Bashkimi bëri fuqinë, Apple vendos Kosovën në hartë

Megi Cara është studentja shqiptare në Londër e cila nisi peticionin për vendosjen e Kosovës në hartën e kompanisë Apple.

Fushata e vendosjes së Kosovës në hartën e Apple e cila bëri bujë të madhe, më në fund e ka arritur qëllimin.

E pas 197,175 nënshkrimeve në platformën online “Change”, ku kërkohej vendosja e kufijve të Kosovës në hartat e kompanisë teknologjike Apple, erdhi edhe lajmi i mirë.

Është vet Megi ajo që njoftoi se kërkesa e arriti qëllimin.

“Bashkimi bën fuqinë! Jam e lumtur të them se Kosova është shtuar në Apple Maps! Faleminderit për mbështetjen tuaj”, shkroi Megi në “Change.org”.

Fushata për vendosjen e kufijve të Kosovës në hartat e Apple u përkrah nga shumë njerëz, ndër ta edhe nga yjet tona nëpër botë – nga Dua Lipa, Rita Ora e shumë të tjerë. / KultPlus.com

Vendoset para TKK-se instalacioni ‘Kosova on Apple, fight fake news’, përkrahen Rita e Dua

Tash e një kohë në rrjetet sociale ka filluar kërkesa për vendosjen e Kosovës në hartën e Apple. Kjo kërkesë e cila është realizuar me anë të peticionit online ka marrë përkrahje edhe nga këngëtaret shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, duke bërë kështu bujë të madhe në mediat botërore, e sidomos në ato serbe, shkruan KultPlus.

Gjatë ditës së sotme para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, është vendosur instalacioni artistik i quajtur “Kosova on Apple, fight fake news”, instalacion ky i realizuar nga komuniteti artistik vendor ku përfaqësues ishin Fahrush Azemi dhe Mentor Mripa.

Fahrush Azemi potencoi se pas reagimit të këngëtareve shqiptare me famë botërore me mesazhe që tronditën botën dhe armiqtë tonë, ai së bashku me artistët e tjerë të komunitetit artistik vendosën që të tregojnë përkrahjen e tyre nëpërmjet instalacioeve të vendosura në sheshin e Prishtinës.

“Së bashku me kolegun tim Mentor Mripa kemi ardhur sot për t’i mbështetur dy artiste tona të mëdha Duan dhe Rita Orën të cilat pa hezitim, duke e parë një energji inerte të shtetit tonë, por gjithashtu duke e parë një padrejtësi e madhe që po i bëhet vendit tonë ato reaguan me mesazhe që tronditën botën dhe gjithashtu ato mesazhe tronditën më së shumti armiqtë tanë, ata që nuk na e duan të mirën vendit tonë”, deklaroi Azemi

Ndërkaq Metor Mripa ka thënë se kur artistët e suksesshëm e reprezentojnë denjësisht vendin e tyre atëherë edhe ne na takon t’i përkrahim ata.
“Ne kur përkrahim vlera, ne përkrahim veten realisht, fillimisht sepse nëse reprezentacioni i Kosovës, ose po them Majlinda Kelmendi ose natyrisht Dua Lipa, Rita Ora dhe shumë të tjerë të suksesshëm na reprezentojnë denjësisht pse edhe ne mos t’i përkrahim ato”, u shpreh Mripa.

Në njërin nga instalacionet ishte i printuar një imazh gjigant i këngëtares shqiptare, ku shkruante “Mbështeteni Duan”.

Gjithashtu pjesë e këtyre instalacioneve ishin edhe disa nga shkrimet e mediave serbe në të cilat është shprehur gjuhë e urrejtjes ndaj këngëtares Dua Lipa, dhe të cilat në këto instalacione etiketohen si lajme të rreme pasi që ato nuk paraqesin të vërtetën. / KultPlus.com

Gashi: Nëse më doni më ndihmoni ta vendosim Kosovën në hartë, jeni apo nuk jeni shqiptarë

Reperi i njohur me prejardhje kosovare, Gashi, ka kërkuar ndihmën e miqve dhe ndjekësve të tij në rrjetin social Twitter.

Së fundmi është bërë zhurmë e madhe, pasi të gjithë shqiptarët u çuan në këmbë për të kërkuar vendosjen e Kosovës në hartë.

Edhe reperi Gashi ka kërkuar nga miqtë e tij që nëse e duan atë, ta ndihmojnë për ta vendosur Kosovën në hartë.

“Nëse më doni më ndihmoni ta vendosim Kosovën në hartë, jeni apo nuk jeni shqiptarë “, ka shkruar reperi pranë një postimi të fundit. / KultPlus.com

Megi Cara, studentja shqiptare që nisi peticionin për vendosjen e Kosovës në hartën Apple

Një studente shqiptare në Londër nxiti një betejë virtuale mes ballkanasve për të njohur kufijtë e Kosovës, që arriti të tërheqë vëmendjen e disave nga mediat më të mëdha në botë.

