Emërohet drejtor artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti shpalos për KultPlus vizionin e tij për të ardhmen e teatrit

Jeta Zymberi

U deshën më shumë se tri vite që Teatri Kombëtar i Kosovës të bëhet me drejtor artistik. Është regjisori Kushtrim Mehmeti ai i cili ditën e djeshme është emëruar në këtë pozitë udhëheqëse me një mandat katër vjeçar, shkruan KultPlus.

Drejtori artistik pritet që brenda këtij vendi që është si një pasqyrë që reflekton shoqërinë dhe përvojën njerëzore tek audienca, të sjell eksperiencën e tij, pasi ka punuar më parë si regjisor në teatro, ka sjell performanca dhe instalacione të ndryshme.

Si drejtor artistik, Kushtrim Mehmeti pritet të jetë përgjegjës për përzgjedhjen dhe blerjen e veprave të reja për prodhimin e teatrit, si dhe udhëheqjen e ekipit krijues në zhvillimin e këtyre produksioneve. Ai do të punojë gjithashtu për të nxitur marrëdhëniet me dramaturgët, regjisorët, aktorët dhe profesionistët e tjerë të industrisë dhe do të luajë një rol kyç në angazhimin dhe ndërtimin e një publiku të larmishëm për teatrin.

Takimi mujor i udhëheqësve artistik, ngritja dhe zhvillimi i dramës kombëtare, identiteti teatror kombëtar, krijimi i kritikës teatrore, plotësimi i ansamblit rezident, skena alternative, prezantimi në çdo qytet të Kosovës, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare e shumë e shumë pika të tjera tejet të rëndësishme janë pjesë e plan programit që Mehmeti synon t’i realizojë gjatë mandatit të tij në krye të kësaj pozite.

Në një intervistë për KultPlus, Mehmeti shpalos vizionin e tij për të ardhmen e teatrit, duke u shprehur se marrja e kësaj pozite sa është privilegj është edhe përgjegjësi, por beson shumë në vullnetin e tij të madh për të mirën e teatrit.

“Pas një procesi të gjatë, një pune me teste e intervista, e lodhshme por e përballueshme, u mor vendimi për emërimin tim në këtë pozitë. Më shumë sesa privilegj është përgjegjësi, e sidomos kur Teatri Kombëtar i Kosovës që tri vite nuk ka Udhëheqës Artistik por funksionon me UD. Më pret një punë e madhe që të realizohet platforma ime, por kam vullnet e besim që do ta jap më të mirën për vendin ku që nga fillimi i studimeve kam besuar e ëndërruar për të”, shprehet Mehmeti për KultPlus.

Mehmeti kësaj detyre po i hyn me një mision të qartë, kultivimin e vlerave skeniko-artistike teatrore kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Krijimi dhe prodhimi i shfaqjeve teatrore profesionale, duke i bërë ato të arritshme për publikun në mënyrë që t’i argëtoj, edukoj dhe sfidojë. Publikimi i veprave të caktuara teatrore nga konkurset e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe repertorit të vet, me prioritet drama kombëtare në përputhshmëri me ligjin mbi të drejtat e autorit”, thotë Mehmeti.

Sa i përket politikave artistike teatrore, Mehmeti shprehet se bashkërendimi i politikës artistike me të gjitha institucionet eminente kulturore është një nga nevojat e kamotshme të kulturës.

“Problemet shoqërore, temat, dukuritë dhe zhvillimi i përbashkët i artit për nga cilësia e niveli artistik është një hap drejt ngritjes të secilit institucion kulturor. Për ta arritur këtë duhet fillimisht të hartohet politika artistike në nivel vendi nga udhëheqësit artistik te institucioneve gjegjëse, pastaj ato të mirëmbahen në takime minimalisht mujore në të cilat trajtohen realizimi i politikes artistike, mangësitë e problemet që hasen gjatë realizimit, dhe gjetjet, të arriturat e dështimet që secili institucion i ka pasur gjatë kohës.”

