Nga dy kosovarë, vetëm njëri shkon në finalen e Festivalit të TVSH-së

Është mbajtur mbrëmë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë nata e dytë e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Festivali me një traditë dhe me kulturë brenda, edhe këtë vit ka sjellë emra të fuqishëm të artit e muzikës.

Mbrëmë, në natën e dytë, nga 22 këngët sa u futën në festival vetëm 14 u bënë publike si këngët finalist, të cilat këndojnë sonte për të synuar triumfin.

Në mesin e kësaj liste nuk gjendet këngëtari Mirud, nga Kosova. Eliza Hoxha, këngëtarja tjetër që vjen nga Kosova ka arritur të kualifikohet.

Mirud, me baladën “Nënë”, edhepse një prej këngëve favorite dhe më të pëlqyera, duket se nuk e ka marrë votën e duhur për tu future në finalen e sotme dhe në rrjetet sociale e në forumet e ndryshme njerëzit janë çuditur me këtë fakt.

Vlen të përmendet fakti se për këngëtarët nga Kosova, festivali i TVSH-së është e vetmja mundësi për të provuar pjesëmarrjen në Eurovizion pasi Kosova nuk mund të marrë pjesë në garën evropiane të muzikës, për shkak se RTK nuk është pjesë e Unionit të Transmetuesve Evropianë. Normalisht këtu hyn edhe politika dhe animet e ndryshme gjeografike.

Sonte në finale do të ngjiten 14-të këngë dhe kënga fituese do të shkojë në Eurovizionin e vitit tjetër në Izrael. / KultPlus.com

Mirud: Po shkruaja këngën kur mora lajmin, që asnjë fëmijë nuk dëshiron kurrë ta dëgjojë

Mirud prezantohet në Festivalin e Këngës në RTSH me këngën “Nënë”. Kjo këngë është shkruar katër vite më parë, përcjell KultPlus.

“Nuk e dija se ku do ta publikoja këngën, por arritëm ta kemi në këtë nivel me punën e palodhshme që kemi bërë së bashku me Elhaida Danin”, tregon Mirud për “Mirëmëngjes Shqipëri”. Në këtë debutim, këngëtari vjen me një krijim mjaft personal.

“Kjo këngë do të thotë vet bota për mua. Kam kaluar shumë kohë larg nënës sime pa folur ose pa e parë atë. Po merreshim me detajet e fundit të këngës kur mora lajmin, që asnjë fëmijë nuk dëshiron kurrë ta dëgjojë, nëna ime u diagnostikua me tumor në gji”, shpjegon 24 vjeçari.

Vargjet e shkruara nga vet Mirud janë një dedikim për nënën dhe shprehet i emocionuar që këtë pjesë të tij ta ndajë me publikun. “Pres me padurim ta këndoj këtë këngë për të gjithë ju.” Ndërsa gjen rastin të falenderojë Elhaidën, bashkautoren e këngës dhe stafin e festivalit për mundësinë për të prezantuar veten dhe artin e tij./KultPlus.com