UP-ja do t’i kompensojë me rreth 14 mijë euro Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin dhe Kujtim Shalën

Është arritur pajtim gjyqësor në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara dhe të ardhurave tjera.

Marrëveshja është arritur në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që palët kanë shprehur vullnetin e tyre për një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kësaj marrëveshje e paditura UP, detyrohet që paditësit Avdullah Hoti t’ia kompensojë shumën prej 5 mijë e 311 euro e 45 centë, paditëses Hykmete Bajrami shumën prej 4 mijë e 416 euro e 71 centë dhe paditësit Kujtim Shala shumën prej 3 mijë e 938 euro e 95 centë.

Të gjitha këto shuma të lartcekura, në emër të kompensimit të diferencës së pagës sekondare për periudhën kontestuese dhe atë për tërë vitin 2015, ndërsa për vitin 2016 vetëm për muajin janar, shkurt, mars, prill dhe maj.

Ndërsa, sa i përket shpenzimeve të procedurës, palët ndërgjyqëse janë dakorduar që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta.

Fillimisht, përfaqësuesi i paditësve, avokati Durim Osmani dhe përfaqësuesi i të paditurës UP, Safet Thaqi, e kanë njoftuar gjykatën se janë pajtuar që këtë lëndë ta zgjidhin me pajtim gjyqësor.

Marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve ndërgjyqëse e ka lejuar gjykatësja Rezarta Sylejmani-Voca, e cila tha se ky pajtim e ka fuqinë e aktit përmbarues.

Sot vazhdon gjykimi në rastin ku Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami e Kujtim Shala kanë paditur UP-në

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritet të vazhdojë gjykimi në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara.

Lidhur me këtë rast, në seancën e mbajtur më 16 nëntor 2021, ishte dëgjuar eksperti financiar i cili kishte elaboruar ekspertizën e punuar më 5 tetor 2021.

Ndryshe, me precizimin e lartësisë së kërkesëpadisë, paditësit kanë kërkuar nga gjykata që e njëjta të aprovohet si dhe të detyrohet UP-ja që atyre t’ua paguajë pagat e papaguara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aty kërkohet që UP t’ia paguajë paditësit Avdullah Hoti shumën prej 5 mijjë e 901 euro e 61 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 590 euro e 16 centë, në emër të tatimit në burim, shumën prej 5 mijë e 311 euro e 45 centë në emër të diferencës së pagës sekondare), si dhe kamatën ligjore në shumën prej 2 mijë e 302 euro e 69 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.

Tutje, në precizim thuhet se paditësja Hykmete Bajrami ka kërkuar shumën prej 4 mijë e 907 euro e 45 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 490 euro e 75 centë në emër të tatimit në burim, diferenca e pagës sekondare në shumën prej 4 mijë e 416 euro e 71 centë), si dhe kamatën ligjore prej 1 mijë e 881 euro e 45 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.

Kurse, paditësi Kujtim Shala ka kërkuar shumën prej 4 mijë e 376 euro e 61 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 437 euro e 66 centë në emër të tatimit në burim, diferenca e pagës sekondare në shumën prej 3 mijë e 938 euro e 95 centë), si dhe kamatën ligjore prej 1 mijë e 720 euro e 96 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.

Sipas padisë të ushtruar më 9 shkurt 2018, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Kujtim Shala po kërkojnë nga UP-ja kompensimin e pagave dhe të ardhurave tjera.

Në padi thuhet se, paditësit me të paditurën në periudha të ndryshme kanë lidhur kontratë pune, si mësimdhënës në Fakultetin Ekonomik dhe në Fakultetin e Filologjisë. Gjegjësisht, thuhet se Hykmete Bajrami ka lidhur kontratën e punës si mësimdhënëse me UP më 13 shtator 2004, Kujtim Shala me 12 janar 2009, kurse Avdullah Hoti më 6 mars 2002, të cilat kontrata kanë vazhduar përmes aneks kontratave ose në mënyrë të vetëkuptueshme, kanë vazhduar në mënyrë të pandërprerë dhe vazhdojnë ende.

Sipas padisë, në bazë të kontratave lëndore, palët paditëse kanë pasur obligim si punëmarrës, ndërsa UP ka pasur obligim si punëdhënës, në kuptim të çështjes kontestuese, pagimin e pagave për punën e kryer sipas kontratave lëndore dhe pagimin e të ardhurave tjera të punëmarrësit.

Mirëpo, në padi thuhet se përfaqësuesi i UP-së, Ramadan Zejnullahu, më 10 dhjetor 2014, nxjerr vendimin në bazë të cilit vendoset që palëve paditëse nuk i kompensohen pagat dhe të ardhurat personale sipas kontratës, përveç orëve të realizuara si mësimdhënës.

Tutje thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë shfuqizon vendimin e UP-së, ku si pasojë vet pala e paditur, më 11 maj 2016, nxjerr vendimin në bazë të cilit e revokon vendimin lëndor dhe vendoset t’i paguhet paga në mënyrë retroaktive, po që nga kjo datë thuhet se pala e paditur nuk ka paguar pagat sipas vendimit të fundit të datës 11 shkurt 2016.

