Ëndrra e një Nate Vere: Zëri engjëllor i Ermonela Jahos përkund Prishtinën

Era Berisha

Në mbrëmjen e 8 qershorit, sheshi Skënderbeu i Prishtinës u shndërrua në një skenë të jashtëzakonshme operistike teksa sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho bëri performancën e saj debutuese në Kosovë. E ftuar nga Opera e Kosovës, Jaho, shoqëruar nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës dhe Orkestra e Operës, mbajti një koncert magjepsës të drejtuar nga maestro italian Jacopo Sipari di Pescasseroli. Programi shfaqi arie ikonike nga operat e Puçinit, Verdit dhe Cileas, duke shfaqur aftësinë e jashtëzakonshme vokale dhe thellësinë emocionale të Jaho-s. Performanca e saj rezonoi thellë tek publiku, duke ngjallur ovacione dhe duartrokitje të përzemërta. Kjo ngjarje historike jo vetëm që shënoi një moment historik të rëndësishëm kulturor për Kosovën, por gjithashtu nënvizoi fuqinë e muzikës për të kapërcyer distancat dhe për të bashkuar zemrat.

Ndonëse koncerti ishte paralajmëruar të niste në orën 20:30, që nga ora 20:00 çdo vend në shesh ishte zënë – karriget nga cepi në cep ishin mbushur me publik të etur për art. Qielli, i skuqur nga rrezet e fundit të diellit, u shndërrua në një perde natyrore, duke paralajmëruar hyrjen madhështore të një mbrëmjeje të paharrueshme. Ndërsa dielli fundosej ngadalë pas horizontit të Prishtinës, tingujt e para të natës i përkisnin heshtjes solemne që paraprin magjinë. Skena e mbuluar në të zezë qëndronte në pritje – instrumentet në vendet e tyre, gati të shpërthenin në jetë sapo mjeshtrit e muzikës të dilnin. Dhe pak para orës 20:38, në mes të një atmosfere të ngarkuar me emocion dhe pritje, u dëgjua lëvizja e parë: një shushurimë delikate, hyrja e muzikantëve – si një premtim i artë për një natë që do të jetonte gjatë në kujtesën e çdo të pranishmi.

Koncerti na bëri të përjetojmë ëndrrën e një nate vere dhe nuk ishte thjesht një ngjarje muzikore – ishte një udhëtim emocional, një përjetim artistik që shpalosi ëndrrat, nostalgjinë dhe pasionin përmes fuqisë së muzikës operistike. Nën qiellin e hapur të Prishtinës pa yje, yjet e vërtetë ishin ata në skenë që ndriçuan mbrëmjen me talentin e tyre. Nën hijen poetike të një nate qershori, publiku mbrëmë u ftua të harrojë realitetin dhe të zhytet në një dimension tjetër – aty ku zëri i Ermonela Jahos prekte shpirtin dhe dirigjimi i Jacopo Sipari di Pescasseroli i jepte jetë çdo note me ndjeshmëri dhe madhështi. Ishte një natë ku arti dhe natyra u bënë një, ku çdo melodi tingëllonte si një fragment i një ëndrre të përbashkët, të ndarë mes skenës dhe publikut – një ëndërr që nuk do të shuhet lehtë nga kujtesa kolektive.

Në skenë, të zhytur në të zeza dhe me një elegancë të përmbajtur, dolën një nga një instrumentistët – figura që ngjanin me silueta të natës, të ndriçuara lehtë nga drita e butë që përplasej mbi instrumentet e tyre. Me një fillim që nuk shpërthente, por pëshpëritej, ata nisën të thurnin një rrezatim melodik që lëvizte me ndrojtje përmes shtresave të harmonisë. Tingujt e parë kishin një ngjyrim të pazakontë – një qetësi e dridhshme, thuajse e frikshme në bukurinë e saj intime, që ftohte frymën dhe ngrohte zemrën njëkohësisht. Dirigjenti, me lëvizjet e tij që ngjanin me krahët e një zogu të bardhë në fluturim të lirë, udhëhiqte një koreografi të padukshme, ku harqet e duarve ishin si zgjatime të shpirtit të tij. Së bashku, ata krijuan një fillim që nuk thjesht u dëgjua – por u ndje thellë, si një frymë që përthithi atmosferën dhe e ktheu në një puthje muzikore që prekte heshtjen me delikatesën e një ëndrre.

Flladi i butë që lëkundte lehtë ajrin e ngrohtë të mbrëmjes vinte si një dhuratë e padukshme, një prekje qiellore që shoqëronte atmosferën e elektrizuar të skenës. Reflektorët e bardhë dhe vjollcë, të vendosur horizontalisht, krijonin një perde drite para syve të publikut, ndërsa tjerat vinin në pah çdo detaj të lojës së përqendruar dhe mjeshtërore të instrumentistëve – një dialog vizual mes dritës dhe muzikës. Në këtë skenografi të qetë por të ngarkuar me ndjesi, mbrëmë ndodhi një shkrirje e rrallë: serioziteti akademik, energjia e pastër dhe preciziteti absolut u bashkuan në një frymë të vetme emocionale. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe ajo e Operës së Kosovës nuk ishin më thjesht muzikantë – ata ishin shpirti kolektiv i një nate që ndaloi kohën. Me një madhështi të heshtur dhe një qartësi të tingujve që të ftonin në përhumbje, ata pushtuan skenën dhe zemrat, duke e kthyer çdo notë në një ndjesi të papërshkrueshme, të denjë për t’u ndjerë – më shumë sesa për t’u përshkruar.

