Adem Mikullovci kërkon që Kodi i Ri Penal të bazohet në Kanunin e Lekë Dukagjinit (VIDEO)

Sot në seancën e radhës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është diskutuar për Kodin e Ri Penal, shkruan KultPlus.

Sa i përket kësaj, në këtë seancë fjalën e mori edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, i cili tregoi se është i pakënaqur me ligjin dhe ai kërkoi që të merren parasysh edhe Kanuni e edhe Pleqnarët. Sipas tij, ligjit nuk po i vije era shqip, dhe kësisoj siç e tha ai: “po bëhemi më Papë se Papa”.

Adem Mikullovci në këtë deklaratë skandaloze, thotë edhe: “Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rrahë fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije, dijeni”.

Ai po ashtu merr një shembull dhe i pyet deputetët se çfarë mendojnë: “Ta marrë veç një shembull, sipas këtij Kanuni, sipas këtij Ligji sipas këtij Kodi, nëse gruaja e padit burrin e burri shkon në burg, më tregoni a e prit ajo grua burrin në shtëpi, hajt më tregoni”.

Po sjellim të plotë deklaratën e aktorit, e tash edhe deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Adem Mikullovcit:

“Unë dua të them, ju e dini që nuk jam jurist, por e shfletova materialin dhe u mundova të kuptoj ca gjëra. Por e vërejta dhe nuk më pëlqeu që këtij kodi nuk po i vije era shqip. Mendoj që është dashtë të mbështetën ata ekspertët e juaj pak edhe në tradita e edhe në pleqnarë. Pleqnia jonë ka ditur të zgjidhë konfliktet që nuk kanë ditur as juristët t’i zgjidhin. Por unë u ndala edhe në dhunën familjare. Të kuptohemi që dhuna familjare nuk mund të aplikohet si në Amerikë e Angli e ata tjetër atje, ne jemi tjerë dhe duhet të iu tregojmë që jemi tjetër. Ta marrë veç një shembull, sipas këtij Kanuni, sipas këtij Ligji sipas këtij Kodi, nëse gruaja e padit burrin e burri shkon në burg, më tregoni a e prit ajo grua burrin në shtëpi, hajt më tregoni. Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rrahë fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije, dijeni. Mandej këtu e përkrahi plotësisht Mialim Zekën, dhe mendoj që pak tepër po mundohemi të bëhemi anglez, si thotë ajo fjala popullore më papë se Papa, nuk po vjen era shqip, e kjo më ka penguar”, ka thënë ai./ KultPlus.com

Deputeti Mikullovci bënë thirrje për dhunë ndaj fëmijëve

"Pa e rreh fëmijën, fëmija nuk bëhet terrbije (edukohet)" – Deputeti nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, aktori Adem Mikullovci ka bërë një deklarim skandaloz duke bërë thirrje që Kodi Penal të bazohet edhe në rregullat e prapambetura të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Gepostet von Insajderi am Mittwoch, 6. Juni 2018

“Kanuni” nuk është gjakmarrja, ai është një monument juridik i kohës së vet

Prezantimi i përkthimit në gjermanisht të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të realizuar nga Bardhec Berisha, ishte shkas për një takim të organizuar nga Konsullata e Kosovës në Cyrih.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është njëri ndër kodet zakonore që kanë rregulluar funksionimin e jetës në shoqëritë shqiptare, që nga lashtësia. Por ai është i vetmi që, ndonëse shumë më vonë, falë punës së atit françeskan nga Kosova, Shtjefën Gjeçovit është kodifikuar dhe është në dispozicion në formë të shkruar. Pra, ai është botuar si libër, në vitin 1933 në Shkodër. Si i tillë, “Kanuni i Lekë Dukagjinit” tashmë, veç origjinalit në gjuhën shqipe, është i botuar dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës.
Së fundi, ai ka përjetuar edhe përkthimin e dytë në gjuhën gjermane, pas atij që ishte bërë që në vitet `30 të shekullit të kaluar.

