Parashikimi i OBSH-së për fundin e pandemisë

Drejtori i OBSH për rajonin e Evropës, Hans Kluge, paralajmëroi se pandemia e Covid-19 nuk do të përfundojë derisa të paktën 70% e njerëzve të vaksinohen dhe kritikoi shpërndarjen e vaksinave në rajon duke e konsideruar shumë të ngadaltë.

“Mos mendoni se pandemia e Covid-19 ka përfunduar,” tha Kluge në një intervistë për Agence France-Presse (AFP) dhe shtoi se normat e vaksinimit duheshin rritur. “Pandemia do të mbarojë pasi të kemi arritur 70% mbulim minimal në vaksinimin,” tha ai, transmeton KultPlus.

Në 53 vendet dhe territoret që përbëjnë rajonin europian të OBSH-së – përfshirë disa rajone në Azinë Qendrore – 26% e popullsisë ka marrë dozën e parë të një vaksine për Covid. Në Bashkimin Europian, 36.6% e popullsisë ka marrë të paktën një dozë dhe 16.9% janë vaksinuar plotësisht, sipas një numërimi nga AFP.

Kluge tha se një nga shqetësimet e tij kryesore ishte rritja e transmetimit së varianteve të reja.

“Ne e dimë për shembull se B.1617 (varianti indian) është më i transmetueshëm se B.117 (variant britanik), i cili tashmë ishte më i transmetueshëm se lloji i mëparshëm.”

Ai nënvizoi gjithashtu se shpejtësia është “thelbësore” gjatë pandemisë.

“Miku ynë më i mirë është shpejtësia, koha po punon kundër nesh dhe zhvillimi i vaksinimit vazhdon ende shumë ngadalë. Nuk është e pranueshme që disa vende të fillojnë të vaksinojnë pjesën më të re, të shëndetshme të popullsisë, ndërsa vendet e tjera në rajonin tonë ende nuk mbulojnë të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit më të prekshëm.” / KultPlus.com

Nesër vijnë vaksinat e para në Kosovë, thotë drejtori i OBSH-së për Evropë

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropë, Hans Kluge, ka konfirmuar se nesër do të vijnë vaksinat e para kundër Covid-19 në Kosovë.

Kluge përmes një cicërime në twitter ka konfirmuar shkurt se nesër do të vijnë vaksinat e parë në Kosovë.

Drejtori u pyet se kur do të vijnë vaksinat në Kosovë, derisa përgjigja e tij ishte e shkurtë dhe e qartë “Nesër”.

Kosova është vendi i vetëm në Evropë që deri tash nuk ka pasur vaksina, rrjedhimisht qytetarët kosovarë nuk janë vaksinuar./express/KultPlus.com

OBSh-ja: Fëmijët e botës përballen me të ardhme të pasigurt

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se asnjë shtet i botës tash për tash nuk ofron njëkohësisht mundësi për rritje të shëndoshë të fëmijëve dhe mjedis të përshtatshëm për të ardhmen e tyre.

Ekspertët e kësaj organizate paralajmërojnë se ndryshimet klimatike dhe reklamimi i dëmshëm që i nxit konsumimin e ushqimit të shpejtë dhe pirjen e alkoolit nën moshën e pjekurisë po i rrezikojnë fëmijët.

Britania e Madhe u rendit në mesin e dhjetë vendeve me kushtet më të mira në botë për shëndetin dhe mirëqenin e fëmijëve. Megjithatë, ajo shënoi kthim prapa sa i përket sigurimit të mjedisit për përshtatshëm për të ardhmen e fëmijëve, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Në raportin e Fondit për Fëmijë, i cili është pjesë e Kombeve të Bashkuara, u vlerësuan 180 shtete për mundësitë që ofrohen për fëmijët, me përqendrim te shëndeti, mirëqenia, shkollimi dhe ushqimi.

Rreth 40 ekspertë paralajmëruan se përparimi i arritur në dy dekadat e kaluara sa i përket mirëqenies së fëmijëve pritet të marrë drejtim të kundërt, nëse nuk bëhen ndryshime radikale nga qeveritë në mbarë botën.

Ata shtuan se rritja e temperaturës për 4 gradë deri në vitin 2100 do të ketë pasoja shkatërruese shëndetësore për gjeneratat e ardhshme, përfshirë rritjen e nivelit të oqeaneve, valëve të të nxehtit dhe shtimit të sëmundjeve ngjitëse. / KultPlus.com