Programi i interpretuar nga sopranoja Ermonela Jaho, në bashkëpunim me Operën e Kosovës dhe Filharmoninë e Kosovës, ishte një kurorë prej perlave të operës italiane – një udhëtim emocional që përshkoi peizazhe të brendshme të dhimbjes, dashurisë dhe përulësisë njerëzore. Me zgjedhje mjeshtërore nga veprat e Puccinit, Verdit dhe Cileas, koncerti krijoi një tension dramatik që lëkundej mes heshtjes së ndjenjave të papërmbajtura dhe shpërthimeve shpirtërore të një gruaje që i jep zë të gjithëve: nënës, të dashurës, viktimës, heroinës. Muzika e Puccinit dhe Verdit, me intermezzot e saj të ngjeshura me ndjeshmëri dhe aria të mbushura me melankoli të thellë, gjeti në interpretimin e Jahos një jetë të re – plot pasion dhe një thjeshtësi të dhimbshme që rrallë arrihet. Ky ishte më shumë se një koncert: ishte një rrëfim i brendshëm, ku zëri i sopranos u bë kanal i shpirtit njerëzor, ndërsa orkestra – me ndjeshmëri të jashtëzakonshme nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli – e mbështeti këtë dramë të brendshme me një thellësi të rrallë. Qe një mbrëmje ku muzika nuk u këndua, por u jetua.

Programi i mbrëmjes ishte një mozaik emocionesh të gdhendura në gurët më të çmuar të operës italiane, një udhëtim lirik që fliste me gjuhën e shpirtit. U hap me “La Tregenda” nga Le Villi e Puccinit – një shpërthim orkestral që të ftonte në një vallëzim të errët midis ëndrrës dhe fatit të pashmangshëm. Më pas, delikatesa dhe trishtimi i princeshës së Turandot në Signore, ascolta gjeti jehonë në zërin që qante butësisht për dashurinë e pamundur. Ave Maria e Verdit, nga Otello, solli qetësinë e lutjes së brendshme, një ndriçim hyjnor që ndizej në errësirën e mendimeve njerëzore. Tingujt vijuan me një heshtje të rëndë nga Senza mamma e Suor Angelica, ku dhembja për një fëmijë të humbur u bë gjëmë që lartësoi shpirtin. Adriana Lecouvreur e Cilea ngjalli elegancën dhe përulësinë në Io son l’umile ancella, ndërsa Poveri fiori derdhi përmes harkut lamtumirën e një zemre të copëtuar. Në Manon Lescaut, intermezzoja u përshkua nga një pezullim tragjik, i ndjekur nga thirrja e vetmisë në Sola, perduta, abbandonata, që ngjante me një fjalë e fundit në agoni. Në Madama Butterfly, intermezzoja e heshtur dhe Un bel dì vedremo ishin si dy faqe të një ëndrre që pret të ndodhë e që digjet ngadalë në realitetin mizor. E më pas, La Traviata e Verdit, me Preludio-n që dukej si fryma e fundit e një jete të përmallshme dhe Addio del passato që derdhej si një pëshpëritje në boshllëk. Dhe së fundi, si një përqafim i butë pas një stuhi emocionesh, O mio babbino caro – një lutje e thjeshtë, e pafajshme dhe e ndjerë, që mbylli natën me një buzëqeshje të lagur nga lotët.

Ermonela Jaho nuk këndon thjesht – ajo shndërrohet në çdo rol, duke e jetuar çdo ndjenjë deri në skajin e saj më të thellë. Që në çastet e para në skenë, sytë e saj – shpesh të ngritur drejt qiellit – sikur kërkonin një dritë më të madhe, një fuqi që rridhte përmes zërit të saj të kristaltë. Çdo vepër që interpretonte, ajo e përjetonte me një ndriçim të brendshëm që reflektohej në sytë e saj të mbushur me shkëlqim dhe shpesh me lot, si një dëshmi e përkushtimit të saj të plotë ndaj artit. Ishte një pasion që nuk kërkonte duartrokitje – por një përulje me mirënjohje, njashtu siç ajo bënte përkuljeje të kokës së saj, e sinqertë pas çdo pjese.

Në çdo rol që mori përsipër, Jaho solli jo vetëm teknikë të përsosur, por edhe një saktësi emocionale që rrallë dëgjohet në skenat operistike. Ajo i përthithi emocionet e çdo karakteri dhe i ktheu në ndjenja të ndara me publikun – me gjeste të buta, me përqafime ndaj vetes në momentet më të ndjeshme, me buzëqeshje që mbartnin dhimbjen, faljen dhe dashurinë. Drama në fytyrën e saj nuk ishte teatrale, por njerëzore – e vërtetë dhe e thellë. Ajo nuk interpretoi thjesht arie, por tregoi histori të grave që shpresojnë, humbasin, luten, sakrifikojnë dhe duan. Dhe çdo notë që dilte nga zëri i saj ishte si një fije e shpirtit të tyre – e kthyer në muzikë për ne të tjerët.