Paditësit këtë padi e kanë bazuar në nenin 55-58 lidhur me nenin 11, paragrafi 9 të Ligjit të Punës, ku thuhet se është përcaktuar e drejta e punëmarrësit për kompensimin me pagë dhe të ardhurat tjera, në kundërvlerë të punës së kryer në cilësinë e punëmarrësit ndaj punëdhënësit.

Andaj, mbi këtë bazë po kërkohet që të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e paditësve, Avdullah Hoti, Kujtim Shala dhe Hykmete Bajrami, si dhe të obligohet UP që atyre t’ua paguajë pagat e papaguara me kamatë ligjore duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

Hoti kërkon nga kompanitë e autobusëve ndërprerjen e grevës

Transporti publik ka filluar sot grevën dhe gjithashtu kanë paralajmëruar masa tjera nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka kërkuar nga kompanitë e autobusëve që të ndërprejnë grevën dhe t’i kthehen punës.

“Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kërkon nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë të kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të favorshme”, thuhet në komunikatën për media të dërguar nga zyra e kryeministrit.

Sipas zyrës së kryeministrit në kuadër të masave për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike (PRE) për vitin 2021, në vlerë prej 222.4 milionë euro, janë të përcaktuara ndarjet buxhetore për secilën nga masat, përfshirë këtu edhe modalitetet e zbatimit të masave.

“Në vitin 2020 dhe 2021, Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje financiare direkte dhe indirekte për të gjitha bizneset. Bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (p.sh. pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa e 50% e qirasë, pagesa e 170 eurove)”, thuhet tutje në komunikatë.

Qeveria ka sqaruar më tej se “pandemia Covid-19 ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset”.

Duke filluar nga sot nuk do të ketë transport publik në trafikun urban-periferik dhe ndër urban në gjithë vendin për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit.

Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj tha se të mërkurën që në mëngjes do të zbatohet vendimi i Këshillit Drejtues të Shoqatës të Transportit Rrugor të Udhëtarëve për të hyrë në grevë përkatësisht në protestë për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes për mbështetje apo subvencionim të transportit rrugor të udhëtarëve me autobus. / KultPlus.com

Paralajmëron Hoti: Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online

Situata pandemike është temë e ndjeshme për shumë nga ne, prandaj edhe Kryeminstri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar një bisedë me ministrin e Shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj, drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, Valbon Krasniqi dhe zëvendësminstrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj.

Situata pandemike e cila filloi me 13 mars, 2020 e deri më 15 mars, 2021, ku Kosova regjistron rreth 77,827 raste me COVID-19, ku 65,060 persona fatmirësisht janë shëruar por 1,715 raste nuk patën fatin e tillë. Kosova gjithashtu është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka filluar procesin e vaksinimit, edhe pse kjo do të duhej të ndodhte në Shkurt. Hoti tregon se institucionet përkatëse janë duke i kryer përgatitjet e nevojshme, dhe sapo të vijë rasti, menjëherë do të filloi vaksinimi i qytetarëve.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti thotë: “Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite”./ KultPlus.com

Hapet ekspozita që dëshmon rezistencën shqiptare nga themelimi i LDK-së

Medina Pasoma

Në 31 vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shënoi hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan KultPlus.

Nën kurimin e Shkumbin Brestovcit, përmes kësaj ekspozite u shfaqën para publikut fotografitë, dëshmitë historike, botimet dhe pjesë nga librat vendorë e ndërkombëtarë nga periudha përgjatë së cilës një parti politike simbolizonte unifikimin dhe rezistencën mbarëpopullore të kombit shqiptarë.

Në hapjen e kësaj ekspozite i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili e cilësoi këtë ekspozitë që flet me pak fjalë nëpërmjet fotografisë dhe fakteve nga përpjekjet historike të shqiptarëve.

“Një ekspozitë e jashtëzakonshme që për 10 minuta ti e ke para syve komplet historinë e popullit të Kosovës deri në ditën e sotme”, tha Hoti.

Në anën tjetër, ministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi për KultPlus u shpreh se qëllimi i kësaj ekspozite qëndron në edukimin dhe shpërfaqjen nëpërmjet arkivave të realitetit historik.

“Kjo ekspozitë për mua është një pjesë e mallëngjimit e shumë njerëzve që kanë qenë pjesëmarrës dhe sot nuk i kemi në mesin tonë, por kontributi i tyre ka qenë shumë i madh, mbase ndonjëherë i harrojmë për këtë kontribut”, u shpreh ministrja Dumoshi.

Tutje ajo theksoi se ky bashkim historik i dokumentacioneve në një ekspozitë, është një dhuratë shumë e rëndësishme për ditëlindjen e 31-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kuratori i cili ka sjellur finalizimin e kësaj ekspozite për një periudhë 3 vjeçare, Shkumbin Brestovci detajoi për KultPlus burimet që i ka përdorur.

“Aspekti kuratorial është bazuar kryesisht në libra, natyrisht se ka pasur edhe burime narrative, që kam folur me njerëz, ka burime gazetareske, por shumica janë të bazuara në libra”, ka thënë Brestovci.

Nga të gjitha pjesët të cilat sjellin kontribute në fusha të ndryshme, kuratori veçoi shëndetësinë dhe shkollimin, gjë për të cilat tha se edhe publiku janë mahnitur me këtë aspekt të rezistencës.

