Sot dy vjet u nda nga jeta shkrimtari i njohur, Kasëm Trebeshina

Kasëm Trebeshina ka qenë një shkrimtar mjaft i njohur në letërsinë shqipe, i cili mbahet mend edhe sot e kësaj dite si një kritikues i madh i realizmit socialist, shkruan KultPlus.

Sot në dy vjetorin e vdekjes së tij, KultPlus ju sjell një pasqyrë të jetës dhe veprës së tij dhe një poezi shumë të famshme të tij, të cilën ai e shkruajti në burg.

Kush ishte Kasëm Trebeshina:

Kasëm Trebeshina (Berat, 8 gusht 1926) është shkrimtar shqiptar. Pas rënies së komunizmit filloi të proklamohej si disident duke marrë për bazë një promemorie që thuhej t’ia kishte dërguar Enver Hoxhës në vitin 1953, ku e kritikonte metodën e realizmit socialist. Megjithatë vërtetësia e këtij pretendimi është vënë në pikëpyetje dhe promemoria është quajtur shpikje, e bërë me qëllimin e vetëm të shpalljes së Trebeshinës disident dhe të dëmtimit të imazhit të shkrimtarit Ismail Kadare i cili refuzonte të quhej disident.

Biografia:

Trebeshina filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore, që ishte homologe e OZN-së jugosllave, dhe që drejtohej nga Koçi Xoxe.

Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare.

Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës.

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, dhe e botuar pas rënies së komunizmit, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet.

Pjesa më e madhe e veprave të Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 në Prishtinë: Stina e stinëve, 1991; Mekami, melodi turke, 1994; Historia e atyre që s’janë, dramë, 1995, Tregtari i skeleteve, 2006, Këngë për Kosovën, 2007, Shtigjet e shekujve, 2007 dhe në Tiranë: Legjenda e asaj që iku (ribotim i Stina e stinëve), 1992; Koha tani, vendi këtu, 1992; Qezari niset për në luftë, 1993; Rruga e Golgotës, 1993; Lirika dhe satirë 1994: Hijet e shekujve, 1996; Ëndrra dhe hije drama; 1996 etj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj.

Veprat

Për kritikët, veprat e Trebeshinës qëndrojnë ndërmjet traditës kuteliane dhe surrealizmit, por atij vetë i pëlqen ta quajë realizëm simbolik. Kasëm Trebeshina profet e quan Robert Elsie në një artikull të vitit 1992. Nisur nga fakti se pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshines është e pabotuar, si pasojë e nje klime armiqësore dhe censure. Vendi i veprës së Trebeshinës ne letersine shqipe ,mbetet ende I papercaktuar perfundimisht. Pjesa me e madhe e vepres se Trebeshines eshte ne doreshkrim, numër që mendohet të arrijë deri në 140 doreshkrime, permbledhje poezish, tregime, novela, romane, drama, komedi, tragjikomedi, shkrime kritike, eseistike dhe publicistike. Që në vitet ’50, ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat qe botoheshin në atë kohë.

“Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese e atyre që janë botuar deri më sot e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studiuesve të letërsisë. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, “Odin Mondvalsen” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare”. Ndërsa novela e parë dhe e tretë bëjnë objekt fëmijërinë në një rrëfim jashtë tabuve që zakonisht identifikohen me këtë moshë (Stina e stinëve) dhe me ngarkesa historiko-filozofike që e tejkalojnë fëmijërinë (Fshati mbi shtatë kodra), novela tjetër, “Odin Mondvalsen” përbën një cilësi të veçantë si për sa i përket objektit të pasqyrimit, ashtu edhe për nga teknikat e rrëfimit.

Melankoni

Në dritare të dy rrimë
dhe nga hëna po shikojmë
s’jemi parë dhe të mërguar
njëri-tjetrin po kërkojmë.

Jemi fare pran’ në jetë
dor’ për dore gati zënë:
Diku rrugët na takojnë,
po kalojnë nëpër Hënë!

