‘E kuptova që po plakesha kur një këngë e adoleshencës sime doli në radio si këngë e vjetër’

Shpesh harrojmë se koha kalon aq shpejtë dhe kur kthehemi pas në kohë, shohim gjithçka me një nostalgji të madhe. BuzzFeed ka publikuar deklaratat e disa personave anonim që tregonin momentin se kur e kishin kuptuar se nuk ishin më edhe aq të rinj, përcjell KultPlus.

-“Kur një këngë e adoleshencës sime del në radio si “këngë e vjetër. O Zot!”

-“Bleva një kokë të re lecke dhe mezi prisja të shkoja në shtëpi për ta përdorur. Aty kuptova diçka.”

-“E ndjeva veten plakë kur kolegët e mi më të rinj morën gjithë kohën e botës për të më shpjeguar mua kush ishte Cardi B. Unë në fakt e dija kush ishte dhe e njihja muzikën e saj, por u duka sikur kisha nevojë për sqarim.”

-“Kur unë dhe shoqja ime po planifikonim të shkonim në një koncert dhe për herë të parë në jetën tonë pyetën veten: A duam vërtetë të shkojmë për të qëndruar në këmbë?”

-“Kur kam fjetur vetëm 4 orë dhe pastaj jam nisur për punë. M’u duk sikur do vdisja. 10 vite më parë i jepja makinës 5 orë pas pune të premten për të takuar të dashurin tim, festonim gjithë fundjavën dhe kthehesha të hënën për në punë. Ishte rraskapitëse, por s’e kisha problem. Tani një natë pa gjumë dhe çmendem. Jam e vjetër.”

-“Kur djemtë me motorra më fusnin frikën në vend që të më emociononin si dikur. Më vjen t’i them të bëjë kujdes me atë shpejtësi. Ku shkoi rebelja brenda meje?!”

-“Kur nuk shërohesha më aq shpejt sa dikur.”

-“Kur shkova në club dhe të gjithë më dukeshin fëmijë.” / KultPlus.com

‘Nostalgjia’ e autorit Mario Caliva promovohet në Vjenë

Në Vjenën e njohur në historinë shqiptare si vatër ku studiuan, figura të njohura të kombit, u prezantua shkrimtari arbëresh Mario Caliva me veprën e tij të fundit monodramë e titulluar “NOSTALGJIA”. Një promovim që përputhet me 533 vjetorin e themelimit të qytezës Hora e Arbërshëvet (Piana degli Albanasi) nga banorët e shpërngulur në ishull pasi perandoria osmane sulmoi trojet shqiptare.

Ambienti i Europahaus-it të njohur tani e më shumë në shërbim të aktiviteteve kulturore shqiptare falë kujdesit të aktivistit të vyer Arbër Marku.

Ideatori i këtij i organizimi ishte KA, kurse u përkrah nga Ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Austri,  Europhaus, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Mosisu” në Austri, Piana degli Albanesi- Hora e Arbërshëvet.

Në fillim Lirjeta Avdiu Vejsa, kryetare e KA,  prezantoi autorin Mario Caliva duke dhënë pjesë nga biografia e tij e pasur e cila pastaj e drejtoi bisedën me autorin. Në fjalën e tij  Mario Caliva foli mbi jetën e arbëreshëve, traditave, gjuhës dhe krijimtarisë artistike e letrare. Në vazhdim ai zbërtheu përmbajtjen e dramës NOSTALGJIA duke lexuar pjesë nga libri dhe krijimtaria e tij poetike. Leximet e autorit u shoqëruan me lojën instrumentale në violonçel nga Marigona Komani.
Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” në Austri përshëndeti Violeta Allmuça, shkrimtare.Pjesë nga vështrimi rreth monodramës NOSTALGJIA të autorit Mario Cavia shkruar nga Hazir Mehmeti.

Derisa para publikut vjen si monodramë, NOSTALGJIA, në realitet ngërthen në vete dramën e kombit tonë, respektivisht pjesës së tij i cili kërkoi fatet përtej Adriatikut.  Tani kjo dramë vjen si nostalgji gjeneratave duke kaluar nivelin e kujtimit deri në përmasat e mitit.   Rrjedha e ngjarjes ka rrënjët që nga toka e bekuar me kryetrimin Gjergj Kastrioti- Skënderbeu të cilit Papë Callisto i dha ati pseudonimin Atlet i Krishtit me gjithë lavdinë dhe tragjiken e bashkëkombëseve të tij si brumi i realitetit dramatik i shoqëruar me qëndresë dhe vuajtje e krenari deri në ditët e sotme.  Fjalët kanë fuqinë të zbulojnë të gjitha sekretet dhe të tregojnë të gjithë historinë e ekzistencës, shprehet autori. Këto u shkruan në shumë libra nga vetë ata që e përjetuan nga fillim kur takuan tokën e Kalabrisë e Sicilisë dhe formuan Horën e Arbëreshëve. Kësaj rruge të kujtimeve në kohën tonë vjen edhe autori Mario Caliva.

