Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.
“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.
Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë,gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.
“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton. KultPlus.com
Sot mbushen 21 vjet që nga përfundimi i sulmeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe njëkohësisht nisi largimi i forcave serbe.
Sulmet, që vazhduan për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, Gjenerali Wesley Clark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore të aleancës kishin detyruar Millosheviçin të fillonte tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Më 10 qershor të vitit 1999 tërheqja e trupave serbe nga Kosova bëri që NATO-ja t’i japë fund fushatës së sulmeve ajrore kundër Serbisë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havier Solana, më 10 qershor 1999 urdhëroi ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Pas kësaj rreth 800 mijë refugjatë të dëbuar nga forcat serbe u rikthyen në Kosovë.
10 qershori i viti 1999 shënon edhe fundin e luftës së Serbisë nga Kosova, pas 78 ditësh të bombardimeve ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 12 44, sipas së cilës në Kosovë u dërguan mbi 37 mijë ushtarë paqeruajtës të KFOR-it nga 36 shtete.
Ndërhyrja e NATO-s u bë pasi Serbia vrau rreth 13 mijë e dëboi nga Kosova mbi 1 milion shqiptarë si dhe luftimeve dyvjeçare të përgjakshme të UÇK-së dhe forcave serbe. / KultPlus.com
Fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës, do të niste më 24 mars të 21 viteve më parë. Ndërhyrja e NATO-s, si atëherë edhe sot has në reagime kontradiktore.
Ish – kancelari gjerman Gerhard Schröder pohon se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ka pasur për bazë mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB, sepse Rusia ka qenë kundër ndërhyrjes. Por Schröder dhe kabineti i tij qeveritar vendosën që Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake jashtë vendit. Ndërhyrja në Kosovë e forcave perëndimore u quajt në atë kohë si “ndërhyrje humanitare” dhe kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve nga represioni i forcave serbe.
Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish – Jugosllavi, ka konstatuar më vonë në vendimet për dënimin e ish-krerëve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë se forcat serbe kanë bërë përpjekje për spastrim etnik në Kosovë, përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve.
Debati për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë është riaktualizuar në Gjermani dhe qarqet perëndimore pas krahasimeve të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin mes Krimesë dhe Kosovës. Shumica e analistëve gjermanë janë të mendimit se këto ndërhyrje nuk mund të krahasohen dhe se mes tyre s’ka asnjë ngjashmëri veç faktit, se për to s’ka pasur mandat nga Këshilli i Sigurimit. Në dallim nga Kosova dhe shqiptarët, në Ukrahinë nuk ka pasur dëbime dhe dhunë masive ndaj rusëve. Ukraina në dallim nga Jugosllavia e dikurshme nuk ndodhet në proces shpërbërjeje. Nga ana tjetër ndërhyrja në luftën e Kosovës nuk kishte synim aneksimin e saj nga një vend tjetër as nga SHBA-ja, as nga Gjermania apo ndonjë vend tjetër. Ndërsa ndërhyrja ruse në Krime ka për qëllim shkëputjen e këtij territori nga Ukraina si shtet sovran dhe bashkimin e tij me Rusinë.
Bilanci i sulmeve
Mediat kujtojnë edhe bilancin e sulmeve të NATO-s, të cilat kanë zgjatur 78 ditë. Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit të atëhershëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova.
Nga bombardimet janë vrarë, sipas vlerësimeve serbe, rreth 1.200 – 2.500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe. Por janë goditur edhe ura, godina të mediave dhe objekte të tjera civile, si dhe kolona të civilëve, që në atë kohë u cilësuan si “dëme kolaterale”.
Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha. Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 vetë. Me mijëra njerëz edhe më tej llogariten si të zhdukur. Ndërkohë që forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860.000 kosovarë.
Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende – 30.000 nga vendet e NATO-s. Ndërkohë numri i ushtarëve të huaj në Kosovë është zvogëluar në rreth 5.000. /KultPlus.com
NATO ka ulur në shenjë respekti flamujt e Francës dhe Shqipërisë, pas tragjedisë që ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit, shkruan KultPlus.com
“Flamujt e Aleatëve tanë Shqipërisë dhe Francës janë në gjysmë shtizë jashtë Selisë së NATO-s, pas tërmetit në Shqipëri dhe për të nderuar ushtarët francezë të rënë në Mali. – në Selinë e NATO-s”, shkruan në njoftimin e tyre në Twitter.
