Fotot e ripunuara me ngjyra sjellin vdekjen e tmerret e ushtarëve në Luftën e Parë Botërore

Realitetet mizore të Luftës së Parë Botërore që janë dëshmuar nga ushtarët në të gjithë botën, janë risjellë sërish në fokus në një seri fotografish të ripunuara me ngjyra në mënyrën më të duruar dhe realiste.

Në imazhe shihen luftëtarë britanikë në llogoret e ferrit, dhe kavaleria indiane përkrah tyre në betejën e Somme në 1916.

Të tjera imazhe mahnitëse sjellin ushtarë kanadezë në Betejën e Amiens në 1918 në Francë, “fuzilierët” britanikë në barkat e betejës së Gallipoli pranë Turqisë në 1915, ose valën e dytë të trupave të Rusisë që presin të mësyjnë në Ukrainë në 1917.

Fotot origjinale bardhë e zi janë ngjyrosur me dhimbje e dashuri nga elektriçisti uellsian Royston Leonard, 56 vjeç nga Kardifi, përcjell KultPlus.

Ai tha: “Këtë e bëra për të kujtuar gjeneratat e humbura nga të gjitha pjesët e botës, që ishin aq të rinj dhe u zhdukën në miliona. Prandaj ne nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo të ndodhë përsëri. E kemi bërë këtë dy herë, prandaj ju nxis t’i shikoni fotot dhe më pas të vendosni vetë”.

Në Luftën e Parë Botërore gjetën vdekjen 9 milionë luftëtarë dhe 13 milionë civilë, dhe ajo ishte kontribuese për pandeminë e gripit spanjoll në 1918, që vrau 50 deri në 100 milionë njerëz. /tch/ KultPlus.com

Prishtina në ditët e para dhe të fundit të Luftës së Parë Botërore

Largimi i serbëve dhe hyrja e gjermanëve, austriakëve dhe e bullgarëve në Prishtinë 

“Prishtina ra të martën më 10 tetor 1915, në ora dy e dhjetë minuta pasdite. Ushtari i fundit serb u largua nga Prishtinë në mesditë. Nuk dihej se kur do të hynin gjermanët. Pritej hyrja e bullgarëve dhe kjo e rriste frikën. Aq më tepër që shqiptarët dhe turqit në Prishtinë, tani flisnin se do t’u hakmerren serbëve për ngjarjet e vitit 1912. Gjermanët arritën në Prishtinë, nga ana veriore nëpërmjet rrugës së Kurshumlisë. Thuajse në të njëjtën kohë edhe austriakët ia mbërrin nga ana e Mitrovicës. Bullgarët u ngutën ta marrin selinë e divizionit, por gjermanët nuk i lejuan dhe ua ndanë atyre një pjesë të ndërtesës së Komunës. Të gjithë mes vete i vendosën rojet dhe kështu Prishtina u bë një qytet treshtetëror”.

Dëshmi si kjo – për arritjen e ushtrive të huaja në Prishtinën e vjeshtës së vitit 1915 – la mësuesi serb Janiçije Popoviq, i cili nga koha e parafillimit të Luftës Ballkanike, ishte ngarkuar nga qarqet e lëvizjes çetnike serbe në organizimin e mbledhjes së informacioneve dhe në shtrembërimin e realitetit të atëhershëm kosovar, me qëllim të okupimit të mëvonshëm të Kosovës, shkruan Koha, transmeton KultPlus.

“Më 10 nëntor, pas mesdite, Regjimenti i dytë i kalorisë bullgare hyri në Prishtinë”, shkruan Hristo Mutafov një oficer bullgar. Ai më tej e përshkruan atmosferën prishtinase të parahyrjes së forcave bullgare. 

“Për rënien e plotë të Prishtinës mësuam nga refugjatët jashtë qytetit. Rruga e tmerrshme nga mali me dëborë e ngadalëson marshimin tonë. Në mbrëmjen e 10 nëntorit, divizioni ynë mbërrin në fshatin shqiptar Keqekollë.” 

