Në Sarajevë mbahet Parada e Krenarisë

Qindra qytetarë marshuan në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës për të shënuar Paradën e tretë të Krenarisë, në mbështetje të komunitetit LGBT.

Nuk është raportuar për dhunë në ngjarjen e mbajtur më 14 gusht, kjo për shkak të prezencës së madhe të policisë, që bllokoi rrugë të kryeqytetit, për të parandaluar përleshjet eventuale me kundërprotestues.

Kjo është Parada e Tretë që mbahet në Bosnje, një shtet i ndarë etnikisht dhe gjerësisht konservatorë.

Organizatorët thanë se pjesëtarët e komunitetit LGBT janë margjinalizuar edhe më shumë që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, që ka lënë të vdekur mbi 9.700 persona në këtë shtet.

“Ne po rezistojmë dhe po themi se mjaft është mjaft. Pandemia solli më shumë dhunë. Na ka mbyllur në katër mure, në rrethin e dhunës në familje. Koha është që të themi mjaft, tha Amar Catoviq, një prej organizatorëve, që mbajti fjalim para ndërtesës së parlamentit.

“Ne, lesbiket, gejët, biseksualët, transgjinorët, po dalim në rrugë sepse kufizimet e pandemisë janë realitet i përditshëm i yni”, tha grupi i organizatorëve përmes një deklarate për media. “Në vitin që e lamë pas, të drejtat dhe liritë tona janë përkeqësuar edhe më tej”, u tha në deklaratë.

Grupi ka kërkuar që të miratohet ligji për partneritet mes gjinisë së njëjtë dhe që t’i jepet fund diskriminimit të komunitetit LGBT në Bisnje.

Dhjetëra kundërshtar të LGBT mbajtën tubimet e tyre në Sarajevë, duke thënë se duan t’i mbrojnë vlerat tradicionale të shtetit kundër ideologjisë “agresive” të komunitetit LGBT./ REL / KultPlus.com

Edhe Era Istrefi mbështet “Paradën e Krenarisë” të mbajtur në kryeqytet

Sot në Prishtinë, për të dytin vit me radhë u organizua parada e komunitetit LGBT, e quajtur si “Parada e Krenarisë”.

Në mbështetje të kësaj parade kanë dalë shumë prej figurave publike, ku ndër to u panë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe këngëtarja e mirënjohur, Adelina Ismaili.

Por, duket se pjesë e kësaj parade ka qenë edhe këngëtarja tjetër kosovare, Era Istrefi.

Nuk dihet nëse ishte fizikisht prezente, por në InstaStory Era hodhi disa fotografi nga parada, duke treguar se është në mbështetje të këtij komuniteti.

“Urime Parada e Krenarisë 2018, Prishtina”, ka shkruar Era Istrefi.

E njëjta po ashtu ka hedhur në InstaStory edhe imazhe tjera nga Parada e LGBTI, e realizuar në New York vitin e kaluar.

Mesa duket, dëshira për të treguar se parada të tilla organizohen anë e kënd botës, bëri që këngëtarja t’i ndajë me fansat këto imazhe.

Më pas, për të treguar përkrahjen e saj, Istrefi publikoi edhe fotografi tjera, ku shfaqej me flokët shumëngjyrëshe, për të simbolizuar në njëfarë forme komunitetin LGBT. /KultPlus.com