Prishtina Jazz Festival është një ngjarje kulturore tejet e rëndësishme që po rikthehet sonte në Prishtinë pas një pushimi të gjatë. Ky festival mban të gjallë traditën e muzikës jazz në Kosovë duke prezantuar muzikantë të njohur nga bota e Jazz-it, shkruan KultPlus.
Festivali do të sjell në Prishtinë 4 koncerte të cilat do të organizohen në dy lokacione të ndryshme dhe do të ofrojnë një spektër të gjerë të zhanreve të jazz-it.
Sonte, më datë 03 Maj, në Prishtinë do të prezantohet Brian Marsella Trio, i përbërë nga Brian Marsella – Piano, Kenny Wollesen- Bateri dhe Trevor Dunn – Kontrabas. Ky koncert do të mbahet në Teatrin Oda, duke filluar nga ora 21:00.
Më datë 04 Maj, Prishtina Jazz Orchestra do të performojë poashtu në festival me 18 anëtarë, me muzikantët më të mirë të Ballkanit: Dirigjent dhe Kitarë – Armend Xhaferi, Saksofonët: Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe, Ivan Yordanov, Boritë: Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov, Rajkard Bardhi, Trombonët: Saško Nikolovski, Vladislav Mičev,Ilir Vorpsi, Nikola Ristevski, Ritëm Sekcioni: Ilir Bajri – Piano, Kiril Tufekćievski – Kontrabas dhe Nesim Maxhuni – Bateri. Teatri Oda do ta mirëpres këtë koncert nga ora 21:00.
05 Maji vjen nën ritmet e Sara Decker Quartet, në përbërje me: Sara Decker – Vokal, Billy Test – Piano, Nicolai Amrehn – Kontrabas dhe Jeroen Truyen – Bateri. Koncerti mbahet në Kino Armata, ora 21:00.
Për të përmbyllur festivalin, më datë 06 Maj është rezervuar Derya Cenk Enver Trio, në përbërje me: Derya Türkan – Kemençe, Cenk Erdogan – Kitarë dhe Enver Muhamedi – Kontrabas. Koncerti mbahet në Kino Armata, ora 21:00.
Prishtina Jazz Festival është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe muzikën në Kosovë, andaj ky festival do të sjellë një atmosferë të veçantë në qytetin e Prishtinës dhe do të jetë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që e vizitojnë.
Koncertet do të mund t’i ndiqni duke siguruar biletat tuaja online në www.rave-travel.com.
Festivali vjen nën patronatin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Franca ka organizuar një koncert provë për të parë se a mund të kthehet ne normalitet pas një situate të përmirësuar të COVID-19.
Rreth 5000 persona që u mblodhën në arenën Bercy duhej të konfirmonin që s’janë të prekur nga virusi dhe të bartnin maska, shkruan France24.
Eksperimenti u bë me njerëz të moshës 18-49 vjeç që s’janë të rrezikuar shumë.
Franca raportoi 11,268 raste të reja COVID-19 të premten – një rritje prej vetëm 1,2 përqind nga java e mëparshme kur ishte regjistruar shifra më e ulët që nga fillimi i epidemisë./klan/KultPlus.com
Tryeza diskutimi, maratonë e filmave, bisedë e njëanshme me psikologë, performime poezish, natë rrëfimesh dhe koncerte muzikor, janë këto aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të Javës së Terapisë të Artit, shkruan KultPlus.
Java e Terapisë do të fillojë me një tryezë diskutimi të titulluar ‘’Shëndeti fundaMental’’, ku do të shqyrtohen çështje rreth nevojës për art, posedimit të veprave artistike, rëndësisë së artit për mirëqenien psikologjike, ndikimit psikologjik në krijimin dhe interpretimin e artit, rëndësisë së shëndetit mendor, vlerësimit së artit në shoqërinë tonë dhe jo vetëm.
Pjesë e tryezës së diskutimit do të jenë: Lirie Lokaj, Psikologe; Vigan Behluli, Psikolog; Teuta Krasniqi, Aktore; Leonora Aliu, Gazetare dhe Nesim Maxhuni, Artist. Ky event do të mbahet më 12 maj në Sallën e Kuqe në orën 18:00.
