“E pathëna fjalë”, kënga e Mira Konçit që dëgjohet edhe sot me nostalgji (VIDEO)

Mira Konçi, zëri i cili për shumë vite nuk i mungoi festivalit të RTSH-së, mbetet ndër këngëtaret më të dashura për publikun, shkruan KultPlus.

Talenti i Mira Konçit u zbulua në fundin e viteve ’80 nga kantautori Gjergj Leka. U organizua një koncert recital për prezantimin e saj në publik dhe u transmetua nga Radio Televizioni Shqiptar. Një mega-koncert, një mega-prezantim që bëri xhelozë këngëtarët më me zë të asaj kohe. Mira sillte një fryme të re në muzikën e atyre viteve që qante për ndryshim.

Pas këtij prezantimi, Mira Konçi u bë protagoniste absolute e festivaleve të viteve në vazhdim. Njohja me Shpëtim Saraçin, bëri që ata të dominonin skenën e muzikës shqiptare për vite me radhë duke sjellë këngë që këndohen edhe sot.

Pas martesës me Shpëtimin, Mira u largua nga muzika për t’iu dedikuar familjes së saj. Mira dhe Shpëtimi kanë dy fëmijë, Drini dhe Era. Aktualisht jetojnë ne SHBA.

Ndër këngët më të njohura të Mirës janë: “Ndoshta Ishte Dashuri” në bashkëpunim me Redon Makashin, “Miresi”, “Horizont”, “Rri Me Mua”, “Fatit i Besoj” e “Brenda Vetes Me Merr”.

Në nëntor të vitit 2002, Mira Konçi merr pjesë në Kënga Magjike me këngën “E pathëna fjalë”, kjo këngë mbetet ndër më të pëlqyerat për publikun e të cilën KultPlus po e rikthen sot për lexuesit. / KultPlus.com




Kur Edi Rama ndau çmime në “Këngën Magjike” (VIDEO/FOTO)

Edicionin e parë e nisi në vitin 1999. “Kënga Magjike”, një ndër festivalet më të mëdha të muzikës në trojet shqiptare, rriti shumë breza dhe popullarizoi shumë emra të këngëtarëve shqiptar të cilët tashmë po korrin suksese edhe ndërkombëtare.

Ky festival mirëpriti emra të shumtë si për të kënduar në atë skenë të madhe që sjellë emocion, ashtu edhe për të ndarë çmime. 2 çmime të dy edicioneve të ndryshme të “Kënga Magjike”, i ndau tashmë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Çmimin e parë të edicionit të parë të “Kënga Magjike”, e ndau kryeministri Rama, çmim ky që i takoi këngëtares Elsa Lila me këngën “Vetëm një fjalë”, shkruan KultPlus. Ndërsa çmimin e dytë kryeministri Edi Rama e ndau në vitin 2002, çmim ky që shkoi për Mira Koncin me këngë “E pathëna fjalë”.

Një çmim në vitin 2000 e pati ndarë edhe këngëtarja e madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, çmim ky që u takoi Irma dhe Eranda Libohova me këngën “Një mijë ëndrra”.

“Kënga Magjike” në vitin 2004 u pati mbajtur në Kosovës, në sallën 1 Tetori, ndërsa çmimin e parë e pati fituar Irma Libohova me këngën “Prapë tek ti do vijë”.

Sivjet ky festival festoi edicionin e 19-të, ku fituese doli të jetë Anxhela Peristeri me këngë “E çmendur”./ KultPlus.com