Nënë Tereza në veshje kombëtare (FOTO)


Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, shkruan KultPlus.

Ajo lindi në Shkup (sot Republika e Maqedonisë), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionaret e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të rrallë të Nënë Terezës me motrën e saj, Age Bojaxhiu. Fotografia është shkrepur në vitin 1923, në Konsullatën Kombëtare të Vajzave Prizrenase./ KultPlus.com

Në 110 vjetorin e lindjes, promovohet libër për Nënën Terezë

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturorëve të Shqiptarëve në Maqedoni në bashkëpunim me Shoqatën për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga trojet e veta do të bëjnë promovimin e librit “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënën Tereza – një sagë për jetën e shqiptarëve katolik të Shkupit”.

Në njoftimin e bërë nga ITSHK ky aktivitet do të mbahet për nderë të 110 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, pranë shtatores së saj në qytetin e Prishtinës me datën 26 Gusht, në ora 14:00. Po ashtu nëpërmjet këtij njoftimi bëhet e ditur se aktiviteti do të mbahet në bazë të udhëzimeve dhe rekomandimeve të IKSHPK me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare dhe fituese e çmimit Nobel për Paqe. / KultPlus.com

40 vjet më parë, Nënë Tereza u nderua me çmimin më të lartë në Indi

Më 25 janar të vitit 1980, Nënë Terezës iu dha nderimi më i lartë civil i Indisë, ‘Bharat Ratna’, për përpjekjet e saj të mrekullueshme humanitare në vend, shkruan KultPlus.

Sot në 40 vjetorin e marrjes së këtij çmimi nga Nënë Tereza, KultPlus ju sjell disa prej thënieve më të fuqishme të saj.

“Jezusi mund të falë shumë, sepse ka shumë dashuri, mund ta falë një mëkat të madh. Siç është për Jezusin, ashtu duhet të jetë edhe për ne, nëse vërtet duam të falim, duhet vërtet të duam.

Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë, indiferenca e tmerrshme për të afërmin, që lëngon nëpër rrugët e botës, si viktimë e shfrytëzimit, korrupsionit, moskujdesit shëndetësor, padrejtësisë.

Mëkati na përndjek, është i pranishëm në ne. Mirëpo kurrë nuk duhet të dorëzohemi dhe dëshpërohemi. Nuk duhet të ndihemi dhe të jemi të pashpresë… Gjithë kjo nuk na nevojitet, nëse e kemi kuptuar butësinë e dashurisë së Zotit. Ne jemi të çmuar për Atë, sepse Ai na do, na do aq përkushtim, sepse jemi të trajtuar me dorën e tij… Kur zemra juaj është e shqetësuar, kur zemra juaj është në dhembje, kur zemra juaj duket se po thahet… atëherë kujtojeni këtë: “Unë jam i çmueshëm për Atë, Ai më do. Më ka ftuar për emër. Jam i tij. Zoti më do. Për ta dëshmuar dashurinë e tij Jezusi ka vdekur në kryq. 

Ne, gjithçka bëjmë për Jezusin. Unë 24 orë në ditë jetoj për Jezusin, atij ia dhuroj jetën time, zemrën time, dashurinë time, punën time, të gjitha.

Ne jemi kontemplative aktive në botë, jetojmë vetëm për Jezusin. Atë e zbulojmë, shërbejmë dhe duam para së gjithash në Eukaristi, në uratë, në meditim, pastaj në njerëz që vuajnë. Nëse nuk do funksiononte feja jonë, do të ishte e pamundshme dashuria dhe shërbimi ynë ndaj të afërmit.  

Do të duhej t’ia mundësonim Jezusit, në dritën e dashurisë, që t’ia sjellim një mori të të varfërve në bashkësinë e Kishës dhe me Zotin, për shëlbimin e tyre, por edhe për lavdinë sa më të madhe të Hyjit. Këtë na mundëson miqësia dhe bashkëpunimi ynë besnik dhe me dashuri me Të…

 Fjalët tona dhe jeta jonë është e zbrazët, nëse nuk lind nga thellësia e zemrës, nga dashuria për Zotin dhe për të afërmin. Fjalët që nuk bartin dritën e Jezusit, e rrisin edhe më shumë errësirë.”/ KultPlus.com

40 vjet më parë Nënë Tereza u nderua me çmimin Nobel për Paqe

40 vite më parë, më 17 tetor 1979, humanistja më e madhe në botë me origjinë shqiptare, Nënë Tereza, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.

