Kryeministri Kurti mirëpriti Ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës sot mirëpriti Ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë, Mosharraf Hossain Bhuiyan.

Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme e me interes dypalësh ishin temat kryesore të takimit. Theks iu dha fushës së ekonomisë dhe kulturës.

Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Bhuiyan në vizitën e tij të tretë në vend. Ai e falënderoi për mbështetjen e Bangladeshit ndaj Kosovës dhe për bashkëpunimin në rritje, teksa e njohu me zhvillimet e fundit në vend dhe rezultatet e qeverisjes. Mirënjohës për mikpritjen dhe raportet, ambasadori i përcolli kryeministrit Kurti ftesën nga kryeministri i Bangladeshit për vizitë atje. 

Folën për mundësitë dhe potencialin e përmirësimit të shkëmbimeve tregtare në vitet në vijim. Këtu u veçua rëndësia për të dy vendet e largimit të tatimit të dyfishtë. Mbi 70 kompani me kapital nga Bangladeshi janë të regjistruara në Kosovë.

Në takim u fol edhe rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë.

Bashkë me kryeministrin Kurti në këtë takimi ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Ambasadori Hovenier: Le të frymëzohemi të gjithë nga vizioni i Martin Luther King

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka cituar një shprehje të Martin Luther King Jr, në prag të ditëlindjes së tij, duke  bërë thirrje që të gjithë të frymëzohen nga vizioni i tij.

“Paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit; është prania e drejtësisë.” — Martin Luther King Jr., Stride Toward Freedom, 1958. Le të frymëzohemi të gjithë nga vizioni i Dr. King për përfshirjen, jodhunën dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të çdo qenieje njerëzore. #MLKDay”, ka shkruar ambasadori Hovenier në X.

Dita e Martin Luther King Jr është një festë federale në Shtetet e Bashkuara që shënon ditëlindjen e Martin Luther King Jr. Kjo festë shënohet të hënën e tretë të janarit të çdo viti. Këtë vit ditëlindja e tij shënohet më 15 janar.

Më poshtë gjeni postimin origjinal të ambasadorit Hovenier:

Ambasadori Hovenier e quan lokacion të klasit botëror Parkun Arkeologjik të Ulpianës

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, sot ka vizituar Parkun Arkeologjik të Ulpianës, shkruan KultPlus.

Ambasadori Hovenier, përmes një postimi në Twitter ka thënë për Ulpianën se në këtë lokacion të klasit botëror, po punon një super ekip për të dokumentuar trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Kisha privilegjin të vizitoja Parkun Arkeologjik të Ulpianës sot, ku një ekip mahnitës po shton faktet dhe po dokumenton trashëgiminë kulturore të Kosovës në këtë lokacion të klasit botëror”, shkroi Hovenier në rrjetin social Twitter./KultPlus.com

Image

Ambasadori gjerman dhe 25 pjesëtarë të UNESCO-s e vizitojnë Manastirin e Deçanit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, së bashku me 25 pjesëtarë të UNESCO-s, sot kanë vizituar Manastirin e Deçanit, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori Rohde në Twitter.

“Sot shijuam një tjetër vizitë të këndshme në Manastirin e Deçanit, së bashku me 25 kolegë nga UNESCO”.

“Në emër të kolegëve të mi dhe meje, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për igumenin Sava Janjiq për mikpritjen e tij”, ka shkruar Rohde në Twitter./KultPlus.com

Ambasadori i Kosovës në Akademinë e Studimeve Albanologjike

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita priti në një takim pune Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, në prani të zv/rektorit të ASA-s, prof. dr. Valter Memisha.

Rektori Përzhita e informoi në detaje ambasadorin për përmbajtjen e marrëveshjes së fundit që u nënshkrua më 13 prill, mes ASA-s dhe Universitetit të Prishtinës, për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor dhe për të krijuar një strategji mbi transmetimin e dijes tek brezat e rinj, në fushat e albanologjisë, me qëllim përditësimin dhe pasurimin me teza të reja të dijes albanologjike.

“Jemi në një situatë krejt të re”, tha rektori Përzhita.

“Gjetëm mbështetje te drejtuesit e rinj të Universitetit të Prishtinës, personalisht te rektori, prof. dr. Qerim Qerimi dhe ramë dakord që në bazë të marrëveshjes, hapi i parë të jetë ngritja e një grupi të përbashkët pune për hartimin e projekteve strategjike në fushën e albanologjisë.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e përshëndeti këtë marrëveshje, e cila i hap rrugën më pas ndërtimit të programeve të përbashkëta në studimet Master dhe Doktoraturë në fushën e albanologjisë – arkeologji, antropologji social-kulturore, histori e gjuhësi.

Me hapjen e programeve të reja të edukimit, krijohen mundësi të shkëlqyera edhe për studentët nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tetovës që të plotësojnë gjithë boshllëqet e krijuara në dekada nga mungesa e edukimit në këto fusha.

Aktualisht ka shumë pak profesorë nga Prishtina që japin mësim në Tiranë.

“Ne do donim që Akademia e Studimeve Albanologjike, në një periudhë afatshkurtër dhe nën një perspektivë afatgjatë, të ishte shtëpia jonë e përbashkët e albanologjisë”, u shpreh rektori Përzhita./atsh/ KultPlus.com

Jeff Hovenier do të marrë sot detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, do të marrë sot detyrën e tij të re, përcjell KultPlus.

Presidenti Joe Biden ka emëruar Hovenier në këtë post gjatë muajit korrik të vitit të kaluar, derisa vendimi u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor.

Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Hovenier luajti një rol të rëndësishëm në negociatat që dërguan përfundimisht në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Derisa, kjo do të jetë hera e parë që ai shërben si ambasador i SHBA-së. /KultPlus.com

Senate Confirms Jeffrey Hovenier as US Ambassador to Kosovo - Exit -  Explaining Albania

Austria përkrahë MKRS-në për realizimin e politikave

Ministri Kujtim Gashi takoi ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin diskutoi për raportet dhe bashkëpunimin që ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Ambasadën e Austrisë.

Ministri e falënderoi ambasadorin Pfandler për vizitën dhe u shpreh se e vlerëson marrëdhënien e Kosovës me një shtet mik siç është Austria dhe me këtë rast e falënderoi ambasadorin për tërë përkrahjen që ka dhënë shteti austriak në përkrahje të shtetësisë së Kosovës.

Ministri Gashi tha se është i gatshëm për thellim të bashkëpunimit me Austrinë në ato projekte të cilat Ambasada i sheh për të dy palët. Kësisoj do të intensifikohej edhe angazhimi i përbashkët në avancimin e fushave që ka në përgjegjësi MKRS-ja, por edhe do të hapej mundësia për shkëmbim të përvojave e profesionistëve të dy vendeve.

Ndër të tjera, ministri e ka njoftuar ambasadorin edhe për planet dhe politikat që ka për synim që t’i realizojë ministria në të ardhmen dhe në këtë drejtim ministri u shpreh se shpreson edhe në përkrahjen e Ambasadës së Austrisë, sidomos në promovimin e diplomacisë dhe diversitetit kulturor.

Ndërkaq, ambasadori austriak Pfendler e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe e përgëzoi për e detyrën e ministrit duke i dëshiruar suksese dhe përmbushje të qëllimeve.

Ambasadori austriak theksoi se ambasada do ta mbështesë ministrinë në sferat në të cilat do të vlerësohen të interesit të përbashkët, por edhe në prezantimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare./ KultPlus.com