Ngritja dhe zhvillimi i dramës kombëtare

Një tjetër prioritet i Mehmetit pritet të jetë zhvillimi i dramës kombëtare. Sipas tij, teatri e merr formën si institucion kulturor kur fillojnë të shkruhen tekstet.

“Në rrethanat tona socio-kulturore sot me shume se kurrë kemi nevoje të merremi me Identitetin tonë kulturor e kombëtar të merremi me vlerat tona identitare ashtu siç ka bërë Teatri Klasik, të merremi me brendësin e njeriut shqiptar ashtu siç ka bërë Teatri Modern, pavarësisht që ka pasur disa tendenca te teksteve tona kombëtare t’i afrohet Teatrit Absurd, ne ende se kemi një tekst të tille ku flet për humbëtirën dhe për asgjënë tonë”, thotë Mehmeti i cili konsideron tutje që dramës shqipe i duhet edhe një Laborator i dramës.

Regjisorë botëror të konfirmuar

Brenda repertorit artistik vjetor të teatrit pritet të parashihet përzgjedhja e një regjisori të konfirmuar botëror i cili veç tjerash do të rriste edhe nivelin e ansamblit rezident duke sjell edhe forma të reja por edhe nivel artistik teatror.

“Regjisorët vendor kanë nivel të kënaqshëm dhe përballojnë edhe produksione të mëdha teatrore, por si nevojë e sjelljes së teknikave te reja teatrore por edhe e frymës së re teatrore. Freskimi vjetor i repertorit të teatrit me regjisor eminent do të krijonte një klimë gare më të madhe edhe tek regjisoret vendor, do te ishte një stimul për njohjen e formave te reja të punës me aktorin por edhe me shfaqjen dhe trajtimin e saj.”

Krijimi i kritikës teatrore

Që një shfaqje të jetojë gjatë e ndoshta përherë, i duhet me patjetër edhe një kritikë e mirëfilltë teatrore. Në këtë pikë, Mehmeti flet për nevojën e padiskutueshme të kritikës teatrore.

“Ka humbur interesimi që të shkruhet për teatër, kjo ka ndodhë pak edhe për faktin se ata që kanë bërë kritikë të mirëfilltë teatrore, i janë nënshtruar edhe një lloj trysnie nga regjisorët që kanë punuar shfaqje. Ne nuk guxojmë ndoshta që të porosisim kritikë teatri por ndoshta do të mund të stimulonim duke e krijuar Çmimin për kritikën më të mirë të vitit.  Do të mundohemi që të krijojmë një atmosferë tek komuniteti që kritika na ndihmon e nuk na kundërshton, do të krijonim një kulturë ballafaqimi me veten e punën tonë pas premierës.”

Plotësimi i ansamblit rezident

Teatri Kombëtar i Kosovës i ka së paku 30 aktorë në ansamblin rezident. Që disa vite TKK nuk ka arritur që të plotësoj numrin minimal që e parasheh ligji, statuti e rregullorja, ndaj një ndër punët që Mehmeti mendon se duhet bërë me prioritet, është edhe plotësimi i numrit minimal të ansamblit rezident.

“Sot kemi ndërrim të gjeneratave dhe në tregun artistik ka një kohë që ka aktor/e që do ti jepnin një freski dhe rritje të nivelit artistik teatrit me futjen e tyre brenda ansamblit rezident. Tutje, teatri viteve të fundit ka paguar shumë bashkëpunëtorë të jashtëm dhe me plotësimin e ansamblit do të kursej edhe për nga ana ekonomike (financiare).”

Miratimi i orarit mujor të provave, plotësim ndryshim i rregullores për ansamblin rezident, prezantimi i regjisoreve paraprakisht, konferenca për media e recensioni për çdo vepër para hyrjes në repertorin vjetor dhe identifikimi i shijes së publikut, janë pikat tjera që Kushtrimi i paraqet në planin e tij udhëheqës.

