Besa Llugiqi e Gëzim Myshketa me “La Traviata” në Stara Zagora të Bullgarisë

Më 9 shtator do të prezantohet shfaqja operistike “La Traviata” në Stara Zagora të Bullgarisë, shfaqje në të cilën do të prezantohen dy artistë shqiptarë, shkruan KultPlus.

Sopranoja Besa Llugiqi do të prezantohet në rolin e Violetës, kurse baritoni Gëzim Myshketa në atë të Germont, përderisa në këtë shfaqje operistike do të paraqiten edhe artistë të tjerë.

Kjo shfaqje operistike do të paraqitet nën drejtimin e Gaddiel Dombroëner në Antique Theater të Shtëpisë Operistike në Stara Zagora, e që do të nisë në ora 20:00./ KultPlus.com

81 vjet më parë, në Tiranë vihej në skenë “La Traviata”

Më 25 korrik 1942, trupa “Carro di Tespi Lirico” mbërrin në Tiranë për operan “La Traviata”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton këtë ngjarje e cila me gjasë, ishte e para opera lirike që vihej në skenë në Shqipëri.

Skena u vendos në krye të Viale del Impero (sot “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”), në lartësinë ku sot ndodhet Sheshi Nënë Tereza. Me përjashtim të “La Traviata”, trupa Carro di Tespi Lirico dha edhe disa shfaqje të tjera në korrik të vitit 1942.

Në vitin 1929 qeveria fashiste e Romës krijoi katër trupa teatrale shëtitëse që morën emërtimin “Carri di Tespi” (“Qerret e Tespit”). “Carro di Tespi Lirico” mbulonte operan dhe këngën lirike, ndërsa tri të tjerat vinin në skenë pjesë teatrale. Synimi i këtyre trupave ishte që të përçonte deri tek fashat më të izoluara të shoqërisë teatrin dhe operan lirike./ atsh / KultPlus.com

U rrit nën tingujt e zërit të së ëmës, sopranoja Besa Llugiqi sot përqafon skenat më të mëdha evropiane

Jeta Zymberi

Përqafoi skena të mëdha evropiane me artin e saj, duke dal nga vendi i fundit në Evropë që themeloi institucionin e Operës.

Përderisa “La Traviata” ishte historia që shënoi lindjen e institucionit të Operës në Kosovës, sopranon e njohur Besa Llugiqi e solli para publikut të saj me një rol që tashmë ajo e kishte mbizotëruar në skena të ndryshme evropiane, shkruan KultPlus.

Ditët e sotme ka një numër të konsiderueshëm artistësh që mbajnë gjallë botën magjike të operës, botë që e ka përfshirë edhe Besa Llugiqin.

Llugiqi, është sopranoja kosovare e cila qysh në fëmijëri e rritur nën tingujt e zërit të së ëmës, muzika ju bë frymëmarrje e lodrat me fëmijët e lagjes i neglizhonte duke i zëvendësuar me improvizimin e koncerteve në shtëpi, qoftë edhe e vetme.

Pasi ka kënduar për vite të tëra në shtëpi, erdhi koha të provojë edhe skenën.

Zëri i saj tani ishte më i pjekur dhe me peshë, gjë që i ka lejuar që qysh në fillet e saj të arrijë sukses të jashtëzakonshëm. Ndonëse edhe aftësitë e saj në aktrim fillimisht ishin disi të kufizuara, ato me kalimin e kohës kanë marrë thellësi dhe qëndrueshmëri.

Llugiqi, sot këndon me tone të argjendta dhe lëviz me hijeshi si një kërcimtare, ajo vjen krejt e natyrshme në skenë duke e rrëmbyer publikun krejt padashje.

Figura e saj e hollë dhe energjia e gjallë janë rezultat i ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik, disiplinës së gjimnastikës vokale, por mbi të gjitha e aftësisë së saj të jashtëzakonshme për t’u fokusuar në qëllimet e saj duke ndërtuar një kështjellë të forcës së brendshme.

