Koleksioni bardh e zi i disenjatores Jetmira Bejtullahu, një frymëzim nga ikonat e modës

Jeta Zymberi

Në një kohë ku moda duket sikur është në një garë të pandërprerë për të eksperimentuar me ngjyra të ndryshme dhe stile të kundërta, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka arritur të marr vëmendje duke na sjellë një thesar të vërtetë të elegancës, ku janë të lidhura në harmoni të plotë klasikja dhe modernja, shkruan KultPlus.

Klasikja është një vlerë e përhershme që pavarësisht ndryshimeve nuk e humbet aktualitetin dhe po të hysh këto ditë në profilin e disenjatores Bejtullahu, ti mund të takosh Charlotte, Naomi, Jennifer, Dianan, Elizabeth, Mollyn, Sophian, Marilyn apo Pamelan.

Janë fustanet e Jetmirës që bartin emrat e këtyre ikonave të artit e modës duke na shpalosur disa kreacione të cilat janë një interpretim i estetikës së pastër dhe të thjeshtë por që eleganca e tyre arrin të marr vëmendjen e secilit nga ne përkundër faktit që përbërja e tyre është me vetëm dy ngjyra, bardh e zi.

Jetmira Bejtullahu ka treguar për KultPlus se synimi kryesor ishte që të krijoj një koleksion që është i sofistikuar dhe i përshtatshëm për ngjarjet e rëndësishme.

“Ky koleksion është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të përcjell një mesazh. Klasikja dhe modernja mund të jetojnë në harmoni të plotë kur bëhet zgjedhja e duhur. Përdorimi i ngjyrave bardh e zi është zgjedhje që simbolizon elegancën”, thotë Jetmira e cila tutje tregon se emrat e fustaneve janë inspiruar nga ikonat e modës duke dashur të nderojë vlerat e tyre.

“Për përzgjedhjen e emrave për fustane jam ndikuar thellësisht nga ikonat e modës dhe artit. Emrat e fustaneve reflektojnë stilin, linjat dhe elemente të dizajnit që lidhen me kontributin e tyre në botën e modës. Ky proces ndihmon të ndërtohet një identitet unik për secilin fustan dhe të komunikojë me përdoruesit (klientët) potencialë”, thotë Bejtullahu.

Klasikja ka një vend të rëndësishëm në koleksionin e Jetmirës, duke ofruar një alternativë të përhershme në botën e modës, duke reflektuar ngjyrat bardh e zi në mënyrë të përsosur.

Kur krijon modele të tilla, padyshim se në mendje gjithmonë ke një person të cilit dëshiron të ja shohësh të veshur atë kreacion dhe kjo padyshim është një ndjenjë e këndshme për të cilën flet edhe Jetmira.

“Është një ndjenjë e bukur kur shoh dikë që ka zgjedhur të veshë një nga krijimet tona. Është një nder për ne të kontribuojmë në shkëlqimin e tyre.”

Për gratë që duan të duken elegante me një fustan nga koleksioni i saj, Jetmira jep disa këshilla të thjeshta.

“Zgjidhni një model që i përshtatet formës së trupit tuaj dhe kombinojeni me aksesorë të thjeshtë për të arritur një pamje të sofistikuar.”

Për të ardhmen, Jetmira Bejtullahu ka plane që të sjell koleksione të tjera të ngjashme dhe të eksperimentojë me stile të reja të modës, duke ruajtur gjithmonë elemente të klasikes dhe elegancës në krijimet e saj.

Përmes këtij koleksioni i cili tashmë është i gatshëm për ju, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka nderuar ikonat e artit duke na rikujtuar se eleganca klasike është gjithmonë në stil. / KultPlus.com

Project Synergy, dy kompozitorë shqiptarë në turin e madh ballkanik të muzikës klasike

 Veprat e dy kompozitorëve të përzgjedhur nga Shqipëria, Jetmir Zaganjori dhe Kris Sopiqoti u vlerësuan nga të gjithë kolegët dhe të pranishmit gjatë provave përgatitore të projektit Synergy, pjesë e Creative Europe, që u zhvillua këtë javë në Kotor.

Shqipëria përfaqësohet në projekt nga Qendra VOX Baroque, Jusuf Beshiri dhe Denis Bizhga ndërsa veprat janë shkruar enkas për projektin nga kompozitorët Jetmir Zaganjori me titullin “Anosmia” dhe nga Kris Sopiqoti me titullin “Noise”. Të dy kompozimet janë për kuartet harqesh.

