Megi Cara, studentja shqiptare që nisi peticionin për vendosjen e Kosovës në hartën Apple

Një studente shqiptare në Londër nxiti një betejë virtuale mes ballkanasve për të njohur kufijtë e Kosovës, që arriti të tërheqë vëmendjen e disave nga mediat më të mëdha në botë.

Megi Cara, 20 vjeçe, nisi një peticion online, ku i kërkon kompanisë Apple ta paraqesë Kosovën si shtet më vete, pasi vërejti se ajo nuk ndahej nga Serbia me kufij ndërkombëtarë në aplikacionin Apple Maps. Peticioni u bë lajm në disa media lokale në shqip dhe në anglisht, derisa mbërriti edhe si një mesazh çasti nga Dua Lipa për ndjekësit e saj.

Dua Lipa mori komente raciste, kërcënuese dhe fyese, kryesisht nga serbë dhe simpatizantë të Serbisë. Reagimi i saj i mëpasmë ndezi përfundimisht betejën virtuale: ajo postoi në Twitter të njëjtën hartë të trojeve autoktone shqiptare, e cila u shpalos mbi stadiumin në Beograd nga Ismail Morina – Ballisti, në ndeshjen Serbia – Shqipëri gjashte vite më parë.

Exit News bisedoi me nismëtaren e peticionit, Megin Carën, për të kuptuar më mirë se si flamuri i autoktonisë na solli sërish në një gjendje të ndezur mes shqiptarëve dhe serbëve, për fat të mirë vetëm virtualisht, përcjellë KultPlus.

Megi është me origjinë nga Mamurrasi dhe prej afro 2 vitesh është në Londër.

Megi në intervistë tregoi se ajo nuk e ka hartuar dhe aq rastësisht peticionin.

Ajo ndër të tjera potencon se duke u rritur në Shqipëri, si fëmijë dhe adoleshente ka qenë më e hapur se bashkëmoshatarët e saj në perëndim ndaj ngjarjeve të potikës së përditshme. Përballja me realitetin e vështirë në Shqipëri dhe karakteri i saj e kanë shtyrë të mendojë për mënyra se si të përmirësojë gjendjen. Kjo e ka sjellë natyrshëm dhe gradualisht te vendimi për të studiuar polikën dhe ekonominë.

“Kjo ka qenë pikërisht ëndrra ime, të studioja ekonomi dhe politikë, dhe të studioja në Angli”, thotë Megi për Exit News.

Nuk të qëllon shpesh që një 20-vjeçare të të thotë se është konservatore dhe se ka pikë referimi Margaret Theçerin, si politikane dhe si grua.

“Unë besoj te barazia e mundësive në një demokraci, ndër parimet bazë të konservatorizmit. Kjo i dha mundësinë Margaret Theçerit të bëhej e para grua kryeministre në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që vinte nga një familje modeste. Megjithatë arriti të drejtonte vendin e saj dhe ta quanin “zonjë e hekurt.”

Duke mbetur te barazia e mundësive, Megi kujton se para pak ditësh kishin biseduar në një grup në internet rreth shpopullimit të shqiptarëve në trojet etnike në Serbi. Qeveria serbe në Luginën e Preshevës po heq nga regjistri civil shqiptarët që ata nuk i gjejnë në adresat e banimit.

Me patosit e rritur nga kjo bisedë, në grup ishte ngritur pyetja se “përse askush nuk flet për faktin se Kosova nuk është në hartë?”

Kjo pyetje e shtyu Megin të hartojë një peticion të shkurtër, me mendimin se ajo duhet të bënte atë që kishte në dorë, sado pak qoftë kjo.

Në këtë pikë ajo ndalet te bashkëpunimi i munguar midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës që pas pavarësisë së kësaj të fundit.

Megi u kërkoi miqve ta shpërndajnë peticionin në median sociale. Ajo i shkruaji direkt edhe disa faqeve që postojnë për çështje të Ballkanit.

Në pak orë e kuptoi se mbështetja po rritej në përmasa që ajo nuk i kishte pritur. Dhjetëra, qindra, mijëra firmosësit e parë të peticionit, pastaj një media e më vonë të tjera nisën të shrkuajnë për të.

Megi kujton ngazëllimin nga mesazhet mbështetëse nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëra e diaspora. “Larg atdheut të qan zemra më shumë”, thotë ajo.

Me rritjen e firmave, peticioni gjeti rrugën deri te disa persona të famshëm, të cilën e postuan atë në mediat sociale: Dua Lipa, Dafina Zeqiri, Era Istrefi, Rita Ora, Sidrit Bejleri, Kapital T, Don Phenom, Enisa, Selma Kasimovic, Elvana Gjata….

Ajo tregon edhe për mesazhe të tmerrshme kërcënuese por na siguron se nuk ka frikë.

Megi thotë se më e mira që ajo pret është që peticioni të detyrojë kompaninë Apple ta shtrojë për diskutim çështjen e kufijve të Kosovës dhe, idealisht, të vendosin ta paraqesin si shtet më vete.

Ajo e shtrin më tej ëndrrën e saj: që ky peticion t’u tregojë qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës se shqiptarët duan të bashkohen, se ata i duan qeveritë e të dyja vendeve të bashkëpunojnë për t’u afruar, deri në heqjen e kufirit mes dy vendeve.

“As vetë nuk e prisja këtë mbështetje dhe qava kur pashë dhjetëra mijëra firmat që kishte mbledhur peticioni” – thotë Megi a mallëngjyer.

Peticioni gjendet ende i hapur për mbështetje dhe tashmë i ka kaluar 130 mijë firmat. / KultPlus.com

OKB nisë peticionin që po nënshkruhet me “selfie”

Mijëra fotografi pritet të shfaqen në një ekspozitë 3D në Kombet e Bashkuara në New York, si pjesë e lëvizjes e cila kërkon nga krerët e shteteve që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur të gjithë civilët të cilët janë pjesë e konflikteve, përcjellë KultPlus.

OKB-ja është duke kërkuar nga njerëzit në gjithë botën të shtojnë emrat e tyre në një peticion, i cili kërkon nga liderët botërorë të mbrojnë civilët dhe punëtorët që ofrojnë ndihmë, mirëpo kësaj here jo me nënshkrime por me fotografi, selfie.

Imazhet në një version tredimensional do të publikohen në një strukturë xhami në ndërtesën e OKB-së, në atë që është cilësuar i pari “peticion i gjallë”.

“Është e paarsyeshme që civilët dhe punëtorët për organizata të ndihmave, vdesin dhe plagosen në zonat e konfliktit”, ka thënë drejtori i Zyrës së OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare, Mark Lowcock.

Ekspozita e OKB-së është pjesë e fushatës #NotATarget , përmes së cilës do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Ndihmës Humanitare më 19 gusht. Ajo do të vazhdojë të jetë e hapur në ambientet e OKB-së deri në muajin shtator, kur pritet të mblidhen liderët botërorë në New York.


“Mijëra fytyra që do të jenë pjesë e peticionit të gjallë do të jenë aty për t’iu rikujtuar liderëve botërorë, obligimin e tyre ligjor për mbrojtjen e civilëve në konflikte”, është shprehur Lowcock, shkruan Reuters.

Pothuajse 32,000 civilë janë vrarë apo plagosur nga armët shpërthyese vitin e kaluar në zonat e konfliktit./ KultPlus.com

https://www.worldhumanitarianday.org/en