Besa Llugiqi sot personifikon sopranon ideale: fuqi e madhe vokale, finesë në paraqitje dhe lëvizje vezulluese. Një artiste e paraqitur në skena dhe salla kocertesh të shumta nëpër Evropë, ajo, vazhdon të rritet.

E lindur në Prishtinë, më 1986, Llugiqi është fituesja e Çmimit të Madh të vitit 2013 në Konkursin Ndërkombëtar “Elena Nikolai” në Bullgari. Legato, debutimi i saj operistik në Teatrin Shtetëror të Operës së Tiranës si Liù në “Turandot” në 2011 çoi në angazhime në teatro të shumta operistike dhe festivale ndërkombëtare. Që atëherë, ajo ka bashkëpunuar me muzikantë të nivelit të lartë.

Besa në skenë ka interpretuar rolet e Donna Elvirës në “Don Giovanni”, Lauretta në “Gianni Schicchi”, Mimi në “La Boheme”, Lucia në “Lucia di Lammermoor”, Violetta në “La Traviata” dhe Liù në ” Turandot”. Ajo ka qenë gjithashtu e ftuar për të kënduar “Messe in A” nga Cesar Franck në Austri dhe Itali, si dhe si soliste në “Requiem” të Gabriel Faure në Shqipëri, si dhe “Requiem” të Mozartit në Bullgari. Në vitin 2018 ajo bëri debutimin e saj me Operën Baltike në Gdansk si Thais. Në vitin 2019 ajo debutoi rolin e Ines në L’Africaine të Meyerbeer, duke punuar në rolin e saj me regjisoren Vera Nemirova.

Besa Llugiqi së fundmi u bë sopranoja që mori edhe rolin më të kërkuar të letërsisë operistike, në një nga operat më të mëdha në botë “Faust” e Gounodit, ku debutoi në rolin e Margeritue.

Por gjithë ky rrugëtim e sukses, marrin krejt tjetër kuptim kur asaj i jepet rasti të interpretoj para publikut të saj, para njerëzve me të cilët është rritur e formuar, para artistëve që ajo i vlerëson aq shumë.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, sopranoja Besa Llugiqi shpalos për lexuesit gjithë kthesat e saj jetësore, momentet dhe njerëzit që ju bën pikë referimi për të ndjekur rrugën e ëndrrave. Por, ajo flet edhe për muzikën, artistin e preferuar dhe teatrin ku ëndërron të interpretojë një ditë, rolin jetësor të cilin e pret t’i afrohet dhe mbi të gjitha angazhimin e saj mes karrierës dhe familjes si mbështetësin e saj kryesor.

Fotografia: Arben Llapashtica

KultPlus: Historikisht, me “La Traviata” lindi institucioni i Operës së Kosovës dhe ju bartët personazhin kryesor, atë të Violetës, na trego si e pritët ftesën dhe çfarë rëndësie ka për ju që keni interpretuar në veprën e parë që vuri themelet e këtij institucioni?

Besa Lluguqi: Roli i Violetës ka lënë gjurmë në zhvillimin tim artistik po asnjëherë se kam ndjerë më afër se para publikut tim. Jam e nderuar që kam bartur mbi supe rolin titullar në një ditë të jashtëzakonshme për artin operistik në Kosovë. Akoma njerëzit më urojnë rrugës dhe mua më është dashur kohë që të shkëputem nga gjithë ai emocion.

Një ditë historike për Kosovën por edhe për të gjithë ata që kontribuuan.

KultPlus: Në “La Traviata” në Prishtinë ju ndatë skenën edhe me baritonin Gëzim Myshketa, a është ky bashkëpunimi i parë me një artist shqiptar në një shfaqje operistike, nëse po na shpalos këtë përvojë?