“Mënyra se si është organizuar shëndetësia, si janë hapur ato 96 klinika, si janë mbajtur nëpërmjet punës vullnetare të mjekëve, është rast unik në botë, ka pasur edhe në vende tjera por jo në këso përmasash”, vlerësoi Shkumbini.

Ai përmendi edhe shkollat paralele, për të cilat tha se nga 10.000 interesime të qytetarëve për kthimin e shtëpive të tyre në shkolla, 3.000 prej tyre u shndërruan në shtëpi-shkolla.

“Unë kam takuar arsimtarë dhe profesorë që kanë thënë se nxënësit e studentët e mi të viteve të 90-ta janë më të mirë se të viteve të 80-ta, dukshëm më mirë se të 2000-tat”, tha kuratori Brestovci, duke treguar rëndësinë që kishin këto iniciativa në atë kohë.

Përveç restrospektivës të atyre që e kanë përjetuar këtë periudhë, Brestovci thekson edhe qëllimin e kësaj ekspozite për të rinjtë.

“Ideja është tua prezantojmë si dromca të ngjarjeve që ua ngacmon kureshtjen, në mënyrë që ta hulumtojnë duke ju dukur interesante”, u shpreh Shkumbin Brustovci.

“Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova” do të qëndroj e hapur për kureshtjen e publikut. / KultPlus.com

Hoti: Çështja e të pagjeturve do të zgjidhet në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Avdullah Hoti ka zhvilluar sot një takim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës.  

Ai tha se ndriçimi i fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë është prioritet për Qeverinë, si dhe është ndër pikat kryesore në procesin e dialogut me Serbinë.

Hoti nënvizoi se kjo çështje do të zgjidhet me arritjen e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, me të cilën Serbia obligohet të ofroj të gjitha të dhënat për vendndodhjen e varrezave masive.

Kryeministri Hoti theksoi gatishmërinë e Qeverisë për mbështetje të vazhdueshme në çdo formë, për të gjitha shoqatat e familjarëve të të zhdukurve, duke nënvizuar se kjo çështje shumë e ndjeshme kërkon qasje serioze nga ana e institucioneve shtetërore. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Vendos Qeveria, 1 muaj pushim dimëror në shkolla

Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka mbajtur një konferencë për media rreth situatës së krijuar si pasojë e virusit Covid-19.

Hoti ka thënë që tashmë Kosova i ka të gjitha kapacitet për furnizim me barna për trajtimin e Covid-19.

“I kemi ngritur kapacitete dhe më nuk shoh asnjë problem që të kemi furnizim me listën e të gjitha barnave që kërkohen për trajtimin e Covid-19”, ka thënë Hoti.

Kryeministri ka njoftuar që gjysmëvjetori i parë i këtij viti shkollor do të përfundoj me 18 dhjetor të këtij viti.

“18 dhjetori është data kur do të përfundoj gjysmëvjetori i parë i shkollave. Shkollat më pas do të hapen me 18 janar dhe pushimi dimëror do të zgjas pra 1 muaj. Gjatë pushimit pranveror do të shohim mundësin që të kompensohen këto orë”, ka thënë më tutje Hoti.

Kjo konferencë ka ardhur pas takimit me zyrtarë qeveritar e zyrtarë të institucioneve shëndetësore./ KultPlus.com

Hoti njofton se s’ka masa të reja do të vazhdohet me të njëjtat

Kryeministri Avdullah Hoti, ka bërë të ditur sot se nuk do të ndryshojnë masat e marra së fundmi për tu mbrojtur nga virusi Covid-19.

Ai tha se gjatë ditës së neserme do të mbajnë një takim me të gjithë inspektorët në vend, për të bërë kontrolle sa më rigoroze.

Hoti shtoi se masat e marra deri tani kanë ndikuar në kufizimin e rritjes së numrit të rasteve të reja të infektuara.

“Sot kemi pasur një takim të gjatë me ministrin Zemaj, ministrin e Tregtisë e drejtorin e IKSHPK-së, për ta analizuar situatën nëtëcilën po kalojmë. Ne kemi bërë një vlersim të detajuar të situatë. Konstatimi ynë është që gjendja është mjaft serioze por është në kontroll. Sygjerimi është që masat që janë në fuqi të mbahen dhe të vazhdohet me zbatim riguroz të masave që kemi marrë deri tani”, tha ai.

Hoti theksoi se numri i rasteve pozitive me këtë virus është më i vogël se i rasteve të reja të infektuara.

Ai tha se grupmoshat 30 deri në 40 vjeç janë më së shumti të infektuara me këtë virus./ KultPlus.com

Avdullah Hoti bëri homazhe te monumenti i Skënderbeut dhe Ibrahim Rugovës

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti për nder të ditës së 28 Nëntorit ka bërë homazhe te monumentet e dy figurave të mëdha kombëtare, shkruan KultPlus.

Ai është përkulur për homazhe te monumenti i Skënderbeut dhe pastaj ka kaluar edhe te ai i Ibrahim Rugovës.

Përgjatë ditës së sotme, kryeministri do të bëj homazhe edhe te kompleksi memorial i familjes Jashari në Prekaz.