Në eventin e dytë të radhës do të zhvillohet një maratonë e filmave të titulluar ‘’3,2,1… Merr Frymë’’, ku do të shfaqen filmat si: “We are not Super Heroes” me regji të Lia Bertels, që tregon për vizualizimin e momentit të ndjeshëm gjatë të cilit realiteti dhe fantazia e ëndrrat shkëputen nga njëra-tjetra; “Listen Papa!” me regji të Olga Poliektova dhe Tatiana Poliektova, që tregon për fjalë të pathëna që marrin fuqinë e tyre në letrën e një djali drejtuar babait të tij; dhe “Verso le Stelle (To The Stars)” me regji të Antonello Piccione, që tregon për vizualizimin e arratisjes si rruga e vetme për një jetë më të mirë në mjerimin e pamëshirshëm të luftës.
Këta 3 filma do të zënë vend në orën 20:00 më 13 maj në M Club Prishtinë dhe Kino ‘’Jusuf Gërvalla’’ në Pejë. Ndërsa, më 14 maj në orën 18:00 do të shfaqen në Diakonie Youth Center në Mitrovicë.
Si aktivitet i tretë me radhë do të realizohet biseda e njëanshme me psikologun të titulluar ‘’Blind Confessions’’, ku do të flitet për gjërat që mund të jenë duke e munduar çdo njeri. Kjo ngjarje është menduar për ta lehtësuar barrën e bartjes të të gjitha atyre mendimeve e ndjenjave të cilave u kemi dhënë fuqi e kanë marrë fuqi mbi ne, apo thjesht të merret perspektiva e një personi të dytë mbi ato mendime dhe ndjenja.
Përgjatë “Blind Confessions”, të pranishmit kanë mundësi që të shkruajnë çdo mendim e gjë që ata duan të lexojnë në një copë letër dhe ti diskutojnë ato nga profesionistët e ftuar të shëndetit mendor për këtë event. Të gjitha gjërat e shkruara në letër do të jenë plotësisht anonime.
Këto biseda do të zhvillohen më 13 maj në orën 20:30 në M Club, Prishtinë me Urata Gjergjizi dhe në Kino “Jusuf Gervalla”, Pejë. Ndërsa më 14 maj në Mitrovicë në orën 18:30 do të zhvillohet në Diakonie Youth Center me Xhevahire Balaj në Diakonie Youth Center.
Ngjarja e katërt në kuadër të Javës së Terapisë të Artit është titulluar “Bardh e Zi me ngjyra”, ku flitet për artin dhe shëndetin mendor nga perspektiva e një artisti.
Të menduarit bardh e zi ose i njohur ndryshe si të menduarit e polarizuar është konsideruar se ka të bëjë me tendencën tonë të të menduarit përmes ekstremeve, si p.sh., “Asgjë nuk ka kuptim” apo “Çdo gjë është perfekte”. Kjo mënyrë e të menduarit na e vështirëson ta shohim botën në nuanca të tjera, me ngjyra të tjera, përveç atyre bardh e zi.
“Bardh e Zi me ngjyra” do të realizohet me Ilir Muharremin, i cili do t’i shtojë Javës së Terapisë së Artit nuanca të reja në aspektin e perspektivave të reja.
Kjo ngjarje do të zë vend më 15 maj në orën 19:00 në 1 8 Prishtinë.
Aktiviteti i pestë me radhë përfshinë performime poezish nga performues të shumtë të cilët do të ndajnë shkrimet e tyre poetike me audiencën prezente në “Slam Poetry” në ditën e dytë të Javës së Terapisë së Artit.
Ky event do të mbahet më 14 maj në orën 18:00 në M Club.
Ndërsa si aktivitet i gjashtë do të zhvillohet një natë e rrëfimeve e titulluar ‘’Netët pa gjumë”, ku folës do të jenë: Adriana Matoshi, Argenita Fetahu dhe Leart Rama.
Në këtë natë të pranishmit do të kenë mundësi të shpalosin përvojat e tyre nëpërmjet rrëfimeve të cilat do të japin një kuptim të ri netëve pa gjumë.
Eventi do të mbahet më 14 maj në orën 20:00 në M Club.
