Nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht ndër më të lartat

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka deklaruar se nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht janë ndër më të lartat me 303 milionë metra kub, teksa shtoi se me sasinë e ujit 5 metra nën maksimum, diga qëndron stabile e aty punojnë 21 punëtorë.

Ministrja Rizvanolli, së bashku me zëvendësministrat Getoar Mjeku dhe Nenaq Stanojeviq, sot janë mirëpritur nga kryeshefi i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka , nga ku edhe janë njoftuar më hollësisht për ndërmarrjen në fjalë.

Më poshtë gjendet postimi i plote i Ministres Rizvanolli:

Nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht janë ndër më të lartat me 303 milionë metra kub. Me sasinë e ujit 5 metra nën maksimum, ajo qëndron stabile e aty punojnë 21 punëtorë.

Së bashku me Zëvendës Ministrat, Geotar Mjeku dhe Nenad Stanojević u mirëpritëm nga Kryeshefi Faruk Mujka, ku diskutuam mbi performancën e ndërmarrjes, sigurinë e digës dhe mundësitë për investime në hidrocentral dhe përgjatë kanalit.

Aty janë vendosur pajisjet për matjen e lëvizjeve seizmike dhe për sigurinë e digës, e po punohet edhe në vendosjen e sensorëve në mënyrë që nivelet e ujit të kontrollohen edhe nga dhoma e kontrollit në Shkabaj. Niveli i rrjedhjeve në trupin e digës dhe stabiliteti i digës aktualisht kontrollohen nga galeria e cila gjendet në 90 metra thellësi.

Ndërmarrja “Ibër Lepenci” e cila menaxhon këtë digë, në vitin 2023 ka siguruar të hyra në vlerë prej 10 milionë euro. Rritje të lartë ka pasur edhe prodhimi i energjisë elektrike nga Hidrocentrali që gjatë vitit 2023 ka shënuar rekord e janë prodhuar 146 mijë megavatëorë energji elektrike, që shënon rritje prej 95% prej vitit paraprak.

Përgjatë vizitës takuam edhe patrollën e policisë tek diga e vogël kompensuese, një patrollë profesionale e multi-etnike që me zell e përkushtim po punojnë për sigurinë e të gjithë qytetarëve./KultPlus.com

Pamje nga Liqeni i Shkodrës

Kryeministri Edi Rama ndau pasditen e së dielës, në rrjetet sociale pamje nga Liqeni i Shkodrës.

Rama publikoi një video nga kjo pikë turistike, ku shihen pushues të moshave të ndryshme, që janë ulur dhe sodisin pamjen piktoreske të liqenit, duke dëgjuar muzikën që luan kuarteti i harqeve në platen e vendosur në breg të liqenit.

Repertori i kuartetit të harqeve, vjen si një tjetër surprizë e këndshme për pushuesit e apasionuar pas muzikës, që frekuentojnë Liqenin e Shkodrës.

I konsideruar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, ky liqen dallon për ajrin e pastër dhe bukuritë natyrore.

Liqeni i Shkodrës gjatë këtij viti ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Kjo zonë gjatë periudhës janar-shtator u vizitua nga 143 710 vizitorë, nga të cilët 78 800 vendas dhe 64 910 të huaj.

Ndër pikat turistike më të vizituara në liqen janë “Syri i Sheganit”, Shiroka, Zogaj. Ndërkohë që numri i vizitorëve është rritur edhe falë sporteve ujore si kanoet,varkat dhe gondolat veneciane që janë zhvilluar gjatë këtij sezoni turistik./atsh/KultPlus.com

Së shpejti, turistët do të mund të lundrojnë me varkë në Liqenin e Shkodrës

Kryeministri Edi Rama solli mëngjesin e sotëm pamje prehëse nga Liqeni i Shirokës në Shkodër, ku kanë lulëzuar zambakët e ujit, ndërsa njoftoi se vizitorët do të kenë mundësi të lundrojnë me varka.

“Disa foto të modelit të varkave turistike, të cilat së shpejti do të vihen në dispozicion të vizitorëve nga Bashkia e Shkodrës, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, u shpreh Rama.

