Milanoviq i bën thirrje vendeve anëtare të BE-së: Thyeni dhe shkelni masat ndaj Kosovës

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka kërkuar sot nga shtetet anëtare të BE-së t’i thyejnë masat ndaj Kosovës që i ka ndërmarrë Komisioni Evropian.

Milanoviq i ftoi të gjithë të shkelin këto masa dhe të takohen me përfaqësuesit e Kosovës.

“Borrelli ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë ia ka dërguar një letër dhe i ka thënë se Kroacia nuk ka të drejtë të caktuar dhe kur e shkruan një fëmijë është një gjë, kur e shkruan Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Europian është një gjë tjetër dhe aty ka theksuar një sërë pasaktësish dhe të gënjeshtrave të pranuara, të cilat i thonë Kroacisë se nuk ka të drejta të caktuara, por ka të drejtë. Pra më sheh në sy dhe më gënjen. A duhet të hesht për këto gjëra? Pasi ekzistojnë masa të caktuara të Komisionit Europian dhe nuk guxojmë të flasim për komplotet e tyre dhe për veprimet e tyre të padrejta. Ata të cilët nuk kanë dëgjuar për faktin që Komisioni Europian ka masa ndaj Kosovës, i ftoj të gjithë që thyejnë këto masa, të shkelin këto masa dhe të takohen me përfaqësuesit e Kosovës dhe që t’i përsërisin këto”, tha ai.

Presidenti kroat në konferencën e përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha se është kundër sanksioneve që janë ndërmarrë ndaj Kosovës.

Sipas tij ato s’kanë asnjë rezultat, dhe sipas tij nuk mund të pritet objektivitet nga Borrelli, një spanoll, që siç tha ai “nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, nga dikush që është spanjoll e që drejton politikën evropiane kundër Kosovës”.

“Natyrisht, Kosova është nën sanksione, nën sanksione të Komisionit Evropian dhe i ftoj ata që t’i bojkotojnë ato. Dhe keto janë disa prej masave të cilat i ka ndërmarrë Komisioni Evropian nga z.Borrell i cili shpresoj së shpejti shkon në pension dhe si të them t’i ndalojnë, pra nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por nga Komisioni, nga Borrelli, ekipi i tij të cilat na ndalojnë dhe kërcënojnë të gjithë ne që të takohemi në disa nivele të caktuara me disa përfaqësues të Kosovës”./ isnajderi/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte

Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në Kroaci, e cila ka realizuar takim me presidentin kroat Milanovic, shkruan KultPlus.

Pas takimit me të parin e shtetit kroat, presidentja Osmani është shprehur të jetë falënderuese për mbështetjen e shtetit kroat që ka për Kosovën, duke përfshirë edhe mbështetjen e fundit të Kosovës, përgjatë ballafaqimit me pasojat e agresionit të Serbisë.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e presidentes.

Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte.

Jemi me fat që kemi një aleat të tillë në krah, që na qëndron pranë në kohë të mira e në kohë të vështira. Kjo përkrahje po dëshmohet edhe këto ditë teksa Kosova po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë.

President Milanović, faleminderit për mikpritjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës! 🇽🇰🇭🇷./ KultPlus.com

Shukrie Ramadani: Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

Ardianë Pajaziti

Shukrie Ramadani kishte hyrë në klasë të parë shumë e vogël, më e vogla prej moshatarëve të saj. Nuk i kishte mbushë as gjashtë vjet kur ishte ulë në bankën e shkollës së fshatit të lindjes në Zhegër të Gjilanit, dhe këtë nguti për tu regjistruar në shkollë ajo e sheh edhe si një sinjal tjetër, të takohej që nga fëmijëria me shokun e saj të klasës, shokun e jetës, bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve të saj, Agim Ramadanin, e cila nuk e kujton asnjërin prej takimeve si takimin e parë, sepse sipas saj e gjithë jeta e saj ishte Agim.

Si dy rivalët më të këqij që ishin përgjatë shkollimit, dhe në të njëjtën kohë edhe miqtë më të mirë, jetën e Shukrie dhe Agim Ramadanit do ta perceptonin vetëm bashkëkohanikët, pasi që, nëse do ta dëgjoje si rrëfim, më shumë i ngjanë legjendave se sa vetë jetës.

Ata jetuan shpejt, aq shpejt sa për të lënë gjurmë në lirinë e Kosovës, gjurmë që kishin nisë që nga organizimet ilegale, protestave të vitit 81, arrestimit të Shukrisë, ballafaqimin me luftën e Kroacisë, jetën në Zvicër, luftën e Kosovës e deri të Rrasa e Zogut. Rrasa e Zogut është vend që pothuajse ka pushuar edhe zemra e Shukrisë, se mu në këtë vend, më 11 prill të vitit 1999 kishte rënë Agim Ramadani, i cili edhe sot vazhdon të jeton në kujtimet e Shukrisë, sikurse që jeton edhe në Agimin e vogël, nipin e Agim e Shukrie Ramadanit, e cila Shukria e quan edhe si rinkarnim i Agimit.

Ajo sot është 58 vjeçe, dhe nëse ke fatin të dëgjosh rrëfimin e saj, e sheh që nëse flet për Agimin, emri i tij është dashuri,  forcë, dhimbje dhe krenari për të.

Por nëse flet me etapa, është e çuditshme që se sytë i xixëllojnë kur flet për fëmijërinë, dhe po për atë fëmijëri që brenda saj ka edhe Agimin. Një ngazëllim i tillë zgjatë deri te vitet e 80-ta, pastaj, duket se të dy janë të destinuar për punë të mëdha dhe fillon e rëndohet biseda. E edhe më e rëndë bëhet kur flitet për luftërat, atë të Kroacisë e Kosovës, por kur arrijmë te pjesa e luftës së Kosovës, ngazëllimi i mëhershëm i Shukrisë merr tjetër formë, ngufatet nga vaji e nga lotët, e cila me dhimbje, me shumë dhimbje flet për momentin kur kupton se ka rënë Agimi, për momentin se tenton që ta zhvarrosë kufomën e tij e deri te pendimi i rëndë, që edhe sot nuk e lë rehat se pse nuk e bëri atë veprim, zhvarrimin, pikërisht në Koshare, vendi që prehet Agim Ramadani, e që edhe për Shukrinë mbetet vendi më qetësues karshi Zhegrës, Kroacisë e Zvicrës, vende ku ka ndarë pjesët më të bukura, më sfiduese dhe më kërkuese me Agim Ramadanin. 

