri në përfundim të këtij viti shkollor.

Viti shkollor 2019/2020 për nxënësit e klasave 9,10 dhe 11 përfundon më 11 qershor 2020, kurse për nxënësit nga klasa e 1-8 përfundon dy javë më vonë më 26 qershor 2020.

Për maturantët ky vit shkollor përfundon më 20 maj 2020, ndërkaq MASHTI dje ka njoftuar se provimi shtetëror i Maturës do të mbahet në javën e parë të muajit korrik 2020.

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët. Testi do të ketë gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta. /Insajderi.org / KultPlus.com

Bajrami: Mësimi online nuk e zëvendëson atë në shkollë

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Hykmete Bajrami, ka thënë se mësimi në distancë nuk mundet ta zëvendësojë qind për qind atë në shkollë.

Që nga data 23 mars ka filluar të mbahet mësimi online me qëllim të parandalimit të koronavirusit, Bajrami thotë se statistikat që kanë ardhur nga tereni janë inkurajuese.

Sipas saj, përveç disa prej familjeve nuk kanë pasur mundësi të ndjekin mësimin në distancë në mungesë të pajisjeve smart.

Ajo ka thënë se është një numër i madh i kyçjes së mësimit në distancë të nxënësve mësimdhënësve dhe prindërve.

“Procesi i mësimit në distancë ka filluar me datën 23 mars dhe normalisht nuk është një proces i cili qind për qind mundet me e zëvendësuar mësimin në shkolla mirëpo ka shkuar shumë mirë meqenëse kemi një numër shumë të madh të kyçjes së mësimit në distancë të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve”.

“Statistikat që na vinë nga tereni janë mjaft inkurajuese përveç se disa familje të cilët janë në numra shumë të vegjël ose në përqindje të vogla në pamundësi të pajisjeve smart nuk po kanë mundësi ta ndjekin mësimin ndërsa të tjerët janë gjithë duke e ndjekur”.

Ndërsa për vlerësimin e nxënësve në këtë kohë, Bajrami ka thënë se është përpiluar një udhëzues. Ajo ka thënë se vlerësimi do të bëhet koonform atij udhëzuesi.

Më tutje ajo e para e Arsimit në Kosovë theksuar se në vlerësim do të futet edhe aktiviteti i fëmijëve gjatë mësimit në distancë.

Të gjitha klasat kanë kontaktet e tyre përmes grupit të viberit dhe e-mailit ku edhe po përcillen detyrat e shtëpisë dhe në një far forme secili mësues arsimtar e dinë për angazhimin e nxënësit të tij në bazë të detyrave, raporton EkonomiaOnline përcjell Klan Kosova.

“Para dy jave e kemi përpiluar një udhëzues për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë dhe tani më të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë e kanë këtë udhëzues në dorë dhe vlerësimi do të bëhet koonform atij udhëzuesi dhe këtë udhëzues e kanë hartuar ekspertët më të mirë të arsimit në Kosovë dhe regjion dhe do të thotë vlerësimi po bëhet koonform atij udhëzimi”.

“Po sepse përpos mësimit i cili po zhvillohet për klasën një deri në nëntën të gjitha klasat kanë kontaktet e tyre përmes grupeve të viberit, emailave të tjerë dhe po përcillen detyrat e shtëpisë dhe në një far forme secili mësues arsimtar e dinë për angazhimin e nxënësit të tij në bazë të detyrave dhe janë dhanë udhëzime qysh në fillim të procesit se si të procedohet me pranimin dorëzimin e këtyre detyrave dhe vlerësimin e tyre, po ashtu në udhëzues kemi përcaktuar edhe kritere të tjera të cilat po merren parasysh gjatë vlerësimit”.

Komuna e Gjilanit premton internet falas, Bajrami: Të ndiqet shembulli i Gjilanit

Së fundi Komuna e Gjilanit ka premtuar internet falas për qytetarët, duke bërë kështu që për këtë dukuri të reagoj edhe ministrja e arsimit, shkruan KultPlus.

Hykmete Bajrami ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku ka potencuar se të gjithë duhet të ndjekin shembullin e qytetit të Gjilanit.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Bajramit.

”Të ndiqet shembulli i Gjilanit

Komuna e Gjilanit ka vendosur të ofrojë internet falas për gjithë qytetarët e saj. Ky projekt përveç tjerash siguron qasje në mësimin në distancë pothuaj për të gjithë, një hap i jashtëzakonshëm, për të rritur edhe më shumë pjesëmarrjen në mësimin online, sidomos për pjesën e shoqërisë në kushte të rënda financiare.
Presim që edhe komunat tjera të ndjekin shembullin e Gjilanit dhe të ofrojnë internet pa pagesë në këtë kohë pandemie.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovavcinit do të qëndrojë afër secilit nxënës, studentë, prind, mësues, arsimtar e profesor. Do të ndihmojë edhe komunat me aq sa ka mundësi buxhetore. S’do të kursejmë asgjë për të kaluar sa më lehtë COVID-19.” / KultPlus.com

Lansohet “Edukimi në distancë” edhe për moshat 0-6 vjeç

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Save the Children, ka lansuar sot platformën e parë online në Kosovë “Edukimi në distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0-6 vjeç.”

Ministrja në detyrë Hykmete Bajrami, me këtë rast tha se MAShTI, pas fillimit të mësimit në distancë për klasat 1-9, menjëherë ka menduar për fëmijët e moshës 0-6 vjeç dhe bashkë me partnerët ka përgatitur këtë platformë që u lansua sot, njofton Klan Kosova

Bajrami theksoi se kjo është mosha më e ndjeshme, të cilën Ministria, do ta ketë në vëmendje të veçantë, sepse duke investuar në vitet e para të jetës së individit, ky investim, do t’i koontribuoj të gjitha niveleve formale të arsimit.

Ministrja theksoi se kjo platformë do t’i mbështesë prindërit/kujdestarët ligjor dhe edukatorët në realizimin e aktiviteteve ditore/javore me fëmijët në kushte shtëpie, ndërsa tha se përmbajtja e aktiviteteve të prezantuara në këtë Platformë, stimulon fëmijët në zhvillimin e tyre në të gjitha fushat zhvillimore në varësi të moshës së tyre. Prandaj, ministrja Bajrami iu bëri thirrje prindërve dhe edukatorëve që sa më shumë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Murat Sahin, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përgëzoi MASHTI-n për punën që po bën në këtë periudhë, dhe tha se kontributi i përbashkët është i nevojshëm në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të mirëfillta të të mësuarit për të evituar pasojat negative të COVID-19.

Ndërsa, Ahmet Kryeziu, drejtor i Save the Children në Kosovë, theksoi se si partner i përhershëm i MASHTI-t dhe të gjitha institucioneve edukativo-arsimore në Kosovë, Save the Children iu përgjigj pozitivisht kërkesës për të lehtësuar edukimin në fëmijërinë e hershme për kategorinë më të ndjeshme, pra të vegjëlit tanë.

Linku i platformës është: edukimihershem-rks.net në të cilin link mund të qaseni.