Siç i referohet një artikull i posaçëm i “Radio Vatikanit” mbi këtë çmim të madh të dorëzuar ndaj saj prej jurisë ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Suedisë, shqiptarja Gonxhe Bojaxhi, u ngjit në tribunën ku janë ngjitur njerëzit më të shquar të botës nga të gjitha fushat, veshur me sarin e grave të varfra indiane dhe e pranoi çmimin vetëm, sepse një pranim i tillë do t’u vlente shumë të varfërve të saj.

Ndonëse u shmangej intervistave që e bezdisnin, më 17 tetor 1979, kur u ngjit në Tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, të Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut iu desh të mbante një nga fjalimet më të rëndësishme, e Nënë Tereza tha:

“Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit. Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë.

“Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje. Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo mu dha mundësia të flas, thashë: Me që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen.

“E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Françeskut ‘Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate’, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve. Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël.

“Më pas fola për abortin e thashë: Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!.

Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë Papë më tha: Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”, ka treguar ajo mbi atë ditë të veçantë në jetën e saj. / KultPlus.com

Koha dhe ne

“Sot nuk kemi më kohë as ta shohim në fytyrë tjetrin, nuk kemi kohë të flasim, të rrimë pak bashkë. Bota ka nevojë të dëshpëruar për ëmbëlsi dhe mirësjellje; njerëzit vdesin nga uria për dashuri, sepse të gjithë vetëm vrapojnë pa e kthyer kokën”.

– Shën Nënë Tereza

Kur Nënë Terezës për herë të parë i shkuan lotët

Aty kah fillimi i viteve ’70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e Ambasadës shqiptare në Romë me shpresë që të paktën do të lejohej të vizitonte Shqipërinë.

“Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade, – shkruan Dom Lush Gjergji në librin “Nënë Tereza Jonë”, – për herë të parë në jetë e pashë t’i shkonin lot nëpër faqe.

U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha: “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë”.

Pas dështimit për vizë në ambasadë, Nënë Tereza nuk rreshti përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria. Ajo iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të Globit, por pa sukses. Kur pa se ëndrra e saj për t’i takuar po shuhej, Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës:

“Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”.

Më 14 korrik 1972 Nënë Tereza mori një telegram, në të cilin i vëllai Lazër Bojaxhiu i shkruante: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik”. Siç dëshmon shtypi, Drane Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër që nuk arriti të shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe të bijën misionare në Indi. Pas vitit 1990 janë botuar studime, ku shënohet një fakt prekës:

Drania bijës së vet, që nuk e shihte prej dyzet e pesë vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim:

“Gonxhe, të puth nanëlokja”.

Agia, motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973. Në një intervistë të vitit 1979, pasi Nënën Tereza fitoi çmimin Nobel, Lazër Bojaxhi u shpreh:

“Motra e vogël, e përulur, ajo e cila u pati ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashuri dhe solidaritet aq njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe ajo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar, duke shtrënguar në kraharor një fotografi të njomur me lot”.

Lazër Bojaxhiu vdiq në vitin 1981, ndërsa Nënë Tereza arriti të hyjë në Shqipëri në vitin 1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe pak muaj përpara se regjimi komunist të rrëzohej nga demonstratat e studentëve. E rrethuar nga roja të policisë sekrete, ajo mbërriti në shtëpinë ku kishin banuar e ëma dhe e motra për të mbajtur në dorë të vetmet kujtime të tyre: një radio “Siemens” të kohës së Luftës dhe një mulli për të bluar kafen turke.

Murgesha vendosi një tufë me lule në varret e nënës dhe të motrës si shenjë triumfi ndaj atij regjimi që e ndaloi t’i shihte ato në gjallje.

Shkruar nga Blendi Fevziu. / KultPlus.com