Agimin e kisha rivalin më të madh në klasë

Shukria e cila me Agimin ishte në të njëjtën klasë, që nga klasa e parë, kujton për lexuesit e KultPlus se atë e kishte rivalin më të madh në klasë, por në të njëjtën kohë e kishte edhe mikun më të mirë.

“Unë isha më e mira në gjuhë shqipe, e ai në matematikë, dhe pikërisht se bënim gara me njëri tjetrin, mund të them se sa e kemi dashur njëri tjetrin, po aq e kemi urryer”, kujton Shukria kujtimet e para me Agimin, e cila tregon se në shkollë kishte hyrë pak para se të mbushte gjashtë vjet, e Agimi kishte hyrë si shtatë vjeçar.

Duke qenë shokë klase, duke marr pjesë në shumë aktivitete kulturore, sportive e aktivitete të tjera shkollore, Shukria thotë se nuk mban mend ndonjë takim të parë, apo të dytë, sepse krejt jeta e saj sillet rreth Agimit. “Jam rritë me të, çdo kujtim i imi i fëmijërisë lidhet me të”, ka thënë Shukria, e cila kujton se edhe kur ishin diku rreth moshës 12/13 vjet, ata të dy patën luajtur në shfaqjen “Halili dhe Hajria” dhe Shukria kujton se si Agimi skuqej në skenë kur ishte pjesa e shprehjes së dashurisë ndaj Shukrisë, në këtë rast që luante personazhin e Hajrisë.

Ndarjen si opsion nuk e panë as në shkollë të mesme në Gjilan, edhe atje vazhduan në të njëjtën klasë, por tashmë me një miqësi më të ngushtë, miqësi më me vizion dhe me aktivitete më të ndjeshme, pasi që, sipas Shukrisë, të dy u bënë pjesë e ilegales.

“Përderisa ishim në vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe ishim aktiv në ilegale, ne në të njëjtën kohë patëm menduar që të shkonim bashkë në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Më shumë ishte qëllimi që mos të ndaheshim, edhe pse, në atë kohë ende nuk ishim të dashur, akoma vazhdonim të ishim miq të ngushtë e të mirë”, tregon Shukria, por që planet që kishin menduar për të ardhmen duket se nuk kishin shkuar në favor të tyre.

Kishin shpërthyer demonstratat e vitit 81, dhe Shukria ishte pjesë e organizimit të këtyre demonstratave. Sipas saj, ajo ra në duar të policisë.”Disa kushërinj kisha të punësuar në policinë e atëhershme, por edhe në pozita të tjera institucionale. Në fakt, me këtë arrestim, unë isha rrebeli i familjes që po ua merrja ftyrën. Gjatë marrjes në pyetje unë nuk mohova asgjë, po duke pas rreth familjar nëpër këto isntitucione, ata ndryshuan deklaratën zyrtare dhe më nxorën të nesërmen nga aty. Por e keqja ishte se përgjatë marrjes në pyetje më kishte rrahur një polic aq shumë, sa që ma kishte thyer krahun”, tregon Shukria.

Më burgosën në vitin 1981, për këtë fakt më ndaluan shkollimin në Akademinë Ushtarake në Zagreb

Por pasoja më e madhe e këtyre zhvillimeve ishte se Shukrisë me këtë pjesëmarrje në këto demonstrata i ishte ndaluar vijimi i Akademisë Ushtarake në Zagreb dhe këmbanat e ndarjes ishin më afër se kurrë. Por Shukria tregon se fillimisht Agimi kishte shkruar për të përfunduar shërbimin ushtarak,  kurse Shukria kishte ngel në Gjilan për të vijuar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan, pasi që edhe në Universitetin e Prishtinës i ishte mohuar vijimi i studimeve.

“Në një formë ishte ndarja fizike me Agimin, po ajo ndarje ishte edhe periudha vendimtare që të ofrohemi edhe më shumë me njëri tjetrin. Në letrën e parë që ma kishte dërguar Agimi, përpos asaj që më kishte treguar se si po kalon në shërbimin ushtarak e detaje të tjera, krejt në fund të letrës më kishte shkruar “Përjetësisht, Agimi”, tregon Shukria, e cila më tej shpjegon se mu kjo letër fillimisht i kishte rënë babait të saj në dorë, shkas që iu bë me dije edhe njëherë se ata nuk dëshirojnë që vajza e tyre të lidhet me atë djalë.

“Atë letër e kam edhe sot”, tregon Shukria, e cila më pas ofrohet te një moment më delikat, atëherë kur edhe kishin shkëmbyer puthjen e parë.

“Agimi ishte në shërbim ushtarak, dhe momenti për të shkuar në Akademi Ushtarake po ofrohej, dhe mundësia ishte që të bënte kalimin prej ushtrisë e drejt në Akademi. Po para se të bënte këtë kalimin ai mori pushim tri ditë, dhe brenda kësaj periudhe ndodhi lidhja e jonë. Agimi ishte 19-të vjeç e unë 18-të. Kur e pashë e ndjeja se zemra donte të më dilte prej vendit, nuk ishte ai Agim që njihja, ishte më i rritur, më i fuqishëm, më burrëror, kishte marr komplet një nur tjetër”, tregon Shukria, e cila këtë distancë më të vonshme sa ishte në Akademinë Ushtarake e tregon pak më të afërt, pasi që edhe letrat kishin marr një dimension tjetër, të cilat forconin çdo ditë e më shumë lidhjen e tyre.