Burg 1954

Kjo është një poezi e hershme e Trebeshinës, që dëshmon për melankolinë dhe mendimin filozofik, karakteristika thuaj të krejt krijimtarisë së autorit të cilit i pëlqen kurdoherë t’i shikojë e t’i pikturojë dukuritë e jetës e të shoqërisë në tërë ashpërsinë dhe konkretësinë e tyre. Tek kjo poezi, shkruar në burg, hasim absurditetin e jetës (jemi fare pranë e prapë larg njëri-tjetrit etj)./ KultPlus.com

Melankoli

Poezi nga Kasëm Trebeshina

Në dritare të dy rrimë
dhe nga hëna po shikojmë
s’jemi parë dhe të mërguar
njëri-tjetrin po kërkojmë.

Jemi fare pran’ në jetë
dor’ për dore gati zënë:
Diku rrugët na takojnë,
po kalojnë nëpër Hënë! /KultPlus.com

Homazh prozatorit Kasëm Trebeshina, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me ekspozitë “Kasëm Trebeshina (1926-2017)

Në homazh e nderim kushtuar prozatorit Kasëm Trebeshina, i cili u nda nga jeta në moshën 91- vjeçare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli ekspozitën “Kasëm Trebeshina (1926-2017)”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë përmbledh krijimtarinë e botuar të Kasëm Trebeshinës si prozator, dramaturg, poet, eseist, etj., dhe vjen si një vëmendje e veçantë kushtuar këtij personaliteti të botës së letrave shqipe.

Kasëm Trebeshina botoi për herë të parë në vitin 1953 dramën historike “Kruja e çliruar” dhe më pas në vitin 1961 poemën “Artani dhe Minja ose hijet e fundit e maleve”, dy vepra këto të cilat ruhen në fondin e BKSH. Krahas tyre janë ekspozuar edhe veprat e tjera të shkrimtarit, të cilat janë botuar pas gati 40 vjetësh nga vepra e parë, si “Legjenda e asaj që iku” (1992) “Qezari niset për luftë” (1993), “Rruga e Golgotës: një përrallë dimri” (1993), “Mekami : melodi turke” (1994), “Lirika dhe satira : shfletim i paqëllimtë kujtimesh” (1994), “Historia e atyre që s’janë : komedi tragjike” (1995), “Endrra dhe hije” (1996), “Hijet e shekujve” (1996), “Nata para apokalipsit : triptik” (1999), “Ku bie Iliria?” (2000), “Kënga shqiptare – 5 vëllime” (2001) dhe “Më përtej kohërave” (2004)./KultPlus.com

Mirela Kumbaro për Kasëm Trebeshinen: Njeriu pa bujë që na la sot më mbet në mendje përherë (FOTO)

Shkrimtari Kasëm Trebeshina i cili ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare po vazhdon të kujtohet nga fytyrat publike në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Një homazh, me plotë fjalë të mëdha, ka bërë edhe ministrja e kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro e cila ka thënë se shkrimtari Trebeshina ishte i thjeshtë dhe befasues në mënyrën se si vëzhgonte ngultas veprat e artit.

“Homazh për Kasem Trebeshinen!
E kam njohur shkrimtarin Kasem Trebeshina, në vitin 1992, e kam njohur me kureshtjen e zbulimit të personazhit për të cilin të gjithë flisnin por pak e njihnin. Ende s’e kisha lexuar.
Fati prej përkthyeseje ma solli që ta lexoja për së pari si lexuese shumë e vëmendshme. Përktheva në frëngjisht një prej pjesëve të tij teatrale, “Historia e atyre që s’janë”. Për disa muaj punuam bashkë për çdo faqe, ku njoha shkrimtarin që vinte shpesh në dyshim krijimin e vet si në një proces të komplikuar autopsie tekstuale, duke qëmtuar shkronjat, fjalët, rreshtat. Njohje e çuditshme dhe komunikim me retrospektivën që e kishte bërë Trebeshinën të shkruante një tekst që nuk ta rrokte mendja se mund të shkruhej në vitet e diktaturës.
Më pas, në po atë vit, “L’histoire de ceux qui ne sont plus” u vu në skenë ne Paris në teatrin e Shkolles së Lartë të Teatrit “Pierre Debauche”.
Ministria e Jashtme franceze ftoi autorin dhe përkthyesen e tij në Francë për të marrë pjesë në premierë dhe për një vizitë kulturore në Paris.
Njoha në atë javë njeriun Kasem Trebeshina, i thjeshtë dhe befasues në mënyrën se si vëzhgonte ngultaz veprat e artit në muzetë e famshëm të kryeqytetit frëng të cilit ia njihte fort mirë historinë.
Më vonë i lexova veprën ndryshe, ndërsa njeriu pa bujë që na la sot më mbet në mendje përherë”, ka shkruar Kumbaro në rrjetin e saj social Facebook.