Hoti do të jetë pjesëmarrës edhe në ekspozitën “Rrëfim biografik” për jetën dhe veprën e Anton Çettës. / KultPlus.com

Ndriçohet ndërtesa e qeverisë me ngjyrë portokalli, Hoti: T’i vëmë në punë të gjithë mekanizmat për të mbrojtur gruan

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në ceremoninë e ndriçimit të Ndërtesës së Qeverisë me ngjyrë portokalli, pjesë e aktiviteteve të Fushatës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas.

“Është obligim i yni institucional dhe njerëzor që t’i vëmë në punë të gjithë mekanizmat e shtetit dhe të shoqërisë për të mbrojtur gruan dhe për ta ndihmuar atë, për t’u fuqizuar në shoqëri. Me të gjitha elementet shtetërore, përmes organeve të rendit e të ligjit duhet të jemi shumë efikas në rastet e dhunës ndaj grave ‘’, theksoi kryeministri Hoti.

I shoqëruar nga kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe ambasadorja e Norvegjisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, Kryeministri Hoti tha se me pjesëmarrjen në këto aktivitete po tregojmë përkushtimin e Qeverisë për të rritur vetëdijen e qytetarëve për këtë fenomen i cili duhet të çrrënjoset përfundimisht./ KultPlus.com

Avdullah Hoti paralajmëron mbyllje totale të vendit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti paralajmëron se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.

Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”.

Në këtë intervistë, kryeministri Hoti po ashtu kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur ketë të dytën”, porositi ai.

Ai shtoi se zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera.

Kosova gati në “limitet e kapaciteteve spitalore”

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, në kohën kur po flasim, vendi po përballet me pandeminë, po shohim rritje të rasteve, po ashtu edhe masa të tjera. A po shkohet drejt mbylljes totale sërish?

Avdullah Hoti: Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa.

Jemi duke i ndjekur protokollet që i kanë zbatuar edhe vendet e tjera, por ne jemi në një situatë më të vështirë për shkak të kapaciteteve të limituara në spitale, për të akomoduar të gjithë ata që kanë nevojë për shërbim spitalor.

Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale.

Radio Evropa e Lirë: A ka mundësi të gjendet një mes, për shkak se po shohim që bizneset po kundërshtojnë mbylljen totale. Thonë se nuk do të mund të mbijetojnë. Do të thotë, si kryeministër i vendit, a shihni se ka ndonjë rrugë që do të mund t’i linte të kënaqura të gjitha palët?

Avdullah Hoti: Tash, sigurisht prioritet është jeta e qytetarëve, shëndeti publik. Po gjithashtu, unë besoj që po tregojmë edhe kujdesin e duhur edhe për aktivitetin biznesor, në mënyrë që të kenë mundësi bizneset, qytetarët, njerëzit të mbijetojnë, të sigurojnë të ardhurat e tyre për familje dhe mbijetesë, por mbi të gjitha është shëndeti.

Ne po mundohemi të konsultohemi vazhdimisht për masa që i ndërmarrim. Në të njëjtën kohë, me aq sa kemi kapacitete, t’ju ndihmojmë bizneseve gjatë periudhe të vështirë dhe ju kemi ndihmuar jo pak.

Deri më tani janë 270 milionë euro që i kemi shpërndarë në forma të ndryshme te bizneset, përfshirë edhe këtë shumën e fundit para dy-tri javësh, prej 60 milionë eurosh që shpërndamë te bizneset bazuar në numrin e punëtorëve. Edhe për vitin e ardhshëm e kemi paraparë Fondin për rimëkëmbje ekonomike. Nuk janë masa që i marrim me dëshirë. Po mundohemi që të balancojmë gjërat në vendimmarrje, por duke e vendosur si prioritet shëndetin publik.

“Kushdo që kërkon ndërprerjen e dialogut e ka shumë gabim”

Radio Evropa e Lirë: Kryeministër, ushtruesja e detyrës së presidentit të Republikës, Vjosa Osmani, ka kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbinë. Po ashtu edhe partneri i juaj në koalicionin qeveritar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që të ndërpritet dialogu për shkak të zhvillimeve të fundit, sa i përket Gjykatës Speciale. Cili është qëndrimi i qeverisë, çka do të ndodhë?

Avdullah Hoti: Zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet t’i lëmë anash, në kuptimin që të mos i lidhim me këto proceset e tjera. Është një proces tjetër që po ndodh me këto Dhoma të Specializuar. Fatkeqësisht, figura të larta dhe shtetërore dhe politike janë të përfshira në atë proces, por qeveria po funksion dhe zotimet shtetërore që i kemi, jemi duke i dalë zot. Kushdo që ka një qëndrim të tillë që duhet të ndalet procesi i dialogut, e ka shumë gabim. Nuk duhet të përdoret asnjëherë dialogu për qëllime të ngushta, siç po veprojnë disa. Procesi i dialogut dhe pjesëmarrja e Kosovës në dialog në Bruksel, nuk bëhet për interesa të Serbisë, por bëhet për interesa të Kosovës, të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës.

Janë dy zgjidhje: ose mund ta mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës.

