Nga jeta, vepra dhe budallallëqet e një gjeniu, Jean de La Fontaine, poetit dhe fabulistit të shquar francez

Nga Albert Vataj

Jean de La Fontaine u lind më 8 korrik 1621 në Château-Thierry dhe u nda nga jeta më 13 prill 1695 në Paris. Ai qëndron si një nga emrat më të shquar të letërsisë franceze, një prej fabulistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe pa dyshim një nga poetët më të dashur dhe të lexuar të shekullit të XVII-të. Veprimtaria e tij letrare, e përqendruar sidomos në “Fabulat”, shënoi jo vetëm një kulm artistik për këtë zhanër klasik, por edhe një themel i qëndrueshëm mbi të cilin u ndërtuan veprat e fabulistëve të mëvonshëm në të gjithë Evropën. Këto krijime, të përkthyera, të ripërpunuara dhe të interpretuara në gjuhë të ndryshme, përfshirë dialektet rajonale të Francës, vijojnë të jetojnë si thesar i mendimit universal dhe mençurisë popullore.

Pavarësisht një fillimi të ngadaltë në skenën letrare dhe njëfarë hezitimi nga oborri mbretëror, La Fontaine përfundimisht u pranua në Akademinë Franceze në vitin 1684, një nder që përfaqësonte njohjen më të lartë të kohës për kontributin në letërsi. Prej asaj kohe e deri më sot, emri dhe figura e tij nuk janë zbehur kurrë në kujtesën kulturore të Francës. Statujat, medaljet, monedhat dhe pullat postare që i janë kushtuar, dëshmojnë për këtë nderim të pashuar dhe për vendin e veçantë që ai zë në ndërgjegjen estetike dhe qytetare franceze.

Personazhi i La Fontenit është përthithur në një lloj legjende, siç ndodh shpesh me figurat që sfidojnë format konvencionale të jetës. Ai është paraqitur nga bashkëkohësit si një shpirt i lirë, i pakujdesshëm për çështje praktike, i përhumbur në botën e ideve dhe fabulave të tij, shpeshherë deri në shkallën e harresës apo ekscentrizmit. Gédéon Tallemant des Réaux, i pari që nisi të dokumentonte këtë tipar të tij, rrëfen për një La Fontaine që i thotë të birit: “Ah, po, më duket se të kam parë diku!”, apo për ngulmimin për të sfiduar në duel një burrë që ai e dyshonte se kishte admirim për gruan e tij, vetëm për t’i kërkuar më pas të vazhdonte ta vizitonte shtëpinë si më parë.

Anekdotat e shumta, si ajo e shfaqjes në publik me çorape të palidhura apo me veshje të çrregullta, e rrethojnë figurën e tij me një aureolë çuditshmërie, që në vetvete kontraston me qartësinë therëse dhe ironinë e hollë të fabulave të tij. Ai ishte një njeri që përkonte më shumë me thelbin e artit sesa me skemat e jetës së përditshme, një prani delikate e heshtur në shoqëri, por një zë i fuqishëm në letërsi.

Jean de La Fontaine nuk ishte thjesht fabulist. Ai ishte një vëzhgues i thellë i natyrës njerëzore, që përmes gjuhës së kafshëve dhe alegorisë satirike, foli për veset, padrejtësitë dhe marrëzinë njerëzore me një mençuri që i mbijetoi kohës. Në fjalët e tij gjejmë shpesh atë që Voltaire më vonë do ta quante “arti për të thënë të vërtetën me elegancë”.

ANEKTODAT

Vizitë në shtëpinë e mikut të vdekur
* La Fonteni si njeri i hutuar që ishte, tetë ditë pasi varrosi një mik vajti tek shtëpia e tij për darkë siç bënte shpesh herë.
– Por, – u përgjigj i hutuar kamarieri kur ai pyeti për shokun e tij, – zotnia im dhe miku juaj shkoi në varreza tetë ditë më parë.
-Nuk e dini?
– Ah, po nuk ma mori mendja se ai do të rrinte kaq gjatë.

Debati me të birin
* La Fonteni ishte njëherë në shtëpinë e Dupinit, doktor i shkencave në Sorbonë, bashkë me të birin e vet. Ky në fjalë e sipër bëri disa vërejtje për të atin. Kur djali u largua, La Fonteni, që e kishte përshëndetur me respekt të madh, u drejtua nga i zoti i shtëpisë dhe e pyeti se kush ishte ai djalë që iku. Tjetri e shikoi i habitur dhe thirri:
– Si, po a nuk ishte yt bir ai?
– Po, po – u përgjigj La Fonteni, – tashmë po më duket se e kam parë
edhe herë të tjera atë njeri dhe pamja e tij nuk m’u duk e re.