Prej disa vitesh Trebeshina jetonte në Ankara të Turqisë. Trupi i tij i pajetë ka mbërritur dje në Shqipëri dhe është përcjellë në orën 14.00 për në banesën e fundit tek varrezat e Tiranës./ KultPlus.com

Si Kasëm Trebeshina, s’ka të tjerë…

Nga Kristo Mërtiri

Në Shqipërinë tonë “është nga të paktët njerëz që i ka thënë gjërat ashtu sic i ka menduar. Ai deklaroi hapur se metoda e realizmit socialist pengon zhvillimin e letërsisë, i pengon asaj frymëmarrjen. Është shkrimtar shumë i mirë, por për fat të keq shumë punime të tij kanë mbetur pa u botuar. Brenda veprës së Kasëmit ka mendim filozofik. Disident si ai nuk ka”.

Ky vlerësim jo dosido i Dritëroit, flet jo pak. Është fjala për një luftëtar e dashnor të përjetshëm të lirisë e demokracisë së vërtetë. Për një idealist të kulluar e rebel të pandreqshëm që nuk pranoi asnjë lloj koncesioni e kulari partiak e shtetëror. Se trimi i mencur nuk e ul kurrë qafën e personalitetit dhe të karakterit prej stërralli. Aq më mirë kur te ky njeri është bashkuar natyrshëm talenti i vecantë krijues, i prozatorit, poetit e dramaturgut. Vetmitar e larg lexuesve, i zhgënjyer gjer në kockë nga politika, i sfilitur dhe i burgosur djallëzisht e poshtërsisht deri në psikiatri ! Një kalvar tepër i vecantë e tronditës. Dhe asnjëherë nuk kërkoi e jo më të mblidhte dafinat e disidentit. Shumica e brezit tim, e dëgjoi për herë të parë zërin e tij në dhjetor 1990 e në 11 janar ’91. E dëgjoi në Tiranë, në atë sallën e paharruar të Akademisë së Arteve. Po frynte e shfrynte një erë e vërtetë lirie. Një fllad i vecantë si ai nga majat e atij malit me emrin e dashur: Trebeshina ! Mal që shtrihet përjetësisht krenar e hijerëndë nga Qafa e Kicokut e gjer në Grykën e Këlcyrës. Gjerdan i ndritur bukurie e historie. Se themelet e shkrimtarit të papërsëritshëm i kanë rrënjët në Vinokash të Përmetit. Prandaj edhe krijimtaria e tij na ngjan shpesh me lartësitë e serta e simbolike të krahinës emërnderuar, por edhe me gurgullimën e Vjosës në dimër a pranverë.

