Sopranoja Besa Llugiqi dhe kuarteti ‘Suonos Albanicus’ për herë të parë prezantojnë muzikë autentike shqiptare në Stara Zagora

Për herë të parë në Stara Zagora është luajtur një koncert me muzikë autentike shqiptare. E krejt kjo nga bashkëpunimi i sopranos së njohur Besa Llugiqi me kuartetin “Suonos Albanicus”, të cilët në mënyrë të mahnitshme kanë sjell koncertin e zhvilluar në natën e gjashtë të Festivalit të Operas dhe Baletit, shkruan KultPlus.

Për KultPlus, sopranoja Llugiqi ka bërë të ditur se koncerti është pritur me duartrokitje nga publiku, teksa në sallë të pranishëm kanë qenë edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Pesë interpretuesit e njohur shqiptarë si: violinistët Abigaile Voshtina Visar Kuçi, Herida Duro në violë, Mario Guralumi në violonçel dhe sopranoja Besa Lugiqi, kanë prezantuar veprat më domethënëse të kulturës shqiptare, këngët tradicionale popullore, si dhe muzikën bashkëkohore.

Ndërsa, drejtori i Operës në Staro Zagora, Ognyan Draganov, ka bërë të ditur se ky është koncerti i parë me muzikë shqiptare që shfaqet në skenën e Stara Zagorës.

“Për të shtatin vit radhazi, ne po ftojmë një ansambël dhomash nga një vend ballkanik që të marrë pjesë në FOBI dhe tashmë jemi të bindur se kjo është një traditë e mirë”, tha Draganov.

Po ashtu, sopranoja Llugiqi për KultPlus është shprehur tejet e lumtur që kanë prezantuar muzikën shqipe.

“Publiku e vlerësoj shumë koncertin duke e cilësuar si muzikë të bukur dhe melodi që mbahen në mend në të gjitha pikët që u interpretuan. Ishte një ndjenjë e bukur për ne të prezantojmë muzikën dhe krijimtarinë e trevave tona, duke bërë që të njihen me muzikën tonë dhe kompozitorët e interpretët që kemi“, thotë ajo. / KultPlus.com

Llugiqi pas depubtimit në rolin e Marguerite në operën Faust: Jam e lumtur për suksesin pas një pune të jashtëzakonshme

Sopranoja kosovare, Besa Llugiqi, ka debutuar në Bullgari me rolin e Marguerite në operën Faust nga Charles Gounod, shkruan KultPlus.

Një sukses i jashtzakonshëm i Llugiqit në Bullgari , debutimi i saj në rolin e Marguerite nga opera Faust u mirëprit me ovacione në të dyja netë e interpretuara.

Ky produksion i jashtzakonshëm dhe i pasur ka mbledhur artistet si Julian Constandinov , Gabriel Arce (Argjentinë ), Besa Llugiqi e shumë të tjerë bashkë ne interpretimin e kryeveprës së operas me pesë akte Faust nga Ch . Gounod

Pas paraqitjes së saj të suksesshme, në një bisedë me KultPlus, Llugiqi rrëfeu përjetimet e këtij debutimi.

“Ndihem e lumtur që pas një pune të jashtzakonshme e cila ka filluar shumë më heret u relizua me sukses gjithë puna dhe investimi në këtë rol ”, tha Llugiqi për KultPlus.

Në regjinë e Ognian Draganoff, kjo performancë u rikthye në skenë pas 66 vjetësh pritje në një formë komplet ndryshe inspiruar nga kukullat.

Një mrekulli ishte edhe skenografia, kostumet dhe regjia e kombinuar në stil futurist e cila shtjelloi ngjarjen mjaft filozofike të fuqishme e përplot emocion.

Po ashtu, premiera e kësaj shfaqje u përcoll edhe nga presidenti bullgar, Rumen Radev, e në përkrahje të Llugiqit ishin edhe përfaqësues nga ambasada e Kosovës në Bullgari./

Ndërkaq, Faust i Gounod është një nga operat më të mëdha. Është një kryevepër me shumë skena tërheqëse që janë bërë të famshme. Roli i Margeritue është një nga rolet më të bukur dhe më të kërkuar në letërsinë operistike. /KultPlus.com

Besa Llugiqi në rolin më të kërkuar të letërsisë operistike, në një nga operat më të mëdha në botë “Faust” e Gounodit

Artistë të jashtëzakonshëm sikurse Julian Constandinov, Gabriel Arce e Besa Llugiqi janë bërë bashkë për të luajtur në kryeveprën së operas me pesë akte “Faust” nga Charles Gounod nën regjinë e Ognian Draganoff, i cili rikthehet në skenë pas 66 viteve pritje në një formë komplet ndryshe, kësaj radhe të inspiruar nga kukullat, shkruan KultPlus.

Faust është një operë në pesë akte nga Charles Gounod në një libret francez nga Zhyl Barbier dhe Michel Carré nga drama e Carré Faust et Marguerite, nga ana tjetër e bazuar lirshëm në Faust të Johann Wolfgang von Goethe.

Besa Llugiqi e cila do të debutojë në rolin e Margeritue, tha për KultPlus se kjo përveç që është një operë shumë e vështirë, në të gjithashtu trajtohen edhe problemet themelore njerëzore.

“Kjo është vërtet një operë shumë e vështirë, jo vetëm nga pikëpamja muzikore, por edhe nga ana dramaturgjike. Kjo është një nga veprat më filozofike në botën e Gëtes, e cila trajton problemet themelore njerëzore. Përveç kësaj, ajo eshte trajtuar ne menyre te jashtzakonshme nga vizioni , skenografia po edhe nga pikepamja regjisoriale duket e guximshme”, thotë Llugiqi.