Megi Cara, 20 vjeçe, nisi një peticion online, ku i kërkon kompanisë Apple ta paraqesë Kosovën si shtet më vete, pasi vërejti se ajo nuk ndahej nga Serbia me kufij ndërkombëtarë në aplikacionin Apple Maps. Peticioni u bë lajm në disa media lokale në shqip dhe në anglisht, derisa mbërriti edhe si një mesazh çasti nga Dua Lipa për ndjekësit e saj.

Dua Lipa mori komente raciste, kërcënuese dhe fyese, kryesisht nga serbë dhe simpatizantë të Serbisë. Reagimi i saj i mëpasmë ndezi përfundimisht betejën virtuale: ajo postoi në Twitter të njëjtën hartë të trojeve autoktone shqiptare, e cila u shpalos mbi stadiumin në Beograd nga Ismail Morina – Ballisti, në ndeshjen Serbia – Shqipëri gjashte vite më parë.

Exit News bisedoi me nismëtaren e peticionit, Megin Carën, për të kuptuar më mirë se si flamuri i autoktonisë na solli sërish në një gjendje të ndezur mes shqiptarëve dhe serbëve, për fat të mirë vetëm virtualisht, përcjellë KultPlus.

Megi është me origjinë nga Mamurrasi dhe prej afro 2 vitesh është në Londër.

Megi në intervistë tregoi se ajo nuk e ka hartuar dhe aq rastësisht peticionin.

Ajo ndër të tjera potencon se duke u rritur në Shqipëri, si fëmijë dhe adoleshente ka qenë më e hapur se bashkëmoshatarët e saj në perëndim ndaj ngjarjeve të potikës së përditshme. Përballja me realitetin e vështirë në Shqipëri dhe karakteri i saj e kanë shtyrë të mendojë për mënyra se si të përmirësojë gjendjen. Kjo e ka sjellë natyrshëm dhe gradualisht te vendimi për të studiuar polikën dhe ekonominë.

“Kjo ka qenë pikërisht ëndrra ime, të studioja ekonomi dhe politikë, dhe të studioja në Angli”, thotë Megi për Exit News.

Nuk të qëllon shpesh që një 20-vjeçare të të thotë se është konservatore dhe se ka pikë referimi Margaret Theçerin, si politikane dhe si grua.

“Unë besoj te barazia e mundësive në një demokraci, ndër parimet bazë të konservatorizmit. Kjo i dha mundësinë Margaret Theçerit të bëhej e para grua kryeministre në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që vinte nga një familje modeste. Megjithatë arriti të drejtonte vendin e saj dhe ta quanin “zonjë e hekurt.”

Duke mbetur te barazia e mundësive, Megi kujton se para pak ditësh kishin biseduar në një grup në internet rreth shpopullimit të shqiptarëve në trojet etnike në Serbi. Qeveria serbe në Luginën e Preshevës po heq nga regjistri civil shqiptarët që ata nuk i gjejnë në adresat e banimit.

Me patosit e rritur nga kjo bisedë, në grup ishte ngritur pyetja se “përse askush nuk flet për faktin se Kosova nuk është në hartë?”

Kjo pyetje e shtyu Megin të hartojë një peticion të shkurtër, me mendimin se ajo duhet të bënte atë që kishte në dorë, sado pak qoftë kjo.

Në këtë pikë ajo ndalet te bashkëpunimi i munguar midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës që pas pavarësisë së kësaj të fundit.

Megi u kërkoi miqve ta shpërndajnë peticionin në median sociale. Ajo i shkruaji direkt edhe disa faqeve që postojnë për çështje të Ballkanit.

Në pak orë e kuptoi se mbështetja po rritej në përmasa që ajo nuk i kishte pritur. Dhjetëra, qindra, mijëra firmosësit e parë të peticionit, pastaj një media e më vonë të tjera nisën të shrkuajnë për të.

Megi kujton ngazëllimin nga mesazhet mbështetëse nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëra e diaspora. “Larg atdheut të qan zemra më shumë”, thotë ajo.

Me rritjen e firmave, peticioni gjeti rrugën deri te disa persona të famshëm, të cilën e postuan atë në mediat sociale: Dua Lipa, Dafina Zeqiri, Era Istrefi, Rita Ora, Sidrit Bejleri, Kapital T, Don Phenom, Enisa, Selma Kasimovic, Elvana Gjata….

Ajo tregon edhe për mesazhe të tmerrshme kërcënuese por na siguron se nuk ka frikë.