Duke qëndruar në qendër të skenës, Jaho ishte si një univers i yjeve të vërtetë, e cila magjepsi publikun jo vetëm me vokalin e saj të pastër e të fuqishëm, por edhe me praninë e saj engjëllore. Vështrimi i saj drejt audiencës – i mbushur me dritë, dashuri dhe paqe – krijoi një ndjenjë të rrallë lidhjeje midis sopranos dhe çdo zemre në shesh. Ishte një përvojë që nuk dëgjohej, por ndjehej deri në palcë. Në atë natë të paharrueshme, zëri i Ermonela Jahos nuk ishte thjesht tingull: ishte një shpallje e bukurisë njerëzore, një thirrje për të kujtuar se arti i vërtetë lind nga shpirti – dhe vetëm nga shpirti.

Një nga gjestet më të paharrueshme të mbrëmjes ishte lëvizja e dorës së saj të djathtë – një dorë që dukej sikur mbante jo vetëm kontrollin e zërit, por edhe të shpirtit që ajo dhuronte publikut. Çdo herë që afrohej një notë e lartë, një kulm emocional apo një shpërthim dramatik, dora e saj e djathtë ngrihej ngadalë, duke përshkruar ajrin me një hijeshi të pashoq, si të kërkonte të kapte qiellin apo ta përfshinte publikun në përjetimin e saj. Ishte një gjest i vetëdijshëm dhe i natyrshëm njëkohësisht – i mbushur me një energji të brendshme që paralajmëronte fuqinë e një zëri që nuk këndonte vetëm për t’u dëgjuar, por për të lënë gjurmë. Me këtë lëvizje, Ermonela dukej sikur e thërriste audiencën drejt vetes, duke i bërë bashkëudhëtarë në çdo moment kulmor.

Ermonela Jaho u shfaq në skenë me një elegancë që nuk buronte vetëm nga veshjet e saj – një fustan i zi e i bardhë që kontrastonte si drita me hijen, dhe më pas një fustan mbretëror blu që përhapej si valë qiellore mbi skenë – por nga një bukuri që shkëlqente prej brenda. Ishte bukuria e një shpirti të thellë, të përulur dhe të ndjeshëm, që vinte në jetë përmes çdo note që dilte nga zemra e saj. Nuk ishte thjesht pamja e jashtme që i linte të gjithë pa frymë, por mënyra se si zëri i saj, i ngrohtë dhe i pafund, pasqyronte një botë të brendshme të pasur me dashuri, dhembshuri dhe ndjeshmëri. Ajo nuk ishte vetëm një yll në skenë – ishte një dritë që ndriçonte publikun nga brenda, një kujtesë se bukuria e vërtetë është ajo që rrjedh nga shpirti dhe prek të tjerët përtej pamjes.

Ashtu si njerëzit zakonisht ngulin sytë në yje me habi dhe admirim, mbrëmë në atë natë të paharrueshme, publiku u drejtua me një vështrim yjor — jo drejt qiellit, por drejt Ermonela Jahos. Ajo u bë konstelacioni përreth të cilit rrotulloheshin të gjitha sytë, një yll i gjallë që ndriçonte natën me një prani të fuqishme. Ashtu si yjet tërheqin ëndërrimtarët në thellësitë e tyre pafund, zëri dhe aura e saj tërhoqën audiencën në një orbitë të përbashkët të admirimit dhe respektit.

Koncerti gala në Prishtinë, mirëpriti Ermonela Jahon – një nga zërat më të ndjeshëm të skenës botërore, që me përulësi dhe dashuri i quan Kosovën dhe Shqipërinë, të dyja, shtëpi të saj. Prania e Jahos në Kosovë ishte nder dhe inspirim për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë që ndjekin ëndrrat në fushën e muzikës. Përmes figurave si Ermonela Jaho, bota mëson për vlerat, shpirtin dhe historinë tonë. Ajo ka fituar çmime prestigjioze që dëshmojnë talentin dhe pasionin e saj të jashtëzakonshëm, si: Këngëtarja më e Mirë – OPER! AWARDS, Premios Ópera XXI, Artistja e Vitit – ICMA etj. Ndërsa, maestro i muzikës operistike Jacopo Sipari është i njohur për pasionin, finesën dhe elegancën që sjell në çdo dirigjim. Ai ka fituar çmime prestigjioze si: Golden Opera Award, Titulli “Ambasador i Puccinit në Botë”.

Sopranoja e njohur ndërkombëtarisht, Ermonela Jaho, ka thënë se e ndien për detyrë t’i dhurojë brezit të ri dashuri dhe mundësi, në mënyrë që ata të qëndrojnë në vendin e tyre.

“Një falënderim i jashtëzakonshëm për këta artistë të mrekullueshëm të Filharmonisë dhe Operës së Kosovës, maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, koncertmjeshtres Abigeila Voshtina. Falënderoj nga zemra të gjithë ata që organizuan këtë koncert kaq të bukur, dhe qoftë ky një ogur i mirë që herën tjetër një koncert të tillë ta bëjmë në shtëpinë e Operës së Kosovës. Dua të them se u preka shumë mbrëmë, sepse bëmë një provë këtu të gjithë, dhe kur po këndoja ‘O mio babbino caro’, ishin dy-tre fëmijë të vegjël, dhe unë thashë me vete: ‘O bobo, tani do e dëgjojnë këtë tetën se çfarë po bën’, por ata kërcenin së bashku me mua. Mendoj se për atë brez të ri ne kemi një detyrim kaq të madh: t’u japim aq shumë dashuri dhe t’u japim mundësinë që të qëndrojnë në vendin e tyre.”