Besa Llugiqi: Me Gëzimin kam pasur fatin të bashkëpunoj edhe në operën “Gianni Schicchi” në Tiranë, një eksperiencë e jashtëzakonshme, Gëzimi përveç se ka kënduar në rolin kryesor, në këtë rast babai i Lauretës, që unë debutoja në atë kohë, ai ishte edhe regjisor i shfaqjes dhe ka bërë një punë të mrekullueshme, sigurisht është një kënaqësi bashkëpunimi me një artist të kompletuar dhe një njeri të mirë siç është Gëzimi.

KultPlus: Me operën “La Traviata” jeni paraqitur edhe më herët në teatro të tjera evropiane, a mund të përshkruash ndjesinë e të qenurit para publikut evropian dhe atij kosovar?

Besa Llugiqi: “La Traviata” është opera që unë e shijoj pa masë si rol dhe interpretim, kam pasur fatin të interpretoj dhjetëra herë dhe është mirëpritur shumë sa herë që e kam interpretuar, por nuk përshkruhen ovacionet e të dyja netëve, njerëzit të përlotur, përqafime e urime që vinin shumë të sinqerta nga publiku e njerëz të artit, e për një numër të konsiderueshëm ka qenë hera e parë në një shfaqje operistike. Më kanë bërë shumë të lumtur, jam plot kurajo, një punë e investim i imi që u shpërblye në mënyrën më të bukur që mund ta imagjinoja.

KultPlus: Keni shkelur në skena mjaft prestigjioze, përderisa në Kosovë keni interpretuar në salla të improvizuara pasi Kosova vazhdon të mos e ketë Teatrin e Operas dhe Baletit, sa ju penalizoi ky fakt gjatë procesit në punë dhe cilat ishin sfidat me të cilat u desh të përballeni?

Besa Llugiqi: Është një urgjencë ndërtimi i një shtëpie operistike, një lehtësim për gjithë komunitetin artistik, një mundësi e mirë për qytetarin që të trajtohet denjësisht në çfarëdo qoftë ajo paraqitje artistike, operë, koncert apo balet. Duhet të ndihemi të civilizuar, mjaftë më me improvizime të skenës e sallës.

KultPlus: I lëm pak anash emocionet e “La Traviata” e i rikthehemi fëmijërisë, na trego pak si nisi lidhja jote me muzikën?

Besa Llugiqi: Si e vogël kam kënduar, kjo sipas nënës sime e cila ka mbjellë një dashuri të madhe për këngën, zëri i saj i bukur më ka përcjellur gjithmonë, këngët që na ka mësuar, pastaj dëshira ime për këngën ka qenë prezente në çdo moment. Unë nuk ju kam bashkangjitur lojërave me fëmijët e lagjes, loja ime ishin koncertet që i zhvilloja në shtëpi, qoftë edhe e vetme.

KultPlus: Çfarë të tërhoqi pas operës, kur ishte ai takimi juaj i parë që ndoshta të dha idenë se një ditë mund të bëhesh soprano?

Besa Llugiqi: Gjithçka lindi në shkollën e mesme të muzikës. Prof. Ahmet Dërguti, një njeri i urtë, profesionist dhe i njerëzishëm, përveç dëshirës për të kultivuar zërin, ai ka kontribuuar shumë duke dhënë shembullin e një njeriu të kulturuar, një mentori të denjë të cilin e madhëronte zemërgjerësia dhe njërzillëku që e karakterizon.

KultPlus: Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tënde, dua të them, i vështirë por edhe një kthesë, që solli një ndryshim të madh tek ju?

Besa Llugiqi: Momenti kur papritmas humb personin që të kishte dhënë shumë artistikisht, mentorja ime Christina Anghelakova, ka qenë një humbje e madhe po në të njëjtën kohë një shtysë dhe arsye që të mos dorëzohem asnjëherë. Christinen edhe sot e kam pikë referimi në çfarëdo situate që unë përballem, dhe akoma është prezente ne çdo interpretim që unë bëj sepse kam punuar shumë role me të edhe ato që ende nuk i kam debutuar e që janë në plan t’i interpretoj.

KultPlus: Jeni angazhuar në teatro të shumta operistike dhe festivale ndërkombëtare dhe keni bart mbi supe role të shumta, cili rol nga repertori juaj i gjerë është më i paharrueshëm dhe më kuptimplotë për ju?