Ndërsa për mua dhe vërsnikët e mi në Peshtan, ruhet një ndjesi tepër ekskluzive…

-Ore babam, kur erdhëm në këtë qerrata botë, të qarat e para dhe shpatullat e njoma i vendosëm mbi gjunjët e malit Golik. Por ama vështrimet tona të para u derdhën te ai mali përballë, te Trebeshina e bekuar,-më thotë shpesh jo pa meditim emocional, një miku im i vjetër që jeton e punon te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit.-Për Kasëmin, mos nguroni kurrë të shkruani e ligjëroni. Më thuaj një shkrimtar të dytë që foli me gojë e me shkrim, me aq guxim e fare acik qysh në 1953, kur vec të tjerave, u tha atyre lart se do të vinte koha kur “do të hanin kokat e njëri-tjetrit”. Më trego një “luftëtar dhe të dënuar nga bashkëluftëtarët”,një ish partizan trim që e ruajti me vepra deri në fund idealin dhe amanetin e shokëve të rënë në Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare ? Po antikonformizmin e tij të thekur që nuk e pagoi aspak lirë ? Vec ai fliste sic mendonte. Përballë trimit të mencur me pushkë e me penë trëmbeshin taborët me dallkaukë e servilë, dridheshin intrigantët, qelepirxhinjtë, të paaftët e memurët. Prandaj provoi aq shumë vuajtje e mundime të pamerituara. E kallën 17 vite nëpër burgje e pavione psikiatrike(?!).Por vetëm penën dhe karakterin e rrallë burrëror nuk ia morën dot. Shkruante e shkruante pa pushim. Edhe gjatë grevave të urisë që e afronin shpesh me vdekjen. Shkruante sic i mendonte, ky ishte “faji” i tij i vetëm. Po kështu përballë cdo bllokmeni të tjetërsuar që kish hedhur prapa shpine idealet e pastra të luftës partizane . “Ai është gjallë, gjallë atje në malet”. Këtë varg volterian të adhuruar, e dëgjuam prapë nga goja e Kasëm Trebeshinës në 11 janar 1991. Gjallë, por i groposur në varrin e heshtjes së cuditëshme zyrtare, bashkë me dhjetra libra në prozë, poezi, drama, publicistikë e eseistikë !…Paguante taksën e rëndë të rebelimit të luftëtarit e shkrimtarit idealist e antikonformist i pandryshueshëm. Fjala vjen, Lorkën e madh e njohin shumë edhe në Shqipëri. Vecse fare pak e dinë që 3 drama të tij janë përkthyer nga Kasëmi, por pa emrin e tij (?!). “Ohuuu, sa kanë parë Goliku e Trebeshina !”,-thoshte gjithnjë me të drejtë gjyshi yt i ndjerë. Vërtet Kasëmi provoi mjaft sakrifica e privime mbinjerëzore, por ruajti gjer në fund papërkulshmërinë, dinjitetin, burrërinë e ndershmërinë. Se jo të gjithë dinë ta jetojnë jetën. Kasëm Trebeshina nuk mund të hiqej zvarrë e me jargë…Në fund të vitit 2000, Xhevahir Spahiu citoi publikisht një thënie lapidar të Ismet Totos para se të varej në litar:

-“Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen!”.

Poeti ynë i dashur e fatkeq, disidencën e Trebeshinës e vlerëson si një shembull që tregon ndeshjen e së mirës me të keqen, qëndrimin spartan të një njeriu të cuditshëm.”Po të mos kishim disidencën e tij, nuk do të kuptonim dot si duhet të kaluarën tonë dhe nuk mund të shihnim qartë të ardhmen. Pa Kasëm Trebeshinën, letërsia shqipe do të ishte e varfër…Vepra e absurdit ka lindur nga mungesa e lirisë”. Trimi i vërtetë mbetet trim, si në luftë dhe në punë e shoqëri. Ai nuk ka kurrë frikë nga e kaluara e vet. Nga ajo faqe historie e shkruar me aq gjak e sakrifica, kohë kur një 19 vjecar komandonte një battalion të tërë partizan që luftonte për Liri e Barazi. Dhe sic thotë një i mencur: Partizanët dje ishin modernë, sot janë traditë. Edhe unë jam modern, pasi respektoj traditën…Të duash me shpirt vetëm “partinë e shqiptarizmës” nuk do të thotë të flasësh tërë jetën me veten tënde, sic bëri shkrimtari me kokën lart. Pse e them këtë ?

Së pari, përse heshtet përballë emrit dhe veprës së Kasëm Trebeshinës dhe përse vazhdon “persekutimi shtetëror” ndaj tij ? Në letrat shqipe ai nuk është dosido, ka vendin dhe kulmin e vet të merituar. Përshembull, atë që bëri kolegu ynë Nuri Dragoi, duke përgatitur e botuar një monografi të vecantë e të ngjeshur me informacion të gjerë për jetën dhe veprën e shkrimtarit, mund dhe duhet ta bëjnë disa institucione. Në radhë të parë Ministria jonë e Kulturës. Ndryshe ushqejmë e mbajmë gjallë mohimet, e pse jo mosmirënjohjen ndaj martirëve të artit !…