Akitviteti i fundit i cili do të përmbyllë Javën e Terapisë së Artit është koncerti muzikor me titull ‘’Festivali i Mendjes”, ku do të performojnë artistët si: SKAG Band, Gjina Kelmendi, Fjolla Shaqiri, Liridona Selmani, Lekë Gjurgjiali and Band, Florent Abrashi, dhe Nora Konjuhi.
Ky koncert do të zhvillohet më 16 maj në orën 19:00 në Teatrin Oda.
Java e Terapisë së Artit është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social./ KultPlus.com
Gërshetimi i epokave të ndryshme, veprave monumentale e artistëve që pushtojnë skenën duke ringjallur një pjesë të historisë, do të filloj edicionin e nëntëmbëdhjetë në shtator të këtij viti. Festivali ndërkombëtarë “ReMusica” si asnjëherë më parë do të sjellë rrugëtimin e publikut në sallat më prestigjioze të Evropës, shkruan KultPlus.
Rrethanat e krijuara si pasojë e pandemisë pamundësuan udhëtimin e artistëve ndërkombëtar në Prishtinë, mu për këtë arsye ishte festivali “ReMusica” ai që udhëtoj tek artistët dhe vendet e tyre. Sallat e mahnitshme të Amsterdamit, Austrisë, Gjermanisë, Francës e Prishtinës, do të jenë nikoqiri i koncerteve të katërmbëdhjetë netëve të festivalit “ReMusica”.
Në një intervistë për KultPlus, drejtoresha e këtij festivali Donika Rudi ka treguar se edicioni i sivjetëm i festivalit ka qenë një ndër organizimet më sfiduese, me kërkesa të mëdha dhe i kushtueshëm. Sipas saj ekipi i ndarë në shtete të ndryshme ka vepruar si një i vetëm.
“Një projekt grandioz, me kërkesa të mëdha, gjithashtu edhe shumë i kushtueshëm. Mirëpo, vendosmëria dhe vullneti ynë ishin të padiskutueshme andaj vendosëm që koncertet t’i japim nga sallat prestigjioze në Evropë, si p.sh. Het Concertgebouw Amsterdam, Lorely Saal, duke i lënë hapësirë të veçantë artistëve të çmuar nga Kosova. Thjeshtë, një ekip i tërë në shtete të ndryshme ka funksionuar paralelisht të unifikuar dhe si një”, ka thënë ajo.
Sipas Rudit e gjithë puna që është bërë deri më tani lidhet edhe me mesazhin e festivalit për këtë vit. Ajo ka thënë se pandemia në një formë i ka bashkuar të gjithë, duke thyer barriera, kufijtë e duke i dhënë hapësirë edhe artit që të lulëzoj në një kohë të errët.
Edicioni i sivjetëm i festivalit “ReMusica” ndonëse po vie në një formë krejtësisht të re, do të ruaj cilësinë, vëllimin dhe fizionominë e ndërtuar me vite ku pjesa më e madhe e programit do të jetë e orientuar tek veprat e kompozitorëve shqiptar.
Hapja e festivalit do të bëhet nga Ebonit Saxophone Quartet, drejtpërdrejtë nga “Het Concertgebouë Amsterdam”. Kurse Salla e Kuqe e Prishtinës do prezantoj koncertin e sopranos tonë tashmë të afirmuar, Besa Llugiqi e cila do të shoqërohet nga pianisti, tashmë me përvojë të madhe Misbah Kaçamaku.
Festivali po ashtu do vizitoj edhe djepin e muzikës, ku nga Lorely Saal në Vjenë do paraqes Trio Klavis (violinë, saksofon dhe piano). Pjesë e programit do të jenë edhe veprat e autorëve shqiptar si: Valton Beqirit dhe Artan Hasanit.
Në edicionin e 19-të të festivalit artistët Visar Kuçi dhe Lirika Pula-Kasapolli do të sjellin interpretimin e veprave që nuk janë luajtur më parë në Kosovë, por edhe veprën Calliope Tsoupaki.
Një ndër të veçantat e këtij edicioni do të jenë dyshja e përbërë nga kitaristi Jeremy Juove dhe violinisti Pierre Fouchenneret. Në mesin e shumë veprave ata do të luajnë edhe premierën e veprës së autorit Kreshnik Aliçkaj.