Dirigjenti maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli ka thënë se ndihet shumë i lumtur që ishte pjesë e këtij koncerti e që ndau skenën me një artiste të madhe si Ermonela Jaho.

“Jam shumë i lumtur që isha këtu sonte, me të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht me sopranon Ermonela Jaho. Ky nuk ishte thjesht një koncert, por një përvojë sociale dhe emocionale për secilin prej nesh, sepse ky koncert ishte, pa dyshim, një dhuratë. Audienca pati privilegjin të shijonte muzikën e Ermonela Jahos – një ndjesi që të ngjan sikur po ecën mbi re. Është si të flasësh me Zotin. Mendoj se ajo është e vetmja në botë që mund t’i japë secilit prej nesh ndjesinë se i gjithë njerëzimi është hyjnor.”

Në një prononcim për KultPlus foli Meriton Ferizi, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, i cili u nda i kënaqur me koncertin.

“Ishte një mbrëmje e paharruar nën qiellin e hapur të Prishtinës. Koncerti shënoi një moment kulmor artistik dhe emocional për publikun, në kuadër të kremtimeve të ditëve të çlirimit të Kosovës. Bashkëpunimi ishte frymëzues – një sinergji e vërtetë mes artistëve të përkushtuar. Mjeshtëria e sopranos Ermonela Jaho, ndjeshmëria dhe fuqia e interpretimit të saj, i preku të gjithë të pranishmit. Prania e saj ishte një dhuratë për skenën tonë dhe një krenari për Kosovën, e cila dha mesazhe të fuqishme të cilat do të ndikojnë në të mirën e përgjithshme dhe një imazh pozitiv për vendin tonë. Ky koncert dëshmoi fuqinë e artit për të bashkuar njerëzit dhe për të sjellë përjetime të thella shpirtërore. Uroj që Ermonelën t’a kemi përsëri në inaugurimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.”

Ky koncert nuk ishte vetëm një mbrëmje brilante muzikore, por një festë shpirtërore e artit, njerëzores dhe ndjesisë së përbashkët. Ermonela Jaho, Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës na kujtuan të gjithëve fuqinë transformuese të muzikës – për të shëruar, për të bashkuar dhe për të frymëzuar. Me çdo notë, ata mbollën fara shprese në zemrat e audiencës, veçanërisht në sytë e dëgjuesve më të rinj. Nuk ishte thjesht një interpretim; ishte një moment historie, një dëshmi e bukurisë që lind kur talenti takohet me qëllimin. Qoftë kjo vetëm fillimi i një kapitulli të ri për shpirtin operistik të Kosovës./ KultPlus.com

Oleg Arapi, Lule Elezi dhe Orkestra e Operës së Kosovës magjepsin Prishtinën me virtuozitet

Era Berisha

Gjithsej gjashtë vepra brilante janë ndërthurur me mjeshtëri në programin e zgjedhur për koncertin e veçantë të Orkestrës së Operës së Kosovës. Ky koncert, i mbajtur brenda një atmosfere të thellë muzikore, dëshmoi për një interpretim që kapërcen kufijtë e zakonshmes, duke u shndërruar në një përjetim të rrallë artistik. Nën drejtimin finesë të dirigjentit të njohur Oleg Arapi dhe me pianisten e talentuar Lule Elezi në qendër të vëmendjes, skena u shndërrua në një univers emocionesh të pastra, ku secila vepër mori frymë me një shpirt të vetin. E gjithë nata u kthye në një dialog të fuqishëm mes muzikës dhe shpirtit, një simfoni e harmonisë që jehonte thellë në zemrat e të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Fillimisht, të pranishmit nisën të mbërrijnë një e nga një, duke u ulur me kujdes në karriget e vendosura me përpikëri në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Sallës iu rikthye zëri i gjallë i artit, e çdo cep i saj u mbush me praninë e atyre që e ndjejnë thellë nevojën për të qenë dëshmitarë të magjisë së muzikës së gjallë. Perdet e zeza në sfond qëndronin si gardianë të elegancës, ndërsa reflektorët në ngjyrë vjollcë ndriçonin me një dritë ëndërrimtare, duke e kthyer hapësirën në një altar të tingujve.

Ora shënoi 20:00. Heshtja zuri vend në mënyrë solemne. Celularët u fikën, zërat u fashitën, dhe një pritje e ëmbël filloi të lëkundej në ajër. Duartrokitjet shpërthyen me ngrohtësi në momentin kur instrumentistët zunë vendet e tyre në skenë. Mes tyre, u shfaq dirigjenti Oleg Arapi, me një prani të qetë por të fuqishme, i përshëndetur me përzemërsi nga publiku. Me një buzëqeshje të përmbajtur, ai iu përgjigj brohoritjeve, si një poet që sapo ka hyrë në skenën e fjalëve të tij të heshtura – tingujt.