Besa Llugiqi: Rolet që kam interpretuar secili në mënyra të ndryshme më ka rritur artistikisht dhe jam shumë e lumtur për gjithë atë repertor që kam interpretuar dhe zgjedhur me kujdes, mendoj që Lucia di Lammermoor është roli që më ka tjetërsuar, më sfiduesi, por rol që pas tij gjithçka për mua ka qenë më e lehtë. Një muzikë e mrekullueshme, një shkollë në vete.

KultPlus: Zëri juaj po rrugëton suksesshëm në vende të ndryshme, por në cilin teatër botëror ëndërroni të interpretoni një ditë?

Besa Llugiqi: Ka shumë teatro që do të doja të shkelja e të dëgjohej zëri im, por do e veçoja “Metropolitan”, kishte me qenë ëndrra ime.

KultPlus: Nëse ju jepet mundësia të përzgjidhni një artist botëror për të ndarë skenën bashkë, cili do të ishte ai emër?

Besa Llugiqi: Jessey Norman, por për fat të keq nuk jeton më, por gjithsesi është pikë referimi për mua, çdo ditë e dëgjoj, është një mrekulli!

KultPlus: Cila është gjëja më e këndshme në profesionin e këngëtares operistike dhe e kundërta?

Besa Llugiqi: Ka shumë gjëra që më bëjnë ta dua këtë profesion, muzika fillimisht, përmbajtja e rolit që interpretoj, njohja e shumë artistëve, atmosfera dhe energjia që japin, sfidohesh konstant dhe kjo më bënë të lumtur, e mban trurin e freskët me gjithë atë muzikë që duhet ta memorizosh. Ka shume benefite, ndërsa e kundërta është regjimi që duhet përpara dhe pas shfaqjes, kujdes në ushqim, ushtrime çdo ditë, investim konstant, adrenalinë e stres, udhëtimet për periudha të gjata e shumë sakrifica të tjera që i has rrugës.

KultPlus: Çfarë do të thotë muzika për ju?

Besa Llugiqi: Muzika për mua është uni im, ushqim i shpirtit, tundim i shpirtit njëkohësisht!

KultPlus: I kthehemi përditshmërisë suaj, çfarë lloj muzike dëgjoni ndërkohë që jeni e çliruar nga obligimet profesionale?

Besa Llugiqi: Më pëlqen shumë të ushtroj në piano, zakonisht një kohë të ditës e kaloj me pjesë pianistike dhe kjo për mua është relaksim.

KultPlus: Ëndrra juaj më e madhe si artiste, ende e pa realizuar?

Besa Llugiqi: Ëndrra ime është të interpretoj Tosca, rolin tim të preferuar, por kjo në kohën kur unë e ndjej që Tosca ime është gati. Kërkon kohë dhe pjekuri.

KultPlus: Si pushoni pas një produksioni të ngarkuar apo pas një sezoni të tërë rraskapitës artistik?

Besa Llugiqi: Me familjen, me vajzën dhe bashkëshortin. Për mua koha me Lune është e shenjtë dhe çlodhëse, ajo e udhëheq ditën time kur nuk jam me angazhime.

KultPlus: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Besa Llugiqi: Shumë koncerte recitale, shfaqje operistike si ‘Faust’, ‘La Boheme’, ‘La Traviata’, si dhe debutimi në rolin e Tatianas në operën “Eugen Onegin” të Tchaikovsky.

KultPlus: Krejt për fund, çfarë këshillash do t’u jepnit këngëtarëve fillestarë, çfarë duhet t’i kushtojnë vëmendje dhe ku duhet të kenë kujdes më shumë?