Gjithashtu edicioni i sivjetëm do të mirëpres edhe një nga kuartetet harkore më të kërkuara ndërkombëtarisht, Minguet Quartett, e të cilët do të interpretojnë veprën e kompozitorit kosovar Ardian Halimi, e cila është shkruar si porosi e Festivalit ReMusica.
Donika Rudi ka treguar se shpresa dhe ringjallja janë dy konceptet në të cilat është bazuar programi nga organizatorët. Sipas saj ishin pikërisht këto të dyja, shpresa dhe ringjallja që përcollën të gjithë periudhën e pa përjetuar më parë.
“Mungesa e skenës dhe ndalimi i aktiviteteve kulturore krijoj një boshllëk. Në përpjekje për të dalë nga ky boshllëk, ne e pamë të rëndësishme që të gjithë këtë energji dhe këtë dëshpërim në njëfarë forme ta shndërrojmë në shpresë, si filozofi të jetës, të gëzimit e të këngës. Dhe në fund, na duket se koncepti i ringjalljes shfaqet si forcë lëvizëse në arritjen e një bote më të mirë, e më të lumtur”.
Ajo ka thënë se ndryshe nga edicionet e mëhershme ku në fokus kanë qenë ansamblet e shumta, orkestrat e koret nga Kosova, Japonia e Amerika, këtë vit kjo ka ndryshuar sepse koncertet do të jenë kryesisht me ansamble kamertale e formacione të vogla.
“Pandemia na ka bërë të reflektojmë në përpilimin e programit në tërësi, për dallim nga vitet dhe edicionet e kaluara ku gjithmonë kemi pasur në fokus ansamblet e shumta, orkestra dhe koret si nga Kosova, Japonia apo Amerika, këtë vit është dashur që kjo të ndryshoj. Kështu që koncertet do të jenë kryesisht ansamble kamertale, formacione të vogla në mënyrë që kontakti të jetë më i pakët për shkak të covid19”, ka shtuar drejtoresha e festivalit.
Krejt në fund Donika Rudi ka treguar se në sallat e koncerteve të Amsterdamit, Austrisë, Gjermanisë, Francës e Prishtinës do të mungoj publiku, sepse pavarësisht të bukurës që krijon muzika, ruajtja e shëndeti çdo herë është më e rëndësishme.
Ajo ka shtuar se festivali është me fat që për nëntëmbëdhjetë vite të ekzistencës së tij ka pasur një përkrahje dhe një publikë të devotshme. Sipas saj edhe në periudhën e pandemisë ka pasur një përkrahje të pashoq për festivalin. / KultPlus.com
Këngëtari i njohur lirik, Placido Domingo njoftoi sot nëpërmjet një deklarate se nuk do të performonte më në Teatrin Mbretëror të Madridit dhe se do të tërhiqej nga të gjitha rolet në opera, pas pranimit të akuzave kundër tij për ngacmim seksual.
“Nuk jam sjellur kurrë në mënyrë agresive me dikë”, u shpreh ai, i penduar që ndjesa e tij kishte dhënë një përshtypje të gabuar.
Prej kohësh mohues i akuzave për ngacmim seksual, këngëtari i famshëm i operas, Placido Domingo u kërkoi falje të martën 20 grave në SHBA, të cilat e kishin akuzuar.
“Dua që ato të dinë se më vjen sinqerisht keq për dhimbjen që u kam shkaktuar. Unë pranoj përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia”, tha këngëtari 79-vjeçar, në Los Anxheles.
Pasi iu desh të hiqte dorë nga karriera e tij në SHBA, Placido Domingo mori një goditje edhe nga vendi i tij i lindjes, Spanja, që për herë të parë anuloi dje pjesëmarrjen e tij në një shfaqje, pas pranimit prej tij të akuzave për ngacmim seksual.