Me të arritur në këtë fshat, komanda e njësisë bullgare vendosi kontakte me imamin e fshatit. “Rrëzë kodrës së lartë, është shtëpia e madhe dykatëshe e hoxhës së fshatit. Ky fshat i tipit të shpërndarë, është si të gjitha fshatrat e tjerë në këto vise që janë të vendosur në majat e larta, të banuara nga shqiptarët – malësorë të shëndetshëm, të mëdhenj dhe të bukur! Hoxha flet pak serbisht – policia serbe ia ka mësuar atij gjuhën e tyre! Selia e divizionit brenda natës vendoset në shtëpinë e hoxhës. / KultPlus.com

Në Manastir gjenden 15.000 granata të Luftës së Parë Botërore

Autoritetet në Maqedoni kanë zbuluar një lokacion në qytetin e Manastirit me 15.000 granata të Luftës së Parë Botërore, ka bërë të ditur TV Telma, përcjell Kossev të mërkurën.

Municioni është gjetur në afërsi të stadiumit të Manastirit.

Sipas mediave, 5.000 granata të kalibrit 75 milimetra tashmë janë deponuar në një kazermë në Manastir, 5.000 të tjera janë gati të transportohen, kurse po aq janë ende në tokë.

“Janë rreth 15.000 copë. Këto përbëjnë 120 tonë granata, në të cilat ka pesë tonë trotil. Por me kaq nuk ka përfunduar. Të hënën duhet të ndalet qarkullimi, të prishet rruga në mënyrë që të vijmë deri te niveli ku janë fshehur granatat në tokë”, ka thënë drejtuesi i ekipit piroteknik, Eftim Mitrov.

Siç raportohet, pozicioni ishte i braktisur nga një prej palëve në Luftën e Parë Botërore, por ende nuk dihet për cilën bëhet fjalë.

“Kjo sasi municionit në një vend jo që nuk është gjetur kurrë në Maqedoni, por as në Ballkan. Ende nuk dihet se cilës palë i ka takuar, por është fat për ne që ushtarët kur janë larguar i kanë marrë siguresat në mënyrë që kundërshtarët të mos i shfrytëzojnë. Po të ishin me siguresa, nuk do të kishte mënyrë t’i nxjerrim nga toka”, ka thënë Mitrov. / KultPlus.com

Gabrieli, adoleshenti që nisi Luftën e Parë Botërore

Ka shumë gjëra që i dijmë për luftën e parë botërore, se kur nisi, sa viktima la pas vetes, si u zhvillua etj. Mirëpo pak e dijnë se kush ishte nismtëar i kësaj lufte.

Më poshtë, KultPlus ju sjell disa fakte jo edhe aq të njohura rreth djaloshit që edhe e nisi këtë luftë të madhe.

Ai quhej Gavrilo, ose Gabriel

Mësuesit tanë të historisë na kanë thënë se Lufta e Parë Botërore nisi pasi një person i armatosur vrau Dukën Franz Ferdinand në Sarajevë, në 28 qershor 1914. Vrasja shërbeu si një shkëndijë, që i shtriu metastazat që nga një qoshe rruge e Ballkanit, në një krizë kontinentale duke çliruar tensionin e akumuluar mes blloqeve rivalë të Fuqive të Mëdha: Perandoria Austro-Hungareze dhe Gjermania nga njëra anë, dhe Franca, Rusia e Britania e Madhe nga ana tjetër. Emri i atentatorit ishte Gavrilo Princip, ndërkohë që emri i tij në gjuhën e nënës, atë serbe domethënë Gabriel. E ëma kishte dashur ta quante Spiro, sipas vëllait të saj të ndjerë, por prifti vendas kishte ndërhyrë duke thënë se djali duhej të merrte emrin e Engjëllit Gabriel.

