Rekord vizitorësh në mars, Kumbaro: Në tre muajt e parë të vitit 1,7 milionë turistë të huaj në Shqipëri

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë, ose 59 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Muaji mars shënoi një rekord të ri të flukseve hyrëse turistike prej gati 735 mijë vizitorësh të huaj, ose 91% më shumë krahasuar me marsin e vitit të shkuar.

Shifrat i ka bërë publike ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në faqet e saj zyrtare.

“Mbi 1,7 milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë 3 muajve të parë të 2024-ës. 734 mijë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri gjatë muajit mars i cili sapo shenjoi një standard të ri në shifra e duhet t’i përgjigjemi me të njëjtin standard në mikpritje”, njoftoi ministrja Kumbaro.

Një ditë më parë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, nga panairi Ndërkombëtar i Turizmit, nënvizoi se sfida tashmë nuk janë numrat, por garantimi i standardeve, cilësisë dhe turizmi elitar.

Java që vjen nis me një ngjarje të rëndësishme për turizmin, siç është takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania”. Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një aktivitet të Organizatës Botërore të Turizmit./atsh/KultPlus.com

Muzeu automobilistik në Manastir, iu dhuron vizitorëve një udhëtim nëpër kohë

Muzeu etnografik dhe automobilistik “Filip” në qytetin e Manastirıt në Maqedoninë e Veriut, i çon vizitorët në një udhëtim në kohë.

I gjendur në fshatin Kërklinë, rreth 10 kilometra nga qendra e qytetit, ajo çka tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj në muze, janë automjetet klasike, motorët, biçikletat dhe mjete të ndryshme.

Në mesin e automjeteve që po ekspozohen në këtë muze janë një Simca Ariane e vitit 1953, si dhe automjete klasike Ford Taunus, Plymouth Valiant, Moskviç.

Përveç automobilave, vëmendjen e vizitorëve tërheqin edhe motoçikletat dhe biçikletat e modeleve të vjetra.

Muzeu etnografik dhe automobilistik “Filip” në qytetin e Manastirıt në Maqedoninë e Veriut, i çon vizitorët në një udhëtim në kohë

Në katin e dytë të muzeut gjenden dhoma të veçanta të emëruar si dhoma turke, hebreje dhe fshati. Në këto dhoma, lloje të ndryshme të sendeve dhe veshjeve që u përkasin kulturave të lartëpërmendura mirëpresin vizitorët.

Pronari dhe iniciatori i muzeut Boris Tanevski, për Anadolu Agency rrëfeu karakteristikat e muzeut dhe koleksionin e automjeteve që i ka mbledhur ndër vite.

Këtë vit, muzeun më së shumti e kanë vizituar turistë nga Turqia dhe Holanda./TopChanel/KultPlus.com

Gjirokastra gëlon nga vizitorët e huaj

Kryeministri Edi Rama solli mëngjesin e sotëm pamje nga sokakët e Gjirokastrës ku mund të dëgjosh nga të gjithë gjuhët e botës, ndërsa vizitorët e huaj kanë mbushur qytetin si kurrë më parë.

Rama theksoi se gjuhët e botës që dëgjohen nëpër sokaket e Gjirokastrës, të cilat gëlojnë nga vizitorët e huaj në këto ditë gushti, janë shëmbëlltyra më e mirë e turizmit që shtrihet në gjithë vendin.

Ndërsa turistët shprehen të mahnitur nga rrugicat e qytetit, kulinaria..etj.

“Unë jam nga Spanja, por jetoj në Gjermani. Është hera e parë që vij në Gjirokastër. Deri tani është një qytet shumë i këndshëm. Ende nuk e kam vizituar kalanë. Por, besoj se do të jetë një udhëtim shumë i këndshëm”, u shpreh një turiste.

“Ne jemi nga Gjermania. Jemi akomoduar në një hotel pak më poshtë dhe më pëlqen shumë mëngjesi këtu. Është shumë i këndshëm. Po, është e këndshme të ecësh në këto rrugica dhe të shikosh dyqanet përreth. Është hera e parë që vijmë. Erdhëm mbrëmë dhe sapo kemi filluar të eksplorojmë qytetin”, u shprehën dy turiste të tjera.

“Ne jemi nga Portugalia. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe në këtë qytet. Do të qëndrojmë në Durrës, por vendosëm ta vizitojmë edhe këtë qytet. E kemi parë në rrjetet sociale, por kemi dhe miq që e kanë vizituar dhe ishim shumë kureshtar ta vizitonim këtë qytet. Sapo kemi mbërritur dhe më duket shumë i bukur, natyra përreth dhe vetë qyteti. Shpresoj te shoh më shumë bukuri sot”, u shpreh turisti.

“Përshëndetje, jemi Xhoana dhe Paola nga Portugalia. Kjo është vizita jonë e parë në Gjirokastër. Ky qytet më duket shumë i këndshëm. Është mahnitës. Mbërritëm mbrëmë dhe dritat e qytetit ishin shumë të mrekullueshme, ishin shumë të bukura. Është shumë e këndshme edhe gjallëria e qytetit. Është shumë bukur të shohësh edhe kaq shumë njerëz. Ky qytet ka një shije magjike. Sa për ushqim kemi provuar qifqi, musaka. Sa për ëmbëlsirë provuam oshaf. E rekomandojmë. Ishte shumë e mirë”, u shprehën turistet./atsh/KultPlus.com

Margariti: Hyrje falas për vizitorët në monumentet dhe sitet arkeologjike

Sitet e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe muzetë e vendit po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.

Kësaj i shërben edhe nisma e Ministrisë së Kulturës që turistët dhe vizitorët të dielave të vizitojnë falas muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ftoi sërish sot vizitorët vendas dhe të huaj të mos e humbasin rastin këtë të dielë, për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, pa biletë.

“Kudo ku jeni duke pushuar, mos e humbisni mundësinë të vizitoni falas muzetë dhe parqet tona arkeologjike. Vizitoni me familjet Butrintin, Apoloninë, Bylisin, por edhe Muzeun ABC apo atë Mesjetar në Korçë, “Marubin” e Muzeun e Krujës. Shijoni trashëgiminë”, ishte apeli i Margaritit në rrjetet sociale.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.

Po ashtu vizitorët mund të zgjedhin midis Muzeut të Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeut Etnografik në Berat, MuzetveArkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeut Etnografik në Sarandë, Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeut Arkeologjik, Tiranë, Muzeut Historik Shkodër etj./atsh/KultPlus.com