“Kemi shkëmbyer mbi 100 letra, se Agimi qëndroi atje për pesë vjet. Për fat të keq shumica më janë djeg, letrat që i kam pas në Kosovë më janë djegë si pasojë e luftës, kurse një pjesë të letrave që i kam pas në Zvicër i kam edhe sot. Ka pas një shkrim të jashtëzakonshëm Agimi. Zakonisht në letra më ka dërguar edhe vizatime, apo pjesë të poezive. Letrat e Agimit mund ti lexosh lirisht para çdo fëmije, pa u turpëruar, kanë qenë poezi në vete, ka qenë një poet i papërshkrueshëm. Është çudi se si një njeri të brumosen kaq shumë gjëra, kaq shumë njohuri, kaq shumë dashuri, ai ka qenë i dashuruar në jetën. Unë kam qenë e kundërta, nganjëherë them se kemi qenë si ajo shenja kineze, e bardha dhe e zeza, ndoshta kjo ka bërë që në dy të tërhiqemi kaq shumë ndaj njëri tjetrit. Se unë s’kam qenë tip pozitiv, jo e vrullshme për jetën dhe ai më ka mësuar ta shoh bukurinë e jetës”, ka thënë Shukria.

Dhe përderisa Agimi vazhdonte në Akademinë Ushtarake në Zagreb, Shukria i kishte njoftuar familjarët e saj se lidhja me Agimin kishte marr hov, por ata nuk i kishin dhënë leje. Vazhdonin të kundërshtonin këtë lidhje, tashmë duke i dhënë edhe një arsye, se duke qenë Agimi oficer ushtarak, nuk dëshironin që vajza e tyre të jetonte larg familjes.

Agimi erdhi për tre ditë nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, kishte ardh me një qëllim, të merrte dorën time dhe të kthehej

Ndërkohë, krahu që ia kishin thyer nga rrahjet në demonstratat e vitit 81, Shukrisë vazhdonte ti sillte telashe, dhe me patjetër duhej ti bënte një intervenim në spitalin e Shkupit.

“Agimi e kishte kuptuar për operacion dhe kishte ardhë pa lejen e lëshuar nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, me qëllim që të takohej shpejt e shpejt me babain tim. I kishte dalë në udhë dhe i kishte hyrë në makinë.  I ka kërkuar dorën time, babai im e kishte kundërshtuar duke i thënë ‘Se nuk e pranonte këtë lidhje’. Po Agimi, duke qenë edhe me uniformë ushtarake, kishte nxjerrë revolen dhe e kishte lënë në makinë të babës. ‘Ose ma jep dorën e Shukrisë ose më qëllo’, i kishte thënë Agimi babait tim. Babai im kishte lëshuar pe, dhe mu aty ia kishte dhënë dorën time”, tregon Shukria, e cila kishte mësuar për fejesën e saj gjatë qëndrimit të saj në spital, e cila shpjegon se kurrë se kishte menduar se një ditë do të mund të arrinin në këtë pikë, duke pas parasysh se sa shumë e kish kundërshtuar këtë lidhje familja e saj.

Duke qenë një çift që kishte jetuar shumë shpejt, edhe martesën e kishin bërë po aq shpejt. Të dy kishin vendosur se e diela e parë pas betimit të Agimit si oficer, do të duhej të ishte e diel e kurorëzimit të martesës së tyre. Dhe Shukria tregon se Agimi kishte dhënë betimin të enjten, ceremoni në të cilën kishte shkuar edhe Shukria, kurse të dielën ishin martuar, pa marr parasysh udhëtimin e gjatë të asaj kohe deri në Zagreb,  udhëtim që i kishte dërmuar të dy, por në të njëjtën kohë edhe i kishte lumturuar, sepse po fillonin një etapë të re.

Më pas, Kroacia ishte bërë strofulla e këtij çifti, të cilët përgjatë qëndrimit të tyre për pesë vjet, iu kishin lindur dy djem, dhe gjithçka dukej se po shkonte mirë, dhe përderisa Shukria kishte përfunduar edhe shkollimin për edukatore, tashmë në gjuhën kroate, lufta kishte shpërthyer në Slloveni, më pas edhe në Kroaci, situatë që filloi të shkundë edhe familjen Ramadani.

“Isha e re dhe atëherë, në ish Jugosllavi, ndërtesat e oficerëve ishin të ndara nga ndërtesat e tjera. Dhe mbaj në mend se ajo ndërtesë ku jetoja pat mbet vetëm ndërtesë me gra dhe fëmijë, pasi që asnjëra prej neve nuk e dinim se ku i kishim burrat. Agimi më shumë ishte në mision se sa ishte afër neve. Andaj, vendosa të kthehem në Kosovë, përderisa Agimi qëndroi edhe më tej në Kroaci, sepse kishte për qëllim që të shpëtonte shumë djem shqiptarë të cilët ishin në mision ushtarak në armatën jugosllave. Po para se të vija në Kosovë, Agimi ma pat treguar një kod, që nëse më thërret në telefon dhe më thotë se do të shkojmë në Kërçovë, unë duhet të marr sinjalin se unë duhet të bëhesha gati bashkë me fëmijët dhe të lëshonim Kosovën”, thotë Shukria. 

Duke kujtuar këtë vendim të vështirë, që e dinin se po lëshonin Kosovën po nuk e dinin kthimin, ajo kujton se këtë kod e mori për Vit të Ri, dhe ajo bashkë me Agimin dhe dy djemtë e tyre fluturuan prej aeroportit të Shkupit.

“Ende i kam të freskëta emocionet e atij fluturimi. Deri në aeroport, Agimi ishte me uniformë ushtarake, pak para se të niseshim shkoi dhe hoqi uniformën dhe veshi atë civilen, po deri sa kemi arrit në Zvicër unë kisha frikë se do ta arrestojnë, sepse ai sapo kishte dezertuar prej ushtrisë së Jugosllavisë së atëhershme”, thotë Shukria.

