Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, t’i bëhet presion Serbisë, në mënyrë që dialogu të mos ngecë.
Sipas saj meqë Beogradi zyrtar, është e vetmja adresë nga e cila nuk zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel.
”Adresa e presionit duhet të jetë Beogradi. Sepse arsyeja që nuk zbatohen marrëveshjet, është Beogradi”.
”Ne presim që partnerët tanë të ushtrojnë presion mbi Beogradin. Nëse injorohet fakti që Serbia po mohon marrëveshjet, atëherë nuk pres dialog të mirëfilltë”./KlanKosova/KultPlus.com
Presidentja Osmani është takuar me Princin William, të Mbretërisë së Bashkuar me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunime në temat si përkrahja e rinisë në dy tema të rëndësishme aktuale, siç janë projektet e agjendës së gjelbër dhe ndërgjegjësimin rreth çështjeve që lidhen me shëndetin mendor, shkruan KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur Presidentja Osmani përmes një postimi në facebook.
“Kënaqësi të takoj sërish Princin William të Wales-it, në kuadër të ceremonisë Earthshot Prize në Singapor.
Diskutimet tona u fokusuan në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në tema si përkrahja e rinisë në projekte të agjendës së gjelbër si dhe në projekte për ndërgjegjësimin rreth çështjeve që lidhen me shëndetin mendor”, ka shkruar Presidentja Osmani në facebook./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e jorezidente e Kolumbisë në Kosovë, Ligia Margarita Quessep Bitar, të cilën e uroi për detyrën dhe shfaqi shpresën se gjatë mandatit të saj do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.
Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e shkëmbimit të studentëve, por edhe në atë të tregtisë dhe ekonomisë.
Presidentja Osmani poashtu njoftoi nga afër ambasadoren lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e ka analizuar dhe lexuar draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili u propozua nga pesëshja evropiane.
“E kam analizuar gjerë e gjatë me vëmendje të gjatë, vlerësimit e mia do t’i jap më shkrim në momentin që kemi proces të nënshkrimit pastaj kur shkon ky draftstatut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës së Kosovës do t’i dërgoj të gjitha komentet me shkrim”, ka theksuar Osmani, njofton Klankosova.tv./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, njëherësh kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. Kearns po qëndron në një vizitë në Kosovë me ftesë të Presidentes Osmani.
Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për deputeten britanike, Alicia Kearns, për përkrahjen e jashtëzakonshme për Kosovën dhe popullin e saj. Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ngritur vetëdijën për rreziqet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe tërë Ballkani Perëndimor.
Takimi me deputeten Kearns u përqendrua në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.
Presidentja Osmani e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë.
Më tej, Presidentja Osmani tha se deputetja Kearns ka treguar vazhdimisht përkushtimin e saj për ta mbështetur Kosovën në afirmimin e të vërtetës, ndaj e ka falënderuar në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Deputetja Alicia Kearns është një avokuese e shquar për Kosovën, ndaj ne presim që edhe më tej, angazhimi i saj të jetë në funksion të prezantimit të gjendjes reale këtu, duke u mbështetur në argumente e fakte, ashtu siç bën vazhdimisht ajo”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ndërkaq deputetja Kearns, falënderoi Presidenten Osmani për ftesën dhe theksoi përkushtimin e saj personal për ta vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar ngushtë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale. Presidentja Osmani e uroi ambasadoren për detyrën dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm.
Ndërkaq, ambasadorja Blitt, shtoi se nga ana e saj do të ketë edhe angazhim më të madh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët për të dy shtetet sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore, njofton Presidenca.
Në këtë takim, siç thuhet në njoftim, është konfirmuar gatishmëria për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, si dhe angazhimi i përbashkët i avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja, ndërkaq e njoftoi ambasadoren Blitt edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në vend, me ç’rast potencoi rëndësinë e madhe të vazhdimit të bashkëpunimit me aleatë, si dhe nevojën për të vënë autorët e aktit të agresionit të 24 shtatorit para përgjegjësisë.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është detyrë e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë që çdo vajzë e grua të ndjehet e fuqizuar dhe e mbështetur për të ndjekur pasionin e saj. Një mesazh të tillë e para e shtetit e dha gjatë adresimit të saj në ceremoninë diplomimit të 20 studenteve kosovare në “Global Engineer Girls of Kosovo”.
“I gëzohem përherë ngjarjeve të tilla, të cilat në qendër kanë gratë dhe vajzat e reja si dhe sukseset e tyre të pandalshme. Programet si ‘Global Engineer Girls’ janë iniciativa të shkëlqyeshme që mbështesin gratë dhe vajzat të cilat kanë vendosur të ndjekin karrierën e tyre në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës dhje njëkohësisht ndihmojnë në forcimin e partneritetit me institucionet tona arsimore që ofrojnë këto programe për të rejat dhe të rinjtë tanë”, ka theksuar presidentja Osmani.