Besa Llugiqi: Mendoj që duhet të kthehen kah vetja e tyre që investimet të bëhen në zhvillimin e tyre artistik, në njohuri rreth të kënduarit, teknikës dhe interpretimit dhe të sfidohen sa më shumë me role, koncerte e interpretime të ndryshme, pa bërë kompromis më artin dhe punën e tyre. / KultPlus.com

“La Traviata”, vepra ikonike e Verdit vjen nesër premierë nga Opera e Kosovës

Një ndër veprat më ikonike të mjeshtrit të operës Giuseppe Verdi, do të shfaqet edhe në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Produksioni i parë i “La Traviata” nga Opera e Kosovës në bashkëpunim me Operën Shtetërore të Stara Zagorës (Bullgari), Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri) dhe Filharmonisë së Kosovës vjen premierë më 15 dhe 17 dhjetor 2022.

Protagonistët e operës “La Traviata” janë: Besa Llugiqi, Emanuele D’Aguanno, Gëzim Myshketa, Fitore Gjonbalaj, Kaltrina Miftari, Urta Haziraj, Denis Skura, Shaban Behramaj, Dragan Ampov, Harris Bajraktari, Rizah Jahaj, Jon Kosumi, Arbër Maliqi, Etrit Nura.

Dirigjent është Nayden Todorov, regjia vjen nga Orgnian Draganoff.

Koncerti do të mbahet më 15 dhjetor në Sallën 1 Tetori, duke filluar nga ora 19:00, ndërsa repriza më 17 dhjetor. / KultPlus.com

Opera e Kosovës prezanton protagonistët e operës “La Traviata” të mjeshtrit Giuseppe Verdi

Një ndër veprat më ikonike të mjeshtrit të operës Giuseppe Verdi, do të shfaqet edhe në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Produksioni i parë i “LA TRAVIATA” nga Opera e Kosovës në bashkëpunim me Operën Shtetërore të Stara Zagorës (Bullgari), Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri) dhe Filharmonisë së Kosovës vjen premierë më 15 dhe 17 dhjetor 2022.

Opera e Kosovës sot ka prezantuar edhe protagonistët e operës “La Traviata” e të cilët janë: Besa Llugiqi, Emanuele D’Aguanno, Gëzim Myshketa, Fitore Gjonbalaj, Kaltrina Miftari, Urta Haziraj, Denis Skura, Shaban Behramaj, Dragan Ampov, Harris Bajraktari, Rizah Jahaj, Jon Kosumi, Arbër Maliqi, Etrit Nura.

Dirigjent Nayden Todorov, regjia nga Orgnian Draganoff.

Koncerti do të mbahet më 15 dhjetor në Sallën 1 Tetori, duke filluar nga ora 19:00, ndërsa repriza më 17 dhjetor. / KultPlus.com

“La Traviata”, vepra ikonike e Verdit vjen premierë më 15 dhjetor nga Opera e Kosovës

Një ndër veprat më ikonike të mjeshtrit të operës Giuseppe Verdi, do të shfaqet edhe në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Produksioni i parë i “LA TRAVIATA” nga Opera e Kosovës në bashkëpunim me Operën Shtetërore të Stara Zagorës (Bullgari), Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri) dhe Filharmonisë së Kosovës vjen premierë më 15 dhe 17 dhjetor 2022.

Koncerti do të mbahet në Sallën 1 Tetori, duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com

Tenori Ramë Lahaj pjesë e kastit të operës ‘La Traviata’ në Sidnei

Tenori shqiptar Ramë Lahaj ka nisur provat përgatitore për shfaqjen e tij të radhës, ku pas rreth një muaji do të jetë pjesë e kastit të operës “La Traviata” në Gjirin e Sidneit.

“Pak më shumë se një muaj deri në hapjen e natës së parë, artistët tanë më në fund janë përsëri në punë, gati për të sjellë në jetë operën më të preferuar në botë, në mjedisin më të bukur të Sidneit.” – citohet nga përfaqësuesi i Operës së qytetit të Sidneit në Australi.

Në moshën 21-vjeçare nisi stërvitjen profesionale muzikore dhe një vit më vonë filloi studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku dhe u diplomua si nxënësi më i dalluar në vitin 2008.