Unë kam zgjedhur këtë të dytën. Ata politikanë që e kanë zgjedhur këtë të parën, për një kohë ju e dini se ku e kanë çuar vendin. Deri më tash dhe ne na është dashur punë shumë e madhe, vendime shumë të vështira jopopuliste, për të treguar që ne jemi një qeveri kredibile, që i dalim zot vendit, e hapur, pro-evropiane, që dimë se si të mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës dhe nuk kemi asnjë hezitim që të ulemi në tavolinë të dialogut sepse parimet i kemi të qarta dhe dimë se pse po shkojmë në atë tavolinë të bisedimeve.

“Kosova nuk do të mbetet e izoluar sa jam unë kryeministër”

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë qeveria që ju drejtoni fuqi që të mbijetojë dhe ta çojë përpara procesin e dialogut dhe të mbajë të unifikuar koalicionin?

Avdullah Hoti: Besoj një gjë është e qartë, sa i përket procesit të dialogut, unë i kam plotësisht kompetencat kushtetuese për të çuar përpara këtë proces dhe unë nuk do ta lë vendin të izoluar. Le të ankohen sa të donë kushdo në skenën politike, Kosova nuk do të mbetet e izoluar për aq kohë sa unë jam kryeministër.

Radio Evropa e Lirë: Pra, po thoni se dialogu nuk ka alternativë dhe se do të vazhdoni bisedimet me lidershipin serb për të arritur marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë?

Avdullah Hoti: Dialogu nuk duhet të ndërpritet sepse nuk është në interesin e Kosovës. Unë besoj se ne i shërbejmë më së miri shtetësisë së Kosovës edhe atyre njerëzve që janë në Dhomat e Specializuara, duke treguar maturinë shtetërore për të gjitha proceset, përfshirë edhe procesin e dialogut.

S’ka vota për presidentin, duhet marrëveshje ose zgjedhje të reja

Radio Evropa e Lirë: Meqenëse po flasim për procese të rëndësishme që ju keni nevojë për mbështetje, a e shihni të nevojshme që koalicioni aktual të zgjerohet për të çuar përpara këto procese?

Avdullah Hoti: Tash jemi para një situate të re, ku presidenti (v.j. Hashim Thaçi) ka dhënë dorëheqje. Besoj që është periudhë e ndjeshme, pasi ai sapo ka dhënë dorëheqje. Tash kanë filluar proceset në Dhomat e Specializuara, prandaj në një moment të duhur kohor, do të ulemi dhe do të shohim nëse do të mund të arrijmë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar këtë situatë. Në aspektin kushtetues është më se e qartë. Tani, partitë politike duhet të ulen bashkë për të gjetur zgjidhje për presidentin e vendit, ose për t’u dakorduar për zgjedhje të reja. Është e qartë se me votat që i ka ky koalicion qeverisës, nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, prandaj duhet një marrëveshje përtej këtij koalicioni qeverisës. Se si do të duket kjo marrëveshje, është shumë herët të flitet sepse nuk jemi ende duke diskutuar.

Radio Evropa e Lirë: Sot ishit pjesë e samitit për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit dhe si konkluzë doli që megjithatë jeni pajtuar bashkë më liderët e shteteve tjera, që të krijohet një treg i përbashkët rajonal. Çfarë janë avantazhet e Kosovës në këtë treg të përbashkët?

Avdullah Hoti: Në njëfarë mënyrë ne kemi pasur një treg rajonal, përmes CEFTA-s rajoni ka funksionuar si një treg në shumë aspekte, kemi pasur shumë barriera dhe kemi ende shumë barrierë, që janë kryesisht të natyrës jotarifore dhe që vijnë për shkak të problemeve politike që kemi në këtë rast në mes vendeve Kosovës dhe Serbisë, por edhe Kosovës me Bosnjë e Hercegovinën.

Unë besoj se deklarata që kemi nënshkruar dhe zotimet që kemi marrë sot, mundësojnë që të tejkalojmë shumicën e barrierave dhe të integrohen ekonomikisht vendet në rajon. Kjo është përfituese për të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën, sepse është ndryshe kur ke qasje në një treg që ka shumë më tepër konsumatorë për të funksionuar dhe shitur produktet. Por, mbi të gjitha ndikon shumë në tërheqjen e investimeve, në rritjen e konkurrencës dhe përgatitjen e këtij tregu për integrim në BE. Ajo që për ne është shumë e rëndësishme, është se ky treg nuk e zëvendëson tregun e përbashkët me BE-në, por e rrit integrimin ekonomik në mes vendeve.

Unë sot i kam dhënë edhe vërejtjet tona, si qeveri, si Kosovë, për këtë proces sepse kemi një situatë që është e pabarabartë në mes vendeve të rajonit, në kuptimin se disa nga vendet e rajonit, përveç se po bëhemi bashkë dhe kemi aranzhime të caktuara tregtare me vendet e BE-së, disa vende të rajonit, siç është Serbia, ka marrëveshje tregtie me vendet e lindjes, me Kinën, Rusinë dhe vende tjera. Përmes atyre marrëveshjeve, ato vende depërtojnë në tregun e rajonit. Dhe më vjen mirë që janë marrë parasysh nga Bashkimi Evropian si vërejtje që vijnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Por, marrë parasysh unë kam pritje mjaft pozitive sepse është bërë një hap mjaft i madh drejt unifikimit të tregjeve, rritjes së konkurrencës, e kështu më radhë./radioevropaelire/KultPlus.com

Hoti uron Biden për fitoren: Pres që të forcojmë edhe më shumë miqësinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emër të Qeverisë i ka uruar Joe Biden fitoren e presidencës, shkruan KultPlus.