Laborator teatror

Krijimin e Laboratorit teatror, drejtori i ri e sheh si një domosdoshmëri.

“Laboratori është i domosdoshëm jo vetëm si mënyrë për të krijuar shfaqje, por gjithashtu edhe si një vend pune i përditshëm ku aktorët mund të vazhdojnë të mësojnë dhe të rriten nga ana njerëzore, shpirtërore dhe profesionale.”

Skena Alternative

Teatri vendoset gjithkund, nuk ka hapësirë që nuk bënë për teatër. Skena alternative është nevojë e kohës e kur marrim parasysh që Teatri Kombëtar i Kosovës tani gjendet në rinovim të plotë kjo nevojë shumëfishohet.

“Kemi shumë ndërtesa e hapësira të lëna në mëshirën e fatit, ndaj gjitha ato kanë potencialin të shndërrohen në ambiente kulture. Pastaj veç hapësirave të pa shfrytëzuara ka edhe hapësira që kanë nevojë për promovim dhe asgjë më mirë se një shfaqje e sidomos kur ajo vije nga Teatri Kombëtar nuk mund ta bëjë promovimin.”

Prezantimi në çdo qytet të Kosovës, prezantimi në shkolla për rolin dhe punën e aktorit, udhëtimet e teatrit, revista vjetore, monografi, kritika vjetore e shfaqjeve të TKK-së e lexime skenike, janë të tjera plane që Mehmeti parasheh t’i realizoj gjatë mandatit të tij të plotë.

“Disa nga këto pika janë punë imediate dhe rezultatet e punës shihen menjëherë kurse disa tjera janë politika afatgjata të cilat mund të kontribuojnë vetëm pas disa mandateve tjera. Gjithashtu gjatë punës mund të dalin ide të reja apo probleme të cilat duhet të trajtohen”, përfundon kështu Mehmeti i cili këtë fillim të ri po e pret me shumë entuziazëm dhe me vizon të qartë për punën që e pret. / KultPlus.com

Kushtrim Mehmeti

Kushtrim Mehmeti zgjedhet drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës


Regjisori Kushtrim Mehmeti sapo është emëruar drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në bazë të Ligjit për Teatrot Nr. 04/L-106 Neni 10 paragrafi 1.7 dhe Neni 13 paragrafi 3 dhe 7, Statutit të Teatrit Kombëtar të Kosovës Neni 10, paragrafi 1.7, si dhe të Rregullores Nr. 04/2016 për Punën e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës Neni 3, paragrafi 8 si dhe nenit 12, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datën 4 Janar 2023 unanimisht merr këtë vendim:

Kushtrim Mehmeti emërohet Udhëheqës Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me mandat katër (4) vjeçar.

Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga Kryesuesja e Këshillit Drejtues të TKK-së.

ARSYETIM

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar pas përfundimit të procedurës së rekrutimit, testimit me shkrim si dhe intervistës me gojë të kandidatëve për pozitën e Udhëheqësit Artistik në TKK, vlerëson:

Kushtrim Mehmeti me 74.65 pikë,

Sokol Plakolli me 54.73 pikë;

Bazuar në vlerën e pikëve, Këshilli Drejtues Teatrit Kombëtar emëron Kushtrim Mehmetin – Udhëheqës Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe rekomandon Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave.

Këshillë Juridike: Kundrejtë këtij vendimi palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në afat prej 15 ditësh nga pranimi i vendimit në komisionin përkatës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

‘Kaligula’ e Kamysë vjen premierë në teatrin ‘Hadi Shehu’ nga regjisori Kushtrim Mehmeti

“Kaligula”, drama e shkrimtarit të shquar francez, Alber Kamy, që është bërë manifest krijues origjinal i letërsisë ekzistencialiste franceze e që deri në ditët tona vazhdon të shfaqet në skenat e gjithë botës, kësaj radhe do të jetësohet në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Për publikun tonë, “Kaligula” vjen nga regjisori Kushtrim Mehmeti, ndërsa luajnë aktorët:

Edi Gjakova, Yllka Lota, Besfort Berberi, Vlora Dervishi, Arbies Komoni, Muradije Muriqi, Myrvete Kurtishi, Valon Pallaska dhe Altina Kusari.