“Kur ai tha se ajo që ka ndodhur, ka ndodhur me të vërtetë, në lidhje me fakte serioze që kanë prekur shumë gra, ne vendosëm se nuk ishte më e nevojshme prania e tij”, deklaroi ministri spanjoll i Kulturës, José Manuel Rodríguez Uribes./ atsh / KultPlus.com
Grupi “Backstreet Boys” do ta vazhdojë turneun nëpër Amerikën Veriore gjatë kësaj vere, pjesë e së cilit do të jenë gjithsej 45 koncerte. Ky turne i realizuar nga kompania promovuese “Live Nation”, do të nisë me 10 korrik në teatrin “Jones Beach” në New York, si dhe do të përfshijë koncerte nëpër Amerikë dhe Kanada, ndërsa do të përmbyllet më 9 tetor në Los Angeles.
Datat e reja të koncerteve janë pjesë shtesë e turneut të parë botëror të bendit, “DNA World Tour”, i cili filloi verën e kaluar. Turneu që ka për qëllim promovimin e albumit të tyre të fundit “DNA”, dhe i ka dërguar pesë antarët e grupit në pesë kontinente të ndryshme, do të rinisë në fund të këtij muaji me disa koncerte në Meksikë, Amerikën Jugore, Australi dhe Zelandë të Re, transmeton Koha.net.
“Ne u dhurojmë fansave 100% të energjisë sonë, duke e realizuar koncertin më të mirë të mundshëm të grupit “Backstreet Boys”. I interpretojmë live hitet tona, vallëzojmë me gjithë shpirt në skenë dhe e bëjmë këtë nga dashuria për fansat. Ne i kemi adhuruesit më të mirë në botë. Ata vijnë në koncertet tona për të festuar, këndojnë me gjithë fuqinë dhe ne ushqehemi nga ajo energji,” citohen të ketë thënë anëtarët e bendit.
Biletat për koncertet e radhës në Amerikën Veriore do të dalin në shitje për publikun, nga 14 shkurti. / KultPlus.com
Mexosopranoja nga Kosova, Sanije Matoshi ka performuar dy mbrëmje radhazi në New York, atje ka performuar me artistë të mirënjohur që jetojnë e veprojnë në New York, shkruan KultPlus.
Koncerti i titulluar “Poetica Musica”, ka qenë nën organizimin e sopranos, Eleanor Valkenburg, ndërsa janë interpretuar vepra te kompozitorëve të cilët kanë vepruar gjatë Luftës se II-të Botërore.
Matoshi në këtë koncert të mbajtur në Long Islan New York, në Old Westbury Gardens, ka interpretuar një cikël këngësh nga kompozitori Manuel de Falla- Siettes Canziones populares Espagnoles, ndërsa është përcjellë më kitarë nga Oren Fader.
Kurse mbrëmë, ajo ka realizuar një koncert tjetër, i cili organizohet nga Albanian-American Cultural Foundation, që udhëhiqet nga Cafo Boga. Ky koncert u mbajt në Symphonyspice Broadëay New York, ndërsa u realizuar për diasporën shqiptare atje./ KultPlus.com
Trison Trio, është grupi i formuar nga tre të rinj kosovar, të cilët kanë një të përbashkët e ajo është muzika, shkruan KultPlus.
Kësisoj, ky grup i formuar në vitin 2017-të, nga instrumentistët: Penarta Kryeziu (Flaute) Ylli Zhaveli (Klarinet) Uran Osmanaj (Cello), pas disa masterklaseve që kanë mbajtur në Zvicër, Gjermani, Beligjikë, Francë, Itali, kanë vendosur të mbajnë një tur koncertesh nëpër Kosovë. Në këtë tur të Trison Trio, mysafir është Melos Buza në piano.
Koncertet nisin nga nesër me Pejën më 3 maj, për të vazhduar tutje me Gjakovën – 4 maj, Prishtinë – 7 maj dhe Prizren më 9 maj./ KultPlus.com
Këtë vjeshtë, të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në New York apo gjenden atje për vizitë, kanë një arsye më shumë për të shkuar në koncerte. Artistët më të njohur shqiptar në Amerikë janë në turne dhe këto janë datat kur ata do të mbajnë koncert në New York, një vend ku komuniteti shqiptar është mjaft i madh.