Hoti tha se pret që të forcohet edhe më shumë miqësia me Amerikën dhe të vazhdojnë të punojnë në bashku.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh urimet e mia Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe Kamala Harris, për fitoren e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pres që të forcojmë edhe më shumë miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe të vazhdojmë punën tonë së bashku për njerëzit tanë dhe në shërbim të vlerave tona të përbashkëta”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

????????????????????????????????????

Reagon Hoti për vdekjen e Musliut, e vlerëson për veprimtarinë e tij si krijues, studiues e politikan

Ka vdekur sot gazetari dhe poeti Ramadan Musliu. Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryeministri Avdullah Hoti, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjarët dhe të dashurit e kontributdhënësit të kulturës, shkruan KultPlus.

Hoti ka shprehur vlerësimet për veprimtarinë e tij si krijues, studiues e politikan.

“Jam thellësisht i tronditur nga kumti i zi i shkuarjes në amshim të poetit, kritikut letrar e publicistit tonë Ramadan Musliu.

Përveç veprimtarisë krijuese e studimore, Ramadan Musliu dha ndihmesë të dallueshme edhe në fushën e informimit dhe të politikës, një herë si deputet i Kuvendit të Kosovës, e pastaj si këshilltar i ministrit të Kulturës.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe lexuesve të tij të shumtë!”, ka shkrua Hoti. / KultPlus.com

Hoti: Darkën e Lamës sivjet do ta shënojmë në mënyrë simbolike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti bëri të ditur se të enjten e ardhshme do të shënohet Festa e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës, të cilën ilirët e vjetër, e shënonin çdo vit si festë kulturore popullore rreth datës 23 tetor.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai deklaroi se sivjet, për shkak të rrethanave specifike të pandemisë COVID-19, kjo festë do ta shënohet në mënyrë simbolike, me një numër të kufizuar të të ftuarve.

“Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër. Autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova e pati shpallur Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës. Njësoj si të parët tanë, dardanët ilirë, edhe ne, në këtë ditë të rëndësishme, do ta falënderojmë Zotin për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe do t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë edhe më shumë të mira”, shkroi Hoti.

Më tej kryeministri ka shtuar se kjo ditë na përkujton se duhet t’i përkushtohemi edhe më shumë tokës së Kosovës dhe prodhimeve të shumta që na jep ajo. Sipas tij Qeveria ua ka dyfishuar ndihmat bujqve dhe prodhuesve, në mënyrë që sofrat tona t’i shtrohen me prodhimet shqiptare.

“Sivjet, për shkak të rrethanave specifike të pandemisë COVID 19, këtë festë do ta shënojmë në mënyrë simbolike, me një numër të kufizuar të të ftuarve. Mirëpo, në të ardhmen, këtë festë kulturore të traditës sonë të begatë do ta shënojmë së bashku, dhe me miqtë tanë të shumtë, ashtu siç e shënonim në kohën e Presidentit Rugova, ashtu siç e kanë shënuar të parët tanë”, shkroi Hoti.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të enjtën e ardhshme do ta shënojmë Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës, të cilën të parët tanë, ilirët e vjetër, e shënonin përvjet si festë kulturore popullore rreth datës 23 tetor.

Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër. Autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova e pati shpallur Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës.

Njësoj si të parët tanë, dardanët ilirë, edhe ne, në këtë ditë të rëndësishme, do ta falënderojmë Zotin për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe do t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë edhe më shumë të mira.

Po ashtu, kjo ditë na përkujton se duhet t’i përkushtohemi edhe më shumë tokës së Kosovës dhe prodhimeve të shumta që na jep ajo.

Qeveria e Republikës së Kosovës ua ka dyfishuar ndihmat bujqve dhe prodhuesve tanë të tjerë, në mënyrë që sofrat tona t’i shtrojmë me prodhimet tona, me të mirat e tokës sonë.

Sivjet, për shkak të rrethanave specifike të pandemisë COVID 19, këtë festë do ta shënojmë në mënyrë simbolike, me një numër të kufizuar të të ftuarve. Mirëpo, në të ardhmen, këtë festë kulturore të traditës sonë të begatë do ta shënojmë së bashku, dhe me miqtë tanë të shumtë, ashtu siç e shënonim në kohën e Presidentit Rugova, ashtu siç e kanë shënuar të parët tanë!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe të mirat e saj!/ KultPlus.com

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Të enjtën e ardhshme do ta shënojmë Festën e Ditës së Falënderimit -…

Gepostet von Avdullah Hoti am Samstag, 17. Oktober 2020

Hoti mirëpret propozimin e Grenellit që Ujmani të quhet Liqeni Trump

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka mirëpritur propozimin e Grenellit që Ujmani të quhet Liqeni Trump.

