Mbi 100 veta evakuohen nga Mariupoli

Mbi 100 persona janë evakuuar me sukses nga fabrika e çelikut Azovstal, në Mariupol të Ukrainës, konfirmoi Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sipas koordinatorit humanitar të OKB-së, Osnat Lubrani, shumica e të evakuuarve kanë arritur në qytetin Zaporizhja, ku po marrin ndihmë humanitare.

“Falë operacionit, 101 gra, burra, fëmijë dhe të moshuar kanë arritur të largohen më në fund nga bunkerët poshtë fabrikës Azovstal dhe të shohin dritën e Diellit pas dy muajsh”, tha Lubrani.

Qyteti port i Maripolit është i rrethuar nga forcat ruse, që kanë nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Vetëm zona përreth Azovstalit mbetet ende nën kontrollin e ukrainasve.

Qindra njerëz kanë qenë të bllokuar në bunkerët nën Azovstal tash e sa javë, me mungesa ushqimesh dhe uji.

Mbi 50 veta janë evakuuar të dielën, por së paku edhe disa dhjetëra besohet se mbeten ende në bunkerë.

Zëdhënësi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Saviano Abreu, tha të hënën se përpjekjet për t’i nxjerrë njerëzit nga Azovstali po bëhen në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në koordinim me zyrtarët ukrainas dhe rusë.

Fabrika e hekurit dhe çelikut Azovstal në Mariupol të Ukrainës.

Vendndodhja strategjike e Mariupolit – pranë Gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar në mënyrë jolegale nga Ukraina në vitin 2014 – e ka bërë atë objektiv të bombardimeve të furishme ruse.

Qyteti, me një popullsi prej rreth 400,000 banorësh para luftës, është shndërruar tani në gërmadhë./REL/ KultPlus.com

“Bota të na ndihmojë, na kanë mbetur pak orë”, thirrjet që forcat ukrainase po i bëjnë në Mariupol

“Na ndihmoni, na kanë mbetur vetëm pak orë kohë!” Është kjo thirrja e dëshpëruar që i bën botës, një prej komandantëve të forcave që po mbrojnë qytetin ukrainas të Mariupolit.

Rusia u ka dhënë një ultimatum të ri forcave të rezistencës që strehohen në fabrikën e hekurit dhe çelikut, Azovstal, të ulin armët gjatë orëve në vazhdim. Por në një mesazh të publikuar në orët e para të së mërkurës, major Serhiy Volyna i batalionit Azov, tha se trupat e tij nuk do të dorëzoheshin, ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojnë 500 ushtarët e plagosur, dhe qindra gratë e fëmijët, që siç tha po fshihen bashkë me ta në bunkerët e impiantit.

“Kjo është deklarata jonë për botën. Mund të jetë e fundit. Mund të na kenë mbetur vetëm pak ditë, ose pak orë. Njësitë e armikut janë 10 herë më shumë sesa ne. Kanë epërsi në ajër, artileri, dhe njësitë që janë dislokuar në tokë, pajisje dhe tanke. U bëjmë thirrje liderëve botërorë të na ndihmojnë”, deklaroi Serhii Volyna, Komandant i Brigadës së 36 të Marinës.

Por ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë të refuzojnë ultimatumin për dorëzim, edhe pas raportimeve se Rusia ka vendosur të rrafshojë xhepin e fundit të rezistencës, Moska dhe Kievi u dakordësuan për një korridor humanitar për evakuimin e civilëve.

Ukraina shpreson të dërgojë 90 autobusë për evakuimin e 6000 grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Rreth 130 mijë qytetarë janë të bllokuar në qytetin e rrethuar ku prej 50 ditësh vuajnë mungesën e ushqimeve, ujit dhe ilaçeve.

Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkoi situatën në Mariupol si tejet të vështirë dhe tha se nëse Ukraina do të kishte qasje më të mirë ndaj armëve do t’i kishte dhënë fund luftës.

“Situata në Mariupol mbetet tejet e vështirë, pa asnjë ndryshim. Trupat ruse po bllokojnë përpjekjet për korridoret humanitare për të shpëtuar njerëzit tanë, dhe përpiqen t’i deportojnë apo edhe t’i mobilizojnë ata me forcat pushtuese. Fati i dhjetëra mijëra banorëve është i panjohur”, tha Zelensky.

Sakaq, forcat ruse vijojnë ofensivën e shkallës së gjerë në lindje të Ukrainës, në përpjekjen për të marrë kontrollin e plotë të rajoneve të Donetsk dhe Luhanks.

Inteligjenca britanike thotë se prania ushtarake ruse në rajon vazhdon të rritet dhe luftimet po intensifikohen. Në shënjestër të sulmeve në 24 orët e fundit janë vënë qytetet e Rubizhne dhe Sieviero Donetsk, në rajonin e Luhanks ku 130 trupa të plagosur u dërguan në spital. Shpërthime janë raportuar edhe në qytetin jugor të Mikolaiv.  / KultPlus.com

Mbi 20 mijë civilë të vrarë në qytetin Mariupol në Ukrainë

Kryetari i qytetit Mariupol ka deklaruar se shifrat e fundit flasin për më shumë se 20 mijë civilë të vrarë nga sulmet ruse që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.

Kryetari Vadym Boichenko ka thënë se është e pamundur të kalkulohet numri i saktë i të vrarëve shkaku i luftimeve në rrugë shkruan The Guardian.

Ndërkaq në qytetin Bucha aty ku ndodhi masakra më e madhe deri më tani e ushtrisë ruse, janë gjetur 403 trupa të civilëve të vrarë deri tash.

Mariupoli, që gjendet në juglindje të Ukrainës, është i rrethuar nga trupat ruse. Ky qytet është goditur më së keqi nga bombardimet dhe sulmet ajrore ruse.

Ukraina ka thënë se banorët që ende gjenden në qytet nuk kanë qasje në ujë, rrymë dhe nevoja të tjera bazike.

Rrethimin e qytetit të Mariupolit zyrtarët ukrainas e kanë quajtur krim lufte. Ky qytet është i një rëndësie të madhe për Rusinë, pasi nëse bie nën kontrollin rus, do të krijonte një urë tokësore midis Krimesë së aneksuar nga Moska dhe rajonit lindor ukrainas të Donbasit, pjesë të së cilit, që prej vitit 2014, kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia. / KultPlus.com