Në moshën 21-vjeçare, tenori i ardhshëm nisi të ushtrohej në muzikë. Skena gjermane ishte ajo që do të mundësonte tenorin që të tregonte performancën e tij. Tenori erdhi me një rol tjetër të rëndësishëm për repertorin e tij, rolin e Rodolfos në opera (La boheme | La Boheme) në Dortmund. / KultPlus.com

Saimir Pirgu me “La Traviata”, sukses në amfiteatrin Herodio në Athinë

Tenori Saimir Pirgu me shfaqjen operistike “La Traviata” në ditët e fundit të muajit korrik u prezantua në amfiteatrin antik Herodio në Athinë ku mori vlerësime prej më të lartave.

Teatri i Operës dhe Baletit ka publikuar materialet për këtë shfaqje dhe shkruan se premiera e këtij produksioni të ri ju besua tenorit shqiptar Saimir Pirgu, për të cilën gazetat më në zë në shtetin grek shprehen me vlerësime.

“Tenori shqiptar Saimir Pirgu mishëroi një Alfredo të ngrohtë, më një interpretim mbresëlënës dhe një këndim bujar, duke dhënë gjithçka në skenë”, shkruan shtypi grek.

Në një intervistë të gjatë për median greke, tenori Saimir Pirgu shprehet se ftesës për interpretimin në amfiteatër nuk i thua dot jo. “Kur të ftojnë për të interpretuar në amfiteatrin antik Herodio, thua direkt po”, pohon tenori.

Gazeta Η ΚΑΘΗΜΕΡΙΝΗ – Επίσημη σελίδα shprehet se solistët me famë ndërkombëtare si Saimir Pirgu ngritën peshë me interpretimin e tyre rreth 4.800 spektatorë, të cilët duartrokitën artistët e shfaqjes për minuta të gjata në këmbë.

“Premiera i është besuar tenorit me famë internacionale Saimir Pirgu, një ndër tenorët më të rëndësishëm, i cili ka interpretuar me një sukses të jashtëzakonshëm në shumë vende të botës si në Paris, Vienë, Veronë, Londer, Berlin, New York, San Francisco, Zurich, Hamburg, Firence”, thuhet në materialin e botuar për shfaqjen, që ishte në amfiteatër në datat 27 dhe 30 korrik.

“La Traviata” është një opera me tre akte e kompozitorit Giuseppe Verdi me libret të Francesco Matia Piave. E bazuar në librin e Alexandre Duma “Zonja me kamelie”. Kjo opera konsiderohet pjesë e trilogjisë popullore të Verdit, së bashku me operën “Il trovatore” dhe “Rigoletto”. Premiera e parë u zhvillua në teatrin “La Fenice” në 6 mars të viti 1853. Ndoshta për shkak të mungesës së interpretëve me nivel të lartë dhe për temën, e cila u konsiderua e zymtë nuk pati suksesin që autori priste. “La Traviata” u rishfaq në 6 maj të vitit 1854 në teatrin “San Benedetto” Venecia, këtë herë në një version të ripunuar dhe me solistë të nivelit të lartë, si Maria Spezia Aldighieri dhe e dirigjuar nga vetë kompozitori. Këtë herë vepra pati suksesin e merituar. Sipas të dhënave të publikuara nga Operabase në 2013, është opera më e shfaqur në botë. / KultPlus.com

‘La Traviata’ premierë në Bullgari, Besa Llugiqi me rol kryesor

Pas suksesit që pati me shfaqjen e Lucia di Lammermoor në Shtëpinë Operistike në Burgas, sopranoja kosovare Besa Llugiqi, së shpejti do ta jetësoj rolin kryesor të Violeta Valery në këtë teatër, shkruan KultPlus.

Sarandë Selimi

‘La Traviata’ e Verdit, do të dirigjohet nga dirigjenti më i mirë bullgar Ivan Kojuharov, ndërsa Llugiqi në një prononcim për KultPlus, tregoi se është një kënaqësi e jashtëzakonshme për të që ta ketë këtë rol dhe të punoj me maestron Kojuharov.