Në Kotor u mblodhën artistë dhe kompozitorë për përgatitjen e 12 koncerteve që do të prezantohen në të gjitha qytetet e 6 shteteve pjesëmarrëse të projektit Project Synergy: Kotor, Dubrovnik, Trebinje, Tirana, Prishtina, Beograd dhe Ljubljana.

Koordinatori i projektit, Denis Bizhga solli momente nga ky event duke theksuar se u mbajtën dhe diskutime publike rreth përvojave të 12 kompozitorëve dhe 18 instrumentistëve, ku veprat e dy kompozitorëve të përzgjedhur nga Shqipëria, Jetmir Zaganjori dhe Kris Sopiqoti janë vlerësuar nga të gjithë kolegët.

“Ishte një kënaqësi që dhe muzikanti i mirënjohur Egli Prifti me duon e tij, ishte pjesë e muzikantëve të përzgjedhur për të interpretuar veprat e kompozitorëve në turin e koncerteve që do të zhvillohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Bizhga në një postim në rrjetet sociale.

Projekti Synergy është pjesë e Creative Europe dhe bashkon festivalet, kompozitorët, artistët e rinj dhe hulumtuesit e menaxherët e rinj të kulturës, shumë të nevojshem për të ardhmen e Industrisë Kulturore si fushë e vecantë dhe sfiduese në rajon.

Finalja e madhe e eventit në Kotor ishte konferenca publike në të cilën kompozitorët prezantuan veten dhe ndanë përvojat e tyre në lidhje me kompozimin e veprave, procesin në tërësi dhe qasjen e tyre në lidhje me ide të caktuara.

Po ashtu, pati edhe diskutime në lidhje me publikimin e Udhërrëfyesit të produksionit të muzikës klasike, që është rezultat i 6 trajnimeve të mbajtura në 3 vjet në 6 vende të ndryshme të projektit.

Ky udhërrëfyes do të jetë i pari i llojit të vet në rajon dhe do të përmbledhë qasjet e produksionit të muzikës klasike në Ballkanin Perëndimor.

Java e provave në Kotor ishte dhe përgatitja finale për turin e madh veror të Festivalit, gjatë të cilit 12 kompozime të reja të shkruara si pjesë e projektit, do të kenë premierën./atsh/KultPlus.com

Fuqia transformuese e muzikës klasike

Benjamin Zander

Mesazhi 1

Ndoshta, shumë prej jush e njohin historinë e dy tregtarëve të cilët udhëtuan në Afrikë në 1900-tën. Ata u dërguan për të zbuluar nëse kishte ndonjë mundësi për të shitur këpucë atje. Të dy shkruan telegrame mbrapsh në Mançester. Njëri prej tyre shkuante, ‘Situata është e pashpresë. Ata nuk veshin këpucë”.

Ndërsa, tjetri shkroi “Mundësi e jashtëzakonshme; ata ende nuk kanë këpucë”. Tani, ka një situatë të ngjashme në botën e muzikës klasike. Sepse ka nga ata që mendojnë se muzika klasike është duke vdekur, por ka edhe nga ne që mendojnë se s’keni parë gjë ende.

Mesazhi 2

Besoj se këtu jeni 160 persona. Sipas meje, ndoshta 45 prej jush janë absolutisht të apasionuar pas muzikës klasike. Ju e adhuroni muzikën klasike! FM-ja juaj në radio është gjithmonë aty tek ai kanali klasik. Dhe, ju keni CD me muzikë klasike në makinën tuaj, apo shkoni të dëgjoni simfoni, ndoshta keni fëmijë që luajnë instrumente muzikorë. Ju nuk mund ta imagjinoni jetën tuaj pa muzikën klasike. Dhe, ky është grupi i parë dhe ky është një grupi i vogël.

Pastaj vjen grupi i dytë, që është një grup më i madh. Këtu futen ata njerëz të cilën nuk e kanë problem muzikën klasike. Ata kthehen në shtëpi pas një dite të gjatë; rrëmbejnë një gotë verë, ngrejnë pak këmbët mbi tavolinë, vendosin pak Vivaldi në sfond dhe pak muzikë në sfond sepse nuk është se përbën ndonjë dëm, apo jo?

Tani, kemi grupin e tretë. Këta janë njerëzit që nuk dëgjojnë kurrë muzikë klasike. Ajo thjesht nuk është pjesë e jetës së tyre. Ju mund ta dëgjoni atë diku në aeroport, ndoshta edhe ndonjë pjesë marshi nga “Aida”, dhe kaq. Ky është grupi më i madh nga të gjithë.