Bullallëqet e komedianit
Kur La Fonteni u sëmur rëndë, prifti i rrinte shumë rreth e qark për t’i bërë shërbimet e shëlbimit të shenjtë. Infermierja që i shërbente të sëmurit i tha priftit:
O atë! Lëreni të qetë e mos e mundoni shumë, se ai në jetë bëri më shumë budallallëqe se mëkate, dhe Zoti nuk do të ketë kurrë guximin që ta dënojë.

Epitafi për varrin e tij
* La Fonteni e kishte bërë vetë epitafin ku thuhej: “Këtu shtrihet ai që iku ashtu sikurse kishte ardhur. Hëngri trashëgiminë dhe kapiti duke besuar se pasuritë janë gjëra fare të panevojshme. Kur arriti të gjente kohë të mirë, atë e ndau në dy pjesë, njërën e përdori për të jetuar dhe tjetrën për të mos bërë asgjë”./ KultPlus.com

Furtuna Aliu pjesë e filmit “The Exile Road” që u shfaq në Los Angeles

Furtuna Aliu njihet në komunitetin artistik si një aktore me shumë potencial dhe energji. Disa e njohin që nga koha kur këndonte në ‘Voice Kids of Albania, e të tjerë nga filmat në të cilët ajo mori pjesë, shkruan KultPlus.

Aktorja Aliu së fundmi bëri të ditur në rrjetet sociale se filmi në të cilin luan ajo, “The Exile Road” pati shfaqjen Los Angeles, Kaliforni.

“Të shtunën patëm një festë të vogël dhe shfaqjen e Babylonia: The Exile Road. Bërja e kësaj ishte një përjetim absolut, faleminderit @officiallyaverton dhe @foreign.factor @exileroad @keytalentmanagement”, shkruan ajo. / KultPlus.com

Placido Domingo jep dorëheqje si drejtor i përgjithshëm i LA Opera

Ylli i operës Placido Domingo, ka dhënë dorëheqje si drejtor i përgjithshëm i Operës së Los Angeles pas deklaratave të shumta për ngacmime seksuale të raportuara nga Associated Press.

Domingo tha se deklaratat kanë “krijuar një atmosferë në të cilën aftësia ime për të shërbyer në këtë kompani që e dua kaq shumë është prishur“.

Bordi i drejtorëve të operës tha në një deklaratë të ndarë se ai performoi më shumë se 300 herë në 31 role të ndryshme. Domingo ka shërbyer si drejtor i përgjithshëm që nga viti 2003./21Media/ KultPlus.com

“Ajo” shfaqet në festivalin prestigjioz AFI, More Raça pjesë e grave kineaste në Hollivud

Sarandë Selimi

“Ajo” filmi i regjisores kosovare More Raça, është prezantuar në festivalin prestigjioz AFI – American Film Institut në Hollivud, shkruan KultPlus.

Filmi i Raçës, është shfaqur sot para një audience të madhe, ndërsa vetë regjisorja, ka ndarë me KultPlus, disa fotografi nga atje.

“Filmi është pritë shumë mirë dhe gjithçka ka shkuar siç duhet. Jam e kënaqur me krejt këtë” ka thënë More Raça për KultPlus.

“Ajo”, sipas regjisore Raça, është përkrahur edhe nga Caroline Baron – producente e Bel Canto, Capote, Mozart in the Jungle dhe fituese e Globit të Artë.

Regjisorja kosovare More Raça, përveç kësaj në kuadër të AFI është pjesë edhe e kampanjës Audi #driveprogress, kampanjë kjo e cila promovon gratë kineaste.

“Ajo” deri më tani ka marrë pjesë në shumë festivale botërore, po ashtu edhe në festivale të cilat dhanë dritën jeshile për Akademinë Oscar.

Filmi ‘Ajo’ me skenar dhe regji nga More Raça dhe producent Sunaj Raça flet për dhunën në familje, guximin e një vajze të vogël për të shpëtuar vetën dhe nënën e saj. Në filmin Ajo luajnë: Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora, Bekim Mulaj.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

AJO gjithashtu është në garë për nominim në OSCAR pas përzgjedhjes si njëri ndër finalistët e Manhattan Short Film Festival./ KultPlus.com