Tutje, ajo pohon se kombinimi i larmishëm që është bërë me skenografinë, kostumet, regjinë dhe kalimi nga një shekull në shekull, e bënkëtë vepër që të mos jetë larg vëmendjes së publikut për asnjë moment.

“Një mrekulli, skenografia, kostumet dhe regjia e kombinuar me shekullin e 21-të, duke kaluar nëpër shekuj të tjerë, fuqia që posedon vetëm djalli në këtë rast, Mefistofeli, një ngjarje shumë filozofike dhe e fuqishme plot emocione, shumë dramatike, Citate të ndjeshme dhe tragjike e bëjnë të pamundur që të mos jetë as edhe një moment larg vëmendjes së publikut”, vazhdon ajo.

Ndërkaq, Llugiqi vlerëson shumë këtë bashkëpunim me një nivel të tillë artistësh e një produksion shumë të pasur në çdo aspekt.

“Një kombinim i jashtëzakonshëm muzikor i kompozuar nga Ch. Gounod dhe libreto nga Jules Barbie dhe Michel Carre me regji nga maestro Ivaylo Krintchev. Një eksperiencë e rrallë skenike, kënaqësia e madhe e bashkëpunimit me një nivel të tillë artistësh, në një produksion mjaft të pasur në çdo aspekt”, përfundon ajo.

Faust i Gounod është një nga operat më të mëdha. Është një kryevepër me shumë skena tërheqëse që janë bërë të famshme. Roli i Margeritue është një nga rolet më të bukur dhe më të kërkuar në letërsinë operistike. /KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës dha koncertin premierë të radhës, një program i veçantë që zgjati rreth dy orë

Fotografitë: Arben Llapashtica

Filharmonia e Kosovës dha koncertin premierë të radhës. Një program i veçantë dhe me shumëllojshmëri që zgjati rreth dy orë, përfshiu veprat e kompozitorëve, Alexei Shor, Rafet Rudi, Shostakovich, dhe Dvorak, përcjell KultPlus.

Në koncert Filharmonia realizoi bindshëm programin artistik ku u paraqitën dhe solistet e njohura, sopranoja Besa Llugiqi në veprën “Laudatio Funebris” të Rafet Rudi dhe pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj në interpretim të Koncertit No.2 nga D.Shostakovich, e gjithë kjo nën dirigjimin e Antoine Marguier.

Të pranishëm në koncert ishin edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri, Sejnur Veshall dhe këshilltari i ministrit, Liburn Jupolli. / KultPlus.com

Këtë të diel Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës sjell koncertin premierë

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e radhës këtë të diel (29 maj), përcjell KultPlus.

Sipas njoftimit, koncerti premierë do të mbahet në Qendrën “Bogdani Polis (Katedralja Nënë Tereza) në Prishtinë.

Gjithashtu, koncerti fillon nga ora 20:00.

“Jemi të lumtur të ju njoftojmë se sezoni 2021/22 vazhdon me koncertin premierë të Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës më 29 maj 2022”, thuhet në njoftim.

Programi:

ALEXEY SHOR
Uverturë nga baleti “Pallati i kristaltë”
Crystal Palace Overture

RAFET RUDI
Laudatio funebris
për soprano dhe orkestër harqesh
for soprano and string orchestra

DMITRI SHOSTAKOVICH
Koncert për piano No. 2 në F – dur, Op. 102
Piano Concerto No. 2 in F major, Op. 102

ANTONÍN DVOŘÁK
Simfonia Nr. 4 në d – mol, Op. 14
Symphony No. 4 in D minor, Op. 14

ORKESTRA E FILHARMONISË SË KOSOVËS
KOSOVO PHILHARMONIC ORCHESTRA

BESA LLUGIQI Soprano
ARTEMIDA QARRI – HAXHIAJ Piano

Dirigjent / Conductor
ANTOINE MARGUIER/ KultPlus.com

Besa Llugiqi me “Perlat shqiptare“ në Venecia, interpretohen edhe vepra të njohura të Kosovës

Me rastin e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në Bienalen e Venecias, nën organizimin e Ambasadës shqiptare në Itali, në “Chiesa della Pietà” të Venecias mbrëmë është mbajtur koncerti “Perlat shqiptare”, me jare e muzikë bashkëkohore shqiptare.

Në këtë koncert sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi, e shoqëruar nga kolegët nga Shqipëria të kuartetit të harqeve, Abigeila Voshtina dhe Xhoan Shkreli, në violinë, Herida Duro, violë, dhe Mario Goralumi, violonçel, interpretuan vepra nga kompozitorët Giacomo Puccini, Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Vasil S. Tole, si dhe perla të këngëve shkodrane.

E veçanta e këtij koncerti ishte interpretimi i dy veprave nga artistë dhe kompozitorë të njohur kosovarë, “Lamtumirë“ nga Muharrem Qena dhe “Mallëngjimi“ nga Rashid Krasniqi, vepra këto të përpunuara nga kompozitori i njohur, profesor Valton Beqiri.

Pas koncertit, sopranoja kosovare Besa Llugiqi u shpreh se koncerti “Perlat shqiptare“ kishte lënë përshtypje të mirë tek vendas.