“Kaligula” përshkruhet si një perandor fisnik dhe i moderuar gjatë gjashtë muajve të parë të sundimit të tij. Pas kësaj, burimet fokusohen në mizorinë, sadizmin, ekstravagancën dhe perversitetin seksual të tij, duke e paraqitur atë si një tiran të çmendur.

Shfaqja vjen premierë më datë 7 maj, në ora 20:00 në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë. / KultPlus.com

“Zhurmë Ujërash” me regji të Kushtrim Mehmetit do të prezantohet me premierë në Teatrin e Pejës

Me tekst të  Marco Martinelli e regji të  Kushtrim Mehmetit, në Teatrin e Pejës do të prezantohet premiera e shfaqje “Zhurmë Ujërash”, shfaqje që do të prezantohet prej orës 19:00, më 24 janar, shkruan KultPlus.

Koncepti i shfaqjes nisë me nxitjen e publikut që të bëjnë kalimin ilegal të kufirit përmes oqeanit, të cilët hyjnë në anije, ku vendosen në ulëset e teatrit që janë ulëse të anijes. Përballë kanë aktoret të cilët vendosin të dalin jashtë vendit bashkërisht me publikun. Derisa largohen, tregojnë peripecitë e tyre, personazhet që ata i hasin rrugës, nga Jusufi (adoleshent i mbytur ne ujë derisa tenton ti dërgojë bashkëkombësit e tyre ne Evrope), te Jasemina që përfundon duke u prostituuar me 80 vjeçar, e tutje te Sakinah e përdhunuar, Bindja e ikur nga lufta, Jean Baptiste fëmijë i mbytur në ujin e oqeanit, Oqean ky që mban kufoma të panumërta. Krejt këto kufoma të shndërruara në numra, 2917, 6132, 1111, 7777, 1445, 1248, tutje 26, 44, 2987, 88, 89, 90, 91 e shumë të tjerë, piano e cila krijon monotoni, muzikantet që këndojnë “Lakrimosa”, tutje këngë arbëreshe dhe krijojnë efekte, zëra dhe atmosfere. Krejt ne fund bashkë me “numëratoret” mbytet dhe anija që mbanë me vete dhe publikun, ata tentojnë të shpëtojnë, dhe nuk e di në ja dalin.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre do të prezantohen: Aida Alidemi, Agon Bala e Fitore Broqi. Muzika e kësaj shfaqje është e Memli Kelmendit, kostumet nga Samka Ferri, skenografia nga Burim Gora,  solo këngëtarë Donika Rushiti e Shaban Behramaj, Elbasan Racaj ka realizuar përkthimin, dramatizimin  Florent Kurtalani kurse ndriçimin Skender Latifi./ KultPlus.com

‘Thuama 5shen tane të them kush je’

Zgjedhjet në shtetin tonë dita ditës po afrohen dhe është bërë bujë e madhe në rrjete sociale nga persona që propozojnë se kush meriton të votohet, shkruan KultPlus.

Shpesh e kemi dëgjuar thënien ‘Më trego me kënd rri, të tregoj se kush je ti’, e kjo thënie vlen edhe për preferencat tona në përgjithësi, preferenca këto që janë treguesi kryesor i karakterit të secilit.

Së fundi, me ‘Thuama 5shen tane të them kush je’, ka reaguar Kushtrim Mehmeti përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

Pas shumë gjërave që kanë ndodhur në vendin tonë, kjo 5-she që secili qytetar i Kosovës pritet ta votojë, do të thotë shumë për vendin tonë. / KultPlus.com

“Gruaja që i vdes burri nuk bën të martohet!”