Dhe tashmë jeta e tyre ishte më e sigurt kur kemi parasysh luftën, por jo jeta më e mirë e mundshme që mund të të ofrojë perëndimi, pasi që për disa muaj familja Ramadani bashkë me shumë familje të tjera refugjate ishin vendosë në një bunker, që sipas Shukrisë detyroheshin të dilnin në diell që të merrnin rreze dielli, sepse ishte jashtë mase ftohtë brenda bunkerit. Pasojat e qëndrimit në këtë bunker, ishin pasoja të rënda për Shukrinë, pasi shëndeti iu rëndua dhe ishte detyruar të shtrihej në spital.

Kamp pas kampi, e shtëpi pas shtëpie, më në fund ishin vendosë në një shtëpi që plotësonte nevojat e familjes Ramadani në Zurich të Zvicrës, ku edhe filluan një jetë më të rregullt, ku Shukria vazhdoi punën si mësuese e gjuhës shqipe, kurse Agimi përpos punëve të ndryshme, ai ishte përgjegjës edhe për aktivitetet kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër, sikurse që merrej në të njëjtën kohë me poezi dhe pikturë.

Në shikim të parë dukej se jeta e tyre po stabilizohej, duke përfshirë se familja e tyre ishte rritë edhe me lindjen e një vajze, por situata ‘poshtë’, ashtu sikurse i referoheshin mërgimtarët Kosovës nuk ishte në ditët më të mira.

Shukria tregon se tashmë oficerët shqiptarë që ishin mërgimtarë në diasporë kishin filluar ti shpeshtonin takimet dhe të shqyrtonin mundësinë e rikthimit të tyre në atdhe, për të mbrojtur vendin e tyre.

Vendimi i Agim Ramadanit për të shkuar në luftën e Kosovës, ishte vendim që shqetësoi edhe fëmijët. Shukria kujton se vajza e tyre ishte vetëm tri vjeçe, dhe edhe pse nuk i kishin treguar se po shkonte në Kosovë, trupi i saj e kishte ndjerë këtë fakt, dhe sipas saj, temperatura i kishte shkuar në 40 gradë. “U pat detyruar Agimi që udhëtimin ta shtyjë për një natë, me rekomandim të mjekut. Më pas iu thamë fëmijëve se babai po shkon me punë në Francë, dhe kështu i qetësuam ujërat”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë asaj periudhe kishin edhe probleme financiare, sepse kishin mbet vetëm me pagën e Shukrisë si mësuese.

Agimi la Zvicrën për luftën e Kosovës, shkoi edhe me një parullë, se nuk i takon asnjë partie politike

“Agimi ka shkuar në luftë me një dëshirë, duke treguar gjithnjë se nuk është anëtarë i asnjë partie dhe se shkon për të luftuar për vendin e tij.  Për Agimin ka qenë esenciale se oficeri dhe mësuesi nuk guxojnë kurrë ti takojnë një partie. Ai këto dy profesione i ka vlerësuar si profesione që janë në shërbim të popullit”, ka thënë Shukria. 

Udhëtimi për luftë i Agim Ramadanit nuk paraqiti ndonjë problem për Shukrinë, problemi më i madh për të ishte se si nuk kishte mundësi që të shkonte edhe ajo për të luftuar bashkë me të, po pasi që ishte nënë e tre fëmijëve, ata ndanë rolet, njëri në luftë e tjetri kujdesin për fëmijët.

Pas asaj ndarje, Shukria kujton se me Agimin ishte takuar pas nëntë muajve, atëherë kur ishte kthyer Agimi në Zvicër për të mbledhë fondet për blerjen e armëve, dhe më pas ishte edhe një takim tjetër në Shqipëri, ku Shukria shkoi të takojë Agimin pas rënies së Junikut, dhe Agim Ramadani kishte udhëheqë kolonën shqiptare për në Shqipëri.

Shukria e përshkruan Agimin si një njeri që nuk e njihte. “I kishte mbet veç shpirti, një njeri që ishte i mbështjellë vetëm me lëkurë. Por kishte shpirtin aq të fortë, aq të fortë e aq pozitiv sa më dha shumë shpresa që liria nuk është larg”, rrëfen Shukria, e cila e vuan edhe më faktin që Agimi dhe shokët e tij nuk e lejuan që ti bashkohej në luftë, edhe pse shumë e dëshironte.

“Më detyroi të kthehesha për Zvicër pas tri ditëve, ishte shumë situatë e vështirë”, tregon Shukria për jetën me shumë sakrifica me Agim Ramadanin, i njohur nga të gjithë me nofkën “Katana”.

Por vizita e fundit dhe takimi i fundit me Agimin ishte në vitin 1998, kur Agimi kishte shkuar sërish në Zvicër, por tashti i shoqëruar edhe nga Sali Ceku.

Shukria tregon se këtë herë e kishte parë më se paku, sepse shtëpia e saj ishte e mbushur me mysafirë dhe nuk kishte pas rast të bisedonte shumë me të.

“Përpos disa gjërave që mi ka treguar, e më mirë është që mos ti dija”, thotë Shukria, që edhe kësaj here nuk shpalosë më shumë se çfarë i kishte treguar Agim Ramadani me atë vizitë.

Përderisa Shukria vazhdonte të jetonte në Zvicër bashkë me fëmijët e saj, Agim Ramadani vazhdonte të luftonte në Kosovë, e për momentin e bombardimeve të NATO-s, Shukria tregon se si e kishte thirrë Agimi në telefon, në mënyrë që ti dëgjonte bombardimet edhe Shukria në Zvicër.

