Lumi Sena i tejmbushur me baktere, garat e notit në Lojërat Olimpike të Parisit mund të anulohen

Garat e notit të lojërave olimpike në Paris mund të shtyhen ose anulohen tërësisht nëse cilësia e ujit nuk përmirësohet në lumin Sena, i cili rrjedh nëpër kryeqytetin francez, sipas organizatorëve të eventit.

Lumi është vendosur të presë disa evente olimpike këtë verë, por ka nivele “alarmante” të baktereve, sipas një paralajmërimi të lëshuar nga OJQ-ja ndërkombëtare Surfrider Foundation Europe të hënën. Grupi pohoi se nga 14 mostrat e marra në Urën Aleksandri III gjatë një periudhe gjashtëmujore, të gjitha, përveç njërit, treguan cilësi të dobët të ujit.

Tony Estanguet, një kampion tre herë olimpik në kanoe dhe president i Komitetit Organizativ të Parisit 2024, pranoi të martën se bakteri E. coli është “një nga sfidat më të mëdha” me të cilat përballen organizatorët, duke vënë në dukje se gara mund të vonohet ose të anulohet nëse cilësia e ujit përkeqësohet.

Rreziku kryesor vjen nga stuhitë e dendura të shiut, kur uji derdhet në sistemin e ujërave të zeza të Parisit, duke shkaktuar rrezik për tejmbushje. Shiu i tepërt më pas derdhet në lumë dhe mund të çojë në ndotje. Verën e kaluar një rrjedhje e ujërave të zeza çoi në anulimin e një gare noti paraolimpike./balkanweb/KultPlus.com

Çeku takohet me Parsonsin, diskutohet për përfaqësimin e Kosovës në Lojërat Paralimpike

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku u takua sot me presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons dhe presidenten e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.

Kosova do të përfaqësohet me dy atletë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, ngjarje kjo historike për të cilën edhe u diskutua në takim..

Ministria bën të ditur po ashtu për bisedimet rreth punës dhe mbështetjes së vazhdueshme institucionale për masivizimin e para sportit.

Çeku e informoi Parsonsin për veprimet dhe reformat që ka ndërmarrë MKRS-ja në sport në përgjithësi, sidomos për bashkëpunimin dhe përkrahjen që ka ofruar për Komitetin Paralimpik të Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, Daut Tishuki, zëvendëspresident i KPK-së dhe sekretarja e KPK-së, Arjeta Gashi.

Lojërat Olimpike të Parisit, nuk ftohen Rusia dhe Bjellorusia

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, të mërkurën ftoi zyrtarisht 203 vende, por edhe jo Rusinë dhe Bjellorusinë, për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit, të cilat do të fillojnë pas një viti.

Bach kishte thënë edhe më parë se as Rusia dhe as aleati i saj në pushtimin e Ukrainës, Bjellorusia, nuk do të ftoheshin si ekipe.

Megjithatë, IOC-ja e ka lënë derën e hapur që atletët rusë dhe bjellorusë të konkurrojnë si atletë neutralë në Lojërat Verore 2024 pa skuadrat e tyre.

IOC-ja ka qenë nën presion për t’i ndaluar sportistët rusë dhe bjellorusë të garojnë, madje edhe nëse e bëjnë këtë nën një flamur neutral, shkaku i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

Ministri i Sportit i Ukrainës, Vadym Guttsait, ka akuzuar IOC-në për “standarde të dyfishta” për sugjerimin që atletët rusë dhe bjellorusë mund të garojnë në Paris, ndërsa ministri i qeverisë, Oleh Nemchinov, njoftoi në prill se atletët ukrainas nuk duhet të lejohen të konkurrojnë në garat kualifikuese për Lojërat Olimpike të Parisit 2024 nëse rusët marrin pjesë.

IOC kritikoi Ukrainën për “privimin e atletëve të saj nga shansi për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe për ta bërë popullin ukrainas krenar”, dhe e ritheksoi këtë qëndrim në deklaratën e fundit.

“Në një sport kaq të politizuar, Lojërat Olimpike universale nuk do të jenë më të mundshme”, thuhet në deklaratën e IOC.

Bach është në një vizitë tre-ditore në kryeqytetin francez, ku do të mbahen Lojërat Olimpike verën e ardhshme.

“Në përputhje me Kartën Olimpike, është nderi dhe kënaqësia ime e madhe ta shënoj këtë moment historik të rëndësishëm sot duke ftuar atletët e botës të mblidhen së bashku në Paris, Francë, për të festuar Lojërat e Olimpiadës së 33-të”, tha Bach.

Bach tha se ai “sapo kishte marrë informacion të shkëlqyeshëm në lidhje me përgatitjet për Paris 2024” pasi vizitoi vendin e ndërtimit të Fshatit të Atletëve të martën.

Më pas ai tha se konkurrentët do të ishin “shumë të lumtur” në atë fshat.

As Guatemala nuk u ftua në Lojërat Olimpike sepse aktualisht është pezulluar për shkak të ndërhyrjes së supozuar të qeverisë në pavarësinë e Komitetit Olimpik Kombëtar./TopChanel/KultPlus.com