Presidentja Osmani bën homazhe te vëllezërit Gërvalla: Të bëjmë çmos që liria jonë të shkëlqejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik, në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.

Në një prononcim për gazetarëve, ajo ka thënë se duhet të sigurohemi që nipat dhe mbesat e atyre që kanë rënë për Kosovën, të prosperojnë në liri, raporton Klan Kosova.

“Jemi këtu me familjen Konjufca dhe me familjen Gërvalla, me miq e dashamirë nga gjithë Kosova për të përkujtuar trimërinë, guximin dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës që u shndërruan në simbol të përpjekjeve tona për liri”, ka thënë Osmani.

“E kujtojmë me pietet të gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djem e vajzave të Kosovës që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të punojmë për një Kosovë të pavarur, ta gëzojmë Kosovën e pavarur dhe lirinë e saj dhe të sigurohemi që nipat e mbesat e Jusuf Gëvallës e Kadri Zekës, por edhe të gjithë nipat dhe mbesat e atyre që ranë për Kosovën dhe për lirinë e saj, të prosperojnë në liri dhe njëkohësisht të bëjmë çmos që liria jonë, jo vetëm të mbijetojë, por të shkëlqejë në mesin e kombeve të lira dhe të pavarura”, është shprehur presidentja Vjosa Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

Tash po nisemi

Poezi nga Jusuf Gërvalla

Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura
Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë?
Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit
Ra përmbi tryezë.

Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë
Si palaço të punojë
Në cirkun e verdhë.

Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë
-që të dy prej letrës së verdhë-
Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin
Dashurinë, poezinë.
E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig
-të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë
Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë
Prej fjalësh të pathëna
Dhe prej mëlçisë së zezë.

Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet
Në pritjen e vet
Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve
Të fikura derdhin kot
Si një pikë në det
Jemi si yje
Në qiell.
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak
Dashuria s’është ilaç as helm.
Me kokën time e krijoj
Me duart e mia dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej./KultPlus.com