Përfundon beteja epike e Mariupolit, Ukraina humb qytetin

Forcat ukrainase kanë përfunduar “misionin e tyre luftarak” në qytetin e rrethuar të Mariupolit, sipas një deklarate nga ushtria e vendit, shkruan CNN.

Komandantët e njësive të vendosura në fabrikën e çelikut të qytetit Azovstal janë urdhëruar të shpëtojnë jetën e ushtarëve, thuhet gjithashtu në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Qindra ushtarë u evakuuan të hënën nga fabrika e çelikut, streha e fundit në një qytet që ishte bërë simbol i rezistencës ukrainase nën bombardimet e pamëshirshme ruse.

“53 ushtarë të plagosur rëndë u evakuuan nga Azovstal në një institucion mjekësor në Novoazovsk për kujdes mjekësor,” tha zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar,

“211 persona të tjerë u dërguan në Olenivka përmes korridorit humanitar”.

“Ukraina ka nevojë për heronjtë ukrainas të gjallë”, tha të hënën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një deklaratë për evakuimin, duke falënderuar ushtrinë dhe negociatorët ukrainas, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Kombet e Bashkuara.

Rreth 600 trupa mendohet të kenë qenë brenda fabrikës së çelikut.

“Dita e 82-të e mbrojtjes sonë po përfundon. Një ditë e vështirë. Por kjo ditë, si gjithë të tjerat, synon pikërisht shpëtimin e vendit dhe popullit tonë”, tha Zelensky.

Ministria ruse e Mbrojtjes kishte thënë më herët se ishte vendosur një armëpushim për të lejuar kalimin e ushtarakëve të plagosur ukrainas, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti./abcnews.al / KultPlus.com

Mbi 100 veta evakuohen nga Mariupoli

Mbi 100 persona janë evakuuar me sukses nga fabrika e çelikut Azovstal, në Mariupol të Ukrainës, konfirmoi Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sipas koordinatorit humanitar të OKB-së, Osnat Lubrani, shumica e të evakuuarve kanë arritur në qytetin Zaporizhja, ku po marrin ndihmë humanitare.

“Falë operacionit, 101 gra, burra, fëmijë dhe të moshuar kanë arritur të largohen më në fund nga bunkerët poshtë fabrikës Azovstal dhe të shohin dritën e Diellit pas dy muajsh”, tha Lubrani.

Qyteti port i Maripolit është i rrethuar nga forcat ruse, që kanë nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Vetëm zona përreth Azovstalit mbetet ende nën kontrollin e ukrainasve.

Qindra njerëz kanë qenë të bllokuar në bunkerët nën Azovstal tash e sa javë, me mungesa ushqimesh dhe uji.

Mbi 50 veta janë evakuuar të dielën, por së paku edhe disa dhjetëra besohet se mbeten ende në bunkerë.

Zëdhënësi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Saviano Abreu, tha të hënën se përpjekjet për t’i nxjerrë njerëzit nga Azovstali po bëhen në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në koordinim me zyrtarët ukrainas dhe rusë.

Fabrika e hekurit dhe çelikut Azovstal në Mariupol të Ukrainës.

Vendndodhja strategjike e Mariupolit – pranë Gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar në mënyrë jolegale nga Ukraina në vitin 2014 – e ka bërë atë objektiv të bombardimeve të furishme ruse.

Qyteti, me një popullsi prej rreth 400,000 banorësh para luftës, është shndërruar tani në gërmadhë./REL/ KultPlus.com

“Bota të na ndihmojë, na kanë mbetur pak orë”, thirrjet që forcat ukrainase po i bëjnë në Mariupol

“Na ndihmoni, na kanë mbetur vetëm pak orë kohë!” Është kjo thirrja e dëshpëruar që i bën botës, një prej komandantëve të forcave që po mbrojnë qytetin ukrainas të Mariupolit.

Rusia u ka dhënë një ultimatum të ri forcave të rezistencës që strehohen në fabrikën e hekurit dhe çelikut, Azovstal, të ulin armët gjatë orëve në vazhdim. Por në një mesazh të publikuar në orët e para të së mërkurës, major Serhiy Volyna i batalionit Azov, tha se trupat e tij nuk do të dorëzoheshin, ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojnë 500 ushtarët e plagosur, dhe qindra gratë e fëmijët, që siç tha po fshihen bashkë me ta në bunkerët e impiantit.

“Kjo është deklarata jonë për botën. Mund të jetë e fundit. Mund të na kenë mbetur vetëm pak ditë, ose pak orë. Njësitë e armikut janë 10 herë më shumë sesa ne. Kanë epërsi në ajër, artileri, dhe njësitë që janë dislokuar në tokë, pajisje dhe tanke. U bëjmë thirrje liderëve botërorë të na ndihmojnë”, deklaroi Serhii Volyna, Komandant i Brigadës së 36 të Marinës.

Por ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë të refuzojnë ultimatumin për dorëzim, edhe pas raportimeve se Rusia ka vendosur të rrafshojë xhepin e fundit të rezistencës, Moska dhe Kievi u dakordësuan për një korridor humanitar për evakuimin e civilëve.

Ukraina shpreson të dërgojë 90 autobusë për evakuimin e 6000 grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Rreth 130 mijë qytetarë janë të bllokuar në qytetin e rrethuar ku prej 50 ditësh vuajnë mungesën e ushqimeve, ujit dhe ilaçeve.

Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkoi situatën në Mariupol si tejet të vështirë dhe tha se nëse Ukraina do të kishte qasje më të mirë ndaj armëve do t’i kishte dhënë fund luftës.

“Situata në Mariupol mbetet tejet e vështirë, pa asnjë ndryshim. Trupat ruse po bllokojnë përpjekjet për korridoret humanitare për të shpëtuar njerëzit tanë, dhe përpiqen t’i deportojnë apo edhe t’i mobilizojnë ata me forcat pushtuese. Fati i dhjetëra mijëra banorëve është i panjohur”, tha Zelensky.

Sakaq, forcat ruse vijojnë ofensivën e shkallës së gjerë në lindje të Ukrainës, në përpjekjen për të marrë kontrollin e plotë të rajoneve të Donetsk dhe Luhanks.

Inteligjenca britanike thotë se prania ushtarake ruse në rajon vazhdon të rritet dhe luftimet po intensifikohen. Në shënjestër të sulmeve në 24 orët e fundit janë vënë qytetet e Rubizhne dhe Sieviero Donetsk, në rajonin e Luhanks ku 130 trupa të plagosur u dërguan në spital. Shpërthime janë raportuar edhe në qytetin jugor të Mikolaiv.  / KultPlus.com

Mariupoli: Si u shndërrua në varrezë një qytet i begatshëm

Kujdes: Përmbajtja mund të jetë shqetësuese për disa shikues! 

Qyteti-port i Mariupolit ishte vendbanim i 400,000 personave, para pushtimit nga Rusia. Ai është rrethuar nga trupat ruse dhe po bombardohet vazhdimisht qe më shumë se 50 ditë.

Qyteti është shndërruar në gërmadha, teksa Rusia pohon se tani e ka në kontroll gati të plotë.

Mijëra civilë besohet të jenë vrarë dhe dhjetëra mijëra të tjerë të kenë mbetur të ngujuar në qytet. /REL/ KultPlus.com