Ishte vetëm 19 vjeç kur ndezi shkëndijën e konfliktit të parë global

Me siguri adoleshenti telashendjellës më i madh i historisë, Princip ishte nxënës i vitit të fundit të shkollës së mesme – klasa e tetë – kur qëlloi me plumbin që do të niste Luftën e Parë Botërore. Mosha e tij ligjore iu nënshtrua shumë verifikimeve pas atentatit, për arsye se ishin të shumtë ata që në Austro-Hungari kërkonin dënim me vdekje për njeriun që kishte vrarë trashëgimtarin e fronit të Perandorisë së Habsburgëve. Por kodi ligjor Austro-Hungarez ishte i qartë për ndëshkimin kapital. Vetëm ata mbi 20 vjeç ditën e kryerjes së krimit mund të ekzekutoheshin. Data e rregjistruar e lindjes së Gavrilo Princip ishte 13 korriku 1894, pra 19 vjeç, 11 muaj dhe 15 ditë, në ditën kur kreu vrasjen, me fjalë të tjera, vetëm dy javë më i ri se sa pragu që do ta bënte të varej nga autoritetet.

Gjithçka u ndërlikua, kur u gjet një regjistër i këshillit të vendbanimit nga ana e hetuesve, që linte të kuptohej se ai kishte lindur në 13 qershor 1894, gjë që e bënte në moshë të kualifikushme për t’u ekzekutuar. Por pas shumë debatesh ligjorë u pranua se ky regjistër ishte i gabuar – në shkrimin cirilik, muaji i korrikut mund të ngatërrohet kollaj me qershorin. Princip u dënua me 20 vite burg – dënimi maksimal për dikë në moshën e tij në atë kohë – por ai do të vdiste përpara se të pushonin armët e Luftës së parë, prej tuberkulozit në spitalin e burgut të tij në 28 prill 1918.

Ai kishte të njëjtën nënshtetësi si Adolf Hitleri

100 vjet më parë, në agimin e epokës së madhe perandorake, nocionet e shtetit-komb dhe të kombësisë i përkisnin të ardhmes. Vende si Polonia, Republika Ceke, Sllovakia, Hungaria dhe Austria nuk ekzistonin. Ato ishin të bashkuara nën perandorinë e Habsburgëve, e njohur gjithashtu si Austro-Hungaria, një bashkim grupesh etnikë të ndryshëm që shpesh herë flisnin gjuhë shumë të ndryshme, dhe me prejardhje të ndryshme, të gjithë nën kontrollin e Vienës – sistemi ishte kaq kaotik, saqë në disa pjesë të perandorisë mjetet lëviznin në krahun e majtë, në disa të tjera në të djathtin.

Gavrilo Princip ishte lindur në një provincë të Austro-Hungarisë që sapo ishte aneksuar, një zonë e njohur si Bosnja-Hercegovina. Për shekuj të tërë ajo ishte pushtuar nga Perandoria Otomane, por në vitin 1878 “rrëshkiti”, duke u bërë territor i Habsburgëve. Qytetarët e saj nuk kishin pasaporta, por kishin lejëkalime, dhe si i ri që ishte, Princip kualifikohej për të njëjtën lloj lejëkalimi si ajo e Adolf Hitlerit, i cili kishte lindur më në veriperëndim, por sërish brenda perandorisë austro-hungareze.

Si vrasës, Princip kishte fatin e djallit

Shoferi i makinës së Dukës duhej të kishte ngarë makinën me shpejtësi duke lënë pas Principin, por për shkak të një keqkuptimi, ai e ktheu makinën pikërisht në qoshen ku po qëndronte Principi dhe atij i thirrën menjëherë që të ndalej. Kështu që, Principi e gjeti shënjestrën e tij si “rosë të palëvizur” mu përballë. Qëlloi vetëm një herë me pistoletë drejt Dukës. Plumbi e goditi dhe ia çau Franz Ferdinandit venën e qafës. Vdiq brenda pak minutave.