Vepra e parë që u interpretua në këtë mbrëmje të veçantë ishte uvertura nga opera “Don Pasquale” e kompozitorit italian Gaetano Donizetti. E krijuar në mesin e shekullit XIX, kjo uverturë i paraprin një prej komedive më të njohura të repertorit operistik belkantist dhe është një shembull i mrekullueshëm i finesës dhe gjallërisë që karakterizon stilin e Donizettit. Qysh në notat e para, muzika u shpalos me një dritë lozonjare dhe një elegancë të lehtë, si një shëtitje e qetë përmes rrugëve të Romës së vjetër. Fijet e violave dhe violonçelëve sollën një fillim të ngrohtë, teksa frymorët i shtonin ngjyra një tabloje që rritej gradualisht në temperament dhe dinamizëm. Kjo uverturë është një hyrje e shkëlqyer në botën satirike të operës, e cila përmes tingujve ndriçon karakteret plot humor dhe situatat absurde që pasojnë.

Pas uverturës plot sharm e gjallëri të Donizettit, nata vijoi me një kthesë dramatike dhe emocionale përmes tingujve të “Sonatës Patetike për piano dhe harqe” nga Ludwig van Beethoven. Në këtë vepër, ndjeshmëria e thellë e mjeshtrit gjerman u shpalos me një fuqi që kapërcen kohën, ku çdo akord i pianos, në dialog të ngushtë me harqet, sillte një përzierje të dhimbjes së përmbajtur dhe krenarisë njerëzore. Lule Elezi, me prekje të butë dhe të sigurtë, gdhendi me ndjeshmëri secilën frazë, duke krijuar një hark emocional që zgjaste përtej skenës dhe përfshinte çdo zemër të pranishme.

Më pas, nën dritën e një qetësie të brendshme, nisi të rridhte “Nocturne në cis-mol, B.49” nga Frederic Chopin – një gjuhë muzikore e ëndërruar, plot melankoli dhe hijeshi. Kjo vepër, e butë si një pëshpëritje nate, u shtri si një qilim heshtjeje mbi sallë, ndërsa çdo tingull i pianos dukej se vinte nga një tjetër botë, një kujtim i largët e i shenjtë. Në të pasuan ngjyrat intime të “Intermezzos nr. 1” të Manuel Ponce, ku melodia me nuanca latine lundronte si një vallëzim i heshtur ndërmjet harqeve dhe pianos, duke përqafuar thellësinë shpirtërore me një thjeshtësi mahnitëse.

Ky udhëtim muzikor u ngrit në një frymë teatrale me “Suitën nr.1 nga Carmen” e Georges Bizet – një shpërthim ngjyrash dhe ritmesh që mbushën hapësirën me gjallëri dramatike, pasion dhe temperament jugor. Tingujt ikonikë të Bizet-it sollën në sallë aromën e flaktë të Spanjës, ndërsa performanca e orkestrës, nën drejtimin preciz të Oleg Arapit, ringjalli fuqinë e narrativës së “Carmen”. E gjithë mbrëmja u përmbyll me një vrull festiv e triumfues përmes “Uverturës Light Cavalry” nga Franz von Suppé – një vepër që ngërthen humorin, shpejtësinë dhe elegancën në një ndjesi finale përplot me energji e gëzim, si një përshëndetje e hareshme nga muzika drejt audiencës së saj të magjepsur.

E njohur për lojën e saj të fuqishme dhe njëkohësisht delikate (FCE – Luksemburg), e cilësuar si virtuoze në interpretim (Momag – Austri), dhe e vlerësuar për emocionin e thellë e të përshkueshëm në veprat e Chopin (Bergedorfer Zeitung – Gjermani), pianistja e mirënjohur Lule Elezi u ngjit për herë të parë në skenë me Orkestrën e Operës së Kosovës, në një koncert që solli një përjetim të pasur estetik për publikun e Prishtinës.

Në duart e saj, secila vepër u shndërrua në një rrëfim dramatik, ku forca dhe ndjeshmëria bashkëjetonin në çdo frazë; një pikturë e gjallë e shpirtit të kompozitorit. Ajo gdhendi tinguj që rrëshqisnin butësisht si hije nate mbi harqet, duke krijuar një përhumbje të ëmbël, melankolike dhe intime. Interpretimi i saj ishte si një kujtim i ngrohtë, i thjeshtë në dukje por i mbushur me ngjyrime të heshtura, që ndizeshin lehtë mes harmonive të harqeve, duke e kthyer veprën në një copëz të vogël kohe të ndalur. Ndërsa koncerti lëvizte drejt temperamentit të gjallë, loja e saj mori ngjyra teatrale, të mprehta dhe plot ngarkesë dramatike, duke ruajtur gjithmonë elegancën e premtuar nga fillimi. Ajo përfundoi interpretimin e saj me një gjurmë të pashlyeshme, ku çdo vepër e kaluar përmes duarve të saj u shndërrua në një rrëfim poetik – të fortë, të ndjerë, dhe të paharrueshëm.

Për të folur më shumë rreth pjesëmarrjes së tij në kuadër të Operës së Kosovës, për KultPlus foli vetë dirigjenti Oleg Arapi.

