‘Unë nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje…’

Nga Migjeni

Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj feste tjetër. Nuk shkruej, pse urimet qe n’ato dite tan bota ban, nuk dij a plotësohen një për qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.

Por kësaj here due te hyj ne rradhën e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve te mi Motmotin e Ri 1937. Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, qe te mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue mundunve, as britmën e ngadhnjysve në këtë jetë. Te mos dëgjosh bubullimën e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos dëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga teë ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq?

E gjuha ne vend te dhëmballës përgjigjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohte, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun. Se dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, ne sentimentalizëm, të puthish drrasat e dhomës e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht).

Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n ‘anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Te jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerëve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku të rrish, ti qeshu.

Në rast se s’ke zjarrm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonj ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu. Del në rruge bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu,qeshu,qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vije në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botës vetvetja dhe do të filloje të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smunde patalogjisht. / KultPlus.com

Schengen Visa Info: Tirana, ndër pesë qytetet që duhet vizituar për Krishtlindje

Shumë shtete anëtare të BE-së dhe zonës Shengen janë në “lockdown” dhe këto do të jenë Krishtlindjet më të pazakonta të festuara ndonjëherë në botë.

Por ndërkaq, Agjencia e njohur e lajmeve evropiane “Schengenvisainfo.com” e cila jep informacione në lidhje me lëvizjet dhe kufizimet në zonën Shengen, u sugjeron evropianëve disa mundësi mjaft të mira për ata që dëshirojnë të kalojnë Krishtlindjen në Evropë. Gjermania, Franca dhe vendet e tjera të BE-së mund të jenë të njohura për tregjet e tyre të Krishtlindjes, por vende të tjera si Shqipëria, Turqia dhe Rusia, e festojnë Krishtlindjen në një nivel krejt tjetër.

Ndërsa udhëtarët mund të marrin një shije të një Krishtlindjeje perëndimore në këto vende, ata gjithashtu do të hasin traditat lokale të Krishtlindjes; edhe Krishtlindjen e festuar nga fetë e tjera, ose në një datë krejt tjetër.

“Schengenvisainfo.com” shkruan se Shqipëria njihet për verërat e saj të gjata dhe të nxehta, bregdetin e saj të bukur dhe trashëgiminë kulturore. Sidoqoftë, është gjithashtu një destinacion i mrekullueshëm për ata që dëshirojnë të kalojnë pushimet e fundvitit jashtë vendit të tyre.

Me mbi gjysmën e popullsisë së saj të vetëshpallur myslimanë dhe vetëm rreth 10 për qind katolikë dhe shtatë për qind ortodoksë, ndokush do të pyeste veten se si është e mundur që Shqipëria të jetë një destinacion i Krishtlindjes.

Shpesh e quajtur “feneri i fundit i tolerancës fetare në Evropë”, Shqipëria është një vend i harmonisë fetare dhe të gjitha fetë jetojnë së bashku, jo vetëm pa shqetësuar njëra-tjetrën, por edhe duke festuar me njëri-tjetrin data të rëndësishme fetare.

“Schengenvisainfo.com” thekson se Tirana, është mbuluar me drita gjatë Krishtlindjeve dhe një pemë gjigante është zbukuruar në sheshin kryesor të kryeqytetit, ndërsa pemë të tjera janë vendosur nëpër të gjithë qytetin.

Gjithashtu, zakonisht, organizohen edhe tregjet e Krishtlindjes. “Gjëja më e rëndësishme që duhet të dini është se aktualisht, Shqipëria nuk ka një ndalim hyrjeje. Dhe megjithëse ekzistojnë procedura të kontrollit shëndetësor në aeroporte dhe porta të tjera hyrëse, nuk kërkohet asnjë test negativ i COVID-19”, shkruan “Schengenvisainfo.com”. /dp/ KultPlus.com