Shkruan Kushtrim Mehmeti

Kjo dukuri në vendin tonë ka prodhuar fëmijë të varfër, fëmijë pa mbështetje, fëmijë të vuajtur, dhe gjithsesi gra pa mbështetje, të vuajtura, duke ju munguar gjithçka qoftë nga aspekti material apo nga aspekti fiziologjik. Dhe më tutje janë goditur, stigmatizuar e linçuar gratë pse ato është dashur të bëjnë ”fajin” për përmbushjen e të drejtës elementare. “Kurva s’po e respekton burrin e saj”, “Po laperavet vejusha”, “ja mori fytyrën burrit/familjes”.

Kjo shoqëri gjithsesi e kontaminuar e degraduar me komplekse inferioriteti vazhdon të mbetet e njëjta, me mendësi prapanike pa as një të vetmin përparim. Nuk brengosem për 50+ vjeçarët që kanë këtë mendim (hajde po bëjmë tolerance për ta për shkak se në ç‘kohë janë rritur)por të njëjtin mendim të kenë të rinjtë (pa dallim gjinie) e tmerrshme dhe e pa tolerueshme. Ta akuzosh Nënën pse i duhet ta shfrytëzoj të drejtën e saj themelore, që i garanton ligji/feja/njeriu është krim i ngjashëm më vrasje. Kurse ne tjerët spektatoret injorant, dashakeq e idiot ti bëjmë ato ta bartin “fajin” pse nuk kanë bërë asnjë faj dhe përsëri të prononcohemi si Evropian s’ka nja të vetmen logjikë.

Sot ne evropianet e shekullit të kaluar veç se nuk kemi ndërruar mentalitet jemi edhe më keq, ngase nëse atyre më herët se ne, u ka munguar dituria dhe pa vetëdije kanë vepruar gabim, sot ne jemi duke vrarë me paramendim.

Na duhet ti lëmi të jetojnë, nëse nuk mund ti mbështesim (jam i bindur që nuk ju duhet mbështetja jonë) thjesht mos t’u përzihemi në punët e tyre, në nevojat e tyre, më e rëndësishmja në jetën e tyre.

Secila grua me apo pa fëmijë, me ish burrin gjallë apo të vdekur duhet gëzoj drejtën (pa u paragjykuar, sulmuar e stigmatizuar) të martohet apo të bashkëjetoj me një burrë që dëshiron e zgjedh ajo, sepse kjo është e nevojshme dhe e domosdoshme për të dhe sidomos për fëmijët. Babai nuk zëvendësohet, por boshllëku mbushet, ofrohet mbështetja dhe dashuria gjithsesi që vjen edhe për njeriun e ri i cili vjen në jetën e tyre. Duhet që familjaret (Baba, Nana, Vëllezërit e motrat) ti mbështesin gratë. Duhet ti mësojmë fëmijët qysh në fillim që kjo është krejtësisht normale dhe jo ti frikësojmë, ti mbushim idiotësira të cilat nëse jo sot nesër na kthehen në bumerang.

Duhet ato gra thjesht ti lejmë të jetojnë jetën e tyre së bashku me fëmijët e tyre ashtu siç ata duan./ KultPlus.com

“Ferri” i Kushtrim Mehmetit u shfaq mbrëmë në Parkun e Qytetit në Prishtinë

Pas një kohe të gjatë pa teatër, regjisori Kushtrim Mehmeti, aktorët dhe instrumentistët sollën mbrëmë teatrin në Parkun e Qytetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Bazuar në veprën “Komedia hyjnore” të Dante Aligerit, Mehmeti solli para publikut shfaqjen “Ferri”.

Të pranishmit e cilësuan shfaqjen si një shëtitje në “”ferr”: Dje në mbrëmje hymë dhe dolëm nga “Ferri” i regjisorit Kushtrim Mehmeti u shprehen të pranishmit.