Shiroka pritet të jetë një nga tre molet në Liqenin e Shkodrës, ndërsa dy të tjerët në Zogaj dhe në Shkodër. Me 3 stacione lundrimi, bashkia e Shkodrës tashmë do të vendosë në përdorim varka turistike për të gjithë ata që dëshirojnë të lundrojnë në liqen, për të kundruar nga uji pamjen fantastike që ofrojnë brigjet.

Molet janë me të gjitha parametrat në funksion të lundrimit në natyrën e bekuar në zonën liqenore, që shihet edhe si një perspektivë e re turistike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Molet turistike “Almonit” në liqenin e Shkodrës krijojnë infrastrukturën e nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës – Shirokës – Zogajt dhe Vir Pazarit.

Ky projekt financuar nga Bashkimi Evropian, përmes Programit IPA Adriatik CBC Itali – Mali i Zi – Shqipëri zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit./atsh/KultPlus.com

Zhvillohet në Parkun e Liqenit të Farkës edicioni i pestë i Tirana Triathlon

Për të pestin vit radhazi u zhvillua sot në Parkun e Liqenit të Farkës trigarëshi në not, vrap dhe çiklizëm Tirana Triathlon me pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga shumë vende të tjera sidomos të rajonit të Ballkanit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve të fituesve të të 3 disiplinave u shpreh i lumtur që sporti e sidomos këto gara po kthehen në një traditë të përvitshme në qytetin e Tiranës.

Kjo, tha Veliaj, falë investimeve që e bëjnë të mundur, ku veçoi Parkun e ri të Farkës, donatorëve që bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës por mbi të gjitha falë të gjithë atyre që i bashkon shpirti sportiv për të garuar pavarësisht çmimit.

“Farka sot është kthyer në një destinacion të jashtëzakonshëm. E filluam këtu me Kostas Bakoyannis, kryetarin e Bashkisë së Athinës kur hapëm Parkun Helen. Shumë veta mendonin që ishte diçka e vogël, një akupunturë, askush nuk e imagjinonte dot që pas pak kohësh ne do të kishim një park të dytë të Tiranës, pas Liqenit të Tiranës. Kjo nuk do ishte bërë e mundur pa një grup të jashtëzakonshëm donatorësh që zgjodhën të sponsorizonin jo vetëm aktivitetin, por edhe çmimet dhe për të gjithë ata që na kanë ardhur këtu sot. U jam vërtet mirënjohës! Ftesa për të gjithë prindërit është, regjistrojini fëmijët në sport! Më shumë sesa trajnojmë muskujt, ne duam të trajnojmë mendjen tonë, shpirtin tonë me kulturën sportive edhe me lojën në skuadër,” u shpreh ndër të tjera Veliaj.

Kryebashkiaku tha se, eventet e mëdha sportive sidomos në këtë vit ku Tirana është qyteti evropian i sportit nuk do të mbeten me kaq.

Ai tha se, në Tetor sikurse çdo vit do të zhvillohet maratona e Tiranës.

“Do kemi disa surpriza këtë vit. Sapo të mbarojmë këtu, do të fillojmë përgatitjen për Maratonën e Tiranës në tetor. Kështu që do të shihemi të gjithë në aktivitete të tjera, sepse duam shumë që ky vit që Tirana është Qyteti Europian i Sportit ne të dallohemi posaçërisht për kulturën sportive dhe të dalim nga ky vit i sportit, jo vetëm me këto aktivitete kartolina, kujtime dhe medalje e çmime, po të dalim si një qytet që merret me sport, dimë të lozin në skuadër, të humbasim me modesti, por edhe të fitojmë gjithashtu me modesti dhe me këmbë në tokë. Kjo është Tirana jonë, qyteti ynë fitues,” deklaroi ai.

Veliaj tha se, sporti është ai që bashkon popujt.