“Ishte një kënaqësi për mua, bashkëpunimi me Orkestrën e Operës së Kosovës. Ky bashkëpunim u realizuar falë pianistes të talentuar shqiptare nga Kosova, Lule Elezi, me të cilën kam pasur kënaqësinë të bashkëpunojë në disa koncerte në Prizren dhe Tiranë. Një falënderim shumë të madh për istrumentistët e talentuar të orkestrës, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm, performuan një program të bukur muzikalisht dhe të vështirë teknikisht, për një periudhë shumë të shkurtër kohe. Performanca e pianistes Lule Elezi, u duartrokit pa fund nga spektatorët artëdashës.”

Gjithashtu, pianistja Lule Elezi për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth koncertit.

“Ishte një mbrëmje shumë e veçantë për mua, sepse isha solistja e parë instrumentiste që performova me Orkestrën e mrekullueshme të Operës së Kosovës, nën dirigjimin fantastik të Maestro Oleg Arapi. Me Maestro Oleg Arapi kam pasur kënaqësinë të bashkëpunojë edhe më herët, me koncertet që i kemi mbajtur në Prizren dhe disa koncerte në Tiranë, dhe e vlerësojë maksimalisht punën e tij të palodhur dhe shumë, shumë profesionale. Falënderoj përzemërsisht stafin e Operës së Kosovës, e në veçanti kryetaren e Bordit, Rreze Kryeziu Breznica dhe drejtorin, Meriton Ferizi për organizimin e shkëlqyer të këtij koncerti, të cilët u përpoqën shumë që kjo mbrëmje të kishte këtë glamor.”

Fotografitë: Arben Llapashtica/ KultPlus.com

Opera e Kosovës me “La Traviata” shpërthen përtej të zakonshmes, vulos profesionalizmin në interpretim

Era Berisha

E shkruar në tri akte, opera më ikonike e mjeshtrit të njohur Guiseppe Verdi me emërtimin “La Traviata” nën regjinë e bullgarit Ognian Draganoff, është jetësuar për herë të parë mbrëmë në qytetin e Prishtinës. “Jetën” ia ka dhënë magjishëm interpretimi i Operës së Kosovës në bashkëpunim me Operën Shtetërore të Stara Zagorës (Bullgari), Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri) dhe Filharmonisë së Kosovës, me ç’rast kjo ndërlidhje ka pruar emocione jashtëzakonisht të forta që më së miri vëreheshin nëpër lotët e dhjetëra njerëzve të pranishëm në sallën e sporteve “1 Tetori”, shkruan KultPlus.

Para se koncerti të gjente pikënisjen e vetë, të pranishmit dalëngadalë po zinin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës së improvizuar në sallë. Me një pamje e formë krejtësisht ndryshe, skena gjigande merrte vëmendjen e gjithsecilit. E përshtatur për të shpalosur historinë e operës “La Traviata”, skena ishte “veshur” kokë e këmbë në ngjyrë të kaltër, teksa anash qe e vendosur një tavolinë rrethore me shtatë karrige të vendosura rreth saj, ndërsa në anën tjetër një divan në ngjyrë krem që pas pak do të mirëpriste uljen e personazheve. Ndonëse, ngjitësi i platformës së vendosur në skenë dallohej edhe nga rreshti i fundit i karrigeve në sallë, kjo nuk pengoi aspak në lëvizjen e lirshme e natyrale të protagonistëve. Në anën tjetër, reflektorët në ngjyrë të kaltër që të jepnin ndjesinë e të qenurit brenda një oqeani të thellë, i dhanë audiencës një përafërsi të pakrahasueshme. Por, ato ndryshonin me kahjen e shpalosjes së akteve, dhe kjo e shtrinte lehtazi ngrohtësinë e historisë së çdo personazhi.

Protagonistët e operës “La Traviata”: Besa Llugiqi (Violetta Valéry), Emanuele D’Aguanno (Alfredo Germont), Gëzim Myshketa (Giorgio Germont), Fitore Gjonbalaj (Flora Bervoix), Kaltrina Miftari (Annina), Urta Haziraj (Annina), Denis Skura (Gastone), Shaban Behramaj (Baroni Douphol), Dragan Ampov (Marchese D’ Obigny), Harris Bajraktari (Doktor Grenvil), Rizah Jahaj (Giuseppe, shërbëtori i Violetës), Jon Kosumi (Shërbëtori i Florës), Arbër Maliqi (Komisioneri) dhe Etrit Nura (Komisioneri), dhanë gjithë shpirtin e tyre për gjatë plot tri orëve. E gjithë energjia e tyre, pasioni për të hyrë në rolet operistike por mbi të gjitha, dashuria për të shfaqur një nivel botëror për herë të parë në kryeqytet, e ka përthekuar këndshëm historinë e “La Traviata”, një histori kjo e dashurisë tragjike mes kurtizanes Violetta dhe romantikut Alfredo Germont, të dy të vendosur kundër hipokrizisë së shoqërisë së klasës së lartë. Dashuria e Alfredos ndaj saj, e dërgon Violetën drejt aktit të vetëmohimit.