Prezantimi i këtij përkthimi, të realizuar nga Bardhec Berisha, ishte shkas për një takim të organizuar nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, në ambientet e Qendrës Kulturore të Kosovës, në Cyrih, shkruan albinfo.ch. Përveç përkthyesit Berisha, në prezantim ishte i pranishëm edhe botuesi, Martin Schällebaum, i cili ka pasur edhe rolin mbështetës në përkthimin në gjermanishte të kësaj lënde shumë komplekse.

Një vlerë e çmuar e kulturës shqiptare

Duke e konsideruar botimin e këtij libri në gjuhën gjermane si një kontribut për njohjen e një segmenti të rëndësishëm të kulturës shqiptare, konsulli i Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu ka falënderuar përkthyesin dhe botuesin. “Dalja në gjuhën gjermane e librit për kodin e dokeve zakonore shqiptare, bën që të tjerët të kenë mundësi ta njohin traditën tonë zakonore në histori. Deshëm ne ose nuk deshëm, etnopsikologjia jonë kolektive, ka qenë e karakterizuar nga cilësi dhe elemnte që rrjedhin nga e drejta kanunore. Madje ajo as sot nuk është krejtësisht e liruar nga ajo”, ka thënë Spahija. Kjo sepse, sipas tij, “Kanuni si libër, si kod zakonor shqiptar, me shekuj ka sunduar etnopsikoilogjinë tonë duke zëvendësuar fuqinë e ndikimit të shtetit”.

Autori i përkthimit, Bardhec Berisha ka sqaruar rrethanat në të cilat është bërë ky përkthim. Ai është ndalur në shpjegimin e shkakut përse ky libër është përkthyer së dyti gjermanisht, në një kohë që një përkthim tashmë ekzistonte prej vitesh. Berisha ka theksuar në këtë kontekst se përkthimi i mëparshëm, i para rreth 80 viteve, ishte i fjalëpërfjalshëm dhe i shkruar në një gjuhë të vështirë sidomos për lexuesit e sotshëm. Për më tepër, ka nënvizuar Berisha, para procesit të përkthimit, atij fillimisht i është dashur që me ndihmesën e profesorit Prend Buzhala ta “përkthente” Kanunin në gjuhën e sotme, standarde shqipe. Kjo punë është paraqitur e nevojshme pasi që gjuha e përdorur nga Gjeçovi, para rreth njëqind viteve është e vështirë për t`u kuptuar dhe përjetuar nga lexuesit e sotëm. Puna bëhet edhe më e ndërlikuar nga fakti se shumë nga konceptet, nocionet dhe institucionet për të cilat bën fjalë kanuni, janë fare pak ose aspak të njohura për shqipfolësit e sotëm. Për t`ia dalë mbanë kësaj pune komplekse, ai ka pasur ndihmën edhe të ekspertëve të ndryshëm dhe në veçanti të profesorit nga Kosova, Prend Buzhala.

Kanuni nuk bën të reduktohet në gjakmarrjen

Bardhec Berisha ka përmendur po ashtu se ky përkthim është bërë me lejen gjegjësisht të drejtën autioriale që atij i ka dhënë Provinca Françeskane Shqiptare në Shkodër, e cila është trashëgimtare e kësaj të drejte. Ai ka tërhequr vërejtjen për gjykimet e padrejta që në publik i bëhen Kanunit, duke e reduktuar atë vetëm në gjakmarrjen ndërkohë që “Kanuni i Lekë Dukagjinit” ka qenë shumë më shumë se kaq. Ai ka rregulluar shumë fusha të jetesës ndër shqiptarët, në mungesë të shtetit, ka thënë veç tjerash Bardhec Berisha.

Ndërsa botuesi Martin Schällebaum ka shpalosur para të pranishmëve punën e madhe disavjeçare që është bërë në përkthimin dhe përgatitjen për botim të këtij libri. Ai gjatë këtij procesi ka mësuar shumë për të drejtën zakonore shqiptare dhe ka zbuluar dimensione të reja të kësaj të drejte.

Real dhe racional për kohën

Për më tepër, Schallebaum ka konstatuar se një kod i tillë zakonor, që vjen nga poshtë lart dhe jo nga lart-poshtë (siç do të ishte po të vinte nga pushtetmbajtësit) është më realist dhe më i drejtë për kohën. Ai si i tillë u referohet problemeve nga përditshmëria dhe ofron zgjidhje racionale për to, në përputhje me kohën kur ky kod është krijuar.