Megi thotë se më e mira që ajo pret është që peticioni të detyrojë kompaninë Apple ta shtrojë për diskutim çështjen e kufijve të Kosovës dhe, idealisht, të vendosin ta paraqesin si shtet më vete.

Ajo e shtrin më tej ëndrrën e saj: që ky peticion t’u tregojë qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës se shqiptarët duan të bashkohen, se ata i duan qeveritë e të dyja vendeve të bashkëpunojnë për t’u afruar, deri në heqjen e kufirit mes dy vendeve.

“As vetë nuk e prisja këtë mbështetje dhe qava kur pashë dhjetëra mijëra firmat që kishte mbledhur peticioni” – thotë Megi a mallëngjyer.

Peticioni gjendet ende i hapur për mbështetje dhe tashmë i ka kaluar 130 mijë firmat. / KultPlus.com

Dukagjin Lipa reagon ndaj propagandistit serb

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, ka nxitur reagime të shumta pasi në llogaritë e saj zyrtare në rrjete sociale ka publikuar një fotografi në të cilën shihet harta e “Shqipërisë së Madhe” dhe mbishkrimi “Autochtonous”. Një flamur me pamje të njëjtë ishte valëvitur edhe mbi Beograd natën e ndeshjes futbollistike mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Një veprim i tillë i këngëtares s’i ka pëlqyer fare serbit me shtetësi kanadeze, Boris Malagurski, i cili është producent filmash e shkrimtar me qëndrime publike antishqiptare.

Malagurski publikimin e fotografisë së “Shqipërisë së Madhe” nga Dua Lipa e ka cilësuar si një “akt ekstremizmi” dhe ka thënë se duhet të dënuar.

“Këngëtarja angleze me origjinë shqiptare mbështet projektin terrorist-ekspansionist të Shqipërisë së Madhe. Kjo është njësoj si të mbështesësh ISIS-in, pasi UÇK copëtoi koka, vodhi dhe shiti organet njerëzore e dëboi dhe vrau mijëra serbë. Të gjithë duhet ta dënojmë këtë akt ekstremizmi!”, ka shkruar Malgaurski.

Ndaj një reagimi të tillë s’ka qëndruar i heshtur babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa, i cili është përfshirë në një debat të ashpër me producentin serbo-kanadez.

Dukagjin Lipa i ka thënë serbo-kanadezit se duhet të edukohet përpara se të vendos të shkruajë reagime të tilla në Twitter.

Malagurski ka reaguar përsëri.

“Ju lutem ndaloni së mbështeturi flamuj me stil të ISIS-it ku përshkruhen aspirata të mëdha territoriale shqiptare drejt tokave serbe, malazeze, maqedonase e greke. Ballkani ka nevojë për paqe dhe ju po promovoni luftë për rrëmbim të territoreve për të quar tutje ideologjinë tuaj fashiste”, ka shkruar serbo-kanadezi.

Dukagjin Lipa i është kundërpërgjigjur me ironi, duke i thënë se një qëndrim i tillë është qesharak kur vjen nga një njeri i cili ka më së paku dy diploma.

“Unë e kuptoj që ju si një nacionalist serb përpiqeni ta përdorni këtë për të fituar një lloj simpatie, por s’ka më budallenj, përveç miqve tuaj nacionalist në twitter”, ka shkruar Lipa.

Malagurski ka vazhduar polemikën duke i thënë Lipës se “logjika e juaj është e gabuar. Flamuri me stil të ISIS-it tregon Shqipërinë e Madhe. Unë nuk jam ai që e mbështet ekspansionizmin ekstremist – ju jeni”.

Në drejtim të Malagurskit ka lëshuar kritika të ashpra edhe ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili e ka quajtur si kukull të Putinit, dhe një propagandues serb e mohues i gjenocidit. / KultPlus.com

Ava Max përgëzon artistet shqiptare: Krenare me prejardhjen time

Është bërë një nga lajmet kryesore jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë fushata e artistëve shqiptarë ndaj kompanisë ‘Apple’ për vendosjen e Kosovës si shtet në hartat e tyre.

Shumë artistët të njohur shqiptar përfshirë edhe Dua Lipën dhe Rita Orën, kanë përdorur rrjetet e tyre sociale që të shtyjnë kompaninë ‘Apple’ të përmisojnë gabimin.

Dhe kjo iniciativë e tyre ka lënë të magjepsur edhe këngëtaren Ava Max, e cila me anë të një postimi të bërë në Instagram, tregon admirimin e saj ndaj bashkatdhetarëve.

Ajo në shkrimin e ndarë thotë “Duartrokitje për të gjitha artistet e forta shqiptare të cilat po bëjnë më të mirën e tyre në këtë kauzë. Krenare me prejardhjen time, dhe të gjitha femrat e pavarura, pasiononte dhe të forta që po e përfaqësojnë atë” / KultPlus.com