Pastaj, ekziston edhe një grup tjetër i katërt, një grup i vogël. Këtu janë ata njerëz të cilët mendojnë se nuk kanë veshë. Dhe, shumë njerëz mendojnë që nuk kanë veshë për muzikë. Dëgjoj shpesh që më thonë, “im shoq nuk ka fare vesh për muzikë”.

Në fakt, askush nuk mund të jetë shurdh ndaj muzikës. Po të ishit të shurdhët ndaj tonit atëherë nuk do të ishit në gjendje të ndërronit marshin e makinës suaj; nuk do të bënit dot dallimin e dikujt që është nga Teksasi me atë që është nga Roma. Madje, edhe telefoni; një telefon i thjeshtë fare, kur ju telefonon mamaja, ju nuk do ta dinit që është ajo. Mund të mos kuptoni në çfarë gjendje humori është, por ju e dini që është ajo. Ju keni një vesh fantastik.

Dhe, çdo njeri ka një vesh fantastik. Por, nuk mund të vazhdohet një debat i tillë me këtë boshllëk kaq të madh midis atyre që e duan, që janë të apasionuar ndaj muzikës klasike dhe atyre që nuk kanë asnjë lidhje me të.

Tani do të shikoni që nuk ka asnjë fije dyshimi në fytyrën time për atë që do t’ju tregoj më poshtë: Kjo është një nga karakteristikat e një lideri, që ai nuk dyshon për asnjë çast në kapacitetin e njerëzve të cilët ai po drejton për të kuptuar çfarëdolloj ëndrre për të cilën ai po ëndërron. Imagjinoni sikur Martin Luther King të thoshte, “Unë kam një ëndërr!… Por, pastaj të mendonte, – por nuk jam i sigurt për të”.

Mesazhi 3

Tani do t’ju luaj një pjesë të mrekullueshme nga Chopin, preludin Nr. 4. Përpara se ta luaj këtë pjesë për ju, do t’ju lutesha të mendoni për dikë që tashmë nuk gjendet më pranë jush: Një gjyshe e dashur, një njeri i/e dashur për ju, për dikë në jetën tuaj që e doni me gjithë zemër, por që nuk është më me ju. Ri-silleni atë person në mendjen tuaj dhe në të njëjtën kohë dhe ndiqni të gjithë linjën e muzikës nga nota “b” tek ajo e fundit dhe do të dëgjoni gjithçka që Chopin ka për t’ju thënë.

Përpara 10 vitesh ndodhesha në Irlandë gjatë trazirave dhe unë po punoja aty me disa fëmijë katolikë dhe protestantë mbi zgjidhjen e konfilketeve. Dhe, i luajta atyre këtë pjesë nga Chopin. Dhe, kjo ishte një gjë e rrezikshme për t’u bërë pasi ata ishin fëmijë që vinin nga rruga. Njëri prej tyre erdhi dhe më takoi mëngjesin tjetër pasi i luajta këtë pjesë nga Chopin. Ai më tha: “Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë muzikë klasike në jetën time. ‘Por, kur ju luajtët atë pjesë nga Chopin,’ – më tha ai, “im vëlla u qëllua vjet dhe unë nuk qava për të. Por, mbrëmë kur ju luajtët këtë pjesë, unë po mendoja për të dhe pastaj ndjeva që lotët më rrodhën në faqe dhe u ndjeva shumë mirë…të mund të qaja për tim vëlla. Dhe, kështu, në atë moment mblodha mendjen se muzika klasike është për të gjithë”.

Mesazhi 4

Kush isha 45-pesë vjeç dhe, ndërkohë kisha 20 vite që dirigjoja, më ndodhi diçka e hatashme dhe papritur kuptova që dirigjenti i një orkestre nuk nxjerr asnjë tingull. Dirigjinti nuk nxjerr asnjë tingull. Ai varet për fuqinë e tij nga aftësia që ka për t’i bërë të tjerët të fuqishëm. Sapo e kuptove këtë gjë ndryshoi çdo gjë për mua. Mua më ka ndryshuar jetën dhe njerëzit në orkestrën time vinin dhe më pyesnin nëse kishte ndodhur gjë. Dhe, ja se çfarë ndodhi: Unë kuptova që detyra ime ishte të zgjoja mundësitë tek njerëzit e tjerë. Dhe, sigurisht që doja të zbuloja se si e bëja këtë gjë dhe e dini se çfarë duhet të bëni për ta kuptuar këtë? Shikoni sytë e tyre. Nëse sytë e tyre shkëlqejnë,  atëherë ju do ta kuptoni se e keni arritur këtë gjë. Ja për shembull, me sytë e këtij djali (nga audienca) mund të ndriçosh një fshat të tërë. Nëse sytë nuk shkëlqejnë, atëhëre duhe t’i drejtoni vetes këtë pyetje: Çfarë jam duke bërë unë që sytë e muzikantëve të mi nuk shkëlqejnë? Këtë mund ta bëjmë edhe në lidhje me fëmijët tanë. Çfarë jam duke bërë unë që sytë e fëmijëve të mi nuk shkëlqejnë?  – Është një botë totalisht e ndryshme. Pyetja që duhet t’i bëjmë të gjithë vetes është se kush jam unë atje jashtë tek bota e jashtme?