Së dyti, Trebeshina nuk u bë kurrë sac për lakrorin e botës, as qengj i urtë që pi dy nëna dhe as servil i panginjur “që pi gjithë kopenë”! Ai nuk kërkon një ndjesë të thjeshtë publike ose zyrtare. Personalisht, unë e kam mirëkuptuar irritimin dhe ashpërsinë e revoltave në ndonjë intervistë të rrallë të tij. Apo “jemi të detyruar të përplasemi përjetësisht, jo vetëm sa të jemi gjallë, por edhe pas vdekjes”? Apo “gjëja më e madhe që u mungon shqiptarëve është mirënjohja”?…

Së fundi, nxitje a sebep për këtë refleksion u bë një lajm i shkurtër e tepër domethënës: Dy netë më parë (9 dhjetor 2011), në Paris po flitej shqip. Regjisorë e aktorë francezë, në një nga skenat e kryeqytetit të kulturës europiane, shfaqën një nga dramat e shkrimtarit tonë Kasëm Trebeshina !…Ndoshta kjo rastësi e rrallë më bëri të mendohem pak më tepër. Vlerën e këtij lajmi të bukur e krenar, besoj do e shtonte me siguri edhe dicka tjetër: Kryeministri Berisha u ndodh për vizitë pune në Francë. As nuk e njoh protokollin e saj zyrtar. Por sinqerisht, po të isha në vend të Doktorit dhe të kisha dijeni për atë ngjarje jo të vogël artistike, besoj do të “shkelja” a kurseja pakëz kohë nga axhenda e ngjeshur partiake a shtetërore. Dhe do të ndiqja plot kënaqësi shfaqjen e dramës së bashkëatdhetarit dhe shkrimtarit disident të vërtetë. Madje edhe mund të këndoja lehtë me veten atë këngën e ëmbël të viseve të mia:”Borë e bardhë në Trebeshinë\Bie erë trëndelinë\Aman, në gjumë c’më vure\C’pate moj, që më sëmure !”…

(P.S. Shumica e këtyre shënimeve janë publikuar mbi 6 vjetë më parë. Por sic më thanë, vetë shkrimtari nuk i lexoi dot, sepse ishte gati… i verbuar! Por në Gjermani nuk e harrojnë sot e kësaj dite atë intervistën e famshme në televizionin e Munihut –dëshmi dinjiteti- :”…Në burg kam qenë fizikisht, shpirtërisht asnjëherë…Nuk kam qenë kurrë në burg. Në burg kanë qenë ata. Me mendjen e tyre, me mendimet e tyre. Jo unë, unë kam qenë i lirë…”. Dhe sic thekson me të drejtë i mirënjohuri,Hans-Joachim Lanksch, “ askush në letërsinë e re të Shqipërisë s’është guxuar që fëmijëve të cmendur të nënave të urta t’ua vinte përpara pasqyrën aq haptas, bile edhe pllakativ, sa Kasëm Trebeshina”. Ja, dëgjoni pak nga vargu i tij drithërimë : Fëmij’ të cmendur nënash t’ urta/ ju gjurmë pune s’lini pas./ As pamja juaj hijerëndë/as cantat varur si këmborë/ as plehu që keni në kokë/ as kurvëria që vadisni/ as servilizmi që ushtroni/ fisnikëri nuk na tregojnë./ Në mos I shkrofsha këto unë/ një tjetër botës do t’ia thotë./ Fëmijë të cmendur nënash t’urta/ ju kohët gjith’ do t’u përcmojnë !…

Kjo është poezia e shkruar nga burgu e shkrimtarit Kasëm Trebeshina

Melankoni

Në dritare të dy rrimë
dhe nga hëna po shikojmë
s’jemi parë dhe të mërguar
njëri-tjetrin po kërkojmë.

Jemi fare pran’ në jetë
dor’ për dore gati zënë:
Diku rrugët na takojnë,
po kalojnë nëpër Hënë!

Burg 1954
Kjo është një poezi e hershme e Trebeshinës, që dëshmon për melankolinë dhe mendimin filozofik, karakteristika thuaj të krejt krijimtarisë së autorit të cilit i pëlqen kurdoherë t’i shikojë e t’i pikturojë dukuritë e jetës e të shoqërisë në tërë ashpërsinë dhe konkretësinë e tyre. Tek kjo poezi, shkruar në burg, hasim absurditetin e jetës (jemi fare pranë e prapë larg njëri-tjetrit etj)./ KultPlus.com