“Ishte një kënaqësi e veçantë të interpretoj vepra nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe italianë, së bashku me miqtë nga Shqipëria, me rastin e inaugurimit të Bienales së 59-të të Venecias. Interpretuam në kishën e njohur “Chiesa della Pietà”, që daton nga shekulli i pesëmbëdhjetë, një xhevahir i arkitekturës veneciane, një pikë referimi për artistët dhe turistëë. Kjo kishë kishte shërbyer edhe si shkollë në të cilën kompozitori italian me famë botërore, Antonio Lucio Vivaldi kishte jetuar dhe u kishte dhënë mësim vajzave bonjake“, ka thënë sopranoja kosovare Besa Llugiqi pas koncertit “Perlat shqiptare“ në Venecia të Italisë. / KultPlus.com

Besa Llugiqi me rol kryesor rikthehet fuqishëm në Gdansk të Polonisë

Për dy ditë rresht, me ftesë të Operës Baltike në Gdansk të Polonisë, sopranoja e njohur kosovare Besa Llugiqi është rikthyer fuqishëm në ish-Operën Shtetërore Baltike ku interpretoi në rolin kryesor të Thaïs në kuadër të operës “Thaïs” të kompozitorit të njohur francez të epokës romantike, Jules Émile Frédéric Massenet.

Në sallën e stërmbushur të operës në Gdansk, ku ajo kishte debutuar më 2019, Llugiqi sërish rrëmbeu zemrat e publikut vendas të cilët sopranon kosovare e pritën me ovacion.

“Ishte një kënaqësi e madhe për mua të interpretoj dy netë rresht njërin prej roleve të mia të parapëlqyera, Thaïs, e rrethuar me artistë fantastikë dhe orkestrën e mrekullueshme të Operës Baltike në Gdansk. Pas suksesit të Thaïs, mezi pres të vazhdoj provat në rolin e Violetta Valéry në “La traviata”-n e kompozitorit të njohur italian, Giuseppe Verdi, nesër në Bullgari, opera e cila do të shfaqet më 26 mars, në Stara Zagora”, ka thënë Llugiqi pas shfaqjes.

Me këtë rast, përmes një videoje, Llugiqi falënderoi mediet për mbështetjen.

Vlen të theksohet se gjatë shfaqjes në Gdansk Llugiqi së bashku me kastin e interpretuan himnin e Ukrainës, në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas.

Rolin tejet kompleks, të ndjeshëm, dramatik dhe me shtrirje të gjerë vokale të Thaïs, Llugiqi e interpretoi e shoqëruar nga regjisori dhe dramaturgu i njohur polak, Romuald Wicza-Pokojski, dirigjenti i njohur francez, Nicolas Krauze, baritoni i njohur polak në rolin e Athanaël, si dhe tenori i njohur polak në rolin e Nicias, Lukasz Zaleski./ KultPlus.com

Mbahet mbrëmja ‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars’, Dones:  Gruaja shqiptare vazhdon të jetë e shtypur

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e së shtunës, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u mbajt mbrëmja e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, në shënim të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, përcjell KultPlus.

Kjo ngjarje, përveç poezive me vargje fuqizuese dhe frymëzuese kushtuar grave e që u interpretuan nga artistët rezidentë të ‘Artpolis’, u shënua edhe më një sërë aktivitetesh të tjera që përfshinin të ftuarën speciale, shkrimtaren Elvira Dones, sopranon Besa Llugiqi, shkrimtaren e gazetaren Ilire Zajmi, aktorin dhe poetin Shpetim Selmani, këngëtaren e kantautoren me origjinë shqiptare nga Belgjika’ Ceylan Taci si dhe kërcimtarët e Noa Dance Theatre me koreograf Robert Nuha që i shtuan magjinë kësaj nate me vallëzim kontemporan.

Mbrëmja e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”, e cila mëton të fuqizojë gratë mbijetuese të dhunës në baza gjinore dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u moderua nga Zana Hoxha, themeluese dhe drejtoreshë e ‘Artpolis’.

Nën tingujt e pianos që udhëhiqej nga Alzan Gashi, aktivitetet në këtë mbrëmje nisën me këngën ‘Unë vendos’ të Hana Cakulit, interpretuar nga artistet e ‘Artpolis’, Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Kaltrinë Zeneli, Qëndresa Kajtazi dhe Zhaneta Xhemajli. Kjo mbrëmje u përcoll edhe me interpretimin e katër poezive. Artistet e ‘Artpolis’ interpretuan ‘Mora lule sot’ nga Paulette Kelly, ‘Do t’shkruaj letra’ nga Vera Pavlova, ‘Mos fajësoni askënd’ nga Pablo Neruda dhe ‘Dhuna’ nga Erich Fried,

Më pas trupës së artistëve iu shtuan edhe Edlir Gashi dhe Mikel Markaj duke dhuruar një emocion të pashoq me interpretimin e këngëve ‘Ditë Dimri’ dhe  ‘Fërfëlloj fëllënza në ujë’.

Në ktë mbrëmje, Shpëtim Selmani, Donikë Ahmeti, Mikel Markaj, Edlir Gashi lexuan një bllok me poezi në shenjë solidarimi me popullin ukrainas pas pushtimit nga Rusia.

“Ne si një qendër e tillë, si artistë dhe artiste të angazhuara nuk mund të bëheshim sikur kjo ngjarje nuk po ndodhë. E dimë që Ukraina po kalon nëpër një luftë të tmerrshme për shkak të agresionit rus dhe ne e kemi obligim si qyetarë të kësaj bote të jemi në solidaritet. Shpresojmë që përmes artit tonë të kontribuojë në një ndërgjegjësim që lufta të ndalet, të ketë paqe dhe drejtësi kudo në botë” – tha moderatorja Hoxha.  