Opera “La Traviata” vendos në skenë një jetë që vetëm ëndërrohet me gjithë magjepsjen, gëzimet dhe dhimbjet e saj. Muzika e saj e kompozuar nga mjeshtri i operës – Verdi, i këndon lirisë, gjallëron pëshpëritjet me një finale me duete plot pasion nga zemrat e lënduara. Tërë ngjarja zhvillohet në Paris dhe në afërsi të këtij qyteti. Nga karakteri në karakter, protagonistët dilnin në kostumet e tyre që pothuajse ishin të shkrira ëmbëlsisht në trupat e tyre dhe e gjithë kjo vjen e realizuar nga puna e Boris Stoynovit. Me zërat e tyre buçues, unik e shpërthyes, solistët patjetër kanë dëshmuar për një nivel botëror, nëpërmjet së cilit shumë shpejt do arrijnë ta shndërrojnë Operën e Kosovës, ndër institucionet më të njohura në rajon dhe më gjerë.

Nga momenti që ora shënoi fiks 19:07, e deri në 22:04, ka qenë një orkestër e tërë poshtë skenës, që pa të, thjesht nuk do të mund të mendohej as ekzistenca e magjisë së krijuar mbrëmë me “La Traviata”. Instrumentistët kanë qenë ajo copa kryesore që ka kontribuar në shpirtin e operës, në ekselencën dhe përsosmërinë e saj. Në krye kanë pasur dirigjentin e njohur bullgar Nayden Todorov dhe lirisht mund të thuhet se çdo lëvizje e krahëve dhe duarve të tij, deri tek ngritja e trupit të tij deri në gishta të këmbëve, ka thyer limitin e perfeksionimit. Instrumentistët kanë lëshuar melodi e tinguj që kanë rrëqeth me ndjeshmërinë, gjendjen pezulluake që ofrohej nëpërmjet tyre dhe fuqinë që posedonin në një ambient aq të hapur. Dukej se harqet e instrumenteve e çanin atmosferën në grimca melodike që shpërndaheshin në atmosferë dhe bridhnin tek shpirtrat e audiencës.

Tri orë qenë të gjata për të qëndruar ulur në karrige të plastikës e për të lexuar një përkthim jo edhe aq të saktë të operës “La Traviata” në dy ekranet e vendosura anash skenës, por këtë e ka bërë me shumë durim audienca kosovare, e etur për të qenë dëshmitare e ndërtimit të Shtëpisë (Teatrit) së Operës dhe Baletit, një ndërtim që po vjen pas shumë sukseseve të dëshmuara të talenteve shqiptare, të cilët e meritojnë që shtëpinë e tyre të dytë ta kenë mu në Prishtinë.

Krejt në fund, ishin duartrokitjet e brohoritjet e vazhdueshme për secilin protagonist që frymoi, këndoi e luajti me aq shumë dashuri në skenë. Ovacion në këmbë kanë përjetuar të gjithë solistët, instrumentistët, regjisori e dirigjenti i kësaj opere që erdhi për herë të parë në Prishtinë. Pa dyshim që me një meritë më se të duhur, Opera e Kosovës, ka nevojë për këtë ngrohtësi shpirtërore të madhe që publiku mbrëmë ia dhuroi, me shpresën që nata e mbrëmshme të jetë hera e fundit që kjo operë interpreton në një sallë të tillë.

Për të treguar më shumë rreth vendosjes së kësaj opere në Prishtinë, për KultPlus foli sopranoja Besa Llugiqi, e cila interpretoi rolin protagonist, Violeten.

“Rolin e Violetes e kam bërë me dhjetëra herë por lirisht mund të them që si kjo që më dha publiku në Kosovë sonte, asnjëherë nuk e kam përjetuar askund tjetër. Opera si institucion veç është i hapur dhe po krijohen mundësi të reja për të gjithë artistët që do të vinë pas dhe janë duke punuar fort në këtë drejtim. Duhet shumë forcë e përkushtim për të çuar përpara mundin tonë, por edhe kjo është e vështirë për shkak të shtëpisë që nuk e kemi, megjithatë nuk është e pamundur. Kjo u tregua edhe sot. Nëse me të vërtetë punohet fort, organizohet mirë, atëherë ia dalim. Mbi të gjitha, në këtë projekt ka pasur shumë pasion, entuziazëm dhe secili është sakrifikuar në mënyrën e vetë për të dhënë maksimumin. Kjo ka qenë vulë për të vazhduar akoma më tutje”, ka thënë ajo.

Ndërsa, dirigjenti bullgar Nayden Todorov për KultPlus ka potencuar se është ndarë i habitur me ekzistencën e mundësisë për të pasur një performancë kaq të mrekullueshme në Prishtinë.

“Kjo natë ishte një përvojë e mrekullueshme. Unë e kam dirigjuar “La Traviata” njëqind herë, por kjo shfaqje sonte ishte shumë e veçantë për mua, dhe mendoj që ishte njëjtë për të gjithë këtu. Mund të ndjeja gjithë entuziazmin nga orkestra dhe nga solistët e mrekullueshëm. Mendoj që ky është një rast shumë i veçantë që njerëzit do ta kujtojnë përherë. Dhe jo vetëm sepse ishte i pari, por sepse ishte shumë, shumë i mirë. Do të doja që çdo herë kur njerëzit fillojnë diçka të re, të jetë aq mirë sa ka qenë kjo “Traviata” këtu. Nuk mund të shihja asgjë që nuk ishte e mrekullueshme. Kjo orkestër ishte shumë entuziaste për të bërë gjithçka siç duhet. Secili prej solistëve ishte shumë i veçantë. Jam i habitur që është e mundur të kemi një performancë kaq të mrekullueshme këtu. Mendoj se të gjithë ata që morën pjesë në këtë performancë sonte duhet të jenë vërtet krenarë për të”, thotë Todorov.