Arbëreshet me gjysmë zemre të larguar nga mëmëdheu i tyre iu nënshtruar skenarit të drejtimit të jetës duke kujtuar me nostalgji deri në mit tokën e tyre, zakonet, traditën dhe bekimin e Krishtit në dramën ekzistenciale. Të pa lodhur në kujtimet e tyre, në tokën e zgjedhur nga Mbrojtësja Hyjnore në një distanca tokësore, Hora e Arbëreshëve kujtoj rrënjët me nostalgji mbi gjashtë shekuj përmes shpirtit poetik e artistik: “Ah sa e bukur ishte toka jonë! E lash e dhe më s’e pashë!”  Melodia e këngës flet fuqishëm në çdo kohë, në çdo zemër shqiptare kudo në glob, edhe pse shpesh përcjell me lot malli, dashurie shoqëruar me tragjiken e mërgimit biblik.

Guri i parë i Arbërisë u skalit madhështor fillimisht në Truallin e Ri duke flakëruar Diellorin Pellazgë shekujve në muret e Virgjëreshës Odigitria, në “ E mësueme e Krishterë” si teksti i parë tek Arbëreshet pas Mesharit. Apo, Giorgio Guzzetta i cili mbolli vazhdimisht identitetin arbëresh.

Pa dyshim figura madhor kombëtare e periudhës së Rilindësve të Mëdhenj është Jeronim De Rada me shkrimet e tij që mbetën lapidar në kujtesën kombëtare.  Dhe sot, pa dyshim, njëri nga ata që trason rrugën e shenjtë të kujtesës dhe ruajtjes së gjuhës arbëreshe është autori i NOSTALGJIA, Mario Caliva. Ai e ka kuptuar rrezikun që kërcënon arbërishten në kohën e uniformimit global. Ky uniformizëm rri si Shpatë Demokleu për të gjithë të mërguarit shqiptarë të cilët e anashkalojnë gjuhën e nënës duke iu folur fëmijëve në gjuhë të huaj.

Monodramës NOSTALGJIA i dëshiroj sukses në jetën dhe porosinë e saj gjatë rrugëtimit  në qendra tjera evropiane. Vjena ishte dhe do mbetët qendër e kontakteve dhe njohjeve me vepra e veprimtarë falë aktivistëve të pa lodhur.  Urime autorit, vëllait tonë, Mario Caliva!

Në fund autorit iu ndanë mirënjohje nga organizatorët e promovimit./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Nostalgjia dhe karakteristikat e saj

Nostalgjia mund të ketë dsia dykuptimësi dhe shfaqet në situata të ndryshme dhe në forma të ndryshme. Tiparet dalluese të saj janë:

Nostalgjia është një ndjenjë: Ky tipar është i dukshëm, megjithatë, ne shpesh e përdorim fjalën “ndjenjë” duke e shtrembëruar kuptimin e saj origjinal. Ndjenja është përjetim personal që përcillet me emocione. Me fjalë tjera është një mbresë e lehtë dhe e shkurtër. Poashtu nostalgjia mund të ruhet.

Është e njohur për të gjithë: Nostalgjia na përcjell të gjithëve pavarësisht nga mosha, gjinia, kultura, etj. Shumica prej nesh kemi lënë pas momente të jetës të cilat herë pas here i kujtojmë me dashuri dhe iluzione.

Disa njerëz janë më të prirur për nostalgji: Ndoshta ne jemi ata që synojmë të shohim në të ardhmen, ose jemi nga ata që dëshirojmë që ti ruajmë lodrat nga fëmijëria dhe duam që gjërat të mbeten të njejta. Njerëzit janë të ndryshëm dhe nostalgjia varet edhe nga personaliteti jonë dhe mënyra se si e shohim jetën.

Idealizimi i objektit të nostalgjisë: Shpesh themi se “kohët e shkuara ishin më të mirë”, dhe ky mendim apo ndjenjë është prirje e jona që të kujtojmë vetëm anët pozitive të së kaluarës. Kujtesa(memory) na mbron neve duke i ruajtur vetëm kujtimet pozitive dhe duke i lënë në harresë ato negative. Kjo veprimtari e kujtesës në një anë është pozitive sepse por ka edhe anët negative sepse duke I harruar anët negative të së kaluarës, na pamundëson që të përmisojmë edhe gabimet që I kemi bërë.

Shkaktarë të ndryshëm: Shumë gjëra mund ta shakaktojnë nostalgjinë, për shembull, aroma e parfumit të gjyshit tënd, apo një ëmbëlsirë nga fëmijëria, një këngë që lidhet me një moment intim, etj. Shqisat tona bëjnë të mundur që të ri-jetojmë lidhjet(asocimet) e kaluara të trurit.

Nostalgjia na ndihmon të rritemi personalisht: Kujtimet shpesh shërbejnë si udhërëfyese në jetë. Duke i kujtuar momentet e lumtura nga e kaluara ne ndjehemi mirë madje edhe në të tashmen. Është ndjenjë e mirë kur e kujtojmë se sa me fat kemi qenë, të dimë se çfarë duam dhe të veprojmë drejt atij qëllimi. Nostalgjia na ndihmon ta njohi vetveten më thellë, na e shton vetbesimin, na mbron nga vetmia dhe na jep fuqi për ti përballuar sfidat e reja. Çelësi i suksesit është të dimë si ta përdorim këtë ndjenjë. Vlerësimi i momenteve pozitive nga e kaluara është pjesë e rëndësishme e mirëqenies tonë.