“Kur sulmoi për herë të parë NATO, më thirri Agimi në telefon. ‘E dëgjon’, më tha, ‘Kjo është zhurma e lirisë, e dëgjon si ushton liria’, më tha Agimi në telefon, dhe mbaj në mend që i pata thënë ‘Çfarë zhurme paska liria, qenka e çuditshme”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë qëndrimit të Agimit atje, ata janë dëgjuar pothuajse në çdo të tretën ditë.

Përderisa vjen te momenti që është edhe momenti më i vështirë në jetën e Shukrisë, sikur lëvizë vend dhe sikur mbledhë forcat për të treguar edhe këtë pjesë të jetës së saj, jetë me shumë copëza, shumë dhimbje por jetë e mbushur me shumë dashuri.

Atë ditë që kishte rënë Agimi unë pata një ngushti që ma shtrëngonte shpirtin

Shukria tregon se ishte e ftuar në drekë te një familje shqiptare në Zvicër, por edhe pse ishte momenti kur po shtrohej tryeza e drekës, Shukria mban në mend se ishte ngritur në këmbë me kërkesën e saj për tu kthyer në shtëpi.

“Një ngushti aq shumë ma shtrëngoi shpirtin, sa nuk më zinte vend vend. Sikur që thonë te ne, toka peshë më qojke”, tregon Shukria, e cila edhe telefonin me të cilin komunikonte me Agimin e kishte harruar në banesë. “Kam shkuar shpejt e shpejt në banesë dhe kam thirrë në telefon, mu lajmërua Agron Isufi, e pyeta për Agimin po ai më tha se është në front. I thashë që ti thotë Agimit të ruhet, sepse kam një ndjenjë të keqe”, kujton ato momente Shukria, e cila më pas shpjegon se pas një ore sërish thirri, po prap i thanë të njëjtën përgjigje se nuk mund të fliste se ishte në front. Shukria tregon se atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy, dhe herën e fundit që kishte fole me Agimin ishte 9 prilli.

Të nesërmen e asaj dite, ajo tregon se në banesën e saj kishte ardhur Kimete Gashi, ish gruaja e Xhafer Gashit dhe e zverdhur në fytyrë i kishte thënë se duhet të shkonin në Shqipëri, që ti vizitojnë burrat.

“Mbaj në mend se më tha se kishte dëgjuar se Agimin e kanë plagosur, në fakt ajo me të vërtetë ishte veç me atë informatë. Po unë e di se përjetova diçka të tmerrshme në brendinë time, se e dija se nëse do të ishte i plagosur Agimi, ai do të më merrte në telefon, dhe jo këtë lajm ta merrja vesh prej Kimetes”, tregon Shukria.

Ndërkohë, Shukria tregon se para se të nisej për Shqipëri me vëllain e Agimit dhe disa shokë të tij, ajo kishte biseduar me djalin e saj, në atë kohë nëntë vjeç dhe i kishte thënë se edhe nëse ka ndodhë diçka me babin, babi bëhet hero, dhe ku ka gjë më të mirë se të bëhet hero. “Djali vetëm më dëgjonte dhe në fund më tha ‘Mam, nuk dua që babi të bëhet hero, unë dua që babi të kthehet në shtëpi”, tregon Shukria e cila shpjegon se vetëm ajo e di se si e ka përmbledhë vetën para fëmijëve dhe si nuk ka qarë para tyre, vetëm që ti ruaj ata nga dhimbja.

Shukria fillimisht kishte shkuar në Bajram Curr, dhe aty ishte vendosur me një shtëpi, pasi i thanë se kanë shumë rrugë për të bërë deri në Koshare.

“Isha e hutuar, fëmijët i kisha në Zvicër, unë isha në Bajram Curr, ndërkohë më thoshin se burrin e kisha të plagosur në Koshare. Por goditjen më të madhe e mora nga vëllai i shokut të Agimit. Ai mu drejtua dhe ma dha lajmin. Lajmin se Agimi kishte rënë. Nuk di si e kam pranuar atë lajm, veç e di se në një tavolinë aty afër ka qenë një gazetë me fjalëkryq, jam ulë dhe me një shpejtësi marramendëse e kam plotësu fjalëkryqin. Desha të sprovoj vetën se a jam mirë me mendje. Atë natë nuk kam vënë gjumë në sy, dhe ashtu e dërmuar me mëngjes jemi nisë në Koshare”, tregon Shukria, e cila në trajektin që po udhëtonin nga liqeni i Komanit, bashkë me ta kishin rastisë edhe disa gazetarë të huaj, gazetarë që me një farë forme penguan të realizonte Shukria një plan që e kishte brenda. Ajo kishte planifikuar që ta hapte varrin, ta zhvarroste Agimin, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bindej se ishte po Agimi i saj. Por të gjithë shqiptarët që po e rrethonin Shukrinë e lutën që mos ta bënte këtë gjest pata gazetarëve të huaj, sepse do të shndërrohej në lajm botëror.  

Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

“Të them të drejtën shumë jam penduar që nuk e kam hapë varrin, kurrë nuk jam bind që ka vdekë Agimi”, thotë krejt në lot Shukria, e cila pas vizitës në ato varreza, asaj i ishin dorëzuar edhe gjërat personale të Agimit, sikurse që kishin dashur t’ia jepnin revolen dhe kallashin. “Armët nuk i pranova, iu thash që këto armë duhet të përdoren deri sa të largohet këmba e fundit e serbit”, tregon Shukria, e cila thotë që edhe pse ka përfunduar lufta, ato armë më nuk i kanë rënë në dorë, edhe pse do të dëshironte shumë që ti kishte në gjërat personale të Agimit, duke përfshirë ditarin e Agimit, ditar që sipas Shukrisë pa ndihmën e shokëve të tij nuk ka mundësi ta c’kodojë, sikurse që i ka dhënë vetës detyrë që të bëj Muzeun e Agimit, film për Agimin, ribotimin e librit “Si e njoha Agim Ramadanin”, që është shkruar nga Ibrahim Kadriu dhe një ekspozitë.  