E para e Republikës ka thënë se është e domosdoshme që të punohet ende në zvogëlimin e hendekut gjinor në perspektivën e punësimit në vendin tonë. Ajo ka thënë se është e rëndësishme të kuptohet që kur ka gjithëpërfshirje dhe barazi, çdo sfidë dhe çdo problem tejkalohet më shpejt dhe më mirë.
“Këto vajza të reja janë më të vërtet shembulli më i mirë i potencialit të rinisë sonë të jashtëzakonshme, sukseset e të cilave nuk njohin kufij. Detyra jonë si shtet dhe si shoqëri është që çdo grua dhe vajzë të ndjehet e fuqizuar dhe e mbështetur për të ndjekur pasionin e tyre, pa marrë parasysh fushën dhe rrugëtimin që kanë zgjedhur. Është detyrë e jona që çdo vajzë pa frikë dhe pa hezitim mund të thotë se unë dua, unë mundem dhe unë do t’ia arrij. Prandaj, le të jemi një vend që nuk e sheh të ardhmen e barabartë vetëm si një destinacion, por si mision të shenjtë. Një mision ku çdo grua dhe çdo vajzë ka një vend të garantuar në rrugën drejt suksesit dhe të ardhmen e vendit tonë. Në këtë ditë të veçantë dhe kaq të rëndësishme për secilën prej jush ju përgëzoj për suksesin dhe uroj shumë që të vazhdoni t’i frymëzoni brezat e ardhshëm të inxhiniereve dhe shkencëtareve tona”, ka shtuar presidentja Osmani.
Global Engineer Girls (GEG) është program për mundësi arsimimi dhe karriere në Kosovë, Turqi, Maqedoni Veriore dhe Kuvajt./rtk/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vendosur të mos e dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokur të vendit.
Kështu presidentja e shtetit njoftoi në një konferencë për media, raporton Gazeta Express.
“Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, tha Osmani.
Ajo tregoi se “procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar”.
Vlerësimi i saj, Osmani tha se është “brenda mandatit kushtetues” të saj si presidente, dhe se në të janë “evidentuar të gjitha shkeljet”, duke i përmendur disa prej tyre./Express/KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas vdekjes së Martti Ahtisaarit ka thënë se ai ishte një figurë madhështore e skenës globale politike, i cili ka skalitur kornizën e shtetit të Kosovës, dhe si i tillë do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani përmes një postimi në facebook tha se vizionari dhe paqebërësi Martti Ahtisaari, do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës .
“Sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari.
Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë!
Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës.
Paqebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës!”, thuhet në postimin e presidentes Osmani/KultPlus.com
Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka uruar homologun e saj të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me rastin e Ditës Kombëtare të Gjermanisë, shkruan KultPlus.
Presidentja Osmani përmes një postimi në Twitter ka thënë kjo ditë e shënuar na kujton për rëndësinë e mbrojtjes së lirisë e demokracisë, vlera këto që bashkojnë të dyja vendet dhe popujt.
“Urime Presidentit Steinmeier dhe miqve dhe aleatëve tanë në Gjermani për Ditën e Unitetit Gjerman! Ky rast i rëndësishëm na kujton rëndësinë e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë – vlera që vazhdojnë të bashkojnë vendet dhe popujt tanë”, ka shkruar Osmani/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull që është i gatshëm me mbrojt lirin me çdo kusht.
Kështu ka deklaruar e para e shtetit në një intervistë për mediumin italian “La Republicca”, transmeton Klankosova.tv.
Osmani ka thënë se Serbia kreu një akt agresioni të dielën e shkuar, ku një grup prej 30 personave terroristë serbë sulmuan Policinë e Kosovës. Nga ky sulm mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre terroristë serbë.
“Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe se NATO është me ne”, është shprehur presidentja Osmani në një intervistë për mediumin italian.
Osmani gjithashtu shtoi se Serbia është duke vepruar shumë më ndryshe se ajo që është parë në 25 vitet e fundit.
“Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më datën 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke përforcuar forcat e armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë”, potencoi Osmani./KlanKosova/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve.
Presidentja ka theksuar se veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi. Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për ta shtensionuar situatën në veri të vendit dhe se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë në përballje me grupet kriminale serbe.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.
Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Në takim u diskutua po ashtu për rezultatet që priten nga Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë gjatë muajit tetor./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se polici i vrarë dje, Afrim Bunjaku, është heroi i secili shqiptar.
Presidentja Osmani gjatë ceremonisë së varrimit potencoi se Bunjaku bëri sakrificën më sublime duke u bërë hero i Kosovës, raporton Klankosova.tv.
“Jemi mbledhur këtu me zemër të thyer dhe pikëllim të thellë për të nderuar një rreshter të përkushtuar i cili dje bëri sakrificën më sublime duke u bërë hero i Kosovës”.
“Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të por jo fundi i tij. Prej sot, Afrimi është heroi i secili shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës, sepse ai dje mbrojti integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë”, u shpreh Osmani.
“Do të kujtohet përherë sa të jetë Republika. Heroi më i ri i Republikës, dje dëshmoi se Kosova është mbi të gjitha, Afrim Bunjaku është dëshmi se shteti ynë ka nevojë se secili nga ne t’i bëhet gardian”./KlanKosova/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në një ceremoni të mbajtur në Konsullatën e Kosovës, ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, ish-kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, mikun e madh të Kosovës, kontribuesin për lirinë dhe pavarësinë tonë, z. Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi.
Sipas Presidentes Osmani, Urdhri është falënderim i qytetatëve të Kosovës ndaj punës së palodhshme së tyre, për konributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pandërprerë për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe si avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
“Ju keni qenë zëri ynë në kohë të errëta! Ju keni qenë shpresa jonë në kohën e pashpresë. Ju keni qenë katalizator të afirmimit të kërkesave tona kudo në botë, ndaj liria jonë bartë edhe firmën tuaj”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë ceremoni.
Dekorimi i Joe DioGuardi ka përkuar me ditëlindjen e tij të 83-të, të cilin e uroi Presidentja Osmani dhe theksoi se “Joe personifikon Amerikën, aleatën tonë të përhershme, ashtu siç na la amanet presidenti historik dr.Ibrahim Rugova”.
Sipas Presidentes Osmani, Joe dhe Shirley janë kontribues të jashtëzakonshëm dhe miq të mëdhenj të Kosovës.
“Ju të dy keni nga nje vend të posaçëm në zemrën e secilit kosovar! Ju na përkujtoni sa e zorshme ka qenë lufta jonë për të drejta, liri dhe pavarësi. Ju na kujtoni se pa mbështetjen e miqve nuk arrihen rezultate, ndaj zoti i bekoftë SHBA-të, zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme!”, ka thënë Presidentja Osmani/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës në New York ka takuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidentja Osmani ka treguar se me Blinken kanë diskutuar për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, fuqizimin ndërkombëtar të vendit tonë, stabilitetetin në rajon, si dhe rëndësinë e bashkërendimit me aleatët.
”Lidhja me ShBA-të është ekzistenciale dhe e pashkëputshme”, ka shkruar Osmani./21Media/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Neë York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Libanit, Najib Mikati.
Në takim, Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës për formalizimin e marrëdhënieve diplomatike.
Presidentja Osmani e ka njoftuar kryeministrin Mikati edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët.
Në takim me kryeministrin Mikati, Presidentja Osmani foli edhe për organizimin e edicionit të dytë të Forumit global të Grave, Paqes dhe Sigurisë që mbahet më 23 tetor të këtij viti dhe i bëri ftesë për pjesëmarrje atij dhe zyrtarëve të tjerë libanezë./KultPlus.com
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka udhëtuar për në NewYork, ku pritet të zhvillojë takime me liderë botërorë në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, shkruan KultPlus.
Përmes këtyre takimeve me homologët e saj, Presidentja Osmani pritet të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Në një komunikatë nga presidenca thuhet se presidentja së bashku me Zotërinë e Parë është ftuar nga presidenti i SHBA-ve Joe Biden, përderisa një takim me këtë të fundit e ka organizuar edhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden.
“Presidentja është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Ndërkaq, Zotëria i Parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden”, thuhet në komunikatë.
Presidenta poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate, do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA.
Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA./KultPlus.com
Në Berat, po zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentes së Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani -Sadriu. Asaj do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitojë Kishën e Shën Mërisë dhe Muzeun Onufri.
Ky është një titull shumë i lartë ekskluziv, i cili i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri ka marrë pjesë sot në hapjen e ekspozitës për nder të Nënë Terezës.
Presidentja me këtë rast ka theksuar se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën. Ajo ka deklaruar se Nënë Tereza nuk ka bërë vepra humanitare për bujë, por bëri bujë me veprat e saj.
Dje gjatë ditës, presidentja Osmani është takuar me homologun e saj, Bajram Begajn, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla./RTK/KultPlus.com
Në oborrin e Pallatit Presidencial në Tiranë, është hapur ekspozita me rastin e përvjetorit të vdekjes së Nënës Terezë.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë të dy presidentët: Bajram Begaj, president i Shqipërisë dhe Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.
Në këtë ekspozitë janë të shfaqura fotografi e dokumente nga arkivat e 3 vendeve shqipfolëse (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut), e që kanë të bëjnë me humanisten shqiptare.
Pas këtij aktiviteti presidentet do të vendosin kurora në monumentin ‘Nënë Shqipëri’.