Emocioni në sallën e Teatrit Kombëtar u shtua edhe më shumë pas performancës së artistëve të Noa Dance Theathre, si zë i grave të pambrojtura, atyre që shtuan numrin e statistikave të grave që u vranë nga burrat e tyre.

Aktiviteteve të shumta që shënuan këtë mbrëmje, iu bashkua edhe këngëtarja dhe kantautorja me origjinë shqiptare, Ceylan Taci, e cila përveç që interpretoi këngët e saj në shqip ‘Kajti daja’ dhe ‘Ta qes lëkurën në tokë’, tregoi para publikut historinë se si filloi të mësojë e të shkruajë në gjuhën shqipe.

“E gjitha ka fillu në Theth, në Shqipërinë Veriore. Isha duke ecë nëpër kodra e më dukej sikur më flisnin kodrat, e ma tregojshin historinë tem e më detyronin të flas në shqip. U ktheva në Belgjikë e ja nisa me shkrujt në shqip, me fjalë të thjeshta, me imazhe. E fillova me shkru shqip kur vdiq baba, e kur vdiq nana, s’pata me kon me fol, ja nisa me shkrujt, qe historia” – tha Taci, e cila dhuroi emocione të përziera në sallë me rrëfimin e saj dhe performancën e këngëve, përcjell KultPlus.

Në këtë mbrëmje që gërshetoi dhimbjen, forcën, mbështjen, solidarizimin, nuk munguan edhe poezitë për dashurinë që u lexuan nga artistët e ‘Artpolis’.

Dalëngaladë, mbrëmja arriti kulmin e saj, në pjesën ku shkrimtarja Ilire Zajmi intervistoi të ftuarën speciale, Elvira Dones e cila është një romanciere, skenariste dhe producente e filmave dokumentarë shqiptarë. Është romanciere dhe shkrimtare dygjuhëshe (shqip dhe italisht). Ajo ka botuar shtatë romane, dy përmbledhje me tregime të shkurtra, ka shkruar disa skenarë dhe ka drejtuar një seri dokumentarësh për Radion Publike Zvicerane. Romanet e saj janë përkthyer në disa gjuhë.

Dones filloi të flasë për pozitën e gruas në Shqipëri, duke e lidhur me librin e saj ‘Yjet nuk vishen kështu’  për të cilin ajo thotë se është libri i vetëm që nuk do të donte ta kishte shkruar.

“Do të kisha dashur të mos e kisha shkruar sepse ajo faqe e zezë e shoqërisë shqiptare, ajo anë e errët që doli pas ndryshimit të regjimit në Shqipëri dhe ato vite që ishin qeveri pa qeveri, në ato vite filloi kriminaliteti dhe vajzat shqëiptare, merreshin nga shkollat, mashtroheshin se do t’i gjenin punë në Itali, Francë. Dhe këto vajza disa vinin nga familje të varfëra e disa nuk vinin nga familje të varfëra. Disa prej tyre u tradhëtuan nga të fejuarit, nga të dashurit, nga vëllezërit nga baballarët nganjëherë.”  – u përgjigj Dones teksa shton se gruaja shqiptare vazhdon të jetë e shtypur

Duke qenë se subjekt në librat e Elvira Dones janë gratë, fenomone e histori të dhimshme. Autorja tregon se pse trajton pikërisht këto tema.

“Mua më interesojnë të tregoj dritëhijet dhe hijet, më intereson të tregoj histori të njerëzve që nuk ndodhin tek çdo njeri. Ne, shqiptarët, kosovarët, kemi histori të dhimbshme, nëse nuk e shkruajmë ne historinë tonë, atëherë kush do ta shkruajë. Kam dashur të tregoj këto faqe të errëta jo vetëm shqiptare por edhe histori të tjera. Më intereson të tregoj për fundin e botës, për ata të fundit që askush nuk i vështron, ata lypsarët që nganjëherë para tyre kalojmë drejt dhe vazhdojmë në jetën tonë të rregulluar, të stresuar por të privilegjuar.” – thotë ajo.

Dones dhe Zajmi flasin edhe për librin ‘Luftë e vogël e përkorë’, libër ky në të cilin autorja Dones ka trajtuar luftën e fundit në Kosovë.

“Erdha në Kosovë për herë të parë, katër muaj pas luftës, kur Prishtina dhe e gjithë Kosova ishte akoma gjysmë e rrënuar, mbante erë akoma luftë. Pastaj derisa arrita ta shkruaja librin u ktheva edhe pesë herë të tjera në Kosovë, për respekt ndaj viktimave. Nuk mund t’ia lejoja vetes të bëja fantazi mbi tragjedinë e Kosovës. Kisha nevojë të krijoja distancën time emotive, të shkruaja një libër, ashtu siç kishin ndodhur gjërat” – thotë autorja Dones, e cila shton se libri i saj për luftën në Kosovë, e vuri në vëmendjen e popullit zviceran dhe gjerman atë çfarë kishte ndodhur në Kosovë.

Pas këtij bashkëbisedimi, në skenë u ngjit sopranoja kosovare Besa Llugiqi e cila interpretoi këngët, “Për mu paska ken’ kismet” dhe “Në zaman t’njasaj furie”, duke e shtuar edhe më shumë laramaninë  e kësaj mbrëmjeje.

E krejt në fund, iu dha mundësia edhe pjesëmarrësve në publik që të lexojnë disa nga poezitë e tyre. Një ndër ta ishte edhe Rrezarta Isma, e cila lexoi poezinë e saj në gjuhën angleze, inspiruar nga rrëfimet në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT.