4 Marsi i vitit 1999 na kujton gëzimin dhe ankthin e madh, për atë çfarë do të ndodhte në Kosovë. Forcat e mëdha politike dhe ushtarake ndërkombëtare tashmë kishin marrë vendimin për fillimin e bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore serbe, me qëllimin e vetëm, ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve që po e bënte Millosheviqi me ushtrinë dhe paramilitarët e vet. Pas shumë përpjekjeve diplomatike, e vetmja zgjidhje për të ndalur ofensivat e Serbisë mbi popullin e Kosovës, ishte intervenimi ushtarak nga NATO-ja.
Në mërgimtarët e kemi përjetuar dyfishë qoftë gëzimin për fillimin e
bombardimeve, por poashtu edhe ankthin e vërtetë se çfarë do të ndodhte nga
hakmarrja serbe mbi civilët e pafajshëm shqiptarë. Shumë prej nesh kemi pasur
familjet dhe farefisin në atë gjendje lufte e tmerri dhe jeta për ne në mërgim
ishte rënduar shumë.
Megjithatë, roli i mërgimtarëve kanë qenë shumë i rëndësishëm, sepse shumë
grupe të shqiptarëve, të organizuar në forma të ndryshme, kishin njoftuar dhe
kishin sensibilizuar vazhdimisht opinionin ndërkombëtar për krimet që po
ndodheshin në Kosovë. Në Suedi për shembull, shqiptarët kanë organizuar dhjetëra
protesta, shumë tubime e manifestime, të cilat kanë pasur synim të vetëm, që të
bëhej më shumë jehonë për çështjen e Kosovës.
Në librin “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare” në Suedi, është shkruar
për ato zhvillime në hapësira të veçanta ku janë publikuar shumë dëshmi për
gjithë ato përpjekje që janë bërë. 91 shkrime e publikime të mediave suedeze
për Kosovën janë identifikuar dhe faktuar deri në librin e 9-të të librit
Thesar Kombëtar…Ndërkaq, në numrin e 8 janë botuar mbi 500 faqe me lista të kontributdhënësve
për fonde të ndryshme për Kosovën.
Ne mërgimtarët shqiptarë në Suedi i jemi mirënjohës në veçanti shtetit
suedez, që na siguroi strehë, ushqim, punë dhe jetë. Kështu ishim në gjendje të
ndihmonim, aq sa ishte e mundur, edhe njerëzit tanë në Kosovë, në kohërat më të
rënda që po kalonin.
Sot shqiptarët i janë mirënjohës NATO-s dhe aleatëve të saj përjetësisht.
Por, ajo histori nuk guxon të harrohet. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve
Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, do të vazhdojë të shkruaj e të
ndriçojë edhe më tutje historinë nëpër të cilën ka kaluar
populli shqiptar bashkë me shumë miq tanë. Por, Shoqata jonë, inkurajon
edhe të tjerët, krijues e studiues të ndryshëm, të shkruajnë dhe të lënë gjurmë
për historinë e dhembshme që ka kaluar Kosova jonë.
Zoti e bekoftë NATO-n dhe aleatët e saj, Zoti i bekoftë SHBA dhe miq tjerë perendimorë, Zoti e bekoftë popullin shqiptar.
Hysen IBRAHMI,
Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, 24 mars 2019. /KultPlus.com
Serbët po vazhdojnë të nxisin urrejtje kundër kosovarëve, kudo që ata janë.
Me rastin e 19 vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, qytetarë serbë dje kishin dalë në Vjenë të Austrisë duke protestuar kundër Kosovës, raporton Indeksonline.
Me pankarta ku shkruhet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova e Metohija është Serbi”, ata po protestonin kundër sulmeve që NATO-ja i bëri caqeve serbe më 24 mars të vitit 1999.
Kujtojmë se sulmet ajrore ndaj forcave serbe dhe malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kurse më 11 qershor të 1999-ës, ata u detyruan të largohen nga Kosova.
Sulmet e NATO-s kishin nisur me urdhrin e presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili tashmë njihet si miku më i mirë i Kosovës./ KultPlus.com