“Për mua roli i Violetës është mjaft kompleks i gërshetuar me vështirësi teknike, një kryevepër e ndërtuar me mjaft dinamizëm, vuajtje, sakrificë e dashuri janë nuancat që e bëjnë dinamike këtë vepër dhe që publikun e mbajnë gjatë gjithë kohës në drithërima. Poashtu është kënaqësi e jashtëzakonshme që të bashkëpunoi me maestro Ivan Kojuharov, ku vite më parë kam dëgjuar një interpretim të ‘Traviatës’ që është dirigjuar nga ky mjeshtër dhe më ka lënë aq mbresa sa mezi prisja një bashkëpunim të tillë”, ka thënë për KultPlus Llugiqi.

Krejt ky bashkëpunim ashtu siç tregoi edhe vetë sopranoja erdhi pas suksesit që kishte shfaqja e Lucia di Lammermoor në këtë teatër, dhe menjëherë i pasoi ftesa për ‘Traviatën’.

“Sigurisht më gëzoi pa masë fakti që do të ngjitem në skenë me rolin tim të preferuar në drejtimin e Kojuharov, i cili është një prej dirigjentëve më të mirë që ka Bullgaria”, theksoi ajo për KultPlus.

‘La Traviata’, do të ngjitet në skenën e Shtëpisë operistike Burgas më 3 nëntor të këtij vitit./ KultPlus.com

Kështu dukej sheshi i Buenos Aires, argjentinasit të magjepsur me dy artistët shqiptarë

Më 12 shtator u dha premiera e shfaqjes operistike ‘La Traviata’ në Buenos Aires në Argjentinë nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho dhe tenori shqiptar Saimir Pirgu, shkruan KultPlus.

Kjo premierë e cila u mirëprit nga audienca që ishin në një numër goxha të madh në Shtëpinë Operistike të Buenos Aires, doli edhe përtej mureve të saj. ‘La Traviata’ u dha edhe në sheshin Vatikan të Buenos Aires në dy reprizat e radhës që kishte më 15 dhe 17 shtator ku u transmetua direkt.

Ermonela Jaho dhe Saimir Prigu bënë publikun argjentinas që të ngriten në këmbë përmes zërave të tyre. Ndërsa sot sopranoja Jaho, përmes rrjetit social Facebook, ka publikuar një album me fotografi nga kjo ngjarje e madhe me protagonistë kryesorë dy emra të njohur tashmë në botë e që kanë prejardhje shqiptare.

“Disa foto nga dy shfaqjet e fundit dhe transmetimi direkt…. nje kenaqesi e vecante te krijojme nje energji kaq frytedhenese me gjithe koleget dhe vecanerisht bashkeatdhetarin tim artist Saimir Pirgu”, ka shkruar Jaho.


Kjo shfaqje operistike do të ketë edhe një reprizë nesër më 19 shtator në Buenos Aires në Argjentinë./ KultPlus.com



Të dielën, sheshi i Buenos Aires do të kumbojë me zërin e Ermonela Jahos e Saimir Pirgut

Ermonela Jaho e Saimir Pirgu kanë shijuar ngohtësinë e publikut të Buenos Aires në Argjentinë, me rastin e prezantimit të premierës së shfaqjes operistike “La Traviata”, premierë që është dhënë më 12 shtator, por artistët shqiptarë nëpërmjet performancës së tyre artistike, emocionet e kësaj shfaqjeje do ti përcjellin përtej Shtëpisë Operistike të Buenos Aires, shkruan KultPlus.

Të dielën, atëherë kur edhe shënohet 160 vjetori i themelimit të Teatrit Colon, kjo shfaqje me protagonistë shqiptarë do të transmetohet direkt edhe në sheshin Vatikan të Buneso Aires.