Në këtë pikë Schällebaum ka vënë re se kode zakonore të ndërtuara “nga poshtë-lart” ka pasur edhe ndër popujt tjerë, madje edhe ndër zviceranët. Si ilustrim ai ka përmendur rregullimin e mënyrës së shfrytëzimit të kanalave të ujitjes (vadave) në zonat malore e të thata të Valisit. Kishte rregulla të veçanta që e rregullonin këtë çështje, siç kishte edhe njerëz të veçantë që merreshin me mirëmbajtjen e kanaleve në fjalë. Ndërsa e veçanta e Kanunit të Lekë Dukagjinit, në krahasim me kodet e përmendura në Zvicër e gjetiu, sipas Schällebaum është se ai përfshin gjithë spektrin e të drejtës, pra veç të drejtës civile në kuptimin e sotëm, edhe të drejtën penale, shkruan albinfo.ch. Ai ka folur po ashtu edhe për vështirësitë që shpesh dukeshin të pakapërcyeshme, gjatë përkthimit dhe përgatitjes për botim të librit. Fjala është për kompleksitetin e materjes së Kanunit dhe për mospasjen e elementëve krahasues në gjuhën gjermane dhe në praktikat e këtushme.

Gjatë mbrëmjes së promovimit, përkthyesi Bardhec Berisha ka lexuar në gjuhën shqipe disa pjesë të zgjedhura nga kanuni, për të sjellë atmosferën e këtij kodi i cili tashmë përbën një thesar të kulturës shqiptare. Të njëjtat pasazhe i ka lexuar, të përkthyera në gjuhën gjermane, Angela Keel, duke ofruar kështu një shije të asaj se si tingëllon “Kanuni i Lekë Dukagjinit” i përkthyer gjermanisht./albinfo.ch

HAVEIT – recetë për kryeministrin Haradinaj

Në fillim është receta:

1 enë me miell
Kanuni i Lekë Dukagjinit
1 palë doreza
1 t`hollues
10 unaza për secilin gisht të duarve
1 shkrepsë
Plin për pjekjen e Kanunit derisa masa të shndërrohet në lëngun e zi.

Me shumë finesë, Kanuni zihet. Puna e grupit artistik HAVEIT me titullin ‘Tager’ bëhet këtë fillimvit më aktuale kur kujtojmë Kanunin.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është një produkt moral, ligjor, shoqëror i cili gëzon respekt dhe hapësirë në shoqërinë kosovare. Produktet morale e ligjore të cilat e shtypin gruan duhet të gatuhen e hidhen jo veç për 8 Mars por për çdo ditë.

Dhe vajzat e HAVEIT po e gatuajnë e po e bëjnë copë copë Kanunin edhe kur këtë performancë ia dedikojnë kryeministrit Ramush Haradinaj.

Haradinaj njihet për ‘funksionalizimin’ e rregullave kanunore në disa raste. Në vitin 2015-të, Ramush Haradinaj – i njëjti që para disa javësh shkaktoi skandal pasi e rriti rrogën e tij në 3 mijë euro, kërcënoi me Kanun Murat Mehën. Në dhjetor të vitit 2017-të, Haradinaj tha se duke u thirrur në Kanun ai gjuan me armë nëpër oda, aty ku kërkohet e ku ka arsye për festë, shkruan KultPlus.

“Tag Kryeministrit” thotë përshkrimi i punës nga HAVEIT, që thumbon jo pak kësaj here Haradinajn.

HAVEIT gjithmonë ka dalë kundër politikave të Kanunit të cilat e kanë degraduar pozitën e gruas në shoqëri, e për më tepër, kanë shtypur çdo dritë dhe shkëndijë se gjinia femërore do të mund të ketë jetë me të mirë ndonjëherë. c

Kur vjen puna tek Ramush Haradinaj, jo pak njerëz në rrjete sociale i drejtohen atij me “Kanuni”, ndoshta sot personi që më së shumti e implementon normat e vjetra shqiptare, në kontekstin aktual.

TAGER është realizuar me 8 mars të vitit 2015-të, me rastin e festës së gruas. / KultPlus.com