Botohet në finlandisht një antologji e poezisë shqipe

Libri “Na ishte njëherë shpresa” – poezi bashkëkohore shqiptare, u botua në finlandisht nga shtëpia botuese “Aviador”, e përgatitur dhe e përkthyer nga Silvana Berki dhe e edituar nga Aleksanteri Kovalainen. “Këtë qershor si për gëzim vjen për ne lexuesit finlandezë diçka krejt e veçantë: antologjia e poezisë shqiptare. Për shembull, mua nuk më kujtohet të kem përkthyer as edhe ndonjë roman shqiptar; edhe pse romanet e Anilda Ibrahimit janë akoma në listën e radhës, por akoma nuk kam ardhur deri aty.

Shqipëria ka ngelur për ndonjë arsye një vend i panjohur, ndaj mbasi lexova këto poezi mund të them se tani më intereson ta njoh si edhe letërsinë e saj”, thuhet në njoftim të botuesit. Aty më tutje theksohet se këtë koleksion poezish e ka përgatitur shkrimtarja Silvana Berki, e cila jeton në Finlandë prej 1991-s. Që në fillim të librit është shkruar historia e gjuhës dhe e letërsisë shqipe prej profesorit Gazmend Krasniqi, i cili është i përfshirë në antologji edhe si poet. E kaluara e këtij koleksioni antologjik fillon që prej vitit 2016, ku për herë të parë u përkthye në gjuhën shqipe antologjia e poezisë finlandeze.

Në libër përfshihen 27 poetë me një brendësi shumëdimensionale. Prej tyre numrin më të madh e zënë poetët e Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe prej Malit të Zi, Maqedonisë dhe Italisë. “Emri më i njohur prej tyre është ai i Ismail Kadaresë, emrin e të cilit e kisha dëgjuar edhe unë, edhe pse ndonjë gjë më tepër për të nuk dija. U impresionova tek lexoja këto poezi kaq me vlerë. Mbas leximit duket sikur ngel në mendime dhe ke dëshirë t’i lexosh përsëri. Pastaj mbasi ta kem lexuar këtë libër përsëri do të bëj kështu, do të lexoj në një ditë vetëm një poezi ose dy! Tani m’u desh ta lexoja librin menjëherë dhe shumë shpejt, kështu që nuk munda as të thellohem dot nga nxitimi. Por kjo nuk do të thotë që nuk munda të ndalem dhe t’i shijoj ato tekste të cilat më impresionuan më shumë. Mbasi shkrimtarët poetë janë kaq shumë, ata nuk mund t’i prezantosh këtu të gjithë. Ndoshta ngaqë nuk di të bëj një përmbledhje të përgjithshme, sidomos kur më duhet të pranoj që i kam lexuar këto poezi pothuaj i lodhur. Është vështirë po ashtu të zgjedhësh se cilat nga këto poezi janë më të veçanta, sepse të gjitha janë poezi që flasin shumë. Malli për atdheun Shqipërinë prej së largu është njëra nga temat e koleksionit. Për shembull poezia e poetit dhe shkrimtarit Ismail Kadare, i cili jeton dhe vepron në Francë, shkruan poezinë ‘Malli i Shqipërisë’. Të tilla dhimbje malli ke edhe ndër poezitë e poetit Agron Tufa në poezinë ‘Elegji’”, shprehet botuesi.

Botuesi bën të ditur se titulli i koleksionit poetik “Na ishte njëherë shpresa” vjen prej poezisë së poetit shqiptar të Kosovës Ndue Ukaj, nga poezia “Në ditë vjeshte si kjo”.

Historia e Shqipërisë dhe e Kosovës, si edhe gjendja e shoqërisë duken qartë edhe në këto poezi shumë natyrshëm, ku në secilën është prezantuar edhe gjendja e poetit. Aty kuptohet gjendja e diktaturës, mungesa e lirisë së fjalës, lufta, dhuna, shkatërrimi dhe vuajtjet. Ajo që vjen me prozaiken, si për shembull dikë prej tyre e ndaluan të punojë si gazetar dhe tjetrit duket që ia kanë ndaluar të publikojë librin poetik, tjetrit ia ndaluan ta qarkullojë të sapobotuarin libër si një influencë “jo e shëndetshme” për shoqërinë. “Shqiptarin e Kosovës Adem Gashin e burgosën nën diktaturën serbe në vitin 1982 pikërisht në të njëjtën kohë kur po publikonte për herë të parë librin e tij poetik. Gjatë luftës së Kosovës të njëjtit poet ia dogjën të gjithë bibliotekën me pesë mijë libra. Poeti i Kosovës Xhevdet Bajraj jeton në këtë kohë në Meksikë. Në poezitë e tij dhuna dhe lufta shfaqen me një dozë të madhe. Mbas tyre e bukura qëndron larg, siç ndodh shpesh ne gjendje lufte. Poezia e tij ‘Gjellë shqiptare’ është poezia më e tmerrshme dhe më tronditëse në të gjithë koleksionin”, shprehet ai.

