KHF Istogu dhe KH Trepça, shpallen fitues të kupave në hendboll

Klubi Hendbollistik për Femra ‘Istogu’ dhe Klubi Hendbollistik ‘Trepça’, janë shapllur fitues të kupave në hendboll.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka uruar skuadrat hendbollistike, KHF Istogu dhe KH Trepça, për fitoren e kupave, shkruan KultPlus.com

“Skuadrat e KHF Istogu dhe KH Trepça të cilat fituan trofeun e Kupës së Kosovës, i urojmë për fitoren e këtij kampionati.

Vajzat e Istogut triumfuan ndaj Vushtrrisë teksa djemtë e Trepçës rikthyen kupën pas 20 vitesh, duke mundur në finale Besa Famgasin.

Fat dhe suksese edhe në garat ndërkombëtare.”, thuhet në urimin e MKRS./KultPlus.com

Ministri Çeku takoi kryetarin e Komunës së Istogut, diskutuan për projektet insfrastrukturore në fushën e kulturës

Ministri Çeku sot takoi kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati, dhe bashkëpunëtorët e tij.

Bashkë diskutuan për projektet insfrastrukturore në fushën e kulturës, rinisë, sportit dhe trashëgimisë kulturore.

Ministri e njoftoi me punët që janë bërë në asete të trashëgimisë kulturore deri tani në këtë zonë. Përfundimi i punëve në kullën e Hamdi Halil Osmanaj në Trubohovc, në kullën e Halil Ali Mavrajt në Staradoran, po ashtu në kullën në Orobërdë.

Diskutuan gjithashtu për palestrën e edukatës fizike të gjimnazit “Hysni Zajmi” në Vrellë. U dakorduan të që të prioritizojnë intervenimet dhe të shihet mundësia e buxhetimit të MKRS që punët që janë zvarritur të përfundojnë.

Palestra e qytetit është një tjetër projekt që ka nevojë për renovim. U dakorduan që Komuna të dorëzojë projektin dhe pasi të analizohet detajisht, MKRS të japë propozim për mundësitë e buxhetit që mund të ndahen për këtë projekt.

Ministri Çeku u propozoi disa projekte potenciale.

Restaurimin dhe funksionalizimin e Burgut të Gurakocit. Të themelohet një grup i përbashkët, Komunë, MKRS, QRTK Pejë dhe të fillojë puna në mënyrë që kësaj hapësire t’i jepet funksion dhe të përdoret nga komuniteti.

Po ashtu u diskutua për krijimin e një Akademie të futbollit në bashkëpunim me një donator gjerman. Komuna u zotuan të ndahet lokacioni dhe ky projekt të filloj.

Në takim u fol gjithashtu që muzeu etnologjik të bartet nga vendi ku është në një lokacion të ri. Nga MKRS u kërkua të sigurohen inventari dhe të punohet në një koncept kuratorial të ekspozitës.

Ministri Çeku e njoftoi kryetarin Ferati për dy programet shtetërore që pritet të fillojnë nga viti i ardhshëm në të gjitha komunat e Kosovës, që janë programi i artit në shkolla dhe sportit në shkolla, ndërsa mori përgjigje pozitive për të punuar së bashku në zbatim. / KultPlus.com

Lumi i Istogut shndërrohet në zonë turistike

Istogu është njëri prej vendeve që ka bukuri të shumta natyrore, me vende atraktive për rekreacion dhe turizëm.

Rrëzë bjeshkëve, rrjedh lumi i Istogut, i njohur edhe si Burimi i Istogut, i cili është shndërruar në një pikë turistike për vendin.

Qytetarët gjatë orëve të mbrëmjes këtë vend po e përdorin si shëtitore në ajër të pastër.

Zyrtari i Trashëgimisë Kulturore në Istog, Enver Boletini thotë për RTV Dukagjinin se Burimi i Istogut tani ka pamjen që gjithmonë ka merituar.

“Në mënyrë korrekte vendit iu ka kthyer një ndërtim ashtu siç duhet, për t’u shndërruar në hidromonument. I falënderohet Komunës së Istogut dhe Unionit Evropian që kanë investuar në këtë vend”, thotë Boletini.

Ai thotë se ky vend paraqet potencial të madh turistik, sidomos të turizmit rural, sepse ka elemente të trashëgimisë kulturore, lumenj, male e fusha.

“Burimi i Istogut ka 2,500 litra ujë në sekondë, dhe buron në lartësi mbidetare 480 metra. Është burim i fuqishëm i ujit, dhe është shumë i pastër nga aspekti i bakterieve, i konstatuar nga një institut gjerman”, shprehet Boletini./KultPlus.com