Sot 58 vjeçe, e që e ve është që nga mosha 32 vjeçe, ajo edhe sot prehjen më të madhe e gjen në Koshare, pavarësisht shumë vendeve që kishte jetuar me Agimin, po sikurse që ka për zemër edhe Zvicrën, pasi që është vendi ku më së gjati ka jetuar me Agimin. “Ndoshta kjo është edhe arsyeja që u ktheva në Zvicër”, thotë Shukria e cila tash punon si diplomate në Ambasadën e Kosovës në Zvicër.

Ajo tash është e rrethuar me fëmijët e saj, dhe me nipat e mbesat e saj, po më të preferuarin e ka Agimin e vogël, që sipas saj shpesh i duket që Agimi i saj është rinkarnuar në Agimin e vogël. Shukria që jeton me shumë kujtime për Katanën, ka edhe një detaj tjetër që Agimin ia ringjallë. Shumë shpesh ndodhë që ti kthehen pikturat e Agimit nga blerësit e mëhershëm, të cilët vlerësojnë se këto piktura më mirë është që ti takojnë familjes se sa blerësve. “Është edhe dhimbje po edhe ringjallje, që kohë pas kohe më kthehet diçka e Agimit”, tregon Shukria duke treguar edhe një detaj, se pikturat e Agimit që i posedon edhe sot, për çudi shumica e tyre kanë pamjen e Rrasës së Zogut, Rrasë që prehë heroin e Kosovës, Agim Ramadanin./ KultPlus.com

Kroaci, mbahet koncerti i fëmijëve shqiptarë e ukrainas

Bëhet e ditur se fëmijët shqiptarë e ukrainas festuan së bashku në Zagreb festën e 1 qershorit. Me këtë rast u mbajt koncerti i muzikantëve të vegjël shqiptarë e ukrainas në sallën e Shkollës së Muzikës “Elly Bašić”.

Përveç muzikantëve, morën pjesë edhe nxënësit që mësojnë shqip në shkollat tetëvjeçare të qytetit dhe prefekturës së Zagrebit dhe të qytetit të Gjakovës. Koncertin e ndoqën drejtuesja e Sektorit për Arsimin pranë Bashkisë së Zagrebit, Martina Glasnović, përfaqësuesit e ambasadave shqiptare në Zagreb, Xhevdet Sopaj dhe Alma Kasa, komuniteti ukrainas dhe shqiptar i Zagrebit, kroatë, përfaqësues të shoqatave shqiptare e ukrainase, të medjave, prindër e fëmijë.

Programin e përgatitën profesor Xhevdet Sahatxhija, mësueset Melita Orešković e Pranvera Shabani dhe Emil Bobrak.

Koncerti u organizua nga Shoqata Teatrore në Kroaci “Mërgimtari”, Bashkësia Ukrainase e Zagrebit dhe Këshilli i Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë me mbështetjen e Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë.

Ditën Ndërkombëtare fëmijët e Zagrebit e festuan me program artistik duke kërkuar ndalimin e luftës në Ukrainë, ndalimin e dhunës ndaj fëmijëve, jetë të lumtur dhe një botë të bukur plot dashuri./ KultPlus.com

Osmani falënderon Milanoviqin për propozimin që Kosova të jetë kandidat për anëtarësim në BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar presidentin kroat Zoran Milanoviq, për propozimin që ky i fundit ka bërë rreth Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësin në Bashkimin Evropian, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Osmani ka falënderuar Milanoviq duke thënë se Kroacia është një vend kampion në përkushtimin e saj për anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha vendet anëtare dhe institucionet e BE-së për të përshpejtuar zbatimin e reformave në rrugën tonë të anëtarësimit”, ka shkruar Osmani.

Zoran Milanoviq i ka dhënë gjithë mbështetjen e tij kandidaturës së Ukrainës për të hyrë në Bashkimin Evropian, por gjithashtu pati edhe propozimin tjetër që përfshin statusin e kandidatit për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën si dhe fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. /KultPlus.com

Osmani e lumtur për takimin me Milanovic: Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e Kroacisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur kënaqësi ta mirëpres presidentin e Republikës së Kroacisë Zoran Milanovic, shkruan KultPlus.

Osmani u shpreh shumë e lumtur për miqësinë e krijuar me popullin kroatë dhe shpreson që mbështetja e Kroacisë për Kosovën të vazhdojë vazhdimisht.

“Dy popujt tanë ishin aty për njëri-tjetrin në ditë të vështira dhe kjo traditë e bashkëpunimit dhe e komunikimit të sinqertë kultivohet sot e kësaj dite ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve në të dy shtetet. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në përpjekjet tona për fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar. Sot u konfirmua se bashkëpunimi në këtë drejtim si dhe përkrahja për rrugën euro-atlantike të Kosovës do të vazhdojë edhe mëtutje”, shkroi ajo në “Facebook”. /KultPlus.com

May be an image of 6 people and people standing
May be an image of 3 people and people standing

Kryeministri Kurti i shkruan letër Plenkovićit: Kosova s’do ta harrojë kurrë aktin e humanizmit të Kroacisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar letër falënderimi kryeministrit të Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, nëpërmjet së cilës ia ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën që shteti dhe institucionet shëndetësore kroate ua ofruan bashkatdhetarëve tanë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë, thuhet në njoftimin e kryeministrisë të publikuar në uebfaqen zyrtare.

Kryeministri Kurti ka thënë se reagimi i shpejtë i autoriteteve kroate për t’u ofruar trajtim mjekësor të lënduarve dhe strehim udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat më të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

Angazhimi juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona, ka shkruar në letër kryeministri Kurti.

Ai e ka siguruar kryeministrin e Kroacisë se populli dhe Qeveria e Kosovës nuk do ta harrojë kurrë aktin e tij të humanizmit e solidaritetit dhe se Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Plenković.

Falënderimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Shumë i nderuari Kryeministër Plenković,
Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, dhe në emrin tim personal, pranoni falënderimet më të përzemërta për ndihmën që na e ofruat në një situatë të rëndë për vendin tonë.

Reagimi Juaj i shpejtë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë tanë, trajtimi mjekësor i të lënduarve dhe strehimi i udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat Tuaja të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

Angazhimi Juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit Tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona.

Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta harrojë kurrë këtë akt humanizmi dhe solidariteti me tragjedinë tonë.

Me konsideratën më të lartë, ju sigurojmë që Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Ju.

S poštovanjem i zahvalnošću,

Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Kroacia i përgjigjet Kurtit lidhur me mbrojtjen e monumenteve kulturore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, përgjigje në letrën që Kurti i pati dërguar atij dhe kryeministrave e presidentëve të 56 vendeve të botës.

Në një njoftim të zyrës së kryeministrit thuhet se në këtë letër Kurti kishte shprehur pikëpamjet e Kosovës mbi trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e mbrojtjes së saj.

Në përgjigjen e kryeministri kroat thuhet se pajtohet plotësisht që historia kulturore e çdo vendi dhe personifikimet fizike të trashëgimisë së saj kulturore duhet të trajtohen gjithmonë me respektin e duhur dhe të mbrohen në të mirë të shoqërive tona në tërësi.

“Ne i vlerësojmë shumë përpjekjet tuaja për të respektuar dhe mbrojtur monumentet e rëndësishme në Kosovë, të cilat janë një pjesë e kësaj sixhadeje të pasur të trashëgimisë kulturore. Të ngrohë zemrën të dish se je i përkushtuar në këto përpjekje. Konservimi dhe pasqyrimi vibrant i trashëgimisë kulturore heterogjene të vendit tuaj padyshim që do të sigurojë një pjesë të çmuar të trashëgimisë kulturore globale”, ka shkruar Plenković.

Më tutje në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se kryeministri kroat ka shkruar se Kroacia mbetet e vendosur t’i japë pjesën e saj të duhur kësaj kauze madhështore, e cila mbetet po aq thelbësore për pajtimin, sa është edhe për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

letrën e datës 20 maj 2021, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ua ka konfirmuar liderëve të 56 vendeve të botës (ndër to edhe Serbia) vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur trashëgiminë e tërësishme kulturore, e në veçanti atë të komuniteteve pakicë, siç janë kishat ortodokse dhe manastiret.

Kryeministri u ka bërë thirrje atyre që të përkrahin Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit, siç ka thënë ai, duke e parë trashëgiminë tonë të pasur kulturore si ndër argumentet më të forta të vlerës së shtuar, që vendi ynë ia sjellë komunitetit botëror të kombeve, njerëzve e kulturave” thuhet më tutje në këtë njoftim. / KultPlus.com

Kroacia, shteti i parë në Ballkan që miraton pasaportën e Covid-it

Kroacia është bërë shteti i parë ballkanik dhe njëherit nga të parët edhe në Evropë që zyrtarisht ka miratuar pasaportën e Covid-it, përcjell KultPlus.

Ministri i Brendshëm, Davor Bozinovic ka thënë se qëllimi i këtij vendimi është lehtësimi i udhëtimit dhe mundësimi i turizmit.

“Këto janë çertifikate dixhitale jeshile që kanë për qëllim lehtësimin e udhëtimit. Çertifikatat e Covidit do të lëshohen bazuar në të dhënat e njerëzve që kanë mbijetuar Covidin në 180 ditët e fundit”, ka theksuar ministri, përcjell tutje KultPlus.

Çertifikatat do të lëshohen në PDF, qytetarët do të jenë në gjendje të paraqesin kërkesa përmes sistemit e-Citizens. Këto çertifikata do të jepen edhe fizikisht në 150 degë të Institutit Kroat të Sigurimeve Shëndetësore.

Verifikimi do të kryhet duke lexuar kodet QR. Pasagjerët mund të ngarkojnë faturat e tyre në PDF për tu verifikuar më shpejt duke shmangur kolonat kufitare.

Çertifikata e Covidit do të lëshohen nga 1 qershori i këtij viti dhe pritet që të ngjallin sezonin turistik në Kroaci. / KultPlus.com

Kroacia dhuron 10,000 vaksina për Kosovën, Osmani falënderon për donacionin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot ka mirëpritur Ministrin e Jashtëm të Kroacisë Gordan Grlić Radman, i cili menjëherë ka pranuar kërkesën për donacionin e vaksinave, me ç’rast ka dhuruar 10 mijë vaksina për qytetarët e Kosovës, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka bërë të ditur se gjatë diskutimit me Radman, ata kanë biseduar rreth kalimit të partneritetit në një nivel strategjik mes dy popujve. Ajo tutje ka potencuar se Kosova tashmë i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave prandaj BE duhet ta mbajë premtimin e tyre.

Ndërsa, në mesin e diskutimeve, ajo çka është konsideruar më e rëndësishmja ishte se si Kroacia dhe Kosova duhet ti bashkojnë forcat për të kërkuar përgjegjësi dhe informatë nga Serbia lidhur me personat e pagjetur e të zhdukur dhunshëm nga regjimi serb gjatë luftërave të fundit të viteve 90-ta.

KultPlus ju sjell statusin e plotë të Osmanit:

Kisha kënaqësinë të mirëpres sot Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman. Pas kërkesës që i kam bërë shtetit kroat me 15 prill 2021 për një donacion simbolik të vaksinave, kam marrë përgjigje pozitive menjëherë të nesërmen dhe sot Ministri i jashtëm na solli lajmin e mirë për donacion prej 10 mije vaksinash për qytetarët tanë. Ky veprim rikonfirmon partneritetin e shkëlqyeshëm mes dy popujve tanë dhe faktin se Kroacia na ka qëndruar pranë gjithnjë e në çdo sfidë.