Ky aktivitet u implementua nga Artpolis dhe u mbështet nga UNFPA Kosovë./ KultPlus.com

Ansambli ‘Trio Vivo’ me koncert sonte në Vjenë

Artistet shqiptare, Besa Llugiqi, Enkelejda Zajmi Gorani dhe Lejla Pula do të performojnë sonte në Vjenë.

“Ne mezi presim të takojmë tre artiste shumë të veçantë nga Prishtina, Kosovë, të cilat do të prezantojnë një program shumë interesant të gjërave të rralla muzikore të hënën, më 11 tetor, ora 19:00, në Gesellschaft für Musiktheater në Vjenë!”- ka shkruar organizatori./KultPlus.com

Artistet shqiptare “Trio Vivo” me koncert në Vjenë

Artistet shqiptare, Besa Llugiqi, Enkelejda Zajmi Gorani dhe Lejla Pula do të performojnë në Vjenë më 11 tetor.

Ne mezi presim të takojmë tre artiste shumë të veçantë nga Prishtina, Kosovë, të cilat do të prezantojnë një program shumë interesant të gjërave të rralla muzikore të hënën, më 11 tetor, ora 19:00, në Gesellschaft für Musiktheater në Vjenë!”- ka shkruar organizatori./KultPlus.com

Besa Llugiqi mahniti publikun në amfiteatrin antik romak ‘Avgusta Trayana’ në Stara Zagora

Besa Llugiqi mahnit publikun në amfiteatrin madhështor antik romak “Avgusta Trayana” në Stara Zagora, transmeton KultPlus.

Sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi, ishte mysafire speciale, fundjavën që shkoi, në galan glamuroze të operas në amfiteatrik madhështor antik romak “Avgusta Trayana” në Stara Zagora të Bullgarisë.

E parapëlqyera e publikut të Stara Zagorës, sopranoja Llugiqi dhuroi një interpretim të mahnitshëm të arieve të shumta të kompozitorëve njohur botërorë, Niccolò Paganini, Franz Lehár.

Sopranoja Besa Llugiqi thotë për mediat kosovare: “Koncerti në amfiteatrin madhështor antik romak “Avgusta Trayana” në Stara Zagora ishte një përjetim i jashtëzakonshëm për mua. Interpretimin tim publiku e mirëpriti me duartrokitje frenetike. Ishte një gala mbresëlënëse mes kolegësh artistë, regjisorë e dirigjentë të nivelit të lartë”.

Koncerti me dirigjent Dimitar Kosev e regjisor Georgi Dinev është projektuar me një vizion elegant dhe si një prej galave të viteve të njëzeta të shekullit 20.

Përkrah Llugiqit ishte çifti tërheqës i solistëve hungarezë – Szilvi Szendy dhe Károly Peller.

Në program të galas së operas u shfaqen edhe arie të zgjedhura, duete dhe ansamble të operetave të kompozitorëve të njohur botërorë të tillë si Jacques Offenbach, Richard Georg Strauss, Rudolf Emil Kálmán, të interpretuara nga solistët Elena Petrova, Valeri Turmanov, Elena Mishinova, Boris Taskov, Yanitsa Nesheva, Emiliya Dzhurova, studentë nga Akademia Shtetërore e Muzikës “Prof. Pantcho Vladigerov”, orkestra dhe kori i Operës Shtetërore Stara Zagora. Publiku pati rastin të shijojë edhe solo dhe shfaqje mbresëlënëse të baletit të Operës së Stara Zagorës. Koreografe ishte Joana Stojanova. / KultPlus.com

Besa Llugiqi shkëlqen në premierën e operës franceze, vlerësohet lart nga presidenti bullgar



Sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi, po vazhdon të korrë suksese në skenat e mëdha ndërkombëtare. Në sallën e stërmbushur të Pallatit Kombëtar të Kulturës , në Sofje të Bullgarisë, Llugiqi të martën interpretoi rolin e Ines në premierën e grand operës së njohur franceze në pesë akte, “L’Africaine”, me kompozitor Giacomo Meyerbeer, përcjellë KultPlus.

“Ishte një përjetim i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe për mua si artiste të interpretoj një rol kaq të rëndësishëm siç është Ines, me kërkesa të mëdha teknike e interpretuese. Një shfaqje mbresëlënëse, me pritje fantastike nga publiku, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Bullgarisë”, deklaroi për mediat kosovare sopranoja Besa Llugiqi.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, e vlerësoi lartë interpretimin e Llugiqit për mediat e pranishme pas shfaqjes.

Për herë të parë në Ballkan grand opera “L’Africaine” është shfaqur në Stara Zagora të Bullgarisë, në nëntor 2019, një realizim i jashtëzakonshëm që erdhi si rezultat i bashkëpunimit me “Deutsch Oper Berlin”, me regjisoren bullgaro-gjermane me famë botërore, Vera Nemirova.

Sopranoja  Besa Llugiqi shfaqjen e radhës do ta ketë në Gdansk të Polonisë, me 9 nëntor të këtij viti, ku do të interpretojë rolin kryesor në operën e njohur franceze në tre akte dhe shtatë tablo, “Thaïs”, me kompozitor Jules Massenet. / KultPlus.com   

Me veprën e Memli Kelmendit, ‘ReMusica’ thyen heshtjen me zërin e magjishëm të Besa Lluguqit

Suada Qorraj

Ndonëse kishte filluar nata e dytë e festivalit “ReMusica”, në Sallën e Kuqe të kryeqytetit po përjetohej e pazakonta. Tingujt e parë të pianos, Misbah Kaçamaku tashmë kishte filluar t’i luante, ndërsa zëri i sopranos Besa Llugiqi filloi dalë nga dalë të pushtonte skenën, e përmes saj edhe ekranet, prej të cilëve përcolli emocione te kushdo e kudo, shkruan KultPlus.