“E kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arrijen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”, ka thënë Hoti. “Në shenjë nderimi për rolin e tyre vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen e shtetësisë së Republikës sonë anekënd botës, ne i kemi pagëzuar sheshet më të bukrua të qyteteve tona me emrat e personaliteteve më të shquara të Shteteve të Bashkuara Amerikës, si: Presidenti Klinton, Xhorxh Bush, Senatori Bob Dol, Sekretarja Medlin Olbrajt etj”.

Sipas tij Kosova dhe qytetarët e saj do t’u jenë përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat, siç thoshte Presidenti Rugova, ne kemi miqësi speciale dhe të përhershme.

“Është traditë dhe kulturë jona për ta nderuar mikun! Këtë traditë fisnike të të parëve tanë, ne do ta ruajmë dhe do ta kultivojmë gjithnjë!”, ka shkruar Hoti. / KultPlus.com

Hoti thotë se Kosova shumë shpejt do të ketë vendin e saj në UNESCO

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mori sot pjesë në ngjarjen kulturore në të cilën u  promovua diversiteti ynë i pasur kulturor, përmes veshjes tradicionale dhe punimeve artizanale në Parkun arkeologjik “Ulpiana”.

Pasi përshëndeti të pranishmit, kryeministri Hoti tha se sot është edhe obligim institucional me qenë bashkë me ministren e Kulturës, por edhe kënaqësi me qenë në këtë ambient për t’i parë vajzat, djemtë, burrat e gratë që i prezantojnë veshjet e trevave të ndryshme shqiptare edhe të komuniteteve që jetojnë në Kosovë që e përbëjnë gjithë atë koloritin dhe trashëgiminë kulturore jo vetëm të Kosovës por edhe të Evropës dhe mbarë botës.

“Është ngjarje shumë e mirë që sot në këtë vend historik mijëra vjeçar bashkë edhe me Manastirin e Graçanicës edhe plot pasuri tjera historike kulturore të Kosovës që përbëjnë histori edhe trashëgimi botërore, të jemi bashkë ne promovimin e këtyre veshjeve kombëtare. Ndjehemi mjaftë të nderuar që kjo trashëgimi e jona nxitë interesim edhe të studiuesve, studentëve, profesorëve nga Kili, India, e nga vendet e ndryshme të botës”, u shpreh kryeministri Hoti.

Kosova së shpejti do ta ketë vendin në hartën e UNESCO-s, tha kryeministri Hoti duke u shprehur i bindur që me eskpertizën që e kemi, me këtë pasuri dhe me kujdesin e jashtëzakonshëm që ka Ministrja e Kulturës në nivelin lokal dhe këtu në nivelin qendror.

“Ne shpejt duhet të lëvizim drejt anëtarësimit edhe në organizata ndërkombëtare për të promovuar më shumë kulturën tonë edhe diversitetin kulturor që e kemi si Kosovë”, theksoi kryeminitri Hoti duke përgëzuar Ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi, për këtë organizim dhe në veçanti studentët nga vendet e ndryshme që sot na nderuan dhe na bënë pjesë të komunitetit të trashëgimisë së kulturore dhe arekologjike në nivel botëror”./ KultPlus.com

Trump i dhuron Kosovës “Çelësin e Shtëpisë së Bardhë”

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dhuruar çelësin e Shtëpisë së Bardhë delegacionit kosovar.

Përmes një fotografie të postuar në Facebook, Shefja e Kabinetit të kryeministrit Avdullah Hoti, Ardita Dushi ka njoftuar për dhuratën e Trumpit.

“Çelësi i Shtëpisë së Bardhë. Dhurata e Presidentit Trump”, ka shkruar ajo në mbishkrimin e fotografisë.

Kosova dhe Serbia dje nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë në prezencë të Presidentit Donald Trump. / KultPlus.com

Key of White House#PresidentTRUMPpresent

Gepostet von Ardita Dushi am Freitag, 4. September 2020

Avdullah Hoti: Opsionet e organizimit të mësimin nga 1 shtatori janë drejt finalizimit

Kryeministri, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedë me ministrin e arsimit, Rame Likaj por dhe institucionet tjera relevante, kurse janë duke finalizuar opsionet për organizimin e mësimit nga 1 shatori.

Hoti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se janë duke zhvilluar udhëzuesit dhe rregullat të veprimit për cilëndo situatë që mund të paraqitet. Më poshtë gjeni statusin e tij të plotë:

“Sot, bashkë me zëvendëskryeministrat, diskutuam me Ministrin Likaj dhe bashkëpunëtorët e tij për fillimin e vitit shkollor. Ministri Likaj, me ekspertë të fushës, si dhe në konsultim me komunat, SBASHK-un, Këshillin e Prindërve dhe akterët e tjerë, është duke finalizuar opsionet për organizimin e mësimit nga data 1 shtator.
– Komunat dhe drejtorët e shkollave do të kenë udhëzime të qarta se si duhet të organizohet mësimi varësisht nga kushtet që kanë në shkollat e tyre.
– Mësimi online do të jetë gjithmonë aktiv.
– Janë duke u zhvilluar protokolle të veprimit se çfarë masa duhet të ndërmerren në çdo situatë që paraqitet.
– Do të ndërmerret një fushatë informuese për nxënësit dhe arsimtarët për masat mbrojtëse që duhet të zbatojnë.
– Mësimdhënësit janë duke u trajnuar për mësimin online, si dhe po punohet që të kemi listë rezervë të mësimdhënësve që mund të angazhohen sipas nevojës.
– Inspeksioni i arsimit do të jetë në mbështetje të shkollave për t’i udhëzuar për masat që duhet ndërmarrë, por edhe për të mbikëqyrë zbatimin e atyre masave.” / KultPlus.com