Me ministrin po ashtu diskutuam për nevojën që partneriteti ynë të kalojë në nivel strategjik. E potencova që Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave menjëherë, sepse Kosova i ka plotësuar kriteret ndërkaq BE duhet ta mbajë premtimin e jo ta konsiderojë liberalizim si peng të procesve të tjera. Diskutuam po ashtu për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, tregtisë, kulturës dhe shumë fusha të tjera. E më e rëndësishmja, diskutuam se si Kosova e Kroacia duhet t’i bashkojnë forcat për të kërkuar përgjegjësi të qartë dhe çdo informatë nga Serbia lidhur me personat e pagjetur e të zhdukur dhunshëm nga regjimi serb gjatë luftërave të fundit të viteve të 90-ta.

Rajoni ynë do të jetë më i sigurtë, ndërkaq e ardhmja jonë më prosperuese nga bashkëpunimi mes Kosovës e Kroacisë. E falënderoj Kroacinë për mbështetjen e pakursyer në çdo drejtim. / KultPlus.com

Kisha kënaqësinë të mirëpres sot Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman. Pas kërkesës që i kam bërë…

Posted by Vjosa Osmani on Thursday, May 6, 2021

Kosovari Edi Abazi mbrëmë ishte në garë për ta përfaqësuar Kroacinë në Eurovizion

Kosovari Edi Abazi, mbrëmë u prezentua në festivalin kombëtar në Kroaci “Dora 2020” me këngën “Coming Home”, shkruan KultPlus.com

Pavarësisht se Kosova nuk ka të drejtë të jetë pjesë e Eurovizionit krejtësisht për arsye politike, Kosova po përfaqësohet përmes kosovarëve që janë pjesë e garave për t’i përfaqësuar shtetet ku ata jetojnë.

“Ndonëse nuk fitoi, 17-vjeçari pati një paraqitje dinitoze, ndërsa fansat e Eurovisionit po e kërkojnë që të provojë sërish garen për të shkuar në Eurovision”, thuhet në postimin e Eurovizion Kosovo. /KultPlus.com

Këngëtari i njohur kroat Skoro, kandidat për president

Në zgjedhjet presidenciale të Kroacisë, të planifikuara për në fund të vitit, është regjistruar sot edhe këngëtari Miroslav Skoro, i cili gëzon mbështetjen e së djathtës nacionaliste dhe sovraniste.

Skoro është një nga këngëtarët më të njohur në Kroaci, i njohur për këngët e tij me një sfond patriotik, sidomos ato të krijuara gjatë viteve ’90 gjatë konfliktit të armatosur serbo-kroat.

Tani për tani këngëtari është prezantuar si i pavarur, por është e qartë, se për pak kohë kandidatura  e tij do të do të gëzojë mbështetjen e së djathtës.

I njohur kryesisht si këngëtar, Skoro ka një përvojë politike modeste.

Në të kaluarën ai ishte konsull i Republikës së Kroacisë në Pecs, Hungari, dhe deputet në parlament/ ATSH/ KultPlus.com

Rita Ora mbrëmë festoi me Kroacinë veshur me flamurin kroat (VIDEO)

Mbrëmë Kroacia ka mundur Rusinë me anë të penalltive duke u kualifikuar në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror, ndërsa tifozët kroat e kanë përcjellur me shumë emocione këtë ndeshje, festës së tyre i është bashkuar edhe ylli nga Kosova, Rita Ora, shkruan KultPlus.

Rita Ora mbrëmë ka ndezur atmosferën në Kroaci ndërsa gjatë këndimit në krah ka mbajtur flamurin kroat. Në disa video të postuara nga ylli ndërkombëtar, shihet atmosfera festive derisa fansat e saj ngrisin duart lart kurse Rita ka shkruar se po festojnë fitoren e madhe, duke vendosur edhe flamujt kroat në postimet e saj. / KultPlus.com

Mediet kroate: Kosovarët nuk festojnë pa flamurin Kuq e Zi

Një reportazh për dhjetëvjetorin e Kosovës është përcjellë edhe në Jutarnji Vijesti të Kroacisë, të cilët kanë përcjellë nga afër atmosferën 17 shkurtit, duke përfshirë edhe koncertin e Rita Orës, përcjellë KultPlus.

Në këtë reportazh është prezantuar atmosfera në sheshet e Prishtinës, duke specifikuar njerëzit e lumtur për këtë festë, moshën mesatare 25, dhe flamujt e Kosovës dhe ata Kuq e Zi, që ka spikatë kjo medie, si të pranishëm në festën e Pavarësisë së Kosovës.

“Shumë kosovarë janë deklaruar se ata janë rritur me flamurin tjetër, me atë Kuq e Zi”, thuhet në këtë shkrim.

Poashtu në këtë shkrim është përmendur edhe standardi ekonomik, të cilët e vlerësojnë si një vend të përshtatshëm për të huajt, pasi që cmimet janë të lira, sikurse që është shkruar edhe për pagën mesatare në Kosovë, e cila vlerësohet të jetë 250 euro./KultPlus.com

“Familja ime Ylber”, Kroacia boton përralla ku përfshihen martesat e të të njëjtës gjini (FOTO)

Në Kroaci për herë të parë janë publikuar libra për fëmijë, në të cilët portretizohen familje të çifteve të të njëjtës gjini. Libri “My Rainbow Family” (Familja Ime Ylber) në pamje të parë duket si të gjithë librat e tjerë që u dedikohen fëmijëve, me shumë figura dhe i lehtë në përmbajtje.

Mirëpo shpejt mund të vëreni ndryshimet dhe risitë që sjellë ky libër me përralla. Fillimisht mund të lexohet nga fundi në fillim, ngaqë ka dy histori që takohen në mes. Pastaj këtu portretizohet një vajzë që ka dy baballarë dhe një djalë i cili ka dy nëna, shkruan klankosova.

Kjo është hera e parë e publikimit të një libri me përralla në Kroaci, ku trajtohet martesa e të njëjtës gjini./KultPlus.com