Më 20 shtator, reperi i njohur G4SHI ka mbajtur koncert në Brooklyn të NY, në eventin “The Genius of Rap Caviar”. Ndërsa atë e pret edhe një koncert tjetër më 21 tetor në “Shoreline Amphitheatre”, në Kaliforni në kuadër të “Rolling Loud Festival”, një festival i cili i kushtohet muzikës Hip Hop, pra një zhanër që G4shi e kultivon, madje shquhet si një nga hip hop artistët më të mirë.
Siç dihet, G4shi, së fundmi ka nënshkruar kontratë me labelin e njohur “Roc Nation”, pas shumë ofertave që kishte nga kompani të ndryshme muzikore dhe tashmë ka zgjedhur shtëpinë e njohur të udhëhequr nga Jay Z. Këngëtari është duke punuar edhe në projekte të reja muzikore, të cilat pritet t’i publikon gjatë muajve të ardhshëm, raporton Express i KTV-së.
Më 12 tetor, Njomëza mban koncert në Brooklyn tek “Baby’s All Right”, një bar mjaft i njohur atje. Njomëza këngëtarja me prejardhje shqiptare, tash e tre vjet po ndërton karrierë muzikore në Amerikë dhe është pjesë e kompanisë muzikore, “REMember Music”. Njomëza ka lindur në Chicago të Amerikës, nga prindër shqiptarë.
Ajo ka nisur të këndojë në moshën pesë vjeçare ndërsa në moshën 14 vjeçare ajo e formoi bendin muzikor “Scarlett”. Ajo gjithashtu njihet për bashkëpunim me Scrillex. Ka vetëm dy ditë që këngëtarja e ka publikuar videon e këngës, “Sad For you”, një këngë prej EP me të njëjtin titull. Me këtë video po tregon se nuk vjen me si “e re” në tregun muzikor, por si një artiste e kompletuar.
Me 6 nëntor, Bebe Rexha mban koncert në Manahttan, tek Terminal 5. Në këtë koncert shiten dhe bileta VIP ku keni mundësi ta takoni dhe të bëni foto me Beben. Këngëtarja do të performojë edhe në Las Vegas në një koncert ku do të interpretojnë edhe yjet të tjerë si, Coldplay, The Weeknd, Lorde, Kings of Leon, Pink, Miley Cyrus dhe Big Sean, David Guetta etj.
Më 24 nëntor, Dua Lipa, mban koncert po ashtu në Manhattan. Këngëtarja po vazhdon të qëndrojë në maje të toplistës Billboard. Ajo e kryeson grafikun e artistëve në zhvillim për të dytën javë rresht. E lumtur nga ky fakt, Dua ka shpërndarë këtë status me një falënderim të veçantë. Kujtojmë që këngëtarja shqiptare, ka arritur ti kryesojë top listat në Britani të Madhe me këngën e saj të fundit “New Rules”.
Dua Lipa, ylli i ri në botën e muzikës, së fundi është bërë edhe imazh ekskluziv i fushatës reklamuese të koleksionit vjeshtë/dimër 2017-2018 të markës së njohur “Patrizia Pepe”. Përmes një video të publikuar mbrëmë, Dua shfaqet mjaft joshëse dhe me shumë stil, e veshur nga brendi Patrizia Pepe.
Po në këtë video reklamuese Dua e këndon edhe këngën “Bang Bang”, këngë kjo e krijuar nga Dua ekskluzivisht për brendin e njohur amerikan. / KultPlus.com
Këngët e suksesshme, koncertet e shumta dhe gjithë dashuria që ka marrë, sidomos kohëve të fundit nga fansa e tij të cilët gjithmonë janë në rritje, kanë bërë që këngëtari Capital T të synojë më larg, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në Instagram, Capital T ka njoftuar që shumë shpejt do të nisë një turne botëror të koncerteve, por duke mos dhënë më shumë detaje. Ai ka shkruar që një gjë e tillë po vjen dhe së shumë shpejt do të njoftojë për detaje të tjera. Gjithashtu, këngëtari ka pyetur fansat se në cilat vende të botës dëshirojnë ta shohin.
Se çfarë përmasa do të marrë ky turne i koncerteve të Capital T dhe sa i suksesshëm do të jetë, kjo mbetet të shihet. / KultPlus.com