Në Sarajevë mbahet Parada e Krenarisë

Qindra qytetarë marshuan në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës për të shënuar Paradën e tretë të Krenarisë, në mbështetje të komunitetit LGBT.

Nuk është raportuar për dhunë në ngjarjen e mbajtur më 14 gusht, kjo për shkak të prezencës së madhe të policisë, që bllokoi rrugë të kryeqytetit, për të parandaluar përleshjet eventuale me kundërprotestues.

Kjo është Parada e Tretë që mbahet në Bosnje, një shtet i ndarë etnikisht dhe gjerësisht konservatorë.

Organizatorët thanë se pjesëtarët e komunitetit LGBT janë margjinalizuar edhe më shumë që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, që ka lënë të vdekur mbi 9.700 persona në këtë shtet.

“Ne po rezistojmë dhe po themi se mjaft është mjaft. Pandemia solli më shumë dhunë. Na ka mbyllur në katër mure, në rrethin e dhunës në familje. Koha është që të themi mjaft, tha Amar Catoviq, një prej organizatorëve, që mbajti fjalim para ndërtesës së parlamentit.

“Ne, lesbiket, gejët, biseksualët, transgjinorët, po dalim në rrugë sepse kufizimet e pandemisë janë realitet i përditshëm i yni”, tha grupi i organizatorëve përmes një deklarate për media. “Në vitin që e lamë pas, të drejtat dhe liritë tona janë përkeqësuar edhe më tej”, u tha në deklaratë.

Grupi ka kërkuar që të miratohet ligji për partneritet mes gjinisë së njëjtë dhe që t’i jepet fund diskriminimit të komunitetit LGBT në Bisnje.

Dhjetëra kundërshtar të LGBT mbajtën tubimet e tyre në Sarajevë, duke thënë se duan t’i mbrojnë vlerat tradicionale të shtetit kundër ideologjisë “agresive” të komunitetit LGBT./ REL / KultPlus.com

BE-ja nis procedura ligjore kundër Hungarisë e Polonisë shkaku i LBGT-së

Komisioni Evropian ka thënë se ka filluar masa ligjore kundër Hungarisë dhe Polonisë për atë që e ka cilësuar si diskriminim kundër komuniteteve LGBT në këto dy shtete të BE-së.

Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian tha të enjten se masat e tij kundër Hungarisë janë të lidhura me ligjin e ri, që ua ndalon shkollave përdorimin e materialeve që shihen si promovim i homoseksualitetit. Ky ligj është kundërshtuar ashpër nga BE-ja, por Hungaria dukej e vendosur për të mos hequr dorë dhe e miratoi atë ditë më parë.

Masat kundër Polonisë lidhen me vendimin e disa rajoneve dhe komunave për ta shpallur veten “zona të lira nga ideologjia LGBT” dhe me dështimin e autoriteteve për të reaguar ndaj hetimeve në këtë çështje, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

“Komisioni është duke filluar procedura për shkelje kundër Hungarisë dhe Polonisë në lidhje me barazinë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.

“Dy shtetet anëtare tani kanë dy muaj për t’iu përgjigjur argumenteve të ngritura nga Komisioni. Në të kundërtën, Komisioni mund të vendosë që t’iu dërgojë atyre një opinion të arsyetuar dhe në një hap të ardhshëm t’i drejtojë ato në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian”, shtohet më tej.

Në Hungari, qeveria nacionaliste e kryeministrit Viktor Orban ka sjellë policika sociale më radikale si pjesë e asaj që e cilëson si mbrojtje të vlerave tradicionale të krishtera nga liberalizmi perëndimor.

Në Poloni, gati 100 autoritete lokale kanë miratuar rezoluta që e kundërshtojnë atë që e quajnë “ideologji LGBT”. Aktivistët për mbrojtjen e këtij komuniteti thonë se këto zona kanë nxitur dhunë dhe kanë kontribuuar në shëndetin e dobët mendor të pjesëtarëve të rinj në moshë të komunitetit LGBT. / Express / KultPlus.com

BE e shpall veten “zonë lirie” për LGBTIQ-të

Parlamenti i BE miratoi një deklaratë të qartë për liritë personale si reagim ndaj rezolutave në Poloni kundër njerëzve me orientime seksuale të ndryshme.

Me një shumicë prej 492 pro ndaj 141 votave kundër dhe 46 abstenimeve, eurodeputetët në Bruksel votuan në favor të një rezolute për ta shpallur Bashkimin Evropian “zonë lirie për LGBTIQ-të”.

Shkak për këtë reagim si dhe për rezolutën u bë ndër të tjera Polonia me traditën e saj të fortë katolike konservatore, ku që nga viti 2019 rreth 100 komuna e shpallën veten si zona “pa LGBTIQ”. Partia nacionaliste e djathtë PiS ankohet rregullisht për një “ideologji LGBTIQ-iste” që ushqehet nga “eurokratët” e Brukselit dhe që drejtohet kundër traditave dhe vlerave polake.

Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe komisarja për barazinë Helena Dalli, e përshëndetën rezolutën, duke thënë se “BE duhet të jetë një zonë lirie për të gjithë ne, pa përjashtim.”

Kritikë që pritej

Grupet parlamentare të socialdemokratëve, liberalëve dhe të demokristianëve e përshëndetën rezulutën. Kurse konservatorët e djathtë dhe partitë nacionaliste të djathta e kritikuan atë duke i akuzuar partitë e tjera për ideologji të majtë dhe propagandë.

Eurodeputeti i partisë polake PiS, Ryszard Legutko e quajti rezolutën “absurde” dhe Parlamentin e BE-së një “makineri të madhe ideologjike”. Politika familjare është ekskluzivisht kompetencë kombëtare e vendeve të BE-së dhe komunat polake kanë të drejtën e tyre për të mbrojtur familjen tradicionale dhe për të refuzuar “indoktrinimin” e fëmijëve me “absurditete” të teorive gjinore, tha ai. / KultPlus.com