Mbrëmjen e filluan me madrigalin e famshëm “Amarilli, mia bella”, të kompozitorit të monodisë dhe këngës solo, Giulio Caccini. Madrigali bënë pjesë në botimin më të rëndësishëm të Caccinit, “Le nuove musiche” të vitit 1602, në të cilin thuhet se janë shkruar rreth 1580 lutje.

Nuk ishte hera e parë që e gjente veten në Sallën e Kuqe të kryeqytetit, por për të ishte hera e parë që po përjetonte diçka që nuk e kishte menduar asnjëherë, të interpretonte për një publik që nuk e shihte dot. Edhe pse përball vetes kishte pianon, kurse përkrah saj ishte sopranoja që tingullit i shtonte zë, për pianistin Misbah Kaçamaku, mungesa e publikut tek ai krijonte ndjenjën e zbrazëtisë.

“Koncerti pa publik, ishte një eksperiencë e pa përjetuar nga unë. Ndjenjë e një “zbrazëtie” të çuditshme. Ishte mungesë e komunikimit me publikun, pa të cilin komunikim është mjaft vështirë të krijohet atmosferë e duhur”, ka deklaruar ai.

Edhe për sopranon, Besa Llugiqi, të interpretonte pa publik ishte ndryshe, por sipas saj, së bashku me pianistin kanë bërë të pamundurën që të interpretonin njëlloj sikurse të ishin në një sallë të mbushur plot.

“Të interpretosh pa publik ka qenë një ndjenjë ndryshe, por ne së bashku jemi munduar që të japim maksimumin tonë dhe të sjellim përpara ekraneve atë se çka do të sillnim edhe para publikut në sallë”, ka thënë ajo.

Nata e mbrëmshme ishte e mbushur me vepra të cilat kanë lënë gjurmë në historitë e sallave dhe koncerteve që i ofruan publikut të bukurën e mallëngjimin që sjell arti e muzika. E si çdo herë, në koncerte të tilla nuk mungon edhe përfshirja e veprave shqiptare, që mëtojnë të përçojnë një emocion ndryshe tek publiku.

“Flas me heshtjen”, ishte vepra premierë enkas për këtë koncert, e që erdhi shumë bukur nga loja e pianistit Kaçamaku, por edhe nga zëri i bukur i sopranos Besa Llugiqi. Për kompozitorin Memli Kelmendi vepra shfaqë shpresën, pikëllimin dhe heshtjen, e cila në tërësi krijon një atmosferë konstante.

“Ndonëse vepra kryesisht paraqet një atmosferë “konstante”, në momente të caktuara paraqitet si tendencë e shpresës, shpërthimit, pikëllimit, heshtjes… prandaj mendova pikërisht për këtë. ‘Flas me heshtjen’ është shkruar në një periudhë kohore shumë të shpejt, për dy ditë”, ka pohuar kompozitori në një intervistë për KultPlus.

Ai ka shtuar se vepra është ndërtuar mbi bazën e tekstit të Agim Deskut, e që sipas tij në të kishte elemente interesante që e inspiruan kompozitorin të krijonte diçka të re. Kelmendi e ka konsideruar pozitiv faktin që interpretimi i veprave po bëhet në formatin online sepse sipas tij, interpretimi së bashku me veprën do mbesin përherë të arkivuara.

Për sopranon, Besa Llugiqi, interpretimi i veprës së kompozitorit Kelmendi ka qenë kënaqësi sepse ishte pikërisht kjo vepër që thyente monotoninë e heshtjes.

“Ne çdo herë interpretojmë vepra premierë, edhe të interpretosh veprën e kompozitorit Memli Kelmendi ka qenë një kënaqësi, pasi që vet vepra në vete synonte të  thyente monotoninë e heshtjes, ndërkaq kompozitori çdo herë e dëshmon veten për talentin dhe përkushtimin e tij”, ka thënë sopranoja.

Edhe pianisti Misbah Kaçamaku ka theksuar rëndësinë e kësaj vepre, si kompozim i cili mund të luhet në piano, njëkohësisht të interpretohet edhe nëpërmjet zërave të magjishëm të sopranove.

Dyshja nuk ka lënë pa përmendur edhe eksperiencën e tyre përgjatë bashkëpunimit për festivalin “ReMusica”. Ata kanë theksuar se bashkëpunimi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm, duke krijuar kështu mes vete një kimi në muzikalitet por edhe teknikë.

Krejt për fund pianisti Misbah Kaçamaku ka thënë se festivali është një motor që inkurajon krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë, duke e konsideruar njëkohësisht pjesëmarrjen e tij në këtë edicion shumë të vlefshme.

“Përndryshe, festivali është një lloj “motori” i cili investon dhe inkurajon krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë, ku në të njëjtën kohë bënë dhe promovimin e po të njëjtave veprave me ansamble të ndryshme botërore. Në përgjithësi, një eksperiencë shumë e vlefshme për mua”, ka përfunduar ai.

Rëndësinë e “ReMusica” për promovimin e kompozitorëve shqiptar nuk e ka lënë pa e përmendur edhe sopranoja, Besa Llugiqi. Ajo madje theksuar se vetë durimi i organizatorëve karshi tyre ka qenë shembull dhe motiv për të mos u dorëzuar.