Hoti: Do ta kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nëse rekomandojnë Ministria dhe IKSHKP

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë sot në Kuvend se ekspertët ligjorë të zyrës së tij kanë analizuar dhe kanë dalë me përfundim se projektligji për menaxhimin e pandemisë nuk është i mjaftueshëm, nëse duhet të merren masa më ekstreme për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

“Ne sot në Qeveri e kemi shqyrtuar projektligjin për pandeminë. Ky ligj nuk e zgjedh problemin. Sepse nuk mundet ky ligj , e vetmja zgjidhje nëse duam të shkojmë në ekstreme të kufizimit të lëvizjes në nivel vendi, kjo duhet të bëhet me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Hoti.

Ai ka thënë se diçka e tillë do të mund të bëhet vetëm me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe se nuk heziton të kërkojë shpalljen e saj , transmeton KultPlus.

“Unë jam në konsultim të ngushtë me Institutin Shëndetit Publik edhe me Komitetin që udhëheq ministri, unë nuk do të hezitoj që të vijë për të kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nëse këtë e kërkojnë ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk ka me pas asnjë hezitim në këtë drejtim”, tha Hoti.

Ndërkaq kryeparlamentarja Vjosa Osmani, pas fjalëës së kryeministrit, ka thënë se atij nuk i takon të sjellë në Kuvend propozim për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, dhe se kjo mund të bëhet vetëm nga Presidenti. / KultPlus.com

Hapet Burgu i Prishtinës, shpalosen figurat e rezistencës së çështjes kombëtare në Kosovë

Xhemile Hysenaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës, sot ka organizuar hapjen e Burgut të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Ky burg shpalos një histori të dhimbshme, historinë e popullit tonë, përmes të cilit kaluan shumë personalitete që u torturuan për kohë të gjatë në dhomat e atij burgu.

Hapjen zyrtare të burgut e bëri kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, i cili e quajti një moment të veçantë hapjen e këtij burgu, duke thënë se me të drejt është quajtur ‘Burgu i ideve’, pasiqë aty edhe kanë nisur idetë për levizjet e rezistencës së Kosovës.

“Është ndjenjë e veçantë dhe e përjeton kur hyn nga një çeli në tjetrën. Ky është burgu i ideve. Le të jetë kjo një qendër që të gjithë qytetarët e Kosovës ta përjetojnë atë që kanë kaluar njerëzit gjatë kohës sa ishin të burgosur”, u shpreh tutje Hoti për të pranishmit.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi shprehej se të burgosurit e këtij burgu, në periudha të ndryshme kanë qenë dhe janë bazament i rezistencës.

“Ne e kemi paraparë që për këtë ditë ta ofrojmë për vizitorët ta hapim. Burgu është ndërtuar në vitin 1945 në kohën e Rankoviqit, është ndërtuar nga të burgosurit politikë. Kjo tregon për historinë e popullit tonë sa kemi qenë të fortë. Çka është specifike, burgu është i ndërtuar në formën harkore, sepse ka qenë urdhër Aleksandër Rankoviqit që me qenë bashkë me hetuesinë apo UDB-në. Kemi këtu individë që me vjet kanë qëndruar në çeli. Kjo do të jetë pjesë integrale e historisë tonë”, deklaroi Dumoshi.

Sipas të dhënave nga Arkivi i Prishtinës, ndërtesa e Burgut të Prishtinës, është ndërtuar në fund të viteve 1940-50, në kohën kur është ndërtuar edhe ndërtesa e Komunës së Prishtinës dhe ndërtesa e ish-Komitetit në Sheshin Nënë Tereza. Disa shënime të tjera tregojnë se në këtë zonë para ndërtimit të burgut ka ekzistuar një shkollë e vjetër e muzikës, e cila më pas është transformuar në administratë policore.

Në rastin e burgut, tema që trajtohet është shumë e rëndësishme, por edhe komplekse sepse ngërthen burgimet politike, përndjekjet, rezistencën por edhe gjithë organizimin politik për liri të shqiptarëve në Kosovë.

Ndërkaq në një pjesë të murit, jashtë burgut, qytetarët dhe personalitete të njohur, vendosën mbishkrime të ndryshme dedikuar të gjithë atyre që dikur kanë vuajtur tortura të mëdha në dhomat e këtij burgu.

Në muret e këtij burgu vareshin disa nga fotografitë e figurave më të mëdha që Kosova ka pasur përgjatë historisë së saj në luftën për liri e pavarësi, Ukshin Hoti, Rexhep Mala e Adem Demaçi ishin disa nga këto figura. Në ato mure akoma gjendeshin lutje e gëvishtje të të burgosurve të atëhershëm, të cilët përjetuan tortura nga më të rëndat, disa prej të cilëve përfunduan edhe fatalisht e disa të tjerë nuk u gjetën më kurrë.

Ish-burgu i Prishtinës planifikohet që në të ardhmen të shndërrohet në muze. / KultPlus.com