Në Sarajevë mbahet Parada e Krenarisë

Qindra qytetarë marshuan në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës për të shënuar Paradën e tretë të Krenarisë, në mbështetje të komunitetit LGBT.

Nuk është raportuar për dhunë në ngjarjen e mbajtur më 14 gusht, kjo për shkak të prezencës së madhe të policisë, që bllokoi rrugë të kryeqytetit, për të parandaluar përleshjet eventuale me kundërprotestues.

Kjo është Parada e Tretë që mbahet në Bosnje, një shtet i ndarë etnikisht dhe gjerësisht konservatorë.

Organizatorët thanë se pjesëtarët e komunitetit LGBT janë margjinalizuar edhe më shumë që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, që ka lënë të vdekur mbi 9.700 persona në këtë shtet.

“Ne po rezistojmë dhe po themi se mjaft është mjaft. Pandemia solli më shumë dhunë. Na ka mbyllur në katër mure, në rrethin e dhunës në familje. Koha është që të themi mjaft, tha Amar Catoviq, një prej organizatorëve, që mbajti fjalim para ndërtesës së parlamentit.

“Ne, lesbiket, gejët, biseksualët, transgjinorët, po dalim në rrugë sepse kufizimet e pandemisë janë realitet i përditshëm i yni”, tha grupi i organizatorëve përmes një deklarate për media. “Në vitin që e lamë pas, të drejtat dhe liritë tona janë përkeqësuar edhe më tej”, u tha në deklaratë.

Grupi ka kërkuar që të miratohet ligji për partneritet mes gjinisë së njëjtë dhe që t’i jepet fund diskriminimit të komunitetit LGBT në Bisnje.

Dhjetëra kundërshtar të LGBT mbajtën tubimet e tyre në Sarajevë, duke thënë se duan t’i mbrojnë vlerat tradicionale të shtetit kundër ideologjisë “agresive” të komunitetit LGBT./ REL / KultPlus.com

Parada e LGBTI-së ka vetëdijësuar kosovarët, më 10 tetor priten mijëra pjesëmarrës

Më 10 tetor, LGBTI dhe qytetarë në mbrojtje të të drejtave të këtij komuniteti pritet që të marshojnë në paradën e dytë të krenarisë në Prishtinë të quajtur “Në emër të lirisë”. Parada e sivjetme do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” me fillim nga ora 11:30 deri në orën 14:30.

Aktivisti për të drejtat e LGBTI dhe koordinatori i projektit në “CEL Kosovo”, Lendi Mustafa, ka thënë për Insajderin se këtë vit presin që të ketë më shumë pjesëmarrës sesa vitin e kaluar, ku ishin rreth 700 vetë.

“Presim numër më të madh të pjesëmarrësve pasi që parada e krenarisë vitin e kaluar ka ndikuar te fuqizimi i personave LGBTI, aktivistëve dhe përkrahësve”, ka thënë Mustafa.

Ai tha se duke pasur parasysh që shoqëria kosovare ende nuk është e vetëdijesuar në lidhje me personat LGBTI dhe të drejtat e tyre, do të presin reagime të ndryshme kundër paradës, por shtoi se përkrahja ndaj këtij komuniteti po rritet dhe një pjesë e shoqërisë ka filluar të vetëdijesohet.

Duke thënë se sivjet presin që parada të përmbyllet me sukses dhe pa incidente, aktivisti Mustafa ka njoftuar se masat e sigurisë do të jenë në përputhshmëri me kërkesat e komunitetit LGBTI dhe varësisht nga nevoja, policia do të jetë në gatishmëri.

Për paradën e 10 tetorit janë ftuar të gjithë liderët institucional.

“Nga liderët institucional i kemi ftuar të gjithë dhe shpresojmë që të gjithë të jenë pjesë e paradës, ose të paktën ata që kanë qenë pjese vitin e kaluar”, ka njoftuar Lendi Mustafa.

Një vit më parë ishte mbajtur Parada e parë e Krenarisë nën slloganin “Në emër të dashnisë” në të cilën ndër të tjerë, morën pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruarir O’Connell, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalya Apostolova dhe shefi i USAID-it në Kosovë, James Jope./KultPlus.com