“Festivali  është një stimulues i madh sepse ju jep hapësirë shumë artistëve edhe atyre të rijnë që të shfaqin veten, si dhe ju jep mundësinë që të jepen vepra premierë, natyrisht me porosinë e tyre. Donika ka qenë një shembull për ne se si duhet bërë një organizim në kushtet në të cilat gjendemi sot, madje ajo ka qenë edhe një motivim se si të mos dorëzohemi dhe të gjejmë një shtysë që të jemi aktiv në kohë të tilla”, ka përfunduar kështu intervistën Llugiqi.

Drejtoresha e festivalit “ReMusica”, Donika Rudi ka thënë për KultPlus se ashtu siç kanë pritur koncertet po ndiqen nga e gjithë Evropa. Ajo ka shtuar se për artistët nuk ka qenë aq e thjeshtë sepse koncertet janë realizuar në atë  formë që ti krijojnë publikut ndjenjën e të qenurit në të njëjtën sallë me ta.

“Ashtu siç e kishim paraparë në fillim ashtu edhe po ndodhë, koncertet po ndiqen nga e gjithë Evropa, nga të gjitha moshat. Për artistët nuk ka qenë aq e thjeshtë sa mund të duket, sepse koncertet janë realizuar në atë formë ku si ide ka qenë që ato (koncertet) të jepen në një frymë dhe pa ndërprerje – njëjtë ashtu si edhe në koncert, në mënyrë që publiku ta përjetoj koncertin si të ishte aty”, ka thënë ajo.

Nata e dytë e festivalit “ReMusica” u përmbyll nën tingujt e veprave të Verdit, “Mercè, dilette amiche; I vespri siciliani”, dhe “Surta e la notte…Erani in volami”. Festivali i cili ka filluar që nga e hëna mbrëma do të zgjas deri më 21 shtator dhe do të transmetohet rregullisht me fillim nga ora 21:00 në Klan Kosova si dhe live në faqen e ReMusica./ KultPlus.com

Sonte në festivalin “ReMusica” interpretojnë Besa Llugiqi soprano dhe Misbah Kaçamaku në piano

Sonte në kuadër të edicionit të 19-të special të festivalit “ReMusica” do të mbahet koncerti me artistët nga Kosova, Besa Llugiqi soprano dhe Misbah Kaçamaku në piano. Koncerti do të filloj në orën 21:00, shkruan KultPlus.

Besa Llugiqi është soprano e shquar nga Kosova. Ajo është fituese e “Grand Prix”-it të konkursit “Elena Nikolai”, ku është vlerësuar nga juria profesionale si “zë i bukur, teknikë e mrekullueshme dhe interpretim i lartë estetik”.

Llugiqi përpos paraqitjeve të saj në vend dhe jashtë deri më tani ka performuar role të shumta, ku veçohen Donna Elvira në “Don Giovanni” (W.A. Mozart), Mimi në “La Boheme” (G. Puccini), Lucia në “Lucia di Lammermoor” (G. Donizetti), Lauretta në “Gianni Schicch” (G. Puccini) etj. Me interpretimin e Inës nga shfaqja “L’afriqaine” Llugiqi arriti të ndërtojë “një rol dhe aktrim shumë bindës, një vokal me shumë pushtet”, citon “Das Opernglas”.

Ndërsa Misbah Kaçamaku nga shkolla ruse, Akademia e muzikës “Gnjesinih”, ai vazhdoi udhëtimin e tij edukativ të specializimit në konservatorin Josef Haydn në Eisenstadt. Studimet postdiplomike i kreu në Fakultetin e Artit Muzikor në Shkup, ku edhe i përfundoi studimet e doktoratës./ KultPlus.com

Sopranoja Besa Llugiqi me interpretim në Poloni

Sopranoja Besa Llugiqi mbrëmë ka interpretuar në Gdansk të Polonisë në Teatrin e Operas “Baltika”, shkruan KultPlus.com

Sopranoja LLugiqi, ka thënë se pavarësisht se roli dhe interpretimi kanë qenë komplekse, ajo ia ka dalur ta zotërojë atë.

“Mbrëmë në Gdansk të Polonisë në Teatrin e Operas Baltika interpretova në rolin kryesor të Thais nga opera Thais e J. Massenet . Thais është një rol jashtëzakonisht kompleks dhe i bukur me shumë nuanca muzikore dhe dinamike , teknikisht jo i lehtë me shumë dramaticitet brenda saj, është prej roleve që me kënaqësi e këndoj , është ngjitur aq shumë për zerin tim sa që me lehtësi mendoj se po e zotëroj pamvarësisht peshës qe ka”

“Jam e lumtur shumë për këtë bashkëpunim në një atmosferë të tillë jashtëzakonisht profesionale nga një teatër mjaft serioz , një orkestër fantastike , dirigjenti dhe kasti e bëjnë këtë shfaqje madhështore”, ka shtuar tutje, sopranojna Besa LLugiqi.



Besa Llugiqi me rol kryesor në shfaqjen operistike në Poloni

Sopranoja kosovare Besa Llugiqi, në mbrëmjen e së shtunës do të prezantohet me shfaqje operistike në Poloni, shkruan KultPlus.

Ajo ka treguar për KultPlus se do të paraqitet në rolin kryesor të shfaqjes Thais nga kompozitori J. Massesnet, e që do të prezantohet në Opera Baltyca në Gdansk të Polonisë.

“Do të këndoj përkrah me artistë të njohur si:  Marcin Bronikowski e Daniel Borowski, kurse dirigjent është Jose Maria Florensio”, ka thënë Llugiqi për KultPlus.