Nostalgjia është ndjenjë që manifestohet edhe në dimensione artistike: Nostalgjia shpesh na inspiron për të bërë gjëra të mëdha si në fushën e muzikës, pikturës, letërsisë, etj. / KultPlus.com

Autore: Ainhoa Arranz Aldana
Përktheu: Ardian Batusha

Tipet e nostalgjisë

Sipas Boym ka dy tipe të nostalgjisë:

Restorative(konservuese, kthyese): Kjo lloj nostalgjie është karakteristke kur ne mundohemi ti ri-jetojmë momentet e së kaluarës.

Reflektive: është tip i nostalgjisë me shumë mall dhe kujtime por në të njejtën kohë kur e pranojmë se e kaluara është e kaluar dhe nuk ka kthim pas.

PSE NA SHFAQET NOSTALGJIA?

Sipas një studimi nga Universiteti i Southampton, nostalgjia na e rrit optimizmin për të ardhmen. Universiteti organizoi një hulumtim ku të anketuarve ju dha detyra që të shkruajnë për një ngjarje në jetët e tyre që lidhej me ndjenjën e nostalgjisë.

Ndërsa një grup tjetër i të anketuarve ju dha detyra të shkruanin në përgjithësi për ndonjë eksperiencë. Nga rezultati doli se shumica e atyre që shkruan përvoja pozitive ishin nga grupi i parë. Poashtu nga një hulumtim tjetër nga i njejti universitet, doli se këngët që prodhojnë nostalgji poashtu nxisin optimizmin.

Nostalgjia është e zakonshme kur na ndodhin ndryshime. Situata të tilla si humbja e një miku, një shkëputje sentimentale, apo kur ndryshojmë vendbanimin dhe qytetin dhe detyrohemi të adaptohemi me jetën dhe rrethanat e reja. / KultPlus.com

Përpunimet e “Disney”-t dhe fuqia e nostalgjisë

Viti 2019 po karakterizohet me premierat e filmave vizatimorë, të cilët kompania e famshme “Walt Disney” ka vendosur t’i përpunojë dhe t’i prezantojë në një format tjetër. BBC-ja konsideron se për shumë gjenerata filmat e “Disney”-t janë kthim në kohët e mira të fëmijërisë e në komoditet. Sipas tyre, “Disney” po e shfrytëzon në aspektin pozitiv këtë mundësi, duke sjellë sërish në ekranet e mëdha kryeveprat e veta.

“Njerëzit kanë prirjen të kënaqen duke qenë nostalgjikë”, thotë dr. Wijnand van Tilburg, një psikolog dhe ekspert i nostalgjisë në “King’s College London”. Ai e përkufizon nostalgjinë si “një dashuri të zjarrtë ose dëshirë të madhe për të kaluarën”. “Kjo ndjenjë e lidhjes nga vetë e kaluara te vetja e tashme – kjo është diçka që njerëzit e shohin si shumë kuptimplotë në jetë”, thotë ai. Wijnand e konsideron si emocion të fuqishëm ndjesinë që i bën njerëzit të kthehen në kohë. “Këto kujtime nostalgjike japin një lloj pikture të ngjyrosur të së kaluarës, që i bën njerëzit të ndihen më mirë”, ka theksuar psikologu Wijnand. “Mbreti luan” është filmi i tretë i “Disney”-t që do të jepet premierë këtë vit, pas filmit për elefantin “Dumbo” dhe “Aladdin”.

Këta filma erdhën pas ripërpunimit të filmit “Hirushja” (2015), pastaj “Libri i xhunglës” (2016) dhe “Bukuria dhe bisha” (2017). “Disney” ka njoftuar gjithashtu se edhe filmat “Mulan” dhe “Sirena e vogël” do të publikohen në të ardhmen dhe se planifikohet që edhe shumë filma të tjerë të ripërpunohen.

Filmat e “Disney”-t keni mundësi t’i shihni edhe në Kosovë.

Kinemaja austriake “Cineplexx” do të sjellë më 18 korrik premierën e filmit “Mbreti luan” në disa terminë. Biletat për këtë film kanë dalë në shitje tash e disa ditë.

Tash e shumë vite “Disney” në përgjithësi, por edhe “Disney Land” në veçanti, perceptohet jo vetëm si kënaqësi ose atraksion për fëmijët, por edhe për të rriturit. Punonjësit e “Disney Land”-it i kanë thënë BBC-së se ka shumë raste kur të rriturit e vizitojnë këtë vend pa fëmijët e tyre, ose edhe çiftet e reja që nuk kanë ende fëmijë. Një nga qëllimet kryesore të kompanisë është që t’i bëjë njerëzit të ndihen sikur po kthehen në fëmijëri dhe këtë po e arrijnë shumë mirë edhe përmes filmave./ Zëri/ KultPlus.com