Ai nuk ishte nacionalist serb

Principi ishte në fakt një nacionalist sllavo jugor. Ndonëse etnikisht një serbo-boshnjak, ai mbështeste një grup aktivistësh që bënin thirrje për bashkimin e të gjithë popujve lokalë sllavë në Bosnje: Myslimanë, kroatë dhe serbë. Endrra e tyre ishte të dëbonin pushtuesit Habsburgas, kështu që atentati ndaj Dukës shihej si një “gjest i madh” për të frymëzuar të tjerët që të ngriheshin kundër fuqisë së huaj.

Plani funksionoi, por me një çmim të tmershëm

Atentati shkaktoi një luftë që Principi nuk do ta kishte parashikuar dot kurrë. U vranë miliona njerëz dhe u shembën perandori – dhe gjithashtu, austro-hungarezët e urryer u dëbuan nga Bosnja. Si rezultat, sllavët lokalë patën shansin të bashkohen në një vend, që më vonë u quajt Jugosllavia, domethënë një komb i sllavëve të jugut. Në sytë e shumë vendasve, Principi u pa si “çlirimtar”.

Trashëgimia e tij në Ballkan ishte toksike

Luftërat që shkatërruan Bosnjen në vitet 1990 u nxitën prej ndarjeve etnike mes komuniteteve lokalë sllavë: myslimanë, kroatë dhe serbë. Endra e të gjithë sllavëve që bashkëjetonin ishte hedhur tutje. Ndonëse Principi qëlloi me armën e tij njëqind vjet më parë me shpresën e çlirimit të sivëllezërve sllavë, sot ai “fajësohet” se ishte një serbo-boshnjak etnik, i njollosur prej lidhjes me ata ekstremistë që janë përgjegjës për masakrat gjatë luftërave ballkanike. Kjo çështje është kaq toksike sa që edhe me afrimin e 100-vjetorit të ngjarjes, në Bosnje nuk pati konsensus se si duhej të ishte qasja ndaj ngjarjes dhe Principit. / KultPlus.com

Më shumë amerikanë të vdekur nga koronavirusi, sesa në Luftën e Parë Botërore

Numri i personave të vdekur me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar numrin e ushtarëve amerikanë të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që shumë shtete në territorin e SHBA-së regjistrojnë rritje të infektimit.

Numri i viktimave, si pasojë e këtij virusi në SHBA, ka shkuar në mbi 116,900, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Kjo shifër është më e madhe sesa e amerikanëve të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, 116, 516 – më shumë se gjysma e tyre nga Gripi Spanjoll.

Megjithatë, shumë biznese në gjithë SHBA-në po vazhdojnë të rihapen, pavarësisht pse rreth 23,000 raste të reja të infektimit raportohen në baza ditore.

Rreth 20 shtete kanë raportuar rritje të numrit të të prekurve në dy javët e fundit, përfshirë, Floridan, Teksasin dhe Arizonan.

Shtimi i rasteve të reja, pjesërisht mund t’i kontribuohet rritjes së numrit të testimeve, por ekspertët shëndetësorë thonë se rritja e shkallës së përhapjes së virusit ka të bëjë edhe me rihapje të ekonomisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon të jetë i fokusuar në rihapje të ekonomisë dhe insiston se nuk do të ketë mbyllje, edhe pse numri i të prekurve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka kaluar në mbi 2.1 milionë.

SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja janë pajtuar për mbajtje të kujfive të mbyllur deri më 21 korrik, duke vazhduar masat e kufizimit në udhëtim.

Për dallim nga këto vende, shumë shtete në Evropë kanë rihapur kufijtë për udhëtarët brenda vendeve të Bashkimit Evropian, pas tre muajve të masave kufizuese.

Evropa fillimisht ka qenë kontinenti i prekur më së keqi nga koronavirusi, mirëpo tani numri i rasteve të reja, i të hospitalizuarve dhe të vdekurve ka rënë në mënyrë dramatike, ndonëse ekonomia është rihapur. / KultPlus.com