Ajo krejt këtë angazhim në këtë shfaqje opersitike e vlerëson si një eksperiencë të jashtëzakonshme , edhe pse, ajo ka bërë të ditur se tashmë është hera e tretë që është pjesë e këtij produksioni.

“Një muzikë e jashtëzakonshme dhe një përjetim i rrallë muzikor,  që ky ambient i kësaj shtëpie operistike të dhuron”, ka thënë Llugiqi. Ajo poashtu ka njoftuar se pas kësaj performance, do të jetë edhe në të gjitha reprizat e shfaqjes Thais që janë paraparë të jenë brenda këtij viti, dhe vitit 2020./KultPlus.com  

Besa Llugiqi mbrëmë debutoi me rolin kryesor të Thais në Poloni

Sopranoja kosovare Besa Llugiqi, po dëshmon çdo ditë e më shumë që skena është vendi ku ajo di të shkëlqejë më së miri. Pas suksesit që pati me shfaqjen e Lucia di Lammermoor në Shtëpinë Operistike në Burgas, si dhe rolit kryesor të Violeta Valery po në këtë teatër, ajo tashmë ka debutuar në Poloni me rolin kryesorë të Thais nga kompozitori J. Massenet, shkruan KultPlus.

Përgatitjet për këtë shfaqje kanë nisur nga 29 janari dhe kanë zgjatur deri më 1 mars. Llugiqi ka treguar për KultPlus se gjatë këtyre pesë javëve prova intensive, kanë arritur ta kurorëzojnë një punë kolosale, jashtëzakonisht profesionale, me një ekip të mrekullueshme.

“Një kënaqësi të punosh në një teatër të tillë me një dirigjent fantastik dhe orkestrën e mrekullueshme të këtij teatri. Në Teatrin Baltic te Gdansk do të përsëritet edhe 4 herë Thais në periudha të ndryshme. Një privilegj të këndoj përkrah artistëve si Marcin Bronikowski, Tomasc Rak dhe Daniel Borowski.

Kjo shfaqje erdhi nën dirigjimin e Jose Maria Florencio, ndërsa për regjisor kishte Romuald Wicza – Pokojski që për Llugiqin ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të punoj me ta. / KultPlus.com

Besa Llugiqi pjesë e festivalit “Laureate day’s Katya Popova” në Bullgari

Solo këngëtarja e njohur kosovare, Besa Llugiqi gjatë natës së mbrëmshme ka marr pjesë në festivalin “Laureate day’s Katya Popova”, në Bullgari.

Pjesë e këtij festivali kanë qenë edhe shumë këngëtarë tjerë të ndryshëm të botës, përcjell Insajderi.

Llugiqi ka thënë se ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme të performojë me emra të njohur të skenës.

“Sigurisht për mua ishte mjaft me rëndësi kasta e artistëve me të cilët do të performoja , një kënaqësi e jashtëzakonshme të jesh përkrah kolegëve si Mihail Mihaylov , Aleksander Krunev , Oana Andra (Rumania ) Ivailo Djurov Dirigjent Deyan Pavlo”, ka thënë Llugiqi.

Kjo nuk është hera e parë që Besa Llugiqi merr pjesë në një skenë prestigjioze botërore. Në muajin gusht ajo ka performuar në sheshin kryesor të qytetit Vidin, në Bullgari, ki kishte mbretëruar një atmosferë e jashtëzakonshme pranë lumit Danub. /KultPlus.com

‘La Traviata’ premierë në Bullgari, Besa Llugiqi me rol kryesor

Pas suksesit që pati me shfaqjen e Lucia di Lammermoor në Shtëpinë Operistike në Burgas, sopranoja kosovare Besa Llugiqi, së shpejti do ta jetësoj rolin kryesor të Violeta Valery në këtë teatër, shkruan KultPlus.

Sarandë Selimi

‘La Traviata’ e Verdit, do të dirigjohet nga dirigjenti më i mirë bullgar Ivan Kojuharov, ndërsa Llugiqi në një prononcim për KultPlus, tregoi se është një kënaqësi e jashtëzakonshme për të që ta ketë këtë rol dhe të punoj me maestron Kojuharov.

“Për mua roli i Violetës është mjaft kompleks i gërshetuar me vështirësi teknike, një kryevepër e ndërtuar me mjaft dinamizëm, vuajtje, sakrificë e dashuri janë nuancat që e bëjnë dinamike këtë vepër dhe që publikun e mbajnë gjatë gjithë kohës në drithërima. Poashtu është kënaqësi e jashtëzakonshme që të bashkëpunoi me maestro Ivan Kojuharov, ku vite më parë kam dëgjuar një interpretim të ‘Traviatës’ që është dirigjuar nga ky mjeshtër dhe më ka lënë aq mbresa sa mezi prisja një bashkëpunim të tillë”, ka thënë për KultPlus Llugiqi.

Krejt ky bashkëpunim ashtu siç tregoi edhe vetë sopranoja erdhi pas suksesit që kishte shfaqja e Lucia di Lammermoor në këtë teatër, dhe menjëherë i pasoi ftesa për ‘Traviatën’.

“Sigurisht më gëzoi pa masë fakti që do të ngjitem në skenë me rolin tim të preferuar në drejtimin e Kojuharov, i cili është një prej dirigjentëve më të mirë që ka Bullgaria”, theksoi ajo për KultPlus.

‘La Traviata’, do të ngjitet në skenën e Shtëpisë operistike Burgas më 3 nëntor të këtij vitit./ KultPlus.com