Milazim Krasniqi: Do të jetojmë ne dëshmia e tmerrit, më pak për veten, më shumë për ju

Vjollca Berisha është një qytetare e Suharekës, e cila i mbijetoj masakrës së marsit të vitit 1999 në këtë qytet. Nga vendi ku po vraheshin pesëdhjetë civilë shqiptarë, shumica e të cilëve gra e fëmijë, ajo shpëtoi duke kërcyer nga kamioni që po bartte pesëdhjetë kufomat e asaj masakre drejt Serbisë, ku autoritetet serbe i patën fshehur kufomat. Këtë e bëri bashkë me të birin Gramozin dhe kunatën Shyhreten, shkruan KultPlus.

Profesori universitar Milazim Krasniqi këtë përballje me vdekje të Vjollcës e ka kthyer në varg poetik, duke e sjellur për publikun një shkrim tejet të ndjeshëm, e që më shumë se emocion ka realitet përbrenda saj.

KultPlus ju sjell poezinë e Krasniqit me emrin ‘’Udhëtimi i Vjollca Berishës’’:

UDHËTIMI I VJOLLCA BERISHËS

Nuk e di ku jam, a është ky udhëtim

Gozhduar në këtë arkivol fluturues

Apo mos është ky një aterrim

Drejt thellësive të ferrit shkrumbues

Nuk di në jam në qiell a jam në tokë

Mes të vdekurve jam, po për besë

Ka të hedhur mbi mua, ka edhe pa kokë

I njoh edhe këta që janë në mes

Janë njerëzit e dashur, njerëzit e mi

Qenkan të pajetë, po të gjithë

Ç’na ka ndodhur, o Perëndi

Pse nuk arrij as të klith!?

Kush na ka shkulur si një rrënjë

E na ka bërë kufoma?

Po të pavarrosur pse na lënë?

Pse na shoqëron fadroma?

Oh e gjallë mes të vdekurish jam

Dhe nuk di nga t’ia mbaj

Ah, im bir, Gramozi, qenka gjallë

A ta gëzohem, a të qaj?

Ja, e mora në prehër, nga tmerri

Mezi e njoh, i tëri i gjakosur

Si ta nxjerr jashtë këtij ferri

Jashtë kësaj makine të xhindosur

Ndihmona, të lutem, o Zot

Tashmë vetëm Ty të kemi

Kërcyem si me flatra, jemi në tokë

Dhe të dytë gjallë jemi

Zbritëm nga makina e ferrit

Ecim përpara, pa e ditur për ku

Do të jetojmë ne dëshmia e tmerrit

Më pak për veten, më shumë për ju. / KultPlus.com

22 vjet nga masakra në Abri të Epërme, ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu

Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë ditë ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe, transmeton KultPlus. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.

Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. / KultPlus.com

19 vjet nga masakra e 243 personave në Krushë të Madhe

Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

19 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës, përcjell KosovaPress.

Në përkujtim të shënimit të kësaj date të dhimbshme do të mbahen homazhe dhe akademi përkujtimore, ku do të marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj./ KultPlus.com

Tmerri i Reçakut përmes fotografive, Woker e përshkruante si krim kundër njerizimit (FOTO)

Masakra e Reçakut njihet si një nga masakrat më të trishtueshme që njeh historia e luftës në Kosovë. Më 15 janar 1999, në fshatin e Shtimes, forcat serbe kryen një masakër të tmerrshme kundër banorëve të këtij fshati, duke mos kursyer as të moshuar, gra e fëmijë, shkruan KultPlus.

Sot 19 vite pas, ky fshat numëron 45 varre nga kjo masakër. Masakra e Reçakut ishte vetëm një prej shumë të tjerave që po kryheshin gjithandej në Kosovë nga forcat serbe.

Përmes kësaj masakre bota mori alarmin e fundit se duhej të ndërhyhej në Kosovë. Pas kësaj masakre u mobilizua edhe forca më e madhe ushtarake në botë – NATO, e cila rreth dy muaj më vonë nisi bombardimet kundër forcave serbe në Kosovë e në gjithë atë që quhej Jugosllavi. Kjo fushatë e bombardimeve nga ajri dhe lufta e UÇK-së nga toka rezultuan me tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe përfundimin e luftës në qershor të vitit 1999.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerizimit.

Woker pasi vizitojë fshatin u ngjitë lartë te Gropa e Bebushit dhe derisa po i afrohej luginës së ngushtë u tmerruar kur i pa kufomat e tre burrave të moshuar dhe në ato momente deklaroi: “Për nga pamja duket si ekzekutim. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve kanë vrarë këta njerëz, që mua me duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë, që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu..”

Më pastaj Woker vazhdoi rrugën drejt luginës së vdekjes, ku po qëndronin të shtrirë me duar të shtangur e trupa të sakatosur kufomat tjera të civilëve të ekzekutuar barbarisht.
“T´i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them”, pohoi Woker. Dhe, menjëherë në konferencën me gazetarë pa ngurrim ai deklaroi “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit…kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time…”. /KultPlus.com