Unë kam një përkufizim për suksesin. Për mua është shumë e thjeshtë. Suksesi nuk ka të bëjë me pasurinë dhe me famën, por me sesa sy të shndritshëm kam rreth vetes.

Mesazhi 5

Ajo që themi është shumë e rëndësishme; ajo që del nga goja jonë. Këtë e kam mësuar nga një grua e cila i ka mbijetuar kampeve të Aushvicit, një nga të rrallat. Ajo shkoi në Aushvic kur ishte 15-të vjeçe, ndërsa vëllai i saj ishte 8 vjeç. Prindërit i humbën. Dhe, ajo më tha këtë: “Ishim në tren duke shkuar në Aushvic; pashë poshtë dhe im vëlla nuk i kishte më këpucët”. Dhe, ajo i ishte kthyer, siç mund t’i flasë një motër e madhe vëllait të vogël: “Ku e ke mendjen që nuk i ke më këpucët mbathur?” Fatkeqësisht kjo ishte gjëja e fundit që ajo mund t’i thoshte atij pasi ajo nuk e pa më atë kurrë. Ai nuk mbijetoi. Dhe, kur doli nga Aushvic-i, ajo bëri një betim. “Dola nga Aushvici në jetë dhe u betova që nuk do t’i them kurrë askujt asgjë e cila nuk do të kishte peshën e diçkaje të fundit që mund t’i thuash dikujt në jetë”.

*Benjamin Zander (1939), është një dirigjent anglez, i cili aktualisht shërben si dirigjent i Orkestrës Filarmonike të Boston-it dhe Orkestrës Rinore Filarmonike të Boston-it, si edhe si dirigjent i ftuar në orkestra të tjera në mbarë botën. Aktualisht, ai është duke përfunduar regjistrimin e ciklit të plotë të simfonive të Mahler-it, të cilat janë pritur me nje vlerësim të jashtëzakonshëm nga kritika, njëherësh për interpretimin e Zander-it, si edhe për diskun e plotë shpejgues të përmbajtjes së muzikës për muzikëdashësit.palimpsest/KultPlus.com

‘Mesha për paqe’ e shkruar nga Karl Jenkins për Kosovën, nuk lejohet të luhet në Rumani (VIDEO)

Një thirrje fetare myslimane që është futur në një vepër të muzikës klasike për të nderuar viktimat e luftës së fundit në Kosovë, ka shtyrë të djathtët ekstremist në Rumani që të pengojnë koncertin e kompozitorit që ka shkruar veprën.

E titulluar “The Armed Man: A Mass for Peace” (Njeriu u Armatosur: Një meshë për paqe), e kompozuar nga muzikanti i njohur, kompozitori i Uellsit, Karl Jenkins në vitin 2000 duke ia kushtuar viktimave të luftës në Kosovë, sipas agjencisë rumune të lajmeve “Mediafax” ka qenë arsye pse radikalët e djathtë rumun kanë penguar koncertin.

Koncerti i muzikës klasike ku do të luhej edhe kjo vepër, i mbajtur në qytetin rumun Cluj (Kolozsvar / Klausenburg) është penguar nga radikalët të cilët kanë hyrë në sallë duke filluar të sulmojnë ekipin e instrumentistëve dhe mysafirët e ftuar.

Pesë persona janë arrestuar sipas mediave në Rumani, teksa mes tyre ka qenë edhe një përfaqësues i partisë së djathë në Rumani “Noua Dreapta” (Krahu i Djathtë).

“Përveç shumë citimeve kulturore, vepra përmbanë edhe një lutje islame, andaj kjo ka nervozuar radikalët të cilët kanë hyrë në koncert duke tentuar ta pengojnë koncertin, por nuk ia kanë arritur”, shkruan “Mediafax”.

Të pestë personat e arrestuar ishin ulur në audiencë dhe filluan të këndojnë himnin kombëtar rumun. Më pas filluan më pas të sulmojnë por u kapen nga Policia dhe u dërguan në stacion, raporton Insajderi.

Ngjarja ka ndodhur të dielën mbrëma në Rumani./ KultPlus.com