Kujtojmë që me 4 nëntor në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u shënua një vjetori i inaugurimit të Operës së Kosovës. / KultPlus.com

“La Traviata”, vepra ikonike e Verdit vjen nesër premierë nga Opera e Kosovës

Një ndër veprat më ikonike të mjeshtrit të operës Giuseppe Verdi, do të shfaqet edhe në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Produksioni i parë i “La Traviata” nga Opera e Kosovës në bashkëpunim me Operën Shtetërore të Stara Zagorës (Bullgari), Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri) dhe Filharmonisë së Kosovës vjen premierë më 15 dhe 17 dhjetor 2022.

Protagonistët e operës “La Traviata” janë: Besa Llugiqi, Emanuele D’Aguanno, Gëzim Myshketa, Fitore Gjonbalaj, Kaltrina Miftari, Urta Haziraj, Denis Skura, Shaban Behramaj, Dragan Ampov, Harris Bajraktari, Rizah Jahaj, Jon Kosumi, Arbër Maliqi, Etrit Nura.

Dirigjent është Nayden Todorov, regjia vjen nga Orgnian Draganoff.

Koncerti do të mbahet më 15 dhjetor në Sallën 1 Tetori, duke filluar nga ora 19:00, ndërsa repriza më 17 dhjetor. / KultPlus.com

Në kuadër të Operës së Kosovës fillon programi ‘EduOpera’ për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të muzikës në vend

Sipas MKRS-së, në kuadër të Operës së Kosovës po fillon një program interaktiv për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të muzikës në vend.

EduOpera është seri prezantimesh dhe koncerte për operën dhe artin lirik, dedikuar fëmijëve dhe të rinjve në qytete të ndryshme të Kosovës.

Një program edukativ që do të realizohet në bashkëpunim me 10 shkolla fillore dhe të mesme të muzikës në Kosovë, ndërsa nxënësit do të kenë mundësinë e njohjes nga afër me operën si formë muzikore, prezantim në teori e praktikë, këndim të arieve e dueteve të Operave të njohura botërore e kombëtare, praktikisht dhe me institucionin e ri të Operës së Kosovës. Kjo përmes studentëve të solo këndimit dhe solistëve tjerë të njohur të vendit, të cilët do të ndajnë eksperiencën dhe përvojën e tyre me nxënësit. / KultPlus.com

MKRS-ja shpall konkurs publik për dizajnimin e Logos së institucionit ‘Opera e Kosovës’

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall konkurs publik për dizajnimin e Logos së institucionit Opera e Kosovës, përcjell KultPlus.

Data e fundit për aplikim është: 31.03.2022.

Më poshtë gjeni detajet tjera për aplikim:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shpall konkurs publik për dizajnimin e Logos së
institucionit Opera e Kosovës, themeluar me vendimin Nr.08-V-053, të datës 02.08.2021 nga
Kuvendi i Kosovës.

Vlerësimi i propozimeve do të bëhet nga një komision profesional i themeluar nga Ministria e
Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kriteret e dizajnimit të logos:

➢ Të jetë origjinale, unike dhe të mos jetë imitim i ndonjë logoje ekzistuese.
➢ Të ketë pasqyrim artistik të veprimtarisë së Operës së Kosovës;
➢ Të shpreh funksionin dhe mandatin e Operës së Kosovës;
➢ Të jetë e veçantë, kreative, kualitative, profesionale dhe prezantuese;
➢ Të jetë dinjitoze për identitetin e Institucionit më të lartë kulturor në vend;
➢ Të jetë lehtësisht e kuptueshme;
➢ Të përçoj mesazh të qartë;
➢ Të jetë e dallueshme, t’i rezistojë kohës dhe të jetë e lehtë për tu mbajtur në mend;
➢ Të jetë e përshtatshme për vendosje në dokumente fizike dhe në paraqitje elektronike,
e lehtë për shtyp, në sfonde të bardha dhe të errëta;
➢ Të jetë lehtë e përdorshme në madhësi të ndryshme;
➢ Të ketë shpjegim të secilit detaj të propozuar në logo

Mënyra e aplikimit:

Logoja duhet të dorëzohet në pliko të mbyllura me shifër dhe pa emër të autorit në CD, (në të
kundërtën do të skualifikohet), bashkë me një version vektor të logos dhe po ashtu e shtypur
në kopje fizike.

Dosja e aplikimit duhet të përmbajë një manual të shpjegimeve të përmbajtjes dhe përdorimit.

Aplikacioni duhet të ketë mbishkrimin “Për dizajnin ideor të logos së Operës së Kosovës”

Dokumentet e kompletuara duhet të dërgohen personalisht ose me postë, në adresën e
mëposhtme:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Sheshi Nëna Terezë; Zyra e Prokurimit, Nr. 20; 10000, Prishtinë, Republika e Kosovës

Kush mund të konkurojë:

Të drejtë konkurimi kanë të gjithë artistët nga Kosova, rajoni dhe bota.

Konkursi është i natyrës garuese dhe ideja më e mirë e përzgjedhur do të shpërblehet me 5,000
€.

Të drejtat e autorit për propozimet e përzgjedhura barten nga propozuesi tek Ministria e
Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com