Kjo ngjarje po organizohet në kuadër të vizitës dy ditore të shefes së shtetit të Kosovës në Tiranë./KlanKosova/KultPlus.com
Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron për vizitë shtetërore dy ditore në Shqipëri.
Presidentja Vjosa Osmani dhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në orën 09:00 do të kenë aktivitet të përbashkët me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e arkivave. Të dy presidentët marrin pjesë në hapje dhe japin nga një deklaratë.
Me pastaj, Presidentja Osamni do të këtë edhe shumë aktivitetet të tjera. Ndër të tjera ajo do të vizitoj Beratin dhe Durrësin.
Dje gjatë ditës, presidentja Osmani është takuar me homologun e saj, Bajram Begajn, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla.
Në kuadër të vizitës shtetërore në Shqipëri, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u prit në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë takimit, presidentja Osmani dhe kryeministri Rama diskutuan për aspekte të ndryshme me interes të përbashkët, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimin në politikën e jashtme, partneritetin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka konsideruar të nevojshme vazhdimin e përkrahjes të delegacionit. të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës për përfundimin me sukses të trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Këtë deklaratë Osmani e ka bërë gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Sipas presidentes Osmani, diplomacia parlamentare ka rol jetik në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Në këtë kontekst, Osmani dhe kryeparlamentarja Nikolla, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave e kapaciteteve.
Agjenda e plotë për sot
Ora 09:00 – 09.20 – Aktivitet i përbashkët i dy Presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave
Të dy presidentët marrin pjesë në hapje dhe japin nga një deklaratë
Vendi: Presidenca e Shqipërisë
Ora 09:30-09:40 – Ceremonia e vendosjes së kurorës në monumentin “Nëna Shqipëri” me pjesëmarrjen e Nënkryetarit të Bashkise, z. Andi Seferi dhe Komandantit te Gardes se Republikes, z. Gramos Sako
Nisja për në BERAT
Ora 11:15-11:30 – Takim midis Presidentes së Republikës së Kosovës SH.S.Znj. Vjosa Osmani Sadriu, me Kryetarin e Bashkisë së Beratit, Z.Ervin Demo
Vendi: Bashkia e Beratit
11.30-11.45 – Ceremonia e dhënies së Titullit “Patron i Kalasë” Anglisht “Patron of the Castle”). Ky është një titull shumë i lartë ekskluziv, i cili i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.NISJA PËR NE DURRËS
Ora 16.50-17.15 – Takim me Kryetaren e Bashkisë te Durrësit, zj. Emiriana Sako Vendi: Bashkia Durrës
Ora 17.30 – Vizite ne piken doganore te Kosovës ne Portin e Durrësit./gazetaexpress/KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, shkruan KultPlus.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjersa po qëndron në një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Shqipërisë.
“Sipas Presidentes Osmani, diplomacia parlamentare ka rol jetik në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani dhe kryeparlamentarja Nikolla, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave e kapaciteteve”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim po ashtu thuhet se sipas Presidentes Osmani, ekziston përkushtim i përbashkët për avancimin e interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, duke rritur koordinimin dhe bashkërendimin në fushën e politikës së jashtme.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të përkrahjes së delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës për përfundimin me sukses të trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë”, thuhet në komunikatë.
Për Presidenten Osmani integrimi euroatlantik është synimi i përbashkët i të dy vendeve./KultPlus.com
Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, z.Bajram Begaj, Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë shtetërore dy ditore në Shqipëri gjatë së cilës do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Presidenti Begaj. Përveç takimit tête à tête, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione.
Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje Presidenti Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për Presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova. Presidentja do të shoqërohet nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, i cili gjatë ditës do të vijojë me agjendë të përbashkët me Zonjën e Parë të Shqipërisë, Armanda Begaj.
Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Pas takimit, Presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Kryeministri Rama. Presidentja poashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Lindita Nikolla.
Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë. Poashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.
Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidentja Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.
Agjenda do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidentes do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri.
Në Durrës ndërkaq, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.
“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.
Osmani ka thënë se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës në veri qysh më 10 korrik në Bratisllavë.
Ajo e ka përmendur që marrëveshja parasheh zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, hap që ajo ka thënë se Kosova e ka bërë, dhe se është duke u punuar në organizimin e zgjedhjeve të reja.
Sipas Osmanit, baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më 1 shtator, dhe kështu ka thënë se pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka vlerësuar si të padrejta dhe joproporcionale.
Një tjetër pikë e marrëveshjes së Bratisllavës parasheh edhe kthimin sa më të shpejtë në dialog në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.
Osmani ka thënë se pret lëvizje në këtë drejtim në shtator.
Për dialogun kanë diskutuar më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta në maj të këtij viti, meqë banorët e komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunave.
Banorët e këtyre komunave me shumicë serbe kanë protestuar me javë para ndërtesave dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë./REL/KultPlus.com