“Ne jetojmë në Ballkan, unë jam shumë i përgjegjshëm për këtë. Dhe është një vend ku të gjithë kemi pak më shumë zell për debat, apo një fjalë më shumë seç duhet, por sporti na ka mësuar që në një fqinjësi ku ne jetojmë bashkë, ne biem bashkë dhe rrëzohemi bashkë. Nëse ne nuk kuptojmë që fqinjët nuk i zgjedhim dot, por ama jemi të destinuar që të jetojmë bashkë, të destinuar që të bashkëpunojmë, të destinuar që të lulëzojmë së bashku, sporti është diplomacia më e mirë. Ndaj motra dhe vëllezër le të kujtojmë që sporti na bën bashkë. Nuk ka rëndësi nëse jemi nga Kosova, nga Serbia, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, apo nga Bullgaria, jemi pjesë e një mëhalle. Ndaj siç rrëzohemi bashkë, ashtu dhe ngrihemi bashkë edhe bashkëpunojmë të gjithë me njëri-tjetrin,” e mbylli Veliaj fjalën e tij./atsh/KultPlus.com

Liqeni i Marinës në Belsh, një perlë turistike

Qendra turistike pranë liqenit të Marinës në Belsh vizitohet çdo ditë nga qytetarë të shumtë.

Qendra është ideuar, ndërtuar e administruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Pika e agroturizmit të Marinës ndodhet në mes të liqeneve të Dumresë. Një perlë e vogël turistike, që ofron pamjen më mbresëlënëse dhe komoditet cilësor.

Iniciativat e bashkisë Belsh, vitet e fundit kanë gjetur mbështetjen e qeverisë shqiptare duke realizuar një sërë veprash në mbështetje të turizmit, e duke shfrytëzuar bukuritë që Zoti i ka falur bujarisht të gjithë zonës.

Pranë liqenit të Marinës, në Belsh janë ndërtuar 9 shtëpiza druri dhe një ambient shërbimi restorant. Shtëpizat kanë një dizajn minimal alpin, të cilat integrohen shumë mirë edhe në territorin përreth liqenit të Marinës.

Materialet e përdorura për ndërtimin e këtyre shtëpizave, janë materiale drusore ekologjike, të cilat e bëjnë impaktin e ndërhyrjes në natyrë akoma edhe me minimal për të mos cenuar ekosistemin e zonës./atsh/KultPlus.com

Veliaj u përgjigjet kritikave për memorialin tek Liqeni: Ti lëmë të vdekurit të qetë, Tirana ka zemër për të gjithë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur kritikave të shumta në lidhje me memorialin e vendosur tek Liqeni Artificial në nder të viktimave të grushtit të shtetit në Turqi.

Veliaj shprehet se kryeqyteti është me zemër të madhe dhe ka vend për të gjithë. Kreu i Bashkisë shprehet se shumica e atyre që ankohen e kanë lënë vendin të mbushet me ferra.

“Le ti lëmë të vdekurt të qetë. Unë nuk i prish punë ansjë njeriu. Është në cepin e liqenit që shumica e atyre që ankohen nuk i ka ra mendja se ka qenë mbuluar me ferra. Lart në kat të dytë lashë duke u përqafuar drejtuesin e të krishterëve me atë të myslimanëve. Ti lëmë të vdekurit të qetë dhe kushdo ti respektojë. Tirana është zemër e madhe, ka vend për të gjithë”, përfundoi Veliaj.

UNESCO merr në mbrojtje edhe pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit

Sot, Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i cili po zhvillon sesionin e tij të 43-të, në Baku, Azerbajxhan përfshiu në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit.

“Ndajmë me gëzim dhe krenari një lajm të mirë!  Pas një pune shumëvjeçare, më në fund, “trupi” i Ohrit është i plotë në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Sot, Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i cili po zhvillon sesionin e tij të 43-të, në Baku, Azerbajxhan, miratoi zgjerimin e pronës: “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit”. Tanimë edhe pjesa shqiptare i përket trashëgimisë së mbarë botës”, tha Margariti.

Liqeni i Ohrit, një nga liqenet më të vjetër të botës, që ndodhet në Europën Juglindore, konsiderohet një nga rezervat më të mëdha të biodiversitetit dhe njëkohësisht një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në kontinent. Kombinimi i vlerave të dukshme natyrore, me cilësinë dhe diversitetin e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore e bëjnë këtë rajon vërtet unik. /KultPlus.com