Në njoftimin për botimin e kësaj antologjie thuhet se ky tmerr nuk përfundon me fillimin e poezisë, por ato vazhdojnë më tej: gra të përdhunuara, fëmijë të vrarë. Poezia paraqit mizoritë dhe brutalitetin e luftës pa e zbukuruar atë. E megjithatë libri ka edhe gjëra të bukura, për të cilat unë nuk mund t’i cek në këtë shkrim, ndaj uroj ta lexoni vetë të gjithë koleksionin. “Në libër nuk ka vetëm histori lufte, as dhimbje ose mall, të cilat natyrisht janë pjesë e jetës – si në të gjithë botën. Humanizëm, dashuri, kujtime fëmijërie, përshkrim i natyrës, jetës së qytetit e analiza besimi. Nga e gjithë kjo përzgjedhje e gjerë secili mund të gjejë diçka për vete, e cila të flet vetëm ty. Ishte kënaqësi të njihesha me shpirtin e shqiptarëve kudo ndodhen me anë të këtyre poezive. Tani duhet të kërkojmë romanet shqiptare dhe libra të tjerë rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve”, përfundon kështu njoftimi. Përktheu nga finlandishtja, Silvana Berki

Bojë dhe gjak

Poezi e shkruar nga André Laude.

E bëj jetën time natë pas nate një grumbull plehrash.
E bëj jetën time një kronikë të mjegullt.
E bëj natën time një kryqëzim fantazmash.
E bëj gjakun tim një lumë të gjatë
që rreh në tëmthat e mi.
E bëj frikën time një zog bardh e zi
E bëj një zog të ngordhur, të kalbur,
fëmijën që do të kisha mundur të jem.
E bëj fëmijën një zjarr të çmendur, një pirg hiri.
E bëj vdekjen time të ardhshme një gosti gjarpërinjsh.
E bëj një gjarpër litar për të varur veten.
E bëj një heshtje të gjatë, të thellë, testamentin
e gjithçkaje që qe shkatërrim, tmerr, mërzi,
ndarje dhe çirrje të pafundme.
Urinoj bojë dhe gjak.
Urinoj bojë dhe gjak.
Këndoj mbi turrën e ndëshkimeve.

Monologu i një gruaje

Poezi e shkruar nga NATASHA LAKO.

Me cilët sy të të shihja dashuri,
Me cilët sy?

Ishin vite të rëndë,
Duvaku na ngatërrohej në këmbë.

Kishim shumë për të hedhur,
Kishim shumë për të ngritur,
Ashtu si nga errësira,
çohet e papritur.

Prandaj zgjodhëm agimin,
Kohën që ndan gjithçka –
Me dritën e tij
Krijuam sytë tanë.

Melodi

Poezi e shkruar nga Ergisa Bebja.

Ti, tejçon sembim në shpirtin tim
më deh me fjalë me nota muzikore
nga do-ja të si-ja thurën
të thëna e të pathëna fjalë
Ti nën ritmin muzikor
pakuptimsisht të dërgon në të panjohurën mendim
mendim çmendurak apo i trisht
kjo per ty s’ka më rëndësi

Sa keq!
Doja të të takoja
Të të pyesja
24 orë me ty të flisja
Se egër më sillesh
Në Lucifer më dërgon
E me përdallosje në qiell të shtatë po prapë më çon

Të tillë sjellje bëjnë njerëzit
Ti pse kështu ?
Të gjithë të duam
Me hir apo pahir
Je ti balsam i shpirtit njeri

Në çdo gjuhë që ti flet
Ne po prapë të kuptojmë
E përkëdhelur nga të gjithë
Si aureole ngjason melodi
Por të lutem
Si tingujt e Carmina Buranes
Me trishtim mos m’u sill!

Kësaj nate me hënë të vjeshtës

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu.
Retë shtohen me vrap pa reshtur,
Hëna duket aty-ketu.
Porsi vetë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë qe duket mes resh.
Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të, kurse ti
në ëndërrimet e mia pa jetë
perëndim s’do të kesh kurrsesi.