Nuk është lehtë të jesh nënë dhe të punosh

Të gjithë e dimë se nënat nuk kanë asnjë ditë të lirë, as fundjavë, as pushim gjatë festave, as pushim vjetor! Dhe një studim i ri tregon se sa shumë në fakt punojnë nënat. Studimi i publikuar së fundmi, ka analizuar 2,000 nëna të fëmijëve mes 5 deri 12 vjeç dhe ka arritur në përfundim se nënat punojnë mesatarisht 98 orë në javë. Kjo është e barabartë me dy punë e gjysmë me orar të plotë. 

Krejt kjo duke përjashtuar edhe nënat që kanë një punë të rregullt, jashtë obligimeve të shtëpisë e fëmijës. Punë kjo që zgjatë 8 orë në ditë dhe pjesa tjetër është një orar shtesë për të e që konsiderohet ende më i lodhshëm. Madje shpesh ka pasur deklarata nga nënat që më i vështirë është orari më fëmijën sesa orari i punës së rregullt që ajo mban. Por, kënaqësia dhe dashuria që të ofron fëmija i tejkalon të gjitha dhe për këtë arsye nënat ja dalin me sukses të kryejnë të gjitha këtë obligime.

Sipas këtij studimi që e cekem më lart, një nënë zakonisht zgjohet në ora 6:30 të mëngjesit, dhe puna e saj nuk përfundon deri në ora 8:30 të mbrëmjes. (E për shumicën e ne nënave kjo na duket si ditë e mirë. Duke pasur parasysh se ky orar mund të zgjatet deri në 10 a 11 të mbrëmjes.)

Rezultatet e studimit nxjerrin në pah se sa shumë kërkesa ka roli i nënës dhe se nënat kanë detyra që nuk mbarojnë gjatë gjithë ditës. Studimi thotë se një nënë është me fat nëse arrin të gjej rreth 1 orë e 7 minuta për veten e saj çdo ditë.  Katër në dhjetë gra kanë pohuar se ndihen sikur jeta e tyre është si një seri e obligimeve që asnjëherë nuk marrin fund.

Krahas listës së gjatë të kërkesave, nënat e intervistuara kanë deklaruar se kanë edhe disa shpëtimtarë! Në krye të listës së gjërave që ua ruajnë mëndtë, dhe i shpëtojnë nga kaosi i përditshmërisë, nënat kanë vendosur faculetat e lagura, iPad-ët, filmat për fëmijë, ushqimet e gatshme, kafenë, dhe ndihmën e gjyshërve dhe dadove.

Është shumë e qartë se shumë nëna punojnë me gjithë kapacitetin e tyre, kështu që nuk është për t’u befasuar se 72% e tyre thonë se ndonjëherë e kanë të vështirë t’i ushqejnë fëmijët e tyre shëndetshëm gjatë gjithë kohës.

Mund të duket dëshpërues fakti që një nënë punon 14 orë në ditë, e që kjo është sa të punosh dy punë e gjysmë. Por, për shumë nëna, amësia ia vlen kohën shtesë që kalojnë duke vrapuar përreth e duke pastruar gjësende.

Sigurisht, ne nënat rezultatet e këtij studimi nuk na habisin fare. Por, ajo që është me rëndësi në këtë studim është t’i tregohet pjesës tjetër të shoqërisë: Nënat kanë nevojë për përkrahje, në shtëpi, në vendet ku punojnë dhe në komunitet! / Autore: Heather Marcoux / Përshtatja: supergratë / KultPlus.com

Ramush Haradinaj ndau çmimin “Karriera” për shkrimtarin Ramiz Kelmendi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Karriera” dhe shpalljen e fituesve të konkursit “Vangjush Gambeta” për gazetarët e ekonomisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptar (UGSH).

Me këtë rast Haradinaj ndau çmimin “Karriera”, shkrimtarit, publicistit dhe gazetarit tashmë të ndjerë Ramiz Kelmendi, si përfaqësues dhe kontribuues në shumë gjurmë për më tepër se 60 vjet në gazetarinë shqiptare dhe themelues i shkollës së parë të gazetarisë shqiptare në periudhën e pas okupimit në Kosovë.

“Ramizin e kam njohur dhe e kam pasur mik, kam kaluar shumë kohë të mirë së bashku, ai ka qenë i ri në shpirt”, tha kryeministri me rastin e ndarjes së këtij çmimi.

Po ashtu, në këtë ceremoni kryeministri Haradinaj tha se është një mundësi që t’i bashkohet diskutimit për ekonominë dhe informalitetin , një punë e mirë që e bënë Unioni i Gazetarëve Shqiptar dhe kryetari Aleksandër Çipa.

“Temat që keni nxjerrë janë tema të rëndësishme, dhe besoj shumë që trajtimi i këtyre temave nga ju e ka një domethënie të madhe. Secili nga perspektiva që ka, po ashtu e ka edhe një zgjidhje si ta me ndryshojë gjendja në informalitet, ose në plot tema tjera të cilat mund të jenë të dobishme kur bashkohen këto perspektiva”, tha kryeministri.
/ KultPlus.com