Ndërkohë, pas dhënies së kësaj shfaqjeje direkt edhe në sheshin e Buenos Aires më 17 shtator do të ketë edhe një reprizë të radhës, atë të 19 shtatorit, shfaqje kjo që është duke u mirëpritë mjaftë shumë nga audienca argjentinase. /KultPlus.com

Fuqia e interpretimit të Jahos dhe Pirgut në operën ‘La Traviata’ përmes fotografive (FOTO)

Dy artist të mëdhenj shqiptarë, mbrëmë kanë arritur të mrekullojnë publikun në Buenos Aires. Ermonela Jaho e Saimir Pirgu kanë sjellë një interpretim të shkëlqyer para publikut atje gjatë prezantimit të shfaqjes operistike “La Traviata”, shkruan KultPlus.

Duke sjellë në skenë dy rolet kryesore, me një lojë të mrekullueshme, duke kaluar nga skena në skenë, artistët shqiptarë kanë mahnitur të pranishmit.

Violeta, e sjellë nga Ermonela Jaho dhe Alfredo sjellë nga Saimir Pirgu, janë mëshiruar për mrekulli nga këta dy artistë të cilët u duartrokitën nga publiku i cili qëndroi në këmbë hiq më pak se pesë minuta.

Përmes disa fotografive të publikuara nga Ermonela Jaho, ju mund ta ndjeni fuqinë e interpretimit të këtyre dy artistëve dhe shpirtin artistik që është derdhur në një skenë të madhe siç është ajo në Argjentinë.

Sa duket një interpretim i egër me plot shpirt e emocione, aq edhe një fuqi e madhe që shkrinë një histori, ky interpretim do të mbahet gjatë në mendje nga publiku që e ka ndjekur nga afër. Por, këto emocione e këtë fuqi, mund ta ndjejmë edhe në përmes këtyre fotografive/ KultPlus.com


Publiku i Buenos Aires mrekullohet me paraqitjen e Ermonela Jahos e Saimir Pirgut, pesë minuta duartrokitje (VIDEO)

Mbrëmë është prezantuar shfaqja operistike “La Traviata”, ku rolet kryesore të kësaj shfaqjeje i janë besuar dy artistëve të mëdhenj shqiptarë: Ermonela Jahos e Saimir Pirgut, shkruan KultPlus.

Ermonela Jaho është shndërruar në rolin e Violetës në këtë shfaqje që është dhënë për publikun e Buenos Aires të Argjentinës, kurse Saimir Pirgu në atë të Alfredos, ku interpretimi i tyre ka bërë që publiku i Argjentinës të duartrokasë për pesë minuta në këmbë, për këta dy artistë shqiptarë dhe për pjesën tjetër të artistëve që kanë qenë pjesë e kësaj shfaqje.

Me një përkulje të thellë ka përshëndetur publikun Ermonela Jaho, dhe me emocione të njëjta është përshëndetë edhe Saimir Pirgu, të cilët emocionuan me këtë shfaqje që do të ketë reprizat e radhës më 15, 17 dhe 19 shtator.

Për më shumë emocionet mund tu ndiqni në videon më poshtë, video e cila është postuar nga Por Siempre Coloneros./KultPlus.com

Argjentina sonte merr frymë shqip me Ermonela Jahon dhe Saimir Pirgun

Sonte Argjentina do të frymojë më shqip se asnjëherë.

Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu do të ngjiten në skenë për shfaqjen “La Traviata”.

Kjo shfaqje operistike e Verdit që do të prezantohet në Shtëpinë Operistike në Buenos Aires sonte, vjen me rolet kryesore pikërisht nëpërmjet artistëve shqiptarë, ku Ermonela Jaho do të paraqitet në rolin e Violetës, kurse Saimir Pirgu në atë të Alfredos. Kjo shfaqje më pas do të ketë edhe reprizat më 15, 17 dhe 19 shtator.

Artistëve do tu bashkohet në skenë edhe Fabian Veloz në rolin e Germontit. Biletat për shfaqje shiten duke filluar nga 140 dollarë.

Koncerti i datës 17 shtator do të transmetohet edhe drejtpërdrejt në www.teatrocolon.org.ar / KultPlus.com