Regjisori ka falënderuar të gjithë ata që punuar për tre muaj që “Ferri” të realizohej. Kjo shfaqje është mbështetur nga Komuna e Skenderajt, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. / KultPlus.com

Kushtrim Mehmeti merr librat me vete, në ‘ring’ me Kujtim Shalën

Regjisori Kushtrim Mehmeti ka reaguar për ngjarjen e sotme në mbledhjen për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku pretendohet se ka pasur konflikt fizik mes Kujtim Shalës dhe Gazmend Gjyshincës, shkruan KultPlus.

Mehmeti, i njohur për ironitë e tij politike që i shpërndanë në profilin e tij në Facebook, ngjarjen e sotme e ka përshkruar si një skenë ringu në të cilën ai mban disa libra në duar, duke u nisur për sulm.

“Po shkoj po rrihna me Kujtimin”, ka shkruar ai në mbishkrimin e kësaj fotografie. /KultPlus.com

Kushtrim Mehmeti ironizon, ofron libra për paraqitje në televizione, 35 euro metra

Në rrjetet sociale së fundi është komentuar shumë paraqitja e figurave të ndryshme publike nëpër televizione, të cilët po kyçen nga shtëpitë e tyre, por që të njëjtit gjithmonë po e përdorin një prapavijë me libra.

Kësaj zhurme të rrjeteve sociale i është bashkangjitur edhe regjisori Kushtrim Mehmeti, i cili njihet për iniciativa të ndryshme, shkruan KultPlus.

Ai është paraqitur në një fotografi me shumë libra dhe i njëjti ka thënë se i ofron për të gjithë ata që do të kyçen në lidhje të drejtpërdrejta televizive, por i njëjti ka caktuar edhe çmimin. 35 euro metra e librave, ka thënë Mehmeti./KultPlus.com

“Nuk dolëm të mbrojmë kufirin, dolëm t’i mbrojmë dhimbjet tona”

Shkruan: Kushtrim Mehmeti

Nuk dolëm të mbrojmë kufirin, dolëm t’i mbrojmë dhimbjet tona. Nuk dolëm të shesim trimëri, dolëm që të ruajmë dinjitetin e personave që dhimbjet i kanë ende të freskëta, që familjarët nuk ua kanë kthyer ende, që pamjet e tmerrit nuk ju kanë larguar nga memoria. Mos u tregoni injorantë, faqezi e diletant.

Sot në Drenicë nuk u tregu trimëri por dinjitet. Sot protestuam kundër shtetit tonë se Kanadaja nuk i dha leje Vuciqit. Sot u besatuam që me sa kemi forcë t’i mbrojmë familjet e mira të vrarëve, të masakruarve, të dhunuarve, sot ata nuk ndiheshin rehat nga prania e një krimineli.

Drenicën mos e lidheni me Hashimin e Kadriun, por lidheni me Dëshmorët, martirët, dhe personat që dhanë gjithçka në këmbim të asgjëje.

Ne jemi kundër Hashimit, i kemi besuar por na ka tradhëtuar, dikush është bindur që sa kohë, dikush ende pret, dikush nuk do të bindet kurrë, por Drenica është e drenicasve të përbetuar kundër armikut, kushdo qoftë ai, Serb apo edhe shqiptar.

Regjisori Mehmeti: Hani mish e pini verë italiane, e kur nuk keni më, servojeni mishin tonë në pjatat tuaja të argjendta

Regjisori Kushtrim Mehmeti i cili tashmë njihet për disa nga aktivitetet që kanë adresim pushtetin, së fundi ka reaguar edhe për vdekjen e të riut Milot Belegu, i cili ka ndërruar jetë pasi ka pësuar lëndime të rënda trupore në vendin e punës, shkruan KultPlus.

Më poshtë po sjellim reagimin e plotë të Mehmetit:

Karavanit te vdekjeve ne vend te punës i shtohet edhe 23 vjeçari, Milor Belegu.
Ende pa u mbushur një muaj nga një tjeter tragjedi, shteti ynë është një hiç i populluar me Hiça qe udhehiqen nga Hiçat.
Kurre dritë mos pafshi!
Ju marroftë Zoti!
Hani mish kalmari e pini verë italiane, e kur nuk keni më, servojeni mishin tonë në pjatat tuaja të argjendta dhe gjakun tonë në gota te porcelanit.

Milot Belegu gjatë këtij muaji ishte lënduar në vendin e punës, në një objekt të ndërtimtarisë në Pejë.

Kurse Kushtrim Mehmeti i cili ka reaguar për vdekjen e këtij të riu, si pasojë e mos sigurisë së punëtorëve në vendet e punës, njihet për iniciativën e mbledhjes së kravatave, që ia pati dorëzuar kryeministrit Ramush Haradinaj, me rastin e rritjes së rrogës nga ky i fundit, ku e pati arseyatuar rritjen e rrogës së tij, pasi që i duheshin mjetet për blerjen e karavatave./KultPlus.com

204 kravata janë mbledhur deri tani për kryeministrin Haradinaj, nesër i dorëzohen (FOTO)

“S’mundem gjithqysh me dalë, obligona për një kravatë, një kmishë”, ishte një ndër fjalitë që tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pas reagimeve të shumta që dolën kur ai ngriti pagën e tij rreth 100% të asaj që e kishte dhe tani merr 2950 euro në muaj.

Kjo inspiroi artistin Kushtrim Mehmeti që të nis iniciativën për mbledhjen e kravatave që nesër të martën e 26 dhjetorit të ia dërgojnë kryeministrit Haradinaj në qeveri.

Dje ishte dita kur u përhap shumë lajmi për t’i ‘ndihmuar kryeministrit Haradinaj’ përmes eventit “Apel për ndihmë”, kësisoj brenda 24 orëve janë mbledh gjithsej 204 kravat, shkruan KultPlus.

Kravatat do të vendosen në rrethojat e qeverisë, ndërsa protesta artistike mbahet të martën më 26 dhjetor me fillim nga ora 12:00./ KultPlus.com

“Apel për ndihmë”, nis mbledhja e kravatave që do i dërgohen kryeministrit Ramush Haradinaj

“S’mundem gjithqysh me dalë, obligona për një kravatë, një kmishë”, ishte një ndër fjalitë që tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pas reagimeve të shumta që dolën kur ai ngriti pagën e tij rreth 100% të asaj që e kishte dhe tani merr 2950 euro në muaj.

Kjo revoltoi qytetarët e padyshim edhe artistët kosovarë. Një ndër ta është regjisori Kushtrim Mehmeti, i cili tashmë ka ngrit një iniciativë me titull “Apel për ndihmë”, ku njëkohësisht kjo do të jetë edhe një protestë artistike që vjen të martën mu para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Mehmeti, për KultPlus dha detajet në lidhje me këtë protestë artistike, së cilës tashmë veç kanë nis të i përgjigjen qytetarët e Kosovës.

“Realisht filloi si nevojë e reagimit qytetarë për ngritjen e pagave, e unë si artist mendova që me ba një iniciativë kreative që mundet me kanë edhe artistike por edhe me dërgu mesazhin në vendin e duhur. Apeli fillojë si “shaka” por me interesimin e njerëzve atëherë u mobilizuam që ta shtyjmë deri në fund. Apeli im tash është që të martën njerëz të vullnetit të mirë të shkojmë dhe t’i dërgojmë kravatat kryeministrit”, tha për KultPlus, Kushtrim Mehmeti.

Kravatat do të vendosen në rrethojat e qeverisë, ndërsa protesta artistike mbahet të martën më 26 